Opinion

Kosova e ka një mundësi të artë dhe nuk duhet ta humbë

Në 15 vjetët e mi si deputet i Partisë Laburiste Britanike ka pasur pak momente më të paharrueshme për mua sesa ai kur shteti im e njohu pavarësinë e Kosovës më 2008. Në të vërtetë, përpara kësaj, në pranverën e 1999-s, më kujtohet nata e votimit në Westminster për zbatimin e programit të brendshëm të Qeverisë teksa në të njëjtën kohë avionë të NATO-s po e bombardonin Beogradin. Pas dy muajsh e gjysmë qe një ndjenjë e përnjëmend lehtësimi kur Milosheviqi më në fund u dorëzua.

Më vonë, më 2005, në atë që doli të jetë viti i fundit i jetës së tij, ish-sekretari i jashtëm, Robin Cook, e gjeti veten në një zyrë ngjitur simes. Ai vetëm deshi t’i diskutojë dy tema për të cilat ishte po aq i pasionuar – Kosovën dhe garat me kuaj! Pjesërisht për nder të tij, ndihmova në themelimin e Grupit Parlamentar Ndërpartiak për Kosovën. Sot shërbej si president nderi i Dhomave britaniko-kosovare të Tregtisë dhe jam njashtu anëtar krenar i “Labour Friends of Kosovo”.

Që nga viti 2008, Kosova ka bërë përparime të dukshme demokratike e ekonomike. E ka forcuar demokracinë e saj nëpërmjet zgjedhjeve të rregullta dhe konkurruese, e ka përforcuar shoqërinë e saj civile dhe e ka përmirësuar transparencën nëpërmjet reformave të vazhdueshme gjyqësore dhe kundër korrupsionit. Ekonomikisht, Kosova e ka ruajtur një rritje të qëndrueshme të PBB-së, të nxitur nga fuqia punëtore e re dhe nga rritja e investimeve të huaja, përderisa i ka thelluar lidhjet tregtare rajonale dhe ka avancuar drejt standardeve ekonomike të BE-së. Me gjithë sfidat e mbetura, vendi ka demonstruar qëndrueshmëri dhe një trajektore të qartë drejt integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik.

Megjithëkëtë, bota sot është shumë më e rrezikshme sesa që ishte më 2008. Rusia vazhdon të zhvillojë luftë në Ukrainë, SHBA-ja po distancohet nga Evropa dhe po u kërkon aleatëve evropianë që të kujdesen për veten, ndërsa rendi global qartazi po transformohet para syve tanë. Për Kosovën, kërcënimi nga Serbia, e mbështetur nga Rusia, mbetet i madh – siç edhe e pamë aq qartë në Banjskë, dy vjet më parë.

Kjo edhe është arsyeja përse isha i gëzuar kur dëgjova se Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova synojnë ta forcojnë partneritetin nëpërmjet zhvillimit të një marrëveshjeje strategjike dypalëshe, të fokusuar në mbrojtje, siguri dhe tregti. Nëse një marrëveshje e tillë i përfshin masat e forta, si bashkëpunimin në rast të një sulmi të armatosur të ardhshëm ndaj Kosovës, atëherë ajo do ta shënojë garancinë më të rëndësishme të sigurisë që Kosova mund të ketë negociuar, përveç asaj për anëtarësim në vetë Aleancën e NATO-s. Krahas kësaj, kryeministri i Kosovës i ka thënë gazetës “Guardian” se “dëshiron ta ndihmojë Mbretërinë e Bashkuar” lidhur me problemet e saj me migrimin e paligjshëm që po kontribuon në rritjen e së djathtës ekstreme.

Megjithëkëtë, ajo ende nuk është marrëveshje e përfunduar. Raportet e së përditshmes britanike “The Times” sugjerojnë se Mbretëria e Bashkuar po e shqyrton njashtu edhe një marrëveshje potenciale me Maqedoninë e Veriut. Nuk më takon mua që t’i këshilloj qytetarët e Kosovës se si të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit. Megjithëkëtë, mund t’u sugjeroj miqve të mi në të gjitha partitë politike se është detyrë e tyre demokratike që pas zgjedhjeve t’i bëjnë kompromiset e nevojshme për ta formuar një qeveri. Janë tri arsye kryesore për këtë: Pikësëpari, pa qeveri dhe pa stabilitet politik askush në Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar nuk mund të nënshkruajë në mënyrë legjitime një marrëveshje strategjike.

Së dyti, investimet e huaja tejet të nevojshme dhe marrëveshjet tregtare po shtyhen. E së treti, duhet të ekzistojë një mundësi reale që në vitin 2026 presidenti Trump ta kthejë vëmendjen e tij te Ballkani dhe Kosova do të duhet të jetë në gjendje që ta japë një përgjigje të fuqishme me aleatët e saj evropianë.

Brezat e ardhshëm të kosovarëve nuk do t’i shohin me sy të mirë politikanët e sotëm po qe se ata dështojnë të arrijnë marrëveshje. Siç e tha Gjergj Kastrioti Skënderbeu – “shkopinjtë thyhen lehtësisht një nga një, por kur janë bashkë, nuk mund të thyhen”.

(Autori ka qenë anëtar i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1997-2010 dhe 2017-2019. Aktualisht është aktivist i organizatës së njohur lobuese brenda Parlamentit Britanik, “Labour Friends of Kosova”. Ky opinion është shkruar ekskluzivisht për “Kohën Ditore”).