Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Sfidat e shëndetit të Joe Bidenit

Përmirësimi i mjekësisë klinike kërkon të menduar të guximshëm, oreks të madh për rrezik dhe përkushtim të qëndrueshëm për kërkimin e orientuar drejt qëllimit. Megjithëkëtë, Amerikës i ka munguar një agjenci e përkushtuar në inovacionin radikal shëndetësor

Ani se presidenti amerikan, Joe Biden, premtoi të udhëheqë me “shkencë dhe të vërtetën”, përpjekjet e administratës së tij për të avancuar shkencën kanë mbetur të mangëta. Bideni vetëm kohë më parë e emëroi komisionerin e Administratës për Ushqim dhe Barna dhe i duhet ende që t’i plotësojë shumë pozita të tjera kyç të politikës shkencore, përfshirë Zyrën e këshilltarit për shkencë në Shtëpinë e Bardhë dhe drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë.

Megjithëkëtë, Bideni ka kompensuar një pjesë të terrenit të humbur me propozimin e tij që të krijojë agjencinë të re shëndetësore, të modeluar sipas Agjencisë e Projekteve të Avancuara të Kërkimit të Mbrojtjes. Në fillim të këtij muaji, Kongresi ndau 1 miliard dollarë për të krijuar Agjencinë e Projekteve të Avancuara Kërkimor në Shëndetësi. ARPA-H do të përdorë shkencën në zhvillim për të krijuar bioteknologji dhe ilaçe të reja, njashtu siç DARPA-ja ka zbatuar kërkimin bazik në mbrojtje, komunikim dhe sektorë të tjerë.

Përmirësimi i mjekësisë klinike kërkon të menduar të guximshëm, oreks të madh për rrezik dhe përkushtim të qëndrueshëm për kërkimin e orientuar drejt qëllimit. Megjithëkëtë, Amerikës i ka munguar një agjenci e përkushtuar në inovacionin radikal shëndetësor. Në vend të kësaj, kjo detyrë i ka rënë DARPA-s, e cila ka arritur që të vërë peshën e saj në jetësimin e ilaçeve dhe vaksinave të reja. DARPA-ja ka punuar në kundërmasa pandemike që nga viti 2013 dhe më 2017 e themeloi Platformën e Parandalimit të Pandemisë, e cila u fokusua në zhvillimin e teknologjive të vaksinave me bazë në ARN-në dhe ADN-në si dhe në teknologjitë e antitrupave, disa vjet para se të shfaqej SARS-CoV-2.

I njëjti model i inovacionit mund ta hapë rrugën për më shumë përparime të mëdha bioteknologjike. Mjerisht, sikurse DARPA-së, edhe ARPA-H-së i është buxhetuar vetëm një fraksion i asaj që i nevojitet në të vërtetë – dhe më pak se një e gjashta e asaj që Bideni kërkoi. Për më tepër, struktura operacionale e ARPA-H-së mbetet e pasigurt, ngase ligjvënësit, këshilltarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Shërbimet Njerëzore dhe për Shëndet të Departamenti amerikan nuk pajtohen rreth asaj nëse ajo duhet të jetë një agjenci e pavarur apo një filial i NIH-së.

Duke e pasur parasysh misionin e deklaruar të ARPA-H-së, ajo absolutisht duhet të jetë agjenci e pavarur me autoritetin për të financuar shkencën radikale e përparimtare. Sfidimi i kufijve teknologjikë dhe formësimi i tregjeve të reja është një shenjë dalluese e modelit DARPA, i cili e përshpejton inovacionin duke marrë rreziqe të mëdha. DARPA-ja mbështetet fuqimisht në menaxherët e pavarur të programit, të cilët ndjekin qëllime ambicioze, qëllimet qartësisht të përcaktuara dhe të cilët punojnë ngushtë me kontraktorët për ta garantuar suksesin e një projekti dhe qëndrueshmërinë komerciale.

Edhe Hamza: Sigurime shëndetësore, barna falas e shërbime cilësore Zgjedhjet 2026 1 muaj më parë Hamza: Sigurime shëndetësore, barna falas e shërbime cilësore

Më saktësisht, modeli DARPA bie në kontrast të plotë me atë të NIH-së. Ani se NIH-ja luan një rol vendimtar në financimin e kërkimit bazik, atij i mungon guximi, oreksi për rrezik dhe stafi zyrtarëve të programit novator që e kanë bërë DARPA-në një sukses të këtillë. Ajo ka një qasje më konservatore, sepse i nënshtrohet procesit të pavarur të rishikimit që e redukton tolerancën e tij kundruall rrezikut dhe dështimit. Derisa DARPA-ja e vlerëson secilin projekt sipas një nevoje specifike, NIH-ja duhet t’i vlerësojë të gjitha propozimet karshi njëri-tjetrit.

Investimet me risk në inovacionin e bioteknologjisë i përkasin kategorisë më vete. Kjo është arsyeja përse si Bideni, ashtu edhe ish-drejtori i NIH-së, Francis Collins, kanë argumentuar që ARPA-H-ja të jetë agjenci e pavarur. Qëllimi i agjencisë është që të mbushë boshllëqet e mëdha në tubacionin aktual të inovacionit për bioteknologji: fazat nga kërkimi bazik deri te provat klinike. Për të pasur sukses në përshpejtimin e inovacionit dhe reduktimit të kostove për barna, ARPA-H-së do t’i nevojitet buxhet shumë më i madh sesa ai i Zyrës së Teknologjive Biologjike të DARPA-s dhe do të ketë nevojë të adoptojë qasje të bazuara në inovacionin shëndetësor.

Për këtë qëllim, ARPA-H-ja duhet ta inkorporojë një model inovacioni të “tubacionit të zgjeruar” që e mbështet inovacionin duke nisur nga kërkimi deri te komercializimi, siç bën DARPA-ja. Ajo duhet të zbatojë qasje të orientuar kah misioni për t’i mbushur boshllëqet në inovacionin biomjekësor. Duhet të përqendrohet në financimin e inovacionit radikal. Dhe duhet ta sigurojë kontrollin mbi çmimet dhe qasja në ilaçe. Në kohën kur Big Pharma po shpenzon më shumë në blerjen e aksioneve (për të rritur çmimet e aksioneve, opsionet e aksioneve dhe pagesën për ekzekutivin) sesa në kërkim dhe zhvillim, kushtëzimet e tilla janë të nevojshme për të garantuar që inovacioni t’i shërbejë të mirës publike.

Formimi i ARPA-H-së do të krijonte shumë mundësi të reja. Agjencia mund ta përforcojë theksin e vënë te shëndeti publik, ta zgjerojë qasjen në teknologji, t’i ulë çmimet, ta përmirësojë ndarjen e njohurive dhe ta racionalizojë prokurimin në nivel ndërkombëtar. Dhe duke e pasur një dizajn të qartë të frymëzuar nga DARPA-ja, mund të sigurojë që inovacioni për barna, i të financuara nga taksapaguesit, faktikisht t’u kontribuojë taksapaguesve, e jo vetëm hisedarëve në Big Pharma.

Në bashkëpunimin e vet me sektorin privat, NIH-ja vazhdimisht ka dështuar që të krijojë kushte që do të garantonin përfitime për publikun më të gjerë. ARPA-H-ja duhet ta ndjekë një model tjetër. Pse të financohen inovacionet, në të cilat njerëzit nuk do të kenë mund të kenë qasje?

Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për agjenci të orientuara kah qëllimi për t’i adresuar problemet e tyre në rritje. Kriza me opioide ka nxjerrë në pah lidhjet e forta midis problemeve të shëndetit publik dhe pabarazisë, ndërsa pandemia COVID-19 e ka nënvizuar nevojën për më shumë prokurime të financuara nga Qeveria për ilaçe e vaksina.

Edhe Hamza prezanton zotimin për shëndetësi: Sigurime shëndetësore, barna falas, e shërbime cilësore Zgjedhjet 2026 1 muaj më parë Hamza prezanton zotimin për shëndetësi: Sigurime shëndetësore, barna falas, e shërbime cilësore

Programet qeveritare duhet të dizajnohen për t'u shërbyer nevojave të publikut, e jo vetëm për fitime të sektorit privat. ARPA-H-ja është një mundësi për ta demonstruar mençurinë e kësaj qasjeje.

(Mariana Mazzucato, profesoreshë e Inovacionit dhe Vlerës Publike në Kolegjin Universitar të Londrës, është autore e Mission Economy: A Moonshot Guide to Changing Capitalism (Penguin Books, 2022)). Travis Whitfill, studiues i politikave shëndetësore në Universitetin Yale, është partner në Bios Partners dhe studiues i diplomuar në Institutin e Kolegjit Universitar të Londrës për Inovacionin dhe Qëllimet Publike. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).