Si të gjithë presidentët amerikanë, Bideni ende ka pushtet dhe ndikim të konsiderueshëm. Por, qysh e kanë treguar 100 ditët e para, çfarë presidentët amerikanë nuk mund të kontrollojnë është konteksti në të cilin operojnë
Joe Biden i ka bërë 100 ditë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo rreth më pak se shtatë për qind të kohës për të cilën është zgjedhur për të shërbyer. Megjithatë, nuk është shumë herët për t’i nxjerrë disa përfundime për natyrën e presidencës së tij.
Arritja më e madhe deri tani e Bidenit është zgjerimi i sigurimit të vaksinës kundër COVID-19 dhe zgjerimi i procesit të imunizimit në vend. Rreth 220 milionë doza janë administruar në Shtetet e Bashkuara prej kur Bideni mori drejtimin e vendit. Ka më shumë se mjaftueshëm doza për t’u siguruar se çdo i rritur të vaksinohet. Numri i vdekjeve brenda ditës ka rënë nga katër mijë në një mijë. Ekonomia pritet të shënojë tkurrje, me disa ekspertë që paralajmërojnë se mund të ketë edhe krizë.
Gjatë po këtyre 100 ditëve, temat kryesore të presidencës së Bidenit, të artikuluara në adresimin e tij të 28 prillit në Kongres, janë: theksimi i zgjidhjes së sfidave të brendshme, rol i zgjeruar për qeverinë federale në nxitjen e ekonomisë dhe ofrimit të shërbimeve themelore dhe mbështetjes financiare për qytetarët, si dhe përkushtimi për të konfrontuar racizmin, modernizuar infrastrukturën, ngritur konkurrencën e vendit, e luftuar ndryshimin klimatik. Ka gjithashtu gatishmëri për t’i ngritur taksat ndaj korporatave dhe të pasurve për të paguar për disa prej kostove që implikojnë këto nisma. Dhe se sa do të zbatohet kjo agjendë, mbetet të shihet; tani për tani, krahasimet ndërmjet Bidenit dhe Franklyn Delano Rooseveltit, ose Lyndon B. Johnsonit janë të kuptueshme, por në njëfarë forme të parakohshme.
Shumica e asaj çfarë ka bërë ose dëshiron të bëjë Bideni paraqet shmangie të madhe krahasuar me pararendësin e tij, Donald Trump, dhe mbase kjo mirëpritet në mesin e shumë amerikanëve. Sa për imigrimin, qasja e Bidenit megjithatë po vërtetohet ndryshe. Mesazhi i tij po shihet si pjesërisht përgjegjës për ngritjen e numrit të njerëzve që po mundohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nëpërmjet kufirit jugor. Njëherësh, tavanet për pranimin e refugjatëve janë tepër të larta për shumë republikanë dhe jo fort të larta për shumë demokratë.
Megjithatë, është politika e jashtme ku krahasimet me Trumpin janë më interesantet. Në shikim të parë, Bideni nuk mund të ishte më ndryshe. Ai ka përqafuar mulilateralizmin dhe ka kthyer SHBA-në në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe në Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Dhe administrata e tij po punon për t’u rikthyer në marrëveshjen atomike të vitit 2015 me Iranin, prej së cilës Trumpi u tërhoq njëanshëm.
Bideni ka rikthyer aleancat dhe aleatët tradicionalë në thelb të politikës së jashtme amerikane. Ai tashmë ka pritur kryeministrin japonez, Yoshihide Suga, në Washington dhe do të fillojë udhëtimin e parë tejoqeanor në Evropë në qershor për Samitin e G7-s. Asnjë ushtar amerikan nuk do të tërhiqet nga Gjermania, gjë të cilën Trumpi e kishte ndarë mendjen ta bënte. Dhe administrata e Bidenit i ka kthyer të drejtat e njeriut në themel të politikës së saj të jashtme, duke kritikuar rregullisht Rusinë dhe Kinën, sanksionuar Birmaninë dhe publikuar një raport që e mban përgjegjës princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman, për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi.
Por, ka më shumë vazhdimësi të politikës së jashtme ndërmjet Bidenit dhe Trumpit sesa mund të shihet me sy. Ktheni sytë kah Afganistani, ku dallimi vërehet brenda vetëm katër muajsh: Trumpi nënshkroi një pakt me talebanët, në të cilin zotohej për tërheqjen e krejt forcave ushtarake amerikane deri më 1 maj; Bideni është zotuar që tërheqja të zgjasë deri më 11 shtator. Po aq e rëndësishme është të spikatet se Bideni ka përqafuar insistimin e Trumpit se kalendari – e jo kushte lokale – do ta përcaktojë afatin e tërheqjes ushtarake amerikane.
Ka një vazhdimësi të konsiderueshme edhe kur vjen puna te politika kundrejt Kinës. Më nuk dëgjoni thirrjet për ndryshim regjimi, por kontakte të nivelit të lartë diplomatik ndërmjet zyrtarëve amerikanë e kinezë, që zor se mund të ishin më pak diplomatike. Njëherësh, administrata e Bidenit ka mbajtur tarifat dhe kontrollet e eksportit, vazhdoi të dërgonte luftanije amerikane për të sfiduar pretendimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore, ka përsëritur përshkrimin e veprimeve kineze në Xinjiang si gjenocid, ka sanksionuar zyrtarët kinezë dhe ka ruajtur kontaktet e nivelit të lartë me Tajvanin.
Sa për tregtinë, çfarë është konsistente është mungesa e nismës. Në mungesë të një politike të fuqishme kundrejt Kinës, nuk ka asnjë shenjë se SHBA-ja po shqyrton gatishmërinë për t’u bërë pjesë e grupimeve tregtare rajonale të Azisë së Paqësorit. Në vend të kësaj ka zotim të vazhdueshëm për “Buy American” bashkë me muhabetin për politikën e jashtme për shtresën e mesme, përndryshe slogan bosh që sugjeron se tregtia do të vazhdojë të jetë prioritet i ulët duke pasur parasysh sa kundërthënëse vazhdon të mbetet në mesin e shumë amerikanëve.
Madje edhe në çështjen e pandemisë, presidenca e Bidenit ka përqafuar diçka të sojit të qasjes “America First”, kur vjen puna te ndarje (e jo refuzimi për të ndarë) vaksinuar e prodhuara amerikane me pjesën tjetër të botës. Kjo po ndryshon së fundmi, me zotimin për t’i ndarë dozat e pahapura të “AstraZenecas” me të tjerët. Por, ndryshimi është i kufizuar dhe vonesa ka ofruar hapje strategjike për Kinën dhe Rusinë, ka ngadalësuar rimëkëmbjen ekonomike anembanë botës, ka ngritur vështirësitë dhe ka krijuar mundësi për shfaqje dhe përhapje të varianteve të tjera të COVID-19.
Thënë shkurt, derisa Trumpi më nuk është në Zyrën Ovale, trumpizmi vazhdon të jetë kudo. Mësymjet e tij kundër tregtisë së lirë dhe imigrimit, promovimi i pikëpamjes së ngushtë për botën, “Buy American” dhe mashtrimet kundrejt shkurtimeve janë tani dhe do të mbesin edhe për një periudhë afatshkurtër pjesë e fabrikës politike. Vendi vazhdon të mbetet i polarizuar; Kongresi është pothuajse barabar i ndarë. Kjo i lë Bidenit hapësirë të kufizuar për manovra derisa rreket të promovojë demokracinë, të ushtrojë diplomacinë dhe të rivitalizojë institucionet globale.
Si të gjithë presidentët amerikanë, Bideni ende ka pushtet dhe ndikim të konsiderueshëm. Por, qysh e kanë treguar 100 ditët e para, çfarë presidentët amerikanë nuk mund të kontrollojnë është konteksti në të cilin operojnë.
(Richard N. Haass, president i Këshillit për Marrëdhënie të Jashtme, është autor i librit “The World: A Brief Introduction”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).
Përktheu: Rexhep Maloku