OpEd

Sendet “e thjeshta”

Fjala kompromis është harruar prej kohësh. E duket se kurrë më shumë nuk na është dashur. Kosovës tash i duhet një qeveri, që do të mundësojë krijimin e komisioneve dhe një Kuvend që i miraton të gjitha ato që do ta sigurojnë një frymëmarrje pak më normale bile edhe për ndonjë muaj. Më pas e dimë: sërish në zgjedhje, sërish pallavra, sërish luftë inatesh

Kaloi edhe një javë, dhe nuk ndryshoi fort ndonjë gjë, pos që nesër do të mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e 17 komunave që me balotazh do ta përcaktojnë fituesin.

Qe një javë e debateve, që ma merr mendja më parë do t’i bindin votuesit të mos dalin në zgjedhje sesa të dalin – se e gjithë kjo çka na ka ndodhur në këtë vit na është shndërruar në një barrë të rëndë që mezi po presim ta heqim qafesh. Nëse do të mundemi.

Gjatë javës, Osmani mbajti konsulta me liderët e partive politike. VV-ja paraprakisht kërkoi më shumë kohë për t’u deklaruar për kandidatin e dytë eventual dhe doli me një propozim: Glauk Konjufca.

* * *

Kryeparlamentari i deritanishëm doli dhe tha se nuk ishte në kërkim të koalicionit, por thjesht në kërkim të votës për të, ashtu që të kryhen disa punë urgjente dhe më pas eventualisht të shkohet në zgjedhje. Tash përnjëherë, çështja e buxhetit dhe e bllokimit eventual të shtetit u bë urgjencë kombëtare. E cila u paralajmërua qysh në fillim të krizës politike/ekonomike, kur bëhej përherë e më evidente se VV-ja nuk do të hiqte dorë nga Haxhiu, kurse opozita e deridjeshme nga vendimi për të mos e votuar atë.

Mandatimi i Konjufcës u kundërshtua nga partitë e taborit tjetër, me argumentin e njëjtë: “Konjufca duhet të dëshmojë se i ka 61 vota dhe se për këtë duhet sjellë listën e nënshkrimeve të deputetëve që do ta përkrahin, për ta bërë propozimin e tij kredibil”.

Duke pasur parasysh se një kërkesë e tillë decidive nuk është paraparë në asnjë vend me shkrim, i mbetej Osmanit në diskrecion të vendoste po qe se ia jepte mandatin atij ose jo. Dhe ajo vendosi që po – ngase tashmë e kishte thënë se do të bënte përpjekje maksimale për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme.

Me këtë veprim, Osmani ia dhuroi VV-së edhe maksimum dy javë – brenda të cilave do të priteshin rezultatet e balotazhit që mund të kenë efekt psikologjik te votuesi për zgjedhjet qendrore të radhës. Gjithashtu ia dha edhe atunë për t’i ngarkuar me përgjegjësi partitë e tjera që janë deklaruar kategorike se nuk do ta votojnë qeverinë e VV-së pas gjithë këtyre muajve bllokade. Për pasojë, nuk do ta votojnë as buxhetin. Pra, faji bartet te to.

* * *

Tash topi është hedhur në fushën e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së: mosvotimi i Qeverisë nënkupton se shteti përfundimisht mbetet pa buxhet në fund të vitit. Kjo, për shkak se opozita me të drejtë argumenton se për formimin e komisioneve parlamentare, duhet të përcaktohet paraprakisht se cila parti/koalicion e mban pushtetin dhe cilat janë partitë e tjera që mbesin në opozitë. E përderisa nuk ka qeveri, kjo çështje mbetet e hapur, dhe për pasojë e pamundëson krijimin e komisioneve parlamentare, ngase është e paraparë që komisionet e caktuara të jenë të kryesuara nga deputetët e opozitës, përfshirë edhe atë për financa.

Po qe se VV-ja e shfrytëzon të gjithë afatin e përcaktuar me Aktgjykimin e Kushtetueses, seanca e Kuvendit duhet të mbahet më 18 nëntor. Nëse atë ditë kabineti Konjufca nuk i merr 61 vota, nuk do të ketë qeveri, pra nuk do të ketë as Kuvend, dhe do të vazhdojmë të mbesim me një qeveri në detyrë pa autorizime të plota. Katërdhjetë ditë më pas, do të dalim në zgjedhje sërish.

Nuk do mend se do të ishte mirë që të gjendeshin 5 deputetë që do ta votonin qeverinë, ashtu që të shkohet tutje me procedimin e kërkesës së Osmanit për zgjatjen e buxhetit deri më 31 mars të vitit vijues; që të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare të mbetura pezull, e më pas le të organizohet mocioni ose i votëbesimit, ose që me marrëveshje të shpërndahet Kuvendi. E besoj për këtë të fundit do të gjendet marrëveshje pa asnjë rezervë, sepse zgjedhjet prej kohësh janë bërë imperativ i të gjitha partive dhe njëkohësisht ëndërr e keqe për qytetarët e Kosovës.

Dhe me këtë rast, krejt historitë që do të mund t’i imagjinonim do të shkruheshin në këtë proces: zgjedhja e kabinetit Kurti 3 pa Kurtin në krye; qeveria me mandatin më jetëshkurtër në historinë parlamentare të Kosovës dhe miratimi i zgjatjes së buxhetit për tre muaj për herë të parë, në vend të miratimit të Ligjit për buxhetin.

* * *

Në rast se kjo qeveri votohet, atëherë është e padiskutueshme se zgjedhjet e radhës do të mbahen në fillim të vitit vijues. Atëherë, uroj, të mos hyjmë në krizë të serishme politike, sepse të gjitha gjasat janë që partitë nuk do të merren vesh për zgjedhjen e kryetarit konsensual. S’mund të merreshin vesh për çështje procedurale, se nuk deshën – pra edhe këtu, njësoj. Për inat.

E ndërkohë, derisa e gjithë vëmendja është kthyer nga balotazhi dhe vendimet populliste të qeverisë në detyrë, për ndarjen e ndihmave studentëve e të ngjashme, Kosova vazhdon të ballafaqohet me telashet e mbijetesës si dhe me probleme shumë serioze në sektorin e pambikëqyrur të shëndetësisë.

Ka disa muaj që SHSKUK kishte shpallur tenderin për furnizimin e spitaleve me materialin për hemodializë. Siç thuhej, tenderi ishte përpiluar në asi forme që e favorizonte qartazi një prodhues a një furnizues. Për pasojë, dikush u ankua në OSHP dhe materiali nuk u ble.

Procedura as pas sa muajsh, nuk përfundon dhe tash telashet janë shtrirë gjithandej Kosovës ku ka reparte të nefrologjisë apo aty ku ofrohet hemodializa: që nga fillimi i javës kanë ardhur një varg informatash nga sinjalizuesit që tregojnë se ky shërbim ose nuk ofrohet plotësisht ose nuk ofrohet fare. Drejtoritë e spitaleve e mohojnë këtë fakt me kumtesa, ndërkohë që drejtorët refuzojnë të japin çfarëdo deklaratash. Një arsye do ta kenë: ose kërcënohen se mund të shkarkohen ose do t’i vriste ndërgjegjja po qe se do të gënjenin.

Sido që të jetë – tenderi për materialin e hemodializës është vetëm një në vargun e shumë telasheve që janë shkaktuar në apo nga SHSKUK-ja. Ankesat për mungesën e barnave esenciale, që kurrë nuk u hoq nga rendi i ditës, por edhe që kurrë nuk u hetua deri në thelb apo edhe tenderi skandaloz i mjeteve dhe pajisjeve për personat me aftësi të kufizuar apo edhe paralizë – kur një bastun 3-4 eurosh u pagua 98 euro, tregojnë se shumë gjëra nuk shkojnë si duhet në këtë institucion.

Fakti se me muaj nuk ka pasur bord për ta mbikëqyrur udhëheqjen e institucionit, apo që me muaj të tërë nuk është mbledhur për ta kryer këtë funksion, ngjall dyshime edhe më të mëdha se diçka e madhe është duke ndodhur aty. Ndërkohë, marrja e shërbimeve shëndetësore në shtetet fqinje nga pacientët që më parë e zgjedhin Shkupin a Beogradin para Prishtinës, nuk ka të ndalur. Aq sa spitalet private në Shkup prej kohësh kanë angazhuar përkthyes për kosovarët që shkojnë atje.

* * *

Para dy javësh prindërit e klasës në shkollën të cilën e vijon mbesa ime, kishin mbledhur edhe para por kishin kontribuuar edhe me punë, për ta lyer dhe rregulluar klasën për fëmijët e tyre që në shtator u nisën në klasën e parë.

Shkolla nuk ishte prekur gjatë verës, me premtimin se do të pësonte një rinovim më të themeltë në mars të 2026-s (sic!) – pra midis vitit shkollor. Dhe bëhet fjalë për shkollën më të madhe në qytet: pra jo për transferimin e 20-30 fëmijëve në dy-tri shkolla e tjera, por të mbi 2 mijë a 3 mijë sish. Sepse, logjikisht, fëmijët nuk do të duhej të ishin prezentë derisa aty zhvillohen punimet.

Nëse kjo do të ndodhë në mars ose jo, do të varet kryesisht nga dy gjëra: një, se kush do t’i fitojë zgjedhjet në Prishtinë dhe dy, nëse Kuvendi do t’ia dalë ta kalojë zgjatjen buxhetore, e me të edhe buxhetet e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut që kanë mbetur pa u miratuar vitin e shkuar për shkak të vonesave.

Por, edhe të ishin të gjitha kushtet në vend, rinovimi i shkollës nuk duhet të ndodhë në mes të vitit shkollor, por verës, kur fëmijët nuk janë aty. Mirë do të ishte që projekti të përgatitej qysh tash e që madje edhe të shpallej tenderi. Ani që kjo e fundit varet nëse ka buxhet të miratuar ose jo...

* * *

Shumë gjëra “të thjeshta” sikur këto varen nga një veprim i përgjegjshëm politik të atyre që e kanë marrë mandatin për të vendosur për të tjerët. Të atyre që nuk po e kuptojnë se “thjeshtësia” e shëndetësisë apo edhe arsimit janë shumë më të rëndësishme se sedra e tyre apo ambicia e sëmurë politike.

Fjala kompromis është harruar prej kohësh. E duket se kurrë më shumë nuk na është dashur. Kosovës tash i duhet një qeveri, që do të mundësojë krijimin e komisioneve, dhe një Kuvend që i miraton të gjitha ato që do ta sigurojnë një frymëmarrje pak më normale bile edhe për ndonjë muaj.

Më pas e dimë: sërish në zgjedhje, sërish pallavra, sërish luftë inatesh.

[email protected]