Aty ku ka zhvillim ekonomik, shpenzimi i rrymës është më i ulëti gjatë festave. Aq pak është konsumuar rryma në Belgjikë në natën e Vitit të Ri, saqë çmimi i saj ishte negativ. Konsumuesit e rrymës në atë periudhë jo vetëm se nuk kanë paguar për të, por janë paguar për të shpenzuar. Viti 2024 ka shënuar rekord për rastet e çmimit negativ, pra më lirë se falas, të rrymës. Kjo nuk është doemos një gjë e mirë, por tregon se sa i paparashikueshëm është sektori i furnizimit me rrymë në tërë Evropën dhe botën. Nëse në Kosovë ndalja e rrymës në shumë vende gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri vërtet ka qenë pasojë e zhvillimit ekonomik, atëherë Kosova ka problem shumë serioz
Aq shumë ka faktorë që ndikojnë në çmimin e rrymës, saqë për këtë çmim nuk mund të fajësohen qeveritë në pushtet, siç nuk mund as të marrin merita kur çmimi bie. Ai çmim varet nga moti, nga situata e sigurisë, nga luftërat nëpër botë, nga çmimi i naftës dhe gazit në tregun botëror, nga zhvillimi i ekonomisë dhe industrisë dhe nga shumë faktorë të tjerë. Krejt çka mund të bëjnë qeveritë, dhe shumë prej tyre e kanë bërë, është të subvencionojnë çmimin e rrymës kur ajo bëhet tepër e shtrenjtë. Por pasi qeveritë edhe ashtu shpenzojnë paratë e qytetarëve, as për këtë nuk mund të marrin meritat. Ndërhyrja në çmime nga ana e shtetit, për BE-në është në parim e papranueshme, por në praktikë lejohet kur është e domosdoshme dhe e përkohshme. Sepse në tregun e lirë duhet që tregu të rregullojë edhe çmimin dhe ndërhyrja shkel rregullat e konkurrencës së BE-së.
Kosova vazhdon të jetë një ndër vendet më të varfra të Evropës, nëse jo edhe më e varfra. Një prej problemeve kronike që po ndiejnë qytetarët e saj është mungesa e shpeshtë e furnizimit me rrymë. U pa kjo edhe në fund të vitit kur shumë zona të Kosovës për orë të tëra mbeten pa rrymë. Në fillim u duk sikur një humor i Vitit të ri kur u tha se kjo ka qenë pasojë e zhvillimit ekonomik. Por kur kjo u përsërit, u pa se ata që thonë një gjë të tillë edhe besojnë në atë që po thonë. Sipas kësaj logjike, me zhvillimin ekonomik është rritur edhe konsumimi, me këtë është ngarkuar edhe rrjeti i transmetimit të rrymës dhe nuk ka pasur më kapacitete për furnizim të plotë.
Aty ku shihet paradoksi është se mungesa e rrymës dhe shpenzimi më i madh i saj, ndodhi në kohën e festave. Pra atëherë kur njerëzit janë më shumë nëpër shtëpi dhe kur kapacitetet industriale janë të ndalura.
Aty ku ka zhvillim ekonomik, shpenzimi i rrymës është më i ulëti gjatë festave. Aq pak është konsumuar rryma në Belgjikë në natën e Vitit të Ri, saqë çmimi i saj ishte negativ. Konsumuesit e rrymës në atë periudhë jo vetëm se nuk kanë paguar për të, por janë paguar për të shpenzuar. Në atë kohë frynte shumë erë dhe prodhimi i rrymës nga era në Detin e Veriut ishte rekord. Centralet bërthamore nuk mund ta ndalin prodhimin për shkaqe të sigurisë dhe vazhdonin të prodhonin rrymë. Fabrikat dhe ndërmarrjet e mëdha ishin të mbyllura. Dhe rrjeti i rrymës duhej të shkarkohej. Prandaj ata që mund të shpenzonin rrymë në atë kohë shpërbleheshin për atë shpenzim, sepse në këtë mënyrë ndihmonin që të shkarkohej rrjeti i tejngarkuar.
Viti 2024 ka shënuar rekord për rastet e çmimit negativ, pra më lirë se falas, të rrymës.
Kjo nuk është doemos një gjë e mirë, por tregon se sa i paparashikueshëm është sektori i furnizimit me rrymë në tërë Evropën dhe botën. Dhe tregon se, me gjithë investimet dhe zbulimet që janë bërë, akoma nuk është gjetur një mënyrë e duhur për ruajtjen apo deponimin e rrymës. Këtu qëndron edhe e ardhmja e sektorit të energjisë dhe këtu do të ketë investime të mëdha. Do të ndërtohen gjeneratorë gjigantë, ku do të mund të ruhet edhe rryma, siç ruhet gazi, nafta apo patatet e gruri. Kjo do të zgjidhë problemin edhe të çmimit, sepse do të ketë rrymë të mjaftueshme edhe kur të jetë prodhimi i ulët dhe konsumimi i lartë.
Nëse në Kosovë ndalja e rrymës në shumë vende gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri vërtet ka qenë pasojë e zhvillimit ekonomik, atëherë Kosova ka problem shumë serioz. Kjo do të thotë se as pas 25 vjetësh sa kanë kaluar nga përfundimi i luftës, nuk e ka krijuar bazën kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Shpesh sistemi i paqëndrueshëm i furnizimit me rrymë përmendet si një prej faktorëve kryesorë pse në Kosovë ka më pak investime të huaja në prodhim sesa në vendet e tjera të rajonit. Siguria e furnizimit me rrymë është një kusht bazik për të tërhequr investime të huaja, e besa edhe vendore. Nëse ka rrymë mjaft por sistemi i shpërndarjes nuk e mban, atëherë prapë kemi të bëjmë me një problem bazik. Sepse pak ka rëndësi për qytetarët që presin Krishtlindjen apo Vitin e Ri në terr nëse kjo ndodh për shkak se nuk është prodhuar sa duhet rrymë, apo për shkak të rrjetit të dobët të shpërndarjes. Ndërsa duket ironike që qytetarët të duhet të shpresojnë se nuk do të ketë zhvillim ekonomik për të pasur rrymë. Sepse Kosova nuk qenka e gatshme të përballojë të dyja paralelisht. Pra duhet të vendosin se a duan rrymë apo zhvillim ekonomik!
Kosova ka humbur 25 vjet duke bërë improvizime, e në këto improvizime rol të rëndësishëm ka luajtur edhe bashkësia ndërkombëtare, sidomos BE-ja. Kanë dhënë tepër shumë para për të mbajtur gjallë termocentralet e KEK-ut, edhe pse e kanë ditur se janë të paqëndrueshëm dhe janë ndër ndotësit më të mëdhenjtë në Evropë.
“Ne mund të investojmë në rindërtim e jo në ndërtim” përgjigjeshin në BE pas luftës kur pyeteshin se pse nuk po investojnë në ndërtimin e centraleve të reja, më shumë ekologjike, në vend që të investojnë në riparimin e gjeneratorëve të stërvjetruar. Dhe pati edhe raste kur “ndërkombëtarët” ishin përfshirë në afera të rënda korrupsioni në KEK. As sot pas 25 vjetësh, nuk kemi qartësi se në cilin drejtim po shkon reforma energjetike e Kosovës, e cila është e domosdoshme edhe për të siguruar rrymë për qytetarët, edhe për zhvillim ekonomik edhe për ruajtjen e mjedisit dhe ajrit të pastër.