1. Gjeometria variable në Evropë
Sado që të flitet sot për orvatjet e Bashkimit Evropian për të qenë një entitet i vetëm përballë sfidave të superfuqive globale, shumëkush do të kujtojë se në origjinën e tij, pak vjet mbas Luftës së Dytë Botërore, ai ishte një projekt për të siguruar paqen brenda Evropës.
Bashkësia e Qymyrit dhe e Çelikut e themeluar në v. 1951 mes Francës, Gjermanisë, Italisë dhe tri shteteve të Beneluksit do të vinte nën kontroll të përbashkët lëndën e parë të industrisë luftarake asokohe. Synimi i shpallur e i pashpallur ishte parandalimi i një lufte tjetër në kontinent në radhë të parë mes Francës e Gjermanisë. Çdo hap tjetër në vijim për zgjerimin e thellimin e projektit evropian është bërë në funksion të kësaj paradigme. Prandaj çdo hap është hedhur mbasi ishte arritur konsensusi i plotë me shtetet anëtare, shpesh i paraprirë nga negociata të gjata e të lodhshme. Çdo nismë apo projekt ku mund të mbetej jashtë ndonjë shtet anëtar ishte anatemë për drejtuesit e Bashkësisë, sepse shihej me të drejtë si përçarëse e në rastin më të keq luftënxitëse.
Vetëm në vitet ’90, kur ideja e paqes, bashkëpunimit e bashkimit ishin bërë dominuese, politikanë evropianë filluan të flisnin për Evropën me "disa shpejtësi" apo me "gjeometri variable". Në këto vite BE-ja adoptoi projekte si Schengeni dhe Euro, ku shtetet anëtare mund të merrnin pjesë sipas vullnetit e mundësive. Edhe sot, gati një çerek shekulli më vonë, disa shtete anëtare ende nuk e kanë adoptuar monedhën e përbashkët euro dhe nuk janë përfshirë në zonën pa kufij të brendshëm Schengen. Por ky fakt është margjinal dhe nuk kërcënon BE-në e aq më pak paqen brenda saj.
2. Gjeometria variable në Ballkan
Edhe Dialogu Strategjik SHBA–Serbi dhe alarmi gjeopolitik për KosovënKëto konsiderata më vijnë në mendje teksa vijonë debatet mbi përçarjet ndërshqiptare dhe ndërballkanike që sjell projekti i Minishengenit mbas takimit të fundit në Shkup mes Vuçiqit, Ramës e Zaevit.
Po të hedhim një shikim tek agresori në Luftën e Dytë Botërore dhe atë në ish-Jugosllavi, tregon se ndërsa Gjermania e pasluftës qeverisej nga politikanë kristiano-demokratë, viktima të persekutimit hitlerian e dënues pa kompromis të Rajhut të Tretë, fatkeqësisht në Serbinë e presidentit Vuçiq kemi jo vetëm ish-ministra të Milosheviqit në ofiqet më të larta por edhe një përpjekje shtetërore për të bërë hasha gjenocidin e krimet e luftës në v. 90, madje dhe tentativa për të provokuar e dominuar shtetet e ish-federatës.
Kjo bën që pajtimi parimor në Ballkanin Perëndimor (ish-Jugosllavia) të vështirësohet e pamundësohet. Prandaj, nëse e marrim të mirëqenë premisën e vullnetit të mirë tek tre iniciatorët që e shpallën nismën në tetor 2019 në Novi-Sad të Serbisë, do të kishte qenë fort e udhës që treshja të mos vepronte pa rënë dakord të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo vlen veçanërisht për Tiranën, e cila sipas traktateve dypalëshe, kishte detyrimin të konsultohej e koordinohej me Prishtinën.
Mesa duket është kjo arsyeja që në kulmin e polemikave pas takimit në Shkup një përfaqësues i Qeverisë gjermane theksonte se në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku marrin pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, çdo vendim për tregun e punës, tarifat tregtare, procedurat kufitare etj. merret vetëm me konsensusin e të gjithëve; ashtu si Komuniteti Evropian i dekadave të para.
3. Cilësimi malazias për Minishengenin
Cilësimin më të goditur për nismën e Novi-Sadit mendoj se e ka dhënë një ministër malazias duke folur në emër të qeverisë: Minishengeni është i panevojshëm, i padobishëm e i paduhur. Në fakt gjithçka që premton treshja nismëtare e Minishengenit fare mirë mund të arrihet përmes institucioneve ekzistuese.
Në radhë të parë përmes Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR) që është edhe rezultati kryesor i Procesit të Berlinit. Ky mekanizëm përveçse natyrës gjithëpërfshirëse dhe konsensuale gëzon përkrahjen politike dhe mbështetjen financiare të institucioneve të Bashkimit Evropian. Ashtu si dhe përkrahjen amerikane. Në aspektin e përmbajtjes TPR është mekanizëm më i avancuar për realizimin e katër lirive evropiane (liria e qarkullimit të mallrave, shërbimeve, kapitalit e të personave). Prandaj edhe pyetja pse hyn në punë Minishengeni përveçse për vetëpromovimin propagandistik të profesionistëve në rishpikjen e rrotës zakonisht mbetet pa përgjigje.
Edhe Berlin 2028: Nga Kongresi në Marrëveshje4. Rritje e deficitit tregtar apo investime evropiane infrastrukturore
Aspekti financiar është edhe më i rëndësishëm: ndërkohë që Minshengeni shpenzon para vetëm për samite, tryeza të rrumbullakëta e konferenca shtypi, TPR ka angazhimin evropian për financimin e veprave përfshirë ato infrastrukturore. Këto financime aktualisht mund të mos jenë sot aq bujare sa ato që përftuan dikur Spanja, Greqia e Bullgaria. Por gjithsesi ato janë të rëndësishme e plotësuese për buxhetet shtetërore ballkanike.
Ky fakt përbën një dallim domethënës: Minishengeni po prezantohet si zonë e tregtisë së lirë me tarifa zero. Aktualisht një drejtim i tillë i intereson Serbisë që ka trashëguar e ruajtur një bazë industriale nga ish-Jugosllavia. Në një masë më të vogël i intereson edhe Maqedonisë së Veriut. Shqipërisë nuk i intereson pothuajse hiç fare. Pa folur këtu për prodhimet bujqësore që në Serbi rezultojnë konkurruese mbasi subvencionohen fuqishëm.
Tregu i Përbashkët Rajonal përmes financimeve ekstra nga BE i jep mundësi Shqipërisë, por edhe shteteve të tjera në rajon të mbushin hendekun e prapambetjes në infrastrukturë.
Qeveria shqiptare nuk i mëshon TPR edhe kur interesi i vendit e kërkon atë qartazi. Por qeveria nuk shpjegon edhe prioritetet e saj në Minishengen dhe kufizohet me batutat e fjalimet e përsëritura të Ramës; ende nuk ka një platformë a program madje as edhe ndonjë artikull shkoqitës mbi këtë temë nga ndonjë ministër.
Post Scripum: Kur në 10 qershor në Tiranë, gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor, Edi Rama iu drejtua publikisht komisionerit Várhelyi duke i thënë se po e dorëzonte nismën e Minishengenit në gjirin e sigurt të Komisionit Evropian, shumëkush mendoi se ai gjeti një rrugë jo shumë elegante për të arkivuar një nismë "të panevojshme, të padobishme e të paduhur".
Edhe
Si duhet të duket paqja 150 vjet pas Kongresit të Berlinit
Edhe unë një shënim timin të nesërmen e titulloja me vetëbesim "për herë të shtatë e të fundit mbi Minishengenin". Nuk e gjej dot se çfarë ndryshoi dhe bëri që treshja të ringjallte projektin që gjithsesi ishte lënë në harresë e ta pagëzonte me një emër të ri me tingëllim më interesant. Por të paktën shpresoj që lexuesi të më falë për inkonsistencën time teksa sheh se për herë të tetë kam marrë penën për këtë gjë. Si dhe për optimizmin e parakohshëm se shtatë artikujt e tjerë ishin burrat që futen në lumë për të nxjerrë gurin proverbial të hedhur nga marroku i fshatit. Se zor që na e falin atë tjetrën që kemi ende një "marrok" superkonsistent në punët e veta.
(Genc Pollo është ish-ministër e deputet shqiptar. Shkrimi, i publikuar fillimisht në gazetën “Panorama”, Tiranë, ribotohet në KOHA me lejen e autorit)