OpEd

Nëse Evropa mundi ta bëjë, mundet edhe Lindja e Mesme

Grupet izraelite dhe palestineze që do të ishin më pranuese të ndryshimit të përnjëmendtë me shumë gjasë do të prihen nga gratë, të rinjtë dhe arabët izraelitë, shumica e të cilëve janë kujdesur për të mbijetuarit e sulmit të 7 tetorit dhe janë angazhuar në aktivitete të tjera qytetare me Izraelin. Aktivistët e klimës, ekologët, autoritetet e shëndetit publik dhe profesionistët e fushave të tjera që i kapërcejnë kufijtë kombëtarë janë njashtu aleatë të natyrshëm. Mbështetësit e një paqeje të qëndrueshme duhet t’i organizojnë dhe t’i financojnë lëvizjet e reja shoqërore dhe koalicionet politike. A është kjo kafshatë që mbetet në fyt? Mbase. Por, pa një strategji bindëse dhe të besueshme për të nesërmen e nesërmja mund të mos vijë kurrë. Evropa i tejkaloi dy mijëvjeçarë luftëra të nxitura nga ndasitë e thella etnike, fetare, politike e kulturore për ta krijuar një entitet të ri politik. Andaj, mund ta bëjë edhe Lindja e Mesme

Më 1951, vetëm gjashtë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Holanda dhe Gjermania Perëndimore e nënshkruan Traktatin e Parisit duke e themeluar Komunitetin Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut.

Ishte kjo një e arritur e jashtëzakonshme duke pasur parasysh se Franca dhe Gjermania patën zhvilluar tri luftëra të mëdha midis viteve 1870 dhe 1945, në ato që çuan në miliona vdekje, në rrënim të tokave dhe qyteteve dhe në zaptime territoriale nga të dyja anët. Edhe dekada pas kësaj, nëna ime belge, e cila i iku okupimit gjerman të Belgjikës sa ishte fëmijë, bashkë me nënën dhe vëllain e saj, dridhej sa herë që shihte një uniformë doganore gjermane. Megjithëkëtë, këta armiq të dikurshëm u pajtuan që t’i grumbullojnë prodhimet e tyre të thëngjillit dhe çelikut në mënyra që do t’i parandalonin ata që të prodhonin armë të cilat do të përdoreshin kundër njëra-tjetrës përsëri.

Në këtë nismë disa burrështetas vizionarë – Robert Schumani dhe Jean Monneti i Francës, Konrad Adeanueri i Gjermanisë Perëndimore dhe Alcide de Gasperi i Italisë – ia vunë themelet një të ardhmeje të re evropiane. “Kontinenti i vjetër” i luftërave fetare dhe nacionaliste, i intrigave të fuqisë së madhe, i diplomacisë sekrete dhe i hartimit të pafundmë të kufijve kombëtarë (me pak konsideratë për popujt përbrenda tyre) u shndërrua në një lloj entiteti të ri politik. Pasi u konceptua si një komunitet, ai në fund u rrit në një “union” të shteteve kombe që i ruajtën mjaftueshëm sovranitetet e tyre për të vepruar edhe si të pavarura e edhe bashkërisht.

Është ky një rrëfim i ditur, por i atillë që vazhdon të përsëritet në këto ditë të errëta të luftës midis armiqve historikë dhe qartësisht të përhershëm. Në Lindjen e Mesme lufta midis Izraelit dhe Hamasit e ka rikthyer në tavolinë të diskutimit konceptin e zgjidhjes me dy shtete – që e nënkupton një shtet palestinez krahas atij izraelit. Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se kjo është “rruga e vetme përpara” në aspektin afatgjatë, kur aftësia e Hamasit për t’i sulmuar Izraelin apo izraelitët të shkatërrohet. Që populli palestinez ta njohë të drejtën e Izraelit për ekzistencë dhe të kontribuojë në një paqe të qëndrueshme, arsyetoi Bideni, atëherë ai duhet që të jetë në gjendje ta parashikojë një të ardhme me pavarësi, siguri dhe prosperitet për veten.

Megjithëkëtë, në dy dekadat që pas dështimit të Marrëveshjeve të Oslos – të cilat e përcaktonin një hartë të rrugës drejt paqes në fillim të të 90’ave – realitetet demografike dhe gjeografike i kanë ndërlikuar gjërat. Shkaku i popullatës në rritje izraelito-arabe përbrenda Izraelit dhe zgjerimit të kolonive hebraike në Bregun Perëndimor nën qeverinë izraelite që e kundërshton shtetësinë palestineze, gjasat për shkëmbim të popullsive dhe të tokave janë bërë përherë më të vështira dhe politikisht të tensionuara.

Nën këto rrethana që ndryshojnë, mbështetësit e zgjidhjes me dy shtete duhet të bëhen akoma më kreativë. Një alternativë e propozuar nga presidenti izraelit, Reuven Rivlin, më 2015, është që të krijohet një lloj konfederate, e cila do ta mundësonte përafrimin e dy shteteve nëpërmjet lirisë së lëvizjes nëpër kufijtë shtetërorë dhe vendimmarrjes së përbashkët për çështjet që e prekin të gjithë territorin.

Ngjashëm, mbrojtësi izraelit i të drejtave të njeriut, May Pundak, e parashikoi një “zgjidhje me dy shtete 2.0”, në të cilën një konfederatë prej dy shtetesh do ta ndante një atdhe duke e ndjekur modelin e Bashkimit Evropian.

Sidoqoftë, pas tmerreve të sulmit të 7 tetorit nga Hamasi dhe përgjigjes së vazhdueshme nga Izraeli (e cila veçse ka lënë të vrarë me mijëra civilë), si është e mundur që dy palët madje të zgjedhin të përafrohen me njëra-tjetrën përpara se të lëvizin drejt largimit edhe më të madh?

Në këtë pikë përvoja evropiane i ofron tri mësime të rëndësishme.

Si e para, të shtënat duhet të përfundojnë dhe kostoja e konfliktit duhet të jetë mjaftueshëm e lartë për të krijuar mbështetje përndryshe të vendosura e të qëndrueshme në të dyja anët. Në konfliktin aktual, garantimi i sigurisë së qëndrueshme për të gjithë palestinezët dhe izraelitët do të kërkojë pa dyshim angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe qeverive të shumta arabe e ushtrive të tyre. Vetëm pasi siguria të arrihet – mbase pas zgjedhjeve të reja izraelite dhe palestineze – kataklizmi i këtij raundi të fundit të dhunës mund të bëhet shtysë për parashikimin e një të ardhmeje të re.

E dyta, ndihmon shumë kur niset me hapa të vegjël. Mos nisni me një plan për dy shtete të ndara dhe me një listë të gjatë çështjesh që duhen zgjedhur midis tyre. Në vend të kësaj, gjeni një ekuivalent të Komunitetit Evropian të Thëngjillit dhe Çelikut. Menaxhimi i përbashkët i ruajtjes, shkripëzimit dhe përdorimit të ujit do ta bënte shumë më të vështirë shndërrimin në armë të këtij resursi kritik. Një tjetër mundësi është prodhimi i përbashkët i energjisë së gjelbër, përfshirë karburantet, që do të kishte përfitime komerciale dhe ekologjike si dhe do ta reduktonte varësinë palestineze nga furnizimet izraelite.

E treta, angazhimi me palët e treta qëllimmira dhe me mendim të njëjtë është çelësi. Që bashkëpunimi ekonomik të funksionojë, tregu duhet të jetë mjaftueshëm i madh për një zonë të tregtisë së lirë apo të unionit doganor në mënyrë që të ketë kuptim. Fara për Komunitetin Ekonomik Evropian ishte Beneluksi, një union doganor midis Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut. I dakorduar më 1944 dhe i themeluar më 1947, ai u shndërrua në një “Union Ekonomik” të përmasave të plota më 1958, duke e ofruar një prototip për Komunitetin Ekonomik Evropian. Pikë e natyrshme e nisjes për izraelitët dhe palestinezët do të ishte një lloj rajoni i tregtisë së lirë që i përfshin Jordaninë dhe Egjiptin, bashkë me Arabinë Saudite dhe një apo më shumë shtete të Gjirit që do të shtoheshin më pastaj.

Mendimi i ri kërkon mendimtarë të rinj. Grupet izraelite dhe palestineze që do të ishin më pranuese të ndryshimit të përnjëmendtë me shumë gjasë do të prihen nga gratë, të rinjtë dhe arabët izraelitë, shumica e të cilëve janë kujdesur për të mbijetuarit e sulmit të 7 tetorit dhe janë angazhuar në aktivitete të tjera qytetare me Izraelin.

Aktivistët e klimës, ekologët, autoritetet e shëndetit publik dhe profesionistët e fushave të tjera që i kapërcejnë kufijtë kombëtarë janë njashtu aleatë të natyrshëm. Mbështetësit e një paqeje të qëndrueshme duhet t’i organizojnë dhe t’i financojnë lëvizjet e reja shoqërore dhe koalicionet politike.

A është kjo kafshatë që mbetet në fyt? Mbase. Por pa një strategji bindëse dhe të besueshme për të nesërmen, e nesërmja mund të mos vijë kurrë. Evropa i tejkaloi dy mijëvjeçarë luftëra të nxitura nga ndasitë e thella etnike, fetare, politike e kulturore për ta krijuar një entitet të ri politik. Andaj, mund ta bëjë edhe Lindja e Mesme.

(Anne-Marie Slughter, ish-drejtoreshë për planifikim politik në Departamentin amerikan të Shtetit, është shefe ekzekutive e “New America”, anëtare e Akademisë amerikane në Berlin, profesoreshë emeritus e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton si dhe autore e librit: Renewal: From Crisis to Transformation in our Lives, Work, and Politics”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).