OpEd

Republika në krizë të brendshme – Krizë përfaqësimi, arrogancë politike dhe degradim i parlamentarizmit në Kosovë

Bejtush Gashi

Prof. Dr. Bejtush Gashi  

Kosova, si republikë parlamentare, po përballet me një krizë të thellë sistemike, që i tejkalon bllokadat institucionale të përkohshme. Dështimi për ta funksionalizuar Kuvendin për herë të 27-të, edhe pse ishin të pranishëm 99 deputetë, nuk mund të konsiderohet thjesht një incident teknik apo çështje procedurale. Ky është një tregues i qartë i shkatërrimit të besimit ndërinstitucional, një krize të thellë të përfaqësimit demokratik dhe i një kolapsi të përgjegjësisë politike ndërmjet subjekteve parlamentare. Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve me legjitimitet të gjerë qytetar, kishte jo vetëm detyrimin moral, por edhe atë kushtetues për ta përkthyer këtë legjitimitet në qeverisje gjithëpërfshirëse, funksionalitet institucional dhe ndërtim konsensusi. Në vend të kësaj, kjo parti e ka zgjedhur një rrugë arrogante dhe përjashtuese, duke insistuar në kandidaturën e Albulena Haxhiut për Kryetare të Kuvendit, pavarësisht refuzimit të qartë dhe të vazhdueshëm nga shumica parlamentare.

Albin Kurti, si lider i partisë në pushtet, mban përgjegjësinë kryesore për këtë rrëshqitje autoritare. Refuzimi i tij për të ndërtuar dialog me opozitën, apo të paktën për ta negociuar një zgjidhje procedurale, përbën jo vetëm një problem etik, por edhe shkelje të frymës së sistemit parlamentar pluralist, siç përcaktohet në nenin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku sanksionohet ndarja dhe balanca e pushteteve. Sistemi parlamentar nuk bazohet në shumicën aritmetike, por në ndërtimin e konsensusit dhe dialogut. Vetëm përmes kompromisit ndërmjet forcave parlamentare sigurohet stabiliteti institucional dhe legjitimiteti afatgjatë. Retorika e përdorur nga Kurti, duke iu referuar “sovranit” si justifikim për mospërfilljen e Kuvendit dhe subjekteve të tjera politike, përfaqëson një devijim të rrezikshëm nga neni 2 i Kushtetutës, sipas të cilit vullneti i popullit realizohet përmes institucioneve përfaqësuese dhe jo përmes interpretimeve subjektive të një lideri të vetëm.

Partitë opozitare – PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja – kanë dështuar në mënyrë të barabartë për ta përmbushur funksionin e tyre kushtetues në garantimin e balancës së pushtetit. Pavarësisht potencialit për ndërtimin e një fronti të unifikuar parlamentar kundër arrogancës së shumicës, ato mbeten të fragmentuara, pa strategji të përbashkët dhe, më e rëndësishmja, pa një ofertë politike të besueshme për qytetarët. Ky pasivitet buron shpesh nga një kalkulim cinik elektoral: sa më e keqe të jetë qeverisja e Vetëvendosjes, aq më e madhe mund të jetë humbja e saj në zgjedhje. Por, kjo logjikë e përfaqëson një devijim nga parimi i përfaqësimit aktiv demokratik – sipas të cilit opozita ka për detyrë të propozojë alternativa dhe ta mbrojë interesin publik, e jo të përfitojë nga dështimi i institucioneve. Edhe pse opozita pretendon të ndalë uzurpimin e institucioneve nga pushteti aktual, mënyra e kundërshtimit përmes abstenimeve, mungesave apo sabotimeve të qëllimshme, ka minuar legjitimitetin e saj politik dhe përfaqësues. Nuk mjafton të jesh thjesht "kundër"; është thelbësore të jesh aktiv, konstruktiv dhe transparent në opozitën tënde. Ky standard përfaqësimi përmblidhet qartë në nenin 70 të Kushtetutës, i cili përcakton përgjegjësinë e deputetëve për pjesëmarrje aktive dhe përfaqësim dinjitoz. Sjellja e shumë deputetëve – përfshirë abstenimet pa arsye, mungesat e përsëritura dhe sjelljet obstruktive – është kthyer në simbol të papërgjegjësisë politike. Ky model e dëmton kredibilitetin e Kuvendit dhe e shkel kontratën demokratike me qytetarët.

Kuvendi i bllokuar nuk është vetëm një problem formal apo simbolik – është një rrezik konkret për funksionimin e shtetit:

* Mungesë ligjesh të reja në sektorë kyç, si arsimi, shëndetësia, ekonomia dhe siguria;

* Reforma të paralizuara, përfshirë reformat në drejtësi dhe në administratë publike;

* Pamundësi për mbikëqyrje demokratike ndaj ekzekutivit, duke e lënë qeverinë të veprojë pa kontroll parlamentar;

* Ngecje në procese strategjike, përfshirë integrimin euroatlantik, zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe menaxhimin e krizave me Serbinë;

* Rrezik për sigurinë kombëtare, në një kontekst rajonal gjithnjë e më të brishtë dhe të tensionuar.

Kosova nuk mund ta përballojë më këtë gjendje pezullimi të institucioneve. Kur rajoni përgatitet për ristrukturime të mëdha gjeopolitike, dhe kur BE-ja dhe NATO-ja kërkojnë angazhim të shtuar për reforma, shteti ynë ngec për shkak të një klase politike të paaftë dhe të papërgjegjshme. Kjo nuk është thjesht krizë politike – është krizë përfaqësimi demokratik dhe krizë besimi qytetar në institucionet shtetërore. Nuk mjafton më vetëm kritika – është koha për reagim të organizuar qytetar dhe institucional. Paraliza e Kuvendit ka prodhuar pasoja serioze për funksionimin kushtetues të shtetit:

* Mungesë legjislacioni reformues në fusha jetike, si drejtësia, arsimi dhe ekonomia;

* Rënie e funksionit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, duke e forcuar autoritarizmin ekzekutiv;

* Pengesa në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe integrimin euroatlantik;

* Rritje e tensioneve të brendshme dhe përkeqësim i raporteve me partnerët ndërkombëtarë.

Në një kohë kur rajoni është në një fazë dinamike gjeopolitike, Kosova po stagnon për shkak të një elite politike që e ka kthyer interesin publik në instrument luftërash të brendshme për pushtet. Kjo krizë nuk është vetëm politike – ajo është kushtetuese dhe morale. Rrezikon ta shkatërrojë besimin qytetar në sistemin demokratik dhe ta çojë drejt një shterpësie institucionale të rrezikshme. Zgjidhja nuk mund të pritet vetëm nga aktorët politikë që e prodhuan këtë situatë. Kërkohet reagim i gjerë shoqëror dhe institucional:

* Shoqëria civile duhet të aktivizohet në mënyrë të koordinuar dhe të qëndrueshme;

* Bota akademike dhe institucionet e ekspertizës duhet të ofrojnë alternativa ligjore dhe politike për dalje nga kriza;

* Mediat duhet të ushtrojnë një rol edukativ dhe mbikëqyrës, duke i ekspozuar përgjegjësitë dhe duke i ruajtur standardet e gazetarisë profesionale;

* Qytetarët duhet ta refuzojnë normalizimin e dështimit – sepse heshtja sot është bashkëfajësi nesër.

Demokracia nuk rrënohet vetëm me grushtet ushtarak. Ajo rrënohet edhe kur institucionet demokratike zbrazen nga përmbajtja, kur llogaridhënia shuhet, dhe përfaqësimi shndërrohet në pazare. Nëse nuk veprojmë tani, pasojat do të jenë afatgjata dhe të pakthyeshme. Vetëm presioni qytetar dhe mobilizimi i ndërgjegjes kolektive mund ta ndalë këtë degradim. Është momenti për t’i thënë politikës së bllokadës: mjaft më!