Ekonomia e Kosovës po tregon shenja të një paradoksi: në njërën anë papunësi të lartë, e në anën tjetër bizneset nuk po arrijnë të punësojnë punëtorë
Kosova është vendi me papunësinë më të lartë në Evropë. Por, paradoksalisht, gjithnjë e më shumë biznese po ankohen se kanë vështirësi të shumta në sigurimin e punëtorëve.
Të dhënat e fundit të ASK-së për tregun e punës tregojnë se papunësia në nivel vendi në fillim të vitit 2021 është 25.9%, me një shkallë më të lartë të papunësisë tek gratë (32.3%) dhe tek të rinjtë (49.1%). Sipas ASK-së, janë 347,071 të punësuar në Kosovë, apo një numër më i ulët i të punësuarve sesa në vitin 2018 kur ishin më shumë se 363 mijë të punësuar.
Përkundër asaj se pandemia ka dëmtuar në masë të madhe sektorin privat, të dhënat e ATK-së dhe të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve tregojnë se në të gjitha komunat ka më shumë biznese aktive në korrik të vitit 2021 sesa në vitin 2019. Por, tani e shumë vjet, përkundër papunësisë së lartë, bizneset ankohen në fuqinë punëtore. Më herët problem kryesor për bizneset ka qenë mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore, kurse tani është mungesa e fuqisë punëtore, edhe e asaj të pakualifikuar.
Në një anketë të Odës Ekonomike të Kosovës të publikuar në vitin 2018, del se mbi 80% e bizneseve të anketuara përballeshin me problemin e sigurimit të punëtorëve të kualifikuar, kurse vetëm rreth 35% e bizneseve ishin të kënaqura me punëtorët që i kishin të angazhuar. Anketa e fundit e OEK-ut e publikuar në korrik të këtij viti tregon për një gjendje edhe më të rënduar. Tashmë bizneset nuk ankohen për telashet në angazhimin e forcës së kualifikuar punëtore, por po përballen me problemin e mungesës së punëtorëve edhe të pakualifikuar. Mungesa e punëtorëve është një ndër tri problemet kryesore me të cilat po përballen bizneset.
Nuk janë të rralla rastet kur shumë biznese për muaj të tërë mbajnë në hyrje të biznesit një letër ku shkruhet “Kërkojmë punëtor/e”. Derisa po udhëtoja me taksi një ditë në Prishtinë, taksisti tregonte se si në kompaninë ku ai punon pronari nuk po arrin të fusë në përdorim gati gjysmën e flotës së taksive për mungesë të shoferëve. Njësoj për mungesë të punëtorëve më ankohej një ditë edhe një pronar i një plantacioni të arrave në një fshat të Komunës së Kamenicës.
Përse ky paradoks: në njërën anë papunësi e lartë, në anën tjetër mungesë e punëtorëve? Janë tri arsye: remitencat nga diaspora, pagat e ulëta dhe emigracioni.
Një studim i UNDP-së për remitencat në vitin 2013 tregon se 43% e qytetarëve të Kosovës kanë anëtarë të familjes që jetojnë jashtë vendit. Kurse 22.4% e familjeve kosovare pranojnë remitenca. Sipas studimit të UNDP-së, 13% e emigrantëve dërgojnë gati gjysmën e të ardhurave të tyre si remitenca në Kosovë, gjersa 49% e emigrantëve dërgojnë 10-20% të të ardhurave vjetore tek familjarët e tyre në Kosovë. Në vitin 2020 remitencat arritën vlerën e gati një miliard eurove. Kjo ndikon edhe në rënien e motivit për të punuar. Pranuesit e remitencave janë më pak të gatshëm se jopranuesit që të pranojnë rrogë më të vogël se 200 euro në muaj.
Arsyeja e dytë përse bizneset e kanë të vështirë që të punësojnë punëtorë përkundër papunësisë së lartë është edhe problemi i pagave të ulëta. Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, shumica e të punësuarve marrin rroga rreth 400 euro në muaj. Kjo shifër duket e fryrë për shkak se në këtë kalkulim përfshihen edhe pagat e sektorit publik, e ku paga mesatare është më e lartë se në sektorin privat për të paktën 136 euro. Sipas Anketës së ASK-së për të Ardhurat dhe Kushtet e Jetës, gjysma e familjeve në Kosovë nuk arrijnë të përballojnë një shpenzim të papritur prej 100 eurove, kurse gati 70% e familjeve nuk mund të përballojnë një pushim njëjavor jashtë shtëpisë. Kërkimin e punës e demotivojnë edhe politikat qeveritare për përfituesit e asistencës sociale, ngase një e ardhur nga puna sado e vogël të jetë ajo dhe për një afat të shkurtër, i largon përfituesit nga skema për muaj të tërë. Shto kësaj edhe faktin se shumë punëtorë nuk kanë kontrata të punës, punojnë jashtë orarit e në punë me rrezikshmëri të lartë, dhe na paraqitet situata ku shumë të papunë nuk pranojnë punë me këto kushte dhe kërkojnë punësim jashtë vendit.
Një numër i madh i kosovarëve janë në faza të ndryshme të pritjes për të marrë vizat e punës në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani. Në vitin 2015, Gjermania prezantoi Rregulloren për Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar imigracionin e fuqisë punëtore nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Fillimisht e paraparë që të zgjaste deri në vitin 2020, mandati i Rregullores u shty deri në fund të vitit 2023. Kosovarët përbëjnë numrin më të madh të aplikuesve për punë në Gjermani në bazë të kësaj rregulloreje dhe njëkohësisht numrin më të madh të atyre që kanë fituar punë. Por për shkak të vizave, kosovarët më së paku kanë arritur të punësohen realisht. Kjo krijon një situatë ku shumë kosovarë janë në proces pritjeje për tu larguar nga vendi, duke mos pranuar punë në Kosovë me shpresën se së shpejti do të marrin vizën për në Gjermani.
Deri tash emigracioni i lartë nga Kosova në vendet perëndimore ka ndikuar pozitivisht në ekonominë e vendit, kryesisht përmes remitencave dhe zbutjes së presionit social. Mirëpo, si duket, Kosova ka mbërritur pikun, për të cilin tërheq vërejtjen ekonomisti i Bankës Botërore, Paul Collier, nga ku pastaj emigracioni fillon e shkakton telashe në ekonominë e vendit. Kjo, ngase shumë nga ata që emigrojnë fillojnë t’i tërheqin gjithnjë e më shumë edhe familjarët e tyre dhe pas një kohe ndalen edhe remitencat dhe, sfida tjetër, bizneset kanë vështirësi që t’i plotësojnë vendet e punës.
Qeverisja aktuale e Lëvizjes Vetëvendosje në vazhdimësi ka premtuar sigurimin e një klime të sigurt për investime të huaja, kryesisht duke sjellë kapitalin e diasporës për investime në Kosovë dhe jo vetëm konsum. Nëse ky premtim realizohet me sukses, mund të shpresojmë se trendi gjithnjë e në rritje i emigracionit do të ndalet dhe pagat në sektorin privat në Kosovë do të rriten, e rrjedhimisht edhe kushtet e jetesës.