Futboll

Jakiroviq zbulon se çfarë përjetoi Hoxha te Dinamo

Arbër Hoxha

Arbër Hoxha nuk ishte zgjedhje e parë e trajnerit të Dinamo Zagrebit, Mario Kovaçeviq. Hoxha e fitoi rastin e tij duke u inkuadruar në fushë nga banka e rezervistëve. Megjithatë, kjo ndryshoi me kalimin e ndeshjeve, dhe Hoxha u imponua me golat dhe asistimet e tij.

Ai ka dy gola dhe tri asistime këtë sezon për Dinamo Zagrebin. Ai shënoi kundër Hajdukut në derbin e luajtur në “Poludin” e stërmbushur me shikues pas një depërtimi individual. Po ashtu shënoi një gol dhe kontribuoi me një asistim kundër Slaven Belupos.

Në garat evropiane, Hoxha asistoi në ndeshjen kundër Fenerbahçes. Dhe, konfirmoi formën e tij të mirë me supergolin e shënuar në fitoren 4:2 të Shqipërisë kundër Jordanisë. Ai pranoi një top dhe me goditje të fuqishme shënoi supergol për epërsinë 3:1 të Shqipërisë. Ndeshja miqësore u zhvillua të martën në Tiranë.

Hoxha pati ulje-ngritjet e tij gjatë edicionit të kaluar. Një vit më parë Dinamo e drejtuar nga Sergej Jakiroviq, ai shkëlqeu në momentin e duhur. Shënoi gol në fitoren ndaj Rijekës. Goli i Hoxhës ia hapi rrugën Dinamos drejt titullit në edicionin 2023/2024. Dhe në fund të fundit, ishte Jakiroviq ai që këmbënguli për transferimin e Hoxhës në Zagreb.

“Hoxha shënoi golin në Rujevicë. Jam përsëri budalla, apo jo? Si ‘Pse nuk luajti më parë? Epo, ai nuk luajti pasi që kërkohej dhe sepse po e vrisnit, si Dario Shpikiqin dhe Sandro Kulenoviqin. Po i vrisnit me shigjeta. Është e vërtetë, unë flas me ata djem gjatë gjithë kohës”, tha ish-trajneri i Dianmos, Jakiroviq, në podcastin në “Max Sport”. Jakiroviq është trajner i Hull Cityt, që garon në Championshipin e Anglisë.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur për Hoxhën dhe Kuenoviqin. Kule ishte një lojtar i lënë pas dore. Doja ta sillja te Rijeka, ndoshta askush nuk e di këtë, por unë doja”, shtoi Jakiroviq.

Hoxha është një nga lojtarët kryesorë të Mario Kovaçeviqit këtë edicion. Ai luftoi për një vend në formacionin bazë të Dinamos dhe ekipit kombëtar të Shqipërisë, që së fundmi mposhti Serbinë në Leskovc. Nën drejtimin e Sylvinhos, Shqipëria, ka bërë një hap më shumë drejt kualifikimit në Kupën e Botës 2026. 

27-vjeçari nga Istogu me Dinamo Zagrebin ka kontratë deri në qershor të vitit 2027.