Juristi Xhevdet Smakiqi ka thënë se protestat e shqiptarëve ndaj Gjykatës Speciale në Hagë tregojnë se besimi i qytetarëve në këtë institucion përgjatë gjykimit ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka rënë në zero.
Në prag të protestës së paralajmëruar në Tiranë kundër Speciales, Smakiqi ka thënë se kjo gjykatë ka humbur besimin te qytetarët për shkak të mënyrës se si po gjykohen ish-krerët e UÇK-së.
Ai ka thënë se edhe ish-kryeprokurori Jack Smith është diskredituar pas akuzave nga administrata Trump.
“Ndër premisat apo parimet themelore në një drejtësi objektive të pavarur është edhe besimi i publikut. Pra kur flitet për një sistem të drejtësisë në një shtet demokratik përmendet se besimi në një gjykatë duhet të jetë në nivelin më të lartë. Në rastin tonë konkret, pra kur ka qenë opinioni publik kundër themelimit të Gjykatës Speciale, ishin krerët e UCK-së, vetë Hashim Thaçi, Kadri Veseli që lobuan që të themelohet me qëllim që Kosovës t’i hiqen retë e zeza nga raporti i Dick Martyt. Gjithmonë opinioni është në konfront me vendimet politike kur themelohet diçka e tillë. E tash këto protesta të veteranëve edhe në Hagë, Tiranë e Prishtinë dy herë dëshmojnë se besimi i publikut të Kosovës në Dhomat e Specializuara është zero ose i zbehur dhe është njëfarë mesazhi që për shkak të procedurës së stërzgjatur dhe shkeljes së parimit të publicitetit pasi mbi 60 për qind të gjykimit ka qenë i mbyllur dhe publiku nuk e ka parë....ndërkohë që prokurori Smith është i diskredituar për shkak të akuzave në SHBA dhe dyshimeve për korrupsion”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së të enjten.
