Kosova ka humbur pa nevojë gati një vit. Dështimi për ta formuar qeverinë dhe votuar atë me shumicë në Parlament ka mundur të ndodhte në pranverë. Vështirë që zgjedhjet e reja do të japin një shumicë të qartë, absolute, që dikush ta bëjë vetë qeverinë. Edhe në zgjedhjet e reja do të shkohet VV-ja kundër të gjithë të tjerëve. Dhe pas tyre prapë formimi i shumicës do të varet nga pakicat, nëse tri partitë kryesore do të jenë përjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Ka shumë shembuj edhe në botën e zhvilluar, edhe në Evropë, që shtetet funksionojnë pa qeveri. Por, ato janë ndër shtetet më të zhvilluara të botës, si për shembull Belgjika dhe Holanda. Kosova nuk e ka një luks të tillë.
Është vështirë të gjesh sot në Evropë ndonjë shembull që një parti e cila ka fituar mbi 40 për qind të votave nuk ka arritur ta bëjë qeverinë, siç i ndodhi Vetëvendosjes në Kosovë. Kjo parti është dashur të ishte përgatitur qysh para zgjedhjeve të shkurtit për opsionin që nuk do të jetë në gjendje vetë ta formojë qeverinë dhe se do t’i duhet së paku një prej tri partive të tjera si partnere në koalicion. Se nuk ka qenë e përgatitur dëshmoi që natën e zgjedhjeve, kur në vend që të ofrojë bashkëpunim, kryeministri Kurti akuzoi dhe ofendoi partitë e tjera. Fitorja mbi 50 për qind në vitin 2021 ka qenë fenomen i cili vështirë se do të mund të përsëritet ndonjëherë në Kosovë në kushtet normale. Prandaj edhe fitorja me mbi 40 për qind në shkurtin e këtij viti ka qenë një fitore e madhe, ndonëse jo absolute.
Por, VV-ja dëshmoi se si partia bindshëm më e votuar, që nuk mund të quhet kurrsesi humbëse, nuk ka kapacitete për ndërtim të koalicioneve. Mungesa e këtij kapaciteti ia çoi huq edhe fitoren e shkurtit.
Për të mos shkuar shumë larg ja për shembull Kroacia. Në atë shtet Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ) është në pushtet që nga viti 2014, pra për më shumë se 11 vjet. Dhe në këtë periudhë ka mbështetjen diku mes 27 dhe 30 për qind, pra mbi 10 për qind më pak sesa që në Kosovë ka fituar VV-ja në zgjedhjet e fundit. Por, HDZ-ja ka arritur të ndërtojë koalicion. Ka barë madje koalicion me ata që liderin e HDZ-së dhe kryeministrin aktual Andrej Plenkoviq e kanë quajtur “djall“ dhe HDZ-në si parti të hajnave. Bile HDZ-ja vërtet është një prej partive të rralla në Evropë, e cila si parti është dënuar për korrupsion. Për këtë një prej ish-liderëve të saj, Ivo Sanader, është dënuar me burg. HDZ edhe sot është në pushtet, disi i ka mbledhur votat nga disa parti të vogla, nga pakicat kombëtare dhe aty-këtu ka peshkuar ndonjë deputet të partive të opozitës. Sepse deputetët kur bëhen deputet mund të votojnë edhe sipas ndërgjegjes së tyre personale e jo doemos sipas linjës partiake. Dhe po, në këtë koalicion, siç ndodh edhe në shumë vende tjera, ka shumë raste të “koalicioneve të pa moralshme“. Por, në këtë mënyrë Andrej Plenkoviq tashmë është bërë kryeministri me mandat më të gjatë në historinë e Kroacisë. Në këtë kohë Kroacia e ka ulur papunësinë në gati 4 për qind, e kur hyri në BE ishte rreth 17 për qind. Kroacia nga 60 për qind të Bruto Prodhimit Vendor për kokë banori në krahasim me BE-në ka ardhur në gati 80 për qind.
Pjesëmarrja në politikë imponon edhe bashkëpunim me ata me të cilët nuk pajtohesh shpesh, me ata kundër të cilëve shpesh e ke bërë garën politike dhe shpesh në diskurs janë përdorur fjalë të rënda. Kur flitet për moral në politikë nuk mendohet në mosndryshimin e qëndrimit.
Kosova ka humbur pa nevojë gati një vit. Dështimi për ta formuar qeverinë dhe votuar atë me shumicë në Parlament ka mundur të ndodhte në pranverë. Vështirë që zgjedhjet e reja do të japin një shumicë të qartë, absolute, që dikush ta bëjë vetë qeverinë. Edhe në zgjedhjet e reja do të shkohet VV-ja kundër të gjithë të tjerëve. Dhe pas tyre prapë formimi i shumicës do të varet nga pakicat nëse tri partitë kryesore do të jenë përjashtuese ndaj njëra-tjetrës. Ka shumë shembuj edhe në botën e zhvilluar, edhe në Evropë, që shtetet funksionojnë pa qeveri. Por, ato janë ndër shtetet më të zhvilluara të botës, si për shembull Belgjika dhe Holanda. Kosova nuk e ka një luks të tillë.
Tash Kosova mund të hyjë në një kaos edhe më të madh. Nëse do të ketë zgjedhje të reja, e duket se ato janë të pashmangshme, ato do të zhvillohen në prag të festave të fundvitit. Pastaj nja një muaj do të numërohen votat. E ndoshta edhe të rinumërohen, të verifikohen, të priten ankesat dhe parashtresat. Dhe kur të konfirmohen rezultatet do të nisin prapë skenarët për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Me politikanë kaq të papërgjegjshëm kush garanton se nuk do të përsëriten problemet e njëjta. E pastaj do të duhet të formohet prapë një koalicion i cili do ta siguronte shumicën e votave. Dhe do të vijë edhe zgjedhja e presidentit. Mund të ndodhë edhe një situatë ku Kosova mund të jetë edhe pa qeveri, edhe pa Kuvend, edhe me presidente me mandat të skaduar, dhe ndoshta edhe pa buxhet. Kosova nuk është Amerikë që të mund të funksionojë me “Mbyllje të qeverisë“ (government shutdowns), siç quhet situata kur nuk kalon në Kongres buxheti federal.
Kosovës nuk do t’i ndihmojë as Gjykata Kushtetuese për ta tejkaluar krizën. Kjo Gjykatë as nuk e ka rolin për t’u dhënë zgjidhje pengesave që janë rezultat i gabimeve politike. Gjykata Kushtetues në rastin e Kosovës vetëm e ka komplikuar situatën, dhe nuk ka faj për këtë, sepse ajo vetëm ka vendosur për parashtresat që i janë bërë lidhur me respektimin e Kushtetutës.
Kësaj radhe në “ndihmë“ Kosovës nuk i erdhën as “miqtë ndërkombëtarë“. Ata thjesht vetëm po presin që kosovarët vetë të dalin nga situata që vet e kanë krijuar. Dhe një pjesë e madhe e “miqve ndërkombëtarë“ po mbajnë sanksione ndaj Kosovës. Vitin që vjen, më 17 shkurt Kosova do t’i mbushë 18 vjet, që në jetën e një njeriu do të ishte mosha madhore. Prandaj edhe miqtë ndërkombëtarë duan ta shohin Kosovën që të dijë vetë t’i tejkalojë problemet e veta. Vërtet Kosova ka një demokraci “vibrante“, shumë pluraliste. Dhe situata në të cilën është sot është dhe rezultat i dobësive që ka edhe demokracia. Sepse në demokraci nuk mund të imponohet asgjë, as krijimi i qeverisë. Pra, në demokraci duhet jetuar edhe me pasojat e punës apo mospunës së të zgjedhurve të popullit. Duket sikur populli do t’i vuajë më shumë pasojat sesa të zgjedhurit e tij në rastin e Kosovës.