Mund të duken si çështje teknike që duhen lënë më mirë tek ekspertët. Por, shumë ekspertë nuk janë shkencërisht të denjë për përllogaritjen e rreziqeve klimatike, mirëqenies së gjeneratave të ardhshme dhe mundësive për veprim klimatik, bazuar në shtysat e drejta. Administrata Biden duhet t’ia caktojë çmimin e saktë të lartë ndotjes nga karboni për ta trimëruar shkallën dhe urgjencën e veprimit të nevojshëm për përmbushjen e përkushtimeve që u ka bërë amerikanëve dhe pjesës tjetër të botës. Nga kjo varet e ardhmja e planetit tonë
Presidenti amerikan, Joe Biden, meriton të urohet për zotimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës t’u rikthehen përpjekjeve globale për luftimin e ndryshimeve klimatike. Por, Amerika dhe bota duhet t’i përgjigjen sfidës me efikasitet.
Në këtë punë, urdhri ekzekutiv i Bidenit më 20 janar për krijimin e një Grupi Punues të Ndëragjencive në adresimin e Kostos Sociale të Gazeve Serrë është një hap veçanërisht i rëndësishëm.
Detyrë e këtij grupi është që ta sajojë një llogaritje më të saktë të kostos në dollarë për shoqërinë (dhe për planetin) nga secili ton i dyoksid karbonit dhe gazeve të tjera serrë të emetuara në atmosferë. Kjo shifër, së cilës i referohemi si kosto sociale e karbonit (SCC), u ofron politikëbërësve dhe agjencive qeveritare një bazë për vlerësimin e përfitimeve nga projektet publike dhe rregullimet e destinuara për frenimin e emetimeve të CO2-shit – apo për cilindo projekt ose rregullim që mund të ndikojë indirekt në emetime.
Nëse grupi punues vendos për një shifër më të ulët, shumë projekte dhe rregullime të kufizimit të emetimeve nuk do të çohen përpara, për shkak se çmimi i tyre do t’i tejkalojë përfitimet e përllogaritura të klimës. Andaj, është me rëndësi që kjo shifër të kalkulohet saktë – dhe me këtë saktë, ne nënkuptojmë në një shifër më të lartë sesa që ishte në të kaluarën.
Në aspektin më të gjerë, janë dy mënyra për ta përcaktuar këtë kosto. Njëra metode, e përdorur nga administrata e ish-presidentit Barack Obama, është që të mos tentohet përllogaritja e drejtpërdrejt e dëmit të ardhshëm nga emetimi i njësive shtesë të karbonit.
Mjerisht, zbatimi i kësaj teknike është jashtëzakonisht i vështirë. Mënyra se si administrata Obama e bëri këtë gjë ka të meta të konsiderueshme, të cilat shpien drejt përllogaritjes tepër të ulët të SCC-së, 50 dollarë për një ton deri më 2030 (me vlerën e dollarit nga 2007-a).
Megjithëkëtë, edhe para se Donald Trumpi të bëhej president, bota – dhe SHBA-ja në veçanti – ishte duke bërë tepër pak për ndryshimet klimatike.
Problemi ishte përdorimi nga administrata Obama i metodave të integruara të vlerësimit, të cilat, siç tregon vet emri, i integrojnë shkencat ekonomike dhe mjedisore në kalkulimin e shtegut të ekonomisë dhe klimës gjatë shekullit të ardhshëm apo edhe më tej. Integrimi i ekonomisë dhe mjedisit ka goxha shumë kuptim, por djalli fshihet në detaje. Këto modele janë dëshmuar në vetvete si të dyshimta, meqë kanë gjeneruar një gamë skajshmërisht të ndryshme të përllogaritjeve tejet të ndjeshme karshi supozimeve të caktuara.
Për shembull, një rezultat i spikatur prej një versioni popullor të këtyre modeleve është se ne nuk do të duhej ta pranonim ngrohjen globale prej 3.5 gradësh Celsius, të nivelit të paraindustrializmit. Kjo shkallë është dukshëm më e ulët se sa kufiri prej 1.5-2 gradësh Celsius për të cilin komuniteti ndërkombëtar ishte dakorduar në marrëveshjen e Parisit më 2015.
Në fakt, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike ka nënvizuar se rreziqet e lidhura me ngrohjen globale prej 2 gradësh Celsius janë shumë më të larta se sa ato prej 1.5 gradësh Celsius, andaj rreziku nga ngrohja prej 3.5 gradësh qartazi ishte larg më i madh.
Ngritja prej 3.5 gradësh Celsius e temperaturave rezulton nga supozimet e bëra në model, përfshirë dështimin e rrezikshëm për t’i trajtuar me seriozitet rreziqet e jashtëzakonshme që ndryshimet e pamenaxhuara klimatike i shkaktojnë mjedisit, jetëve dhe ekonomisë sonë. Për më tepër, modelet e integruara të vlerësimit nuk e pranojnë në mënyrë adekuate rolin potencial të inovacionit dhe rritjes së kthimeve për sa i përket veprimit klimatik.
Një tjetër problem i metodologjisë së Obamas është i ka vënë në disavantazh gjeneratat e ardhshme. Hisja më e madhe e përfitimit nga kufizimit të emetimeve tani bazohet në shmangien e rrezikut nga ndryshimi i rrezikshëm klimatik gjatë dekadave në vijim. Kjo do të thotë se ne duhet të pyetemi se sa brengosemi për fëmijët dhe nipërit tanë. Nëse përgjigjja është “jo shumë”, atëherë nuk duhet as që të bëjmë shumë. Por nëse brengosemi për ta, atëherë kjo brengë duhet të reflektohet në saktësinë e kalkulimeve tona.
Zyrtarisht, metodologjia e epokës Obama e ka adresuar këtë çështje, duke e bërë një vlerësim rreth zbritjes, që tregon se sa më pak do të vlejë një dollar vitin tjetër (dhe një tjetër pas tij) krahasuar me sot. Administrata Obama ka përdorur shkallën vjetore të zbritjes prej 3 për qind, duke nënkuptuar se me të kursyer një dollar në 50 vjet, ne do të ishim të gatshëm të shpenzonim vetëm 22 centë sot; për të shpëtuar 1 dollarë në 100 vjet, ne duhet të jemi të gatshëm që të shpenzojmë më pak se pesë centë.
Nuk ekziston asnjë justifikim etik për kushtimin e kaq pak vlere mirëqenies së gjeneratave të ardhshme. Por nuk është as një racionale ekonomike, kur i marrim për bazë rreziqet.
Mbi të gjitha, ne paguajmë premiume sigurimi sot për t’i shmangur humbjet nesër – me fjalë të tjera, për ta minimizuar rrezikun. Në konstant paguajmë, le të themi, nga 1.20 dollar për të siguruar një kthim mesatar prej 1 dollari vitin e ardhshëm, kjo ngase kompania e sigurimeve i siguron paratë që na duhen – sikur pas një aksidenti me veturë apo një zjarri në shtëpi.
Me shpenzimin që i ul rreziqet në të ardhmen, shkalla e duhur e zbritjes është e ulët apo mund të jetë negative kur efektet potenciale mund të përfshijnë shkatërrimin e pamasë.
Të shpenzuarit para sot për veprimin klimatik është sikur të blihen policat e sigurimit, për shkak se kësisoj reduktohen rreziqet nga katastrofat klimatike në të ardhmen. Andaj, rreziku përkthehet në një shkallë më të ulët të zbritjes dhe çmim më të lartë të karbonit.
Tani që administrata Biden i është përkushtuar qëllimit ndërkombëtar për kufizimin e ngrohjes globale në 1.5-2 gradë Celsius, ajo duhet ta përqafojë mënyrën e dytë, më të qëndrueshëm të kalkulimit të SCC-së.
Ky është thjesht çmimi, sipas të cilit do të ishim në gjendje t’i kufizojmë mjaftueshëm emetimet për ta shmangur ngrohjen e rrezikshme të botës.
Ky është çmimi që do t’i trimëronte investimet për më pak karbon dhe për inovacionet që na duhen, dhe kësisoj qytetet tona do të ndihmoheshin që të jenë më pak të mbipopulluara dhe të ndotura. Shumë politika të tjera plotësuese do të jenë të nevojshme, përfshirë investimet qeveritare dhe rregullimet.
Siç ka nënvizuar një raport i 2017-s nga Komisioni ndërkombëtar për vendosjen e çmimit të karbonit, në të cilin ne ishim bashkëpunëtorë, sa më të suksesshme që janë këto politika në kufizimin e emetimit të CO2-shit, aq më i ulët mund të jetë çmimi i karbonit në të ardhmen.
Por SCC-ja e mundshme do të ishte më e përafërt me vlerën prej 100 dollarësh për një ton deri më 2030, e përllogaritur nga administrata Obama (me një shkallë të lirimit prej 3 për qind). Tavani i epërm i SCC-së prej 50-100 dollarësh që e sugjeruam më 2017 është krejtësisht i përshtatshëm, duke e pasur parasysh se caqet e marrëveshjes së Parisit me të drejtë janë bërë më ambicioze – një kufizim prej 1.5 gradë Celsius në mbroje dhe pothuajse zero emetime deri më 2050.
Këto mund të duken si çështje teknike që duhen lënë më mirë ekspertëve. Por shumë ekspertë nuk janë shkencërisht të denjë për përllogaritjen e rreziqeve klimatike, mirëqenies së gjeneratave të ardhshme dhe mundësive për veprim klimatik, bazuar në shtysat e drejta.
Administrata Biden duhet t’ia caktojë çmimin e saktë të lartë ndotjes nga karboni për ta trimëruar shkallën dhe urgjencën e veprimit të nevojshëm për përmbushjen e përkushtimeve që u ka bërë amerikanëve dhe pjesës tjetër të botës. Nga kjo varet e ardhmja e planetit tonë.
(Nicholas Stern, ish-kryeekonomist i Bankës Botërore (2000-2003) dhe bashkëthemelues i Komisionit të Lartë Ndërkombëtar për Çmime Karbonit, është profesor i Ekonomisë dhe Qeverisjes si dhe shef i Institutit Kërkimor “Grantham” për Ndryshime Klimatike dhe Mjedis në shkollën londineze të Ekonomisë. Joseph E. Stiglitz, laureat i çmimit Nobel për Ekonomi dhe profesor në Universitetin e Columbias, ish-kryeekonomist i Bankës Botërore (1997-2000) dhe shef i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomik të presidentit amerikan, ishte autori kryesor i Vlerësimit Klimatik IPCC më 1995 dhe bashkëthemelues i Komisionit të Lartë Ndërkombëtar për Çmim Karbonit. Ky vështrim është shkruar për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)