OpEd

Odë e Gëzimit

Në kabllogramin diplomatik të radhës nga “Oda e Gëzimit”, zyra prej nga pretendenti i “Kosova ka talent”, kryeministri Ramush Haradinaj kishte deklaruar se “liberalizimi i vizave kishte ndodhur dhe se procedurat e tjera janë vetëm formalitete”, nuk ishte sqaruar që ato formalitetet e Bashkimit Evropian dinë me marrë vite të tëra. Por s’ka dert. Me rëndësi që “liberalizimi ka ndodhë”.

A ka diçka më të gërditshme në skenën politike sesa kur aparatçikët e ndryshëm partiakë apo qeveritarë i dalin në mbrojtje publike shefit të tyre partiak? Përveçse e shpërfaqin atë pakurrozërinë e tyre, ata na e shpërfaqin edhe servilitetin e tyre ekstrem ndaj shefit. Zakonisht gjatë këtyre mbrojtjeve publike të shefave, aparatçikët dhe aparatdjemtë dalin edhe qesharakë. Nuk dëshiroj që lexuesin e ditarit tim me kabllograme aq të çmueshme diplomatike ta ngarkoj kot me këso gjërash, por kësaj radhe do ta përmend njërin rast.

“Bisedimet me Serbinë pa pjesëmarrjen e Hashim Thaçit janë sikur Barcelona pa Messin”, deklaroi deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu. Është një thënie e cila herë i atribuohet shkrimtarit Mark Twain e herë kryetarit Abraham Lincoln. “Më mirë të vazhdosh të qëndrosh i qetë, duke mos thënë asgjë dhe të t’marrin për budalla, sesa të flasësh diçka dhe ta heqësh çdo dyshim”. Cilido prej tyre që ta ketë thënë, që të gjitha këtyre rasteve të “mbrojtjes së shefave në publik” ua japin sqarimin më adekuat të mundshëm. Kësi shembujsh kemi nga taborët e të gjitha partive politike të trevave shqiptare, dhe nuk mbetet vetëm delikatesë e PDK-së, por disi duke qenë se në Kosovën e pavarur PDK-ja është ajo që gjithnjë ka qeverisur apo bashkëqeverisur me vendin, me meritë u takon vendi i parë i sakrificave sublime për mbrojtjen e shefit, duke ia infliktuar vetes lëndimet e miniskuseve për shkak të gjunjëzimeve të shumta, parodentoza të dhëmbëve, kaftosje të hundës, si dhe ndonjë dhimbje të unazave kurrizore që shkojnë përtej asaj ku Cosmodisku mund t’iu hyjë në ndihmë diçka.

Edhe pse sot është festë zyrtare, unë si punëtor i zellshëm dhe i përkushtuar që jam, e kam hapur sot edhe ambasadën dhe po e shkruaj ditarin tim më datën 9 Maj 2019.

9 Maji njihet si dita kur Gjermania e Luftës së Dytë Botërore kapitulloi. Si festë e përvetësuan 15 Republikat e Bashkimit Sovjetik, ku në disa nga ato kjo ditë ishte edhe ditë pushimi.

Festa shtetërore e shtetit të Kosovës në fakt nuk ndërlidhet me këtë ngjarje, por me atë të njohur si “Deklarata e Schumanit”. Ajo deklaratë ishte bërë nga ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Robert Schuman, më 9 Maj 1950. Ajo deklaratë propozonte që prodhimi i qymyrit dhe çelikut në Francë dhe Gjermani të vendoseshin nën një autoritet të lartë të përbashkët. Ky kooperim do të dizajnohej në atë mënyrë që t’ua linte dyert e hapura edhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore që të përfshiheshin aty.

Deklarata e tij nuk hasi në veshë të shurdhër dhe brenda një viti më 18 prill 1951, Holanda, Belgjika, Italia, Luksemburgu, Franca dhe Gjermania nënshkruajnë Traktatin e Parisit. Ky organizim hapi rrugë për krijimin e Bashkimit Ekonomik Evropian dhe më vonë rrjedhimisht formimin e Bashkimit Evropian.

Himni i Bashkimit Evropian është një vepër muzikore e Bethovenit, me fjalë të huazuara nga poezia lirike e Friderich Schiller “Ode to Joy”, (“Ad die Freude” gjermanisht” apo Odë e Gëzimit në shqip … përkthimi i njërit varg të këtij himni në gjuhën shqipe, në të cilin hasa në Wikipedia.

“Gëzimi është i mrekullueshëm

Gjithmonë jetën na e stolis

Në pragun tënd o të magjishëm

Buron kënga rrugën nis

Se atë që mbyt mërzia

Ti sërish e gjallëron

Vëllazërohet njerëzia

Flatra jote kudo shkon” ...

E në këto proceset e formimit të këtyre organizatave, Kosova jo që ka qenë vrima e fundit e kavallit, por ka qenë ajo vrima e kavallit që gjendet përfundi kavallit dhe roli i vetëm i së cilës është që t’u hapë rrugë jargëve të ekzekutuesit në kavall.

Por ajo që është me rëndësi është se ne këtë datë e shënojmë si festë shtetërore dhe e kemi ditë pushimi!

Ironia e kësaj storie është se ne e kremtojmë, ndërsa mbetemi të vetmit të izoluar duke mos e pasur as të drejtën e lëvizjes së lirë përbrenda Evropës përderisa edhe flamurin shtetëror na e kanë qëndisur me ngjyra evropiane dhe himnin na e kanë lënë ashtu “praktik”, pa tekst vetëm me e fishkëllu konform kavallit. Normal këto shtetet formuese dhe anëtare tashmë të këtij Bashkimi e kanë ditë të rëndomtë pune 9 Majin, e unë mbetem skeptik dhe dyshoj që edhe pjesa më e madhe e qytetarëve të tyre s’ia kanë haberin se çfarë dite apo feste na qenka 9 Maji.

Përndryshe Lufta e Dytë Botërore pa Kosovën është sikur Juventusi pa Ronaldon, që kishte me thënë deputetja Musliu.

Në kabllogramin diplomatik të radhës nga “Oda e Gëzimit”, zyra prej nga pretendenti i “Kosova ka talent”, kryeministri Ramush Haradinaj kishte deklaruar se “liberalizimi i vizave kishte ndodhur dhe se procedurat e tjera janë vetëm formalitete”, nuk ishte sqaruar që ato formalitetet e Bashkimit Evropian dinë me marrë vite të tëra. Por s’ka dert. Me rëndësi që liberalizimi “ka ndodhë”. Me këtë rast ajo e bija e kabiles së Targeryenëve do të thoshte “Dracarys” që në përkthim i bie kallne krejt, shtinja flakën!

Besoj se pak nga ne e kemi shikuar emisionin e Blendi Fevziut përderisa në të njëjtën kohë po zhvillohej ndeshja Barcelona Vs Liverpool. Mirëpo, me të përfunduar të ndeshjes të gjithë e kuptuam për atë që kishte ndodhur në studion e Blendi Fevziut, ku ndërmjet të tjerëve mysafirë ishte miku i tij nga Panamaja, Baton Haxhiu, dhe ish-deputetja Mesila Doda. Gjatë berbatit që po zhvillohej në studio, zonja Doda disa herë i tha Batonit se po gënjente derisa ky e humbi toruan dhe iu drejtua me fjalët se “po gënjen ajo mund t’i thoshte vetëm bashkëshortit të saj në shtëpi”. Që nga ai çast ai berbat ishte RIP, dhe komenti i ish-deputetes Doda se do t’ia thyente shishen e ujit për koke Batonit vetëm sa e vërteton atë gjë. Në ndërdijen e kulturës sonë ende gjërat ndërlidhen me babën, nanën, gruan, burrin, motrën, vëllanë dhe në mungesë argumenti për t’u mbrojtur nga akuza e hedhim njërin nga të lartpërmendurit në tryezën e berbatit, dhe nga ai çast debatit i vdes nana. Ashtu veproi Batoni në pamundësi që me argumente me ia mundur akuzën e zonjës Doda se ai po gënjente, ky zgjodhi që në tavolinën e debatit ta sillte burrin e saj. Pjesa tjetër mbetet histori …

Kabllogrami diplomatik i radhës ndërlidhet me deklaratën e përbashkët të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit, me rastin e vizitës së këtij të dytit në Tiranë. Ata deklaruan se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet hequr dhe një deklaratë të tillë ata e bëjnë sa herë që punët i kanë ters në shtëpitë e tyre. Doza e populizmit të këtyre dy udhëheqësve tanë shtetërorë që pas një kohe jo të gjatë kthehet në taksë rrugore të kombit, ndalim importi patatesh, e këso gjërash që “na bashkojnë”. E kam thënë edhe më parë se bashkimi është një rrjedhë e natyrshme historike dhe ai medoemos se një ditë do të ndodhë, por assesi protagonistë apo meritorë të saj nuk do të jenë Edi Thaçi dhe Hashim Rama. Deri atëherë që të dy do të jenë rezidentë permanentë të plehut të historisë sonë kombëtare.

Është paksa e “çuditshme” si mediat nuk e bëjnë aq të madhe faktin se gati në çdo tubim të nëndegëve të PDK-së po ndodhin rrahjet fizike midis anëtarëve të saj dhe qërim hesapesh për interesat e ngushta me grushte brenda klaneve partiake. Epilogun e këtyre të gjitha ngjarjeve pivotale, e kam të lehtë ta kuptoj. Do të jetë po ai i njëjti epilog, i cili e gjeti secilën parti të madhe në Kosovë. Apetitet dhe egot rriten dhe ajo sjell deri te ndarja e partisë. Me këtë rast vetëm do të uroja që ndarja të jetë në 10.000 grimca partiake. Me rëndësi është që Dekada e Re po na vjen dhe po na gjen me hajnat e vjetër aty-këtu me ndonjë prurje rasti për kurban partiak.

Sipas të gjitha gjasave, edhe partia “dyanëtarëshe” e Ilir Dedës dhe Mimoza Kusari-Lilës po ndahet. Mimoza po ndien përafrim me VV-në, ndërsa Iliri me PSD-në. Janë interesante rrugëtimet politike në Kosovë. Raste studimi në vete!

Këtu unë ngadalë do ta përmbyll ditarin tim për këtë javë që lamë pas, dhe juve lexues të nderuar ua dëshiroj një ditë festive të bukur dhe një fundjavë të mbarë.

P.S. Ramush “Ohhhh moj ti taksë o ti bukuroshe, ja shtine ftigtë Serbisë o prej qoshit m’qoshe”.