OpEd

Nga “normalizimi” i marrëdhënieve deri te “korrigjimi” i kufijve

Nëse Asociacioni do të përmbajë kompetenca dhe organe që do të ishin në përputhje të plotë me rendin kushtetues dhe legal të Kosovës, kjo do të përbënte kompromisin e mundshëm të palës kosovare për ofrimin e një lloj autonomie segmentale për komunitetin serb në shkëmbim të njohjes nga Serbia apo të anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë.

Gjatë negociatave për statusin e Kosovës kanë qarkulluar modele e opsione të shumta e të ndryshme se si do të mundë të dukej një zgjidhje përfundimtare që do të ishte e pranueshme për të gjitha palët. Kemi qenë shpesh dëshmitarë të planeve, të cilat jo vetëm që kanë rrezikuar pavarësimin, por edhe tërësinë territoriale të Kosovës.

Për fatin tonë të mirë, Grupi i Kontaktit vuri asokohe kornizën themelore brenda së cilës duhej gjetur zgjidhjen. E këto parime, ndër tjera, përfshinin që ndarja e Kosovës nuk vihet në konsideratë. Duke qenë të vetëdijshëm për këtë, Serbia synonte që brendapërbrenda Kosovës të krijonte njësi federale, në mënyrë që të ketë entitete territoriale serbe, të cilat pastaj do të mundë të pengonin pavarësimin ose të rrisnin presionin për ndarjen mbi baza etnike. 

Jo rastësisht edhe një nga këshilltarët kyç të delegacionit serb gjatë negociatave të Vjenës ishte një ekspert zviceran mbi federalizmin. Sidoqoftë, Plani i Ahtisaarit u bazua në modelin konsocional ose të bashkëqeverisjes së palëve rivale, duke mos krijuar ndonjë autonomi të veçantë territoriale, por duke u nisur nga niveli lokal i pushtetit. 

Krahas ndarjes së pushtetit në ekzekutiv, sistemit elektoral proporcional që garanton ulëse për pakica në Kuvend, dhe të drejtës së vetos, ky model i zgjidhjes së konflikteve parasheh edhe një lloj autonomie segmentale (pra të veçantë për grupet e caktuara etnike). 

Kjo “autonomi” është zbatuar në Kosovë përmes decentralizimit dhe vetëqeverisjes në nivelin lokal. Kushtetuta dhe legjislacioni përkatës u ofrojnë një shkallë të gjerë autonomie pushtetit lokal, në fusha të ndryshme të jetës shoqërore, ekonomike, kulturore dhe fetare. Decentralizimi jo vetëm që krijoi komuna të reja, por edhe ndërhyri në kufijtë administrativë të komunave ekzistuese. Kështu u krijuan 6 komuna të reja ku komuniteti serb përbënte shumicën, e të cilat gëzojnë edhe kompetenca të zgjeruara në disa aspekte. Kompromisi i Kosovës për pavarësim nënkuptonte zbatimin e decentralizimit dhe akomodimin e komuniteteve në të gjitha institucionet e vendit. 

Dhe këto detyrime që i ndërmori Kosova në masë të duhur janë arritur, me gjithë telashet e kundërthënieve të ndryshme. Dhjetë vjet pas pavarësimit dhe shtatë pas fillimit të negociatave për “normalizim” të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, të negociohet për rregullimin e brendshëm, e për më keq për integritetin territorial të vendit, përbën lëshim të pafalshëm të lidershipit politik në pushtet. Sepse njëlloj autonomie vetëqeverisëse e territoriale, në rast të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nënkupton disa shqetësime serioze dhe me pasoja të rënda: gjegjësisht dilemën e njohjes, bindjes dhe lojalitetit ndaj autoritetit shtetëror; rregullimin e ndarjes së kompetencave ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre të Asociacionit; si dhe dilemën esenciale, nëse ky entitet ngërthen ndarjen “federale” e territoriale ose shkëputjen e mëvonshme të saj nga Kosova. 

Në rast se aranzhimet e tilla territoriale përfshijnë edhe elemente të pushtetit ekzekutiv, mund të minojnë legjitimitetin dhe sovranitetin e shtetit, duke thelluar kështu ndarjen etnike apo edhe përshkallëzuar në konflikt të ri. Ndërkaq nëse Asociacioni do të përmbajë kompetenca dhe organe që do të ishin në përputhje të plotë më rendin kushtetues dhe legal të Kosovës, kjo do të përbënte kompromisin e mundshëm të palës kosovare për ofrimin e një lloj autonomie segmentale për komunitetin serb në shkëmbim të njohjes nga Serbia apo të anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë. 

Ndërsa në rast të opsioneve të ndarjes apo shkëmbimeve territoriale, qoftë edhe nën eufemizmin e “korrigjimeve të kufijve”, pasojat janë gati të paparashikueshme dhe fatale, prandaj diçka e tillë as që do duhej të ishte në tavolinë për negocim. Përveç tjerash, edhe sepse na kthen në situatën e parapavarësisë dhe sepse bart më vete rrezikimin ekzistencial të shtetit e shoqërisë kosovare. 

Me këtë jo vetëm rendi kushtetues e politik, por edhe integriteti e sovraniteti do të viheshin në lojë. Është thjesht një aventurë politike, që vetëm dikush nga naiviteti i thellë apo përfitimi personal do të mund ta paramendonte e lëre më ta diskutonte. Kjo do të ishte edhe në kundërshtim të plotë me Rezolutën e Kuvendit të Kosovës nga viti 2012 për normalizimin e marrëdhënieve, e që përveç tjerash thekson se “Dialogu dhe rezultatet e tij duhet të jenë në pajtim me sovranitetin e Kosovës, subjektivitetin ndërkombëtar, integritetin territorial dhe rregullimin e brendshëm - rendin unik kushtetues të Kosovës.” Platforma jonë themelore në negociata duhet të jetë rreth arritjes së normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e që nënkupton njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, por edhe pranimin nga ana e serbëve të Kosovës.

Mirëpo kjo kurrsesi nuk guxon dhe nuk mund të arrihet nëse tërësia territoriale dhe funksionaliteti i shtetit, në një mënyrë apo tjetrën cenohen. Përndryshe nuk ka presion kohor, psikologjik e diplomatik që do të mundë të arsyetonte një lëshim të tillë eventual, pasojat e të cilave më pas do t’i vuanim me breza të tërë.