Kjo Qeveri thuajse shtiret se nuk kemi pandemi. PANDEMI quhet, dhe është obligim i shtetit të përkujdeset për popullatën e vet, edhe me teste serologjike FALAS, edhe me teste PCR FALAS, edhe me maska për fëmijë FALAS.
FALAS për të gjithë, pa dallime. Sepse sëmundja i godet të gjithë, apo mund t'i godasë të gjithë, pa dallime
Aq "historike" na ishte "marrëveshja" e javës së shkuar, saqë thuajse askush nuk u mor as me numrin e të vdekurve dhe të infektuarve gjatë javës, e as me vonesën e pakuptimtë apo, më mirë thënë, mospërgatitjen e duhur të institucioneve shtetërore për nisjen e vitit shkollor.
Thuajse nuk pati gjë më të rëndësishme në botë sesa dy letra të nënshkruara ndaras, në të cilat palët merrnin obligime ndaj SHBA-së, e që në rastin e Kosovës kanë implikime jo të vogla juridike, ngase në fakt nënkuptojnë se duhet futur në ligje e marrëveshje shtesë për t'u realizuar. Nëse duam që të realizohen.
Shumëkush e festoi lajmin e njohjes që do t'ia bëjë Izraeli Kosovës, dhe obligimit që Kosova ta hapë ambasadën në Jerusalem. Pa dyshim qytet jashtëzakonisht i bukur, por me një ndarje shumë të rëndë etnike, që jo vetëm se ndihet në ajër, por edhe shihet nga autobusët që dallojnë në ngjyra: të bardhët për hebrenjtë, dhe ngjyrat e tjera për të tjerët. Nejse, do të jetë kjo politikë shumë e lartë për të cilën kam pak njohuri, porse e cila, e di, do të sjellë telashe me shtetet arabe që do të vazhdojnë të mos na njohin, tash me një arsye më tepër.
Por halli vazhdon të mbetet te lehtësia e përmendjes së Ujmanit, dhe, sipas prapaskenave që i paraqiti KOHA javën që e lamë pas, u riformulua me përfshirjen e Departamentit amerikan të Energjisë që do ta bëjë një studim fizibiliteti. E megjithatë mbetet e shënuar se shtetet do ta ndajnë (share, thuhet në tekst), apo do t'i shfrytëzojnë së bashku kapacitetet e liqenit. E si do të ndodhë kjo, mbetet për t'u parë.
Vazhdoi historia në Bruksel
Dhe siç u paralajmërua, delegacioni i Kosovës shkoi në Bruksel, kush e di për të satën herë dikush nga kosovarët e përsëriti (kësaj radhe hisja i ra Hotit) se Kosova i kishte përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave. Temë e pashtershme që nga 2010-a, e ne ende çajmë dërrasa me të.
Pas takimit, Hoti u paraqit në konferencë për shtyp, dhe aty u pyet edhe për Asociacionin e komunave serbe, apo Zajednicën e famshme. Tekstualisht tha: "Ne kemi nënshkruar marrëveshje në vitin 2015 për këtë asociacion dhe ne nuk po mundohemi në asnjë mënyrë që t’i ikim asaj marrëveshjeje, ne do ta respektojmë plotësisht atë, por jemi pajtuar që të punojmë së bashku, që të arrijmë një marrëveshje ligjërisht obliguese me Serbinë, ku përfshihet edhe Asociacioni dhe çështje të tjera”. Nuk e di nëse me këtë rast e përmendi edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që gjykoi se dokumenti të cilin e ka nënshkruar shefi i tij, Isa Mustafa, e shkelte substancialisht Kushtetutën.
Duke e pasur parasysh këtë element jo pak të rëndësishëm, pra se Marrëveshja, sikurse edhe një Statut eventual që do të rridhte nga Marrëveshja e tillë çfarë është, janë kundërkushtetuese për shkak se e krijojnë rrafshin e tretë të pushtetit që Kushtetuta nuk e njeh - shtrohet pra pyetja se si do ta zbatojë Kosova këtë marrëveshje që e cungon shtetësinë e Kosovës.
Madje as përpjekja për të dhënë përgjigje kinse diplomatike, duke iu referuar marrëveshjes ligjërisht obliguese (këtë jemi duke e dëgjuar, njësoj si premtimin për liberalizimin, që nga 2010-a), nuk e arsyeton faktin se Hoti mund të mos e ketë përmendur aktgjykimin e Kushtetueses, që për Kosovën është kyç, e për të cilën Serbia nuk çan kokën, për shkak se marrëveshja "historike" e Brukselit është ratifikuar në Kuvend.
Vazhdon presioni nga Haradinaj
Jo pak herë gjatë këtyre ditëve u përsërit se AAK-ja ishte e pakënaqur me formën e deritashme të dialogut me Serbinë, dhe se mbase do të donte të kishte më shumë ndikim në procese, porse jo edhe të merrte përgjegjësinë për të, ngase këtij sistemi bisedash i vjen era dështim.
Pas episodit të Ujmanit, edhe më shumë vazhdon të përsëritet intenca e AAK-së për ta kandiduar Haradinajn për kryetar shteti. Dhe nuk e besoj se e kanë fjalën për zgjedhjen e tij në prill, por për zgjedhjen e tij në rastin që Thaçit t'i konfirmohet aktakuza. Nuk e di cilat janë matematikat e AAK-së dhe Haradinajt, porse, tashmë e kemi thënë, ekziston mundësia jo e vogël që edhe ndaj tij të ngrihet aktakuzë, meqë ka qenë i ftuar në Hagë si i dyshuar për krime lufte.
Ndoshta kjo do të jetë mënyra e përzgjedhur nga AAK-ja për ta rrëzuar Hotin nga pushteti, që të shkohet në zgjedhjet e reja, të cilat më së paku i konvenojnë LDK-së. Për këtë arsye, Hoti do të jetë nën presion të vazhdueshëm nga partneri i mesëm i koalicionit, në kërkim të akomodimit më të mirë në vigjilje të tetorit që do ta japë përgjigjen se ku qëndrojmë me fytyrat politike që e kanë përfaqësuar këtë vend qe sa vjet.
Vazhdon edhe presioni nga veteranët
Nga ana tjetër, veteranët po vazhdojnë me presion që bëjnë në opinionin publik me kërkesën këmbëngulëse të shfuqizimit të Gjykatës Speciale. Në një konferencë shtypi me plot letra para vetes, udhëheqësit e veteranëve treguan se si dikush i panjohur u ishte futur në zyrë dhe u kishte sjellë 4 mijë dokumente të prokurorisë, ku kishte emra dëshmitarësh e të ngjashme. Madje paralajmëruan se i prisnin edhe 7 mijë të tjera ditën e nesërme.
Të nesërmen hyri policia speciale e ua mori. Ata thanë se i kishin bërë gati për t'ia "dorëzuar prokurorisë sonë" - edhe pse prokuroria e Speciales është e jona, se është pjesë e sistemit tonë gjyqësor dhe i nënshtrohet Kushtetutës së Kosovës, po nejse.
Se a janë këto dokumente të vërteta ose jo është shumë vështirë të dihet. Se a janë të organeve serbe apo janë të kosovarëve, apo janë të shpikura... zor do të ishte të kuptohej, posaçërisht nëse nuk je specialist i lëndëve penale. Porse një gjë është shumë evidente, e kjo është se pos vazhdimit të ushtrimit të presionit në opinion për shfuqizimin e Speciales, ky ishte edhe një paralajmërim publik për dëshmitarët (pra e dimë kush jeni), të cilët do të detyroheshin të heshtnin po të ishte miratuar Ligji për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës. E meqë ligji nuk u miratua, kjo do të jetë taktika për t'u zbatuar tash e mbas.
Sido që të jetë, për Kosovën nuk ka situatë më të keqe sesa kjo në të cilën gjendet tash. Me krizë qeverisëse që nuk ndalet që nga koha kur Isa Mustafa ishte zgjedhur kryeministër, e me udhëheqës të lartë politikë që ftohen nga Gjykata Speciale si të dyshuar për krime lufte, fytyrën e Kosovës nuk mund ta shpëtojë as madje Çmimi Nobel për Paqe, siç i kishte rënë në mend një deputeti suedez dje, i cili i kishte propozuar SHBA-në, Kosovën dhe Serbinë për këtë çmim.
Nuk kam se si të mos e shoh këtë ndryshe, pos si një lëvizje propagande që do të duhej t'u shërbente të tria shteteve për t'i arritur caqet e tyre: Trumpit që ta sigurojë rizgjedhjen në postin e kryetarit të shtetit; Vuçiqit për t'i treguar popullit të vet se është më i madh e më i mençur se Millosheviqi, dhe Hotit për t'i treguar Kosovës se është njeri i duhur për ta udhëhequr dialogun që "ka për synim njohjen e ndërsjellë" dhe për të qenë kryeministër i këtij vendi, pavarësisht mënyrës se si erdhi në këtë post.
* * *
Ndërkohë, viti shkollor do të nisë të hënën, por jo për të gjithë njëkohësisht. Nuk po e kuptoj sistemin e përcaktuar nga ministri i Arsimit, porse po e kuptoj që ky shtet e kjo qeveri nuk e kanë as brengën më të vogël as për fëmijët, as për tjerët që nuk janë vetë ata.
Me turpin më të madh, kërkohet nga fëmijët që vetë t'i sigurojnë maskat. Mbase do të kërkojnë që secili fëmijë ta sjellë me vete edhe shishen e dezinfektuesit, e mundësisht edhe ca dorëza gome.
Kjo Qeveri shtiret thuajse nuk kemi pandemi. PANDEMI quhet, dhe është obligim i shtetit të përkujdeset për popullatën e vet, edhe me teste serologjike FALAS, edhe me teste PCR FALAS, edhe me maska për fëmijë FALAS.
FALAS për të gjithë, pa dallime. Sepse sëmundja i godet të gjithë, apo mund t'i godasë të gjithë, pa dallime.
Po të ishte kujdesur kjo Qeveri për popullin ashtu siç e përshkrova, atëherë vërtet kjo do të ishte ngjarje historike dhe për mbamendje të gjatë. Por jo.
Më lehtë është të shihen ëndrra se do të stolisen me Nobelin për Paqe. Vetëm ka mbetur të vendoset se kush do t'i marrë paratë e shpërblimit.