Thonë se historia është një hapësirë shumë e kufizuar. Në atë nuk ka vend për të gjithë. Prandaj njerëzit dhe popujt luftojnë për kontrollimin e historisë. Por e ardhmja është ndryshe. Ajo është një hapësirë e pafund në të cilën ka vend për të gjithë njerëzit dhe të gjithë popujt. Ballkani tani ka mundësinë e vet të shkruajë një të ardhme të re. Një të ardhme ku ka vend për të gjithë
Javën e kaluar kam bërë ftesë për optimizëm të kujdesshëm sa i përket mundësisë së anëtarësimit të ndonjërit nga vendet e rajonit në BE deri në vitin 2030. Përderisa në një anë ka arsye që të jemi optimist për këtë dritaren e re të mundësisë që kemi para nesh, në anën tjetër duhet të jemi të vetëdijshëm për pengesat dhe vështirësitë që mund të shfaqen deri në vitin 2030. Prandaj, është e dobishme që të jemi optimist të kujdesshëm. Në këtë sfond, sot desha të zgjeroj këtë diskutim duke u munduar të projektoj dy skenarë të dinamikave të anëtarësimit në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030. Le t’i quajmë skenar optimist dhe pesimist.
Në skenarin optimist deri në vitin 2030 BE-ja dhe Ballkani Perëndimor tregojnë vullnet të jashtëzakonshëm politik për avancimin e procesit të zgjerimit. Me një anë BE-ja do të ndërmarrë një numër të reformave të brendshme për ta bërë realitet zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030, e në anën tjetër vendet e rajonit do të përshpejtojnë reformat e brendshme dhe ato zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe.
Në këtë skenar, Mali i Zi si kryesues i rajonit do të shfrytëzojë momentumin e tij aktual duke mbyllur negociatat në të gjithë kapitujt e hapur negociatorë. Deri në vitin 2030, Mali i Zi mund të jetë në prag të anëtarësimit të plotë në BE, ose ta ketë arritur këtë tashmë, duke u bërë potencialisht shteti i 28-të anëtar i BE-së. Në anën e Malit të Zi do të jetë edhe fakti që si vend i vogël, anëtarësimi i tij në BE do të jetë lehtësisht i pranueshëm në kuptimin politik dhe ekonomik për BE-në. Ai do të jetë shembull inspirimi për të tjerët.
Sa i përket Shqipërisë, deri në vitin 2030, Tirana ka treguar shkallë të lartë të përgjegjësisë politike duke ruajtur stabilitetin dhe unitetin politik, pavarësisht ndryshmit të pushteteve. Reformat në sundimin e ligjit janë storie e suksesit dhe Shqipëria njëjtë sikur Mali i Zi i ka mbyllur negociatat e anëtarësimit. Tirana vazhdon suksesin e saj ekonomik dhe turistik.
Në skenarin optimist Maqedonia e Veriut ka gjetur forcën të gëlltisë pengesat dypalëshe dhe të kalojë ndryshimet kushtetuese. Uniteti politik i gjithë spektrit partiak për procesin integrues, së bashku me kapacitetet e forta institucionale, do të sigurojë që deri në vitin 2030 Shkupi të jetë në prag të anëtarësimit në BE.
Në po këtë stad do të jetë edhe Serbia në skenarin optimist. Deri atëherë Serbia ka bërë përparime të mëdha në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën duke siguruar njohje de facto të Kosovës. Forcat kyç politike në Beograd mbështesin fuqishëm kursin proevropian duke avancuar reformat ekonomike, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave. Çdo ditë e më shumë Serbia është një aleat i Perëndimit dhe faktor i përgjegjshëm i stabilitetit dhe prosperitetit rajonal.
Në këtë skenar optimist Bosnjë-Hercegovina ka hapur negociatat në të gjithë kapitujt negociatorë. Falë pjekurisë së treguar të forcave kyç politike, Sarajeva ka zbatuar reformat kryesore kushtetuese, duke forcuar funksionalitetin e shtetit dhe sundimin e ligjit. Deri në vitin 2030 BE-ja dhe Bosnja do të kenë plan të qartë kohor për anëtarësimin e Bosnjës në BE.
Në po këtë stad do të jetë edhe Kosova në skenarin optimist. Kosova ka siguruar përparime të mëdha në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Veriu më nuk është çështje destabilizimi, ndërsa Kosova vazhdon të tregojë pjekuri politike duke ruajtur kursin e reformave evropiane, pavarësisht ndryshimit të pushteteve. Disa nga pesë vendet mosnjohëse të BE-së kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kosova dhe Serbia bashkorganizojnë ngjarje të rëndësishme politike, kulturore dhe sportive ndërkombëtare.
Tani në skenarin pesimist një kombinim faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm do të pengojë avancimin e rajonit drejt BE-së. Me një anë BE-ja do të humbë vëmendjen për rajonin si pasojë e zhvillimeve të brendshme, e në anën tjetër vendet e rajonit nuk do të tregojnë vullnet politik për zbatimin e reformave evropiane. Rajoni do të përjetojë kriza të kohëpaskohshme dhe mosmarrëveshjet dypalëshe do të vazhdojnë të jenë burim i tensionit. E gjithë kjo do të ushqehet nga aktorët malinj ndërkombëtarë.
Në këtë skenar, Mali i Zi do të humbasë momentumin e kryesuesit të integrimit evropian. Polarizimet e brendshme politike dhe fetare do të sforcohen duke paralizuar kështu agjendën reformuese.
Ndryshimi i pushtetit do të përdoret për revanshe politike. Deri në vitin 2030, maksimumi që Mali i Zi arrin është mbyllja e disa kapitujve negociatorë.
Në Shqipëri tensionet politike intensifikohen. Aktorët politikë dështojnë të angazhohen konstruktivisht në avancimin e agjendës integruese. Çdo ditë e më shumë shohim ulje të cilësisë së reformave, përfshirë në luftë kundër korrupsionit dhe lirinë e mediave. Reforma në drejtësi nuk po arrin të japë efektet e synuara. Dështimi i agjendës integruese shndërrohet në mollë sherri ndërmjet partive politike. Deri në vitin 2030 Tirana ka arritur vetëm mbylljen e disa kapitujve negociatorë. Zhgënjimi i qytetarëve shqiptarë dëmton agjendën integruese të vendit.
Në Maqedoninë e Veriut çështjet dypalëshe ende vazhdojnë të pengojnë rrugën integruese të vendit. Ndonëse Shkupi ka adresuar kërkesat e Bullgarisë gjatë procesit janë shtuar kërkesat e reja dypalëshe. Çdo ditë e më shumë qytetarët maqedonas humbin besimin në projektin evropian.
Në Serbi demokracia vazhdon rënien e saj. Serbia ka bërë shumë pak progres në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ajo vazhdon të luajë rol destabilizues në rajon. Rruga e saj integruese është praktikisht e bllokuar, ndërsa mbështetja qytetare për BE-në vazhdon të bjerë.
Në Bosnjë ndarjet e thella etnike, politike dhe fetare vazhdojnë të intensifikohen, duke penguar zbatimin e reformave thelbësore të nevojshme për një shtet funksional. Republika Sërpska vazhdon të minojë sovranitetin e federatës. Ndonëse Bosnja ka hapur negociatat formalisht, ajo ka bërë shumë pak progres.
Në skenarin pesimist Kosova nuk ka bërë progres në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Sovraniteti i saj vazhdon të sfidohet aktivisht nga Serbia. Si pasojë e polarizimeve të brendshme politike agjenda reformuese është ngadalësuar. Ndonëse Kosova ka marrë statusin e vendit kandidat, ajo ende nuk ka hapur negociatat e anëtarësimit. Pesë vendet mosnjohëse të BE-së vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.
Arsyeja përse zgjodha ta fokusoj vëmendjen te këta dy skenarë radikalisht të ndryshëm të zhvillimeve deri në vitin 2030 është për të nënvizuar rëndësinë e kohës që kemi para nesh. Sot para nesh janë dy të ardhme alternative. Pra, jemi disi në udhëkryqin e së ardhmes. Po, patjetër shumë gjëra mund të shkojnë mbrapsht dhe për ato duhet përgatitur. Por njëkohësisht para vetes kemi edhe një mundësi të cilën nuk do ta kemi për kohë të gjatë. Në fakt e kemi ne, por e ka edhe BE-ja. Uroj që të mos humbasim.
Në këtë drejtim shpesh thuhet që historia është një hapësirë shumë e kufizuar. E uzurpuar po deshët. Në atë nuk ka vend për të gjithë. Prandaj njerëzit dhe popujt luftojnë për kontrollimin e historisë. Pak kush e di këtë më mirë se ne këtu në Ballkan. Por e ardhmja është ndryshe. Ajo është një hapësirë e pafund në të cilën ka vend për të gjithë njerëzit dhe të gjithë popujt. Ballkani tani ka mundësinë e vet të shkruajë një të ardhme të re. Një të ardhme ku ka vend për të gjithë.