Rajoni ynë është tejet i parëndësishëm për të zgjuar çfarëdo interesi të Trumpit. Në këtë sens, ne jemi të bekuar me injorancën e tij. Sidoqoftë, pikëpyetje ngelet se a do të jemi të bekuar që edhe kësaj here Trumpi të jetë i rrethuar me njerëzit burrështetas të cilët do të kuptojnë rëndësinë e rajonit tonë për Amerikën. Kjo ngelet të shihet
Presidenca e parë e Trumpit ka qenë inspirim për publikimin e një numri të madh të librave të cilët kanë pasur për synim të tregojnë storjen e funksionimit të Shtëpisë së Bardhë nën Trumpin. Në mesin e tyre libri “Frika” e gazetarit Bob Woodward ka ngelur si një nga librat që më së bukuri ka përshkruar motivacionet dhe mekaniken e vendimmarrjes së Trumpit, si dhe dinamikat dhe balancat e fuqisë brenda Shtëpisë së Bardhë. Në veçanti libri ka ngelur relevant për kohën e sotme sepse i gjithë rrëfimi i librit është i organizuar për rreth karakterit kryesor të tij dhe mënyrës se si Trumpi ka formësuar mendimet për zhvillimet kyçe sikur ekonomia, sundimi i ligjit, Irani, Koreja Veriore, Kina, Rusia, etj. Rrjedhimisht ndonëse kohërat kanë ndryshuar mësimet e librit ngelin ende tërësisht të aplikueshme sepse karakteri kryesor i tij ka ngelur i pandryshueshëm. Sikur në presidencën e parë edhe sot Trumpi është rrethuar me njerëz të aftë dhe profesionalë, por sikur atëherë edhe sot nuk ka asgjë që mund të kontrollojë impulset bazike të Trumpit të cilat nuk kanë arritur të ndryshojnë as në 78 vjet të jetës së tij.
Këtë na dëshmoi përsëri vetë Trumpi në njëzetekatër orë të para të presidencës së tij. Në ditën e tij të parë ai nxori 26 vendime ekzekutive për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në kufirin me Meksikën, mohimin e të drejtës së shtetësisë për personat e lindur në SHBA, faljen e krimeve të rreth 1,500 personave të dënuar për dhunimin e Kongresit më 6 janar 2021, fillimin e negociatave për blerjen e TikTokut, tërheqjen e SHBA-së nga OBSH-ja dhe Marrëveshja e Parisit për Klimën, shpalljen e bandave kriminale në Meksikë si organizatat e huaja terroriste, themelimin e Departamentit të Efiçiencës Qeveritare, ndryshimin e emrit të Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës, ndryshimin e emrit të Malit Denali në Mali McKinley, pezullimin e ndihmës amerikane në botë për 90 ditë, etj. etj.
Ndonëse gjysma e këtyre vendimeve nuk do të zbatohen asnjëherë, nxjerrja e tyre ka krijuar në diskursin publik amerikan një kaos të mirëfilltë pasi që askush nuk ka pasur kohë të diskutojë njërin nga këto vendime, lërë më të gjithë 26 vendime. Dhe ky ishte pikërisht edhe synimi i Trumpit – të krijojë kaos ku perceptimi publik do të jetë se Trumpi është duke bërë diçka, por askush nuk do të këtë kohë të diskutojë saktësisht çfarë është duke bërë. Kjo u pa bukur edhe në konferencën për media të Trumpit ku as ai vet nuk kuptonte saktë çfarë po nënshkruante.
Kjo mënyrë kaotike e qeverisjes është njëra nga epiqendrat e librit të përmendur “Frika”. Gazetari Woodward përshkruan episod pas episodi se si stafi profesional i Shtëpisë së Bardhë – këshilltaret e Trumpit dhe anëtarët e kabinetit – e kanë pasur të pamundur të kontrollojnë impulset e Trumpit. Njëri nga këto episodet pikturon më së bukuri mënyrën e funksionimit të Shtëpisë së Bardhë nën Trumpin.
Koreja Jugore është aleat më i afërt i SHBA-së në Azi. Ai është vendi i parë për të cilin SHBA-ja ishte gati të luftojë pas Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës SHBA-ja dhe Koreja Jugore nënshkruan Traktatin e Mbrojtës Reciproke i cili hapi rrugë për vendosjen e kapaciteteve ushtarake amerikane në Korenë Jugore me qëllim të projektimit të fuqisë amerikane në Paqësor dhe kontrollimit të fuqisë të dy kundërshtarëve kryesorë amerikanë: Kinës dhe Koresë Veriore. Sot SHBA-ja ka të vendosur në Kore të Jugut rreth 28,500 ushtarë si dhe sistemet ushtarake të cilat janë esenciale në rast të çfarëdo sulmi potencial nga Koreja Veriore drejt SHBA-së apo në rast të çfarëdo konflikti ushtarak me Kinën. Për shembull këto sistemet janë të afta që të detektojnë lansimin e raketës nga Pyongyangu brenda 7 sekondave. Pa këto sisteme SHBA-së do t’i duheshin 15 minuta për të bërë po të njëjtin detektim. Ky dallim në kohë i jep hapësirë kritike ushtrisë amerikane për t’u përgjigjur një sulmi potencial dhe për të mbajtur të sigurt tokën amerikane. Kjo është vetëm njëra nga arsyet përse partneriteti me Korenë Jugore është element kyç i sigurisë nacionale amerikane dhe përse ka gëzuar gjithmonë përkrahje bi-partizane.
Por e gjithë kjo ishte zhurmë e parëndësishme për Trumpin. Sikur sot, edhe atëherë ai ishte i obsesionuar me vendosjen e tarifave ndaj vendeve të cilat kishin deficit tregtar ekonomik me SHBA-në dhe në këtë drejtim ai ishte në veçanti i obsesionuar me deficitin tregtar amerikan me Korenë Jugore prej 18 miliardë dollarë, si dhe shpenzimet vjetore ushtarake prej 3.5 miliardë dollarë për të mbajtur trupat ushtarake amerikane atje. Në këtë sfond ai vendosi që të kërcënojë publikisht Korenë Jugore me anulimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Koresë Jugore (KORUS). Anulimi potencial i marrëveshjes do të shkaktonte krizë serioze në marrëdhëniet në mes të dy aleatëve si dhe do të vendoste në pikëpyetje prezencën amerikane në Korenë Jugore.
Sidoqoftë në shtator të vitit 2017 Trumpi urdhëroi përgatitjen e letrës për të njoftuar qeverinë e Koresë së Jugut për anulimin përfundimtar të marrëveshjes. Pikërisht në këtë kohë stafi i tij i udhëhequr nga këshilltari i tij ekonomik, Gary Cohn dhe sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, ngritën brenda Shtëpisë së Bardhë një koalicion për të parandaluar një gjë të tillë. Këto ishin ende ditët e para të presidencës së Trumpit dhe ata dy vërejtën një gjë te mënyra e funksionimit të Trumpit. Trumpi nuk është i aftë të fokusohet me konsistencë në një gjë të caktuar dhe të mbajë qëndrime të mira informuara për çështje komplekse. Sot mbante një qëndrim, nesër tjetrin, pasnesër harronte çfarë kishte thënë disa ditë më parë, e kështu me radhë. Rrjedhimisht ata vendosen që strategjia më e mirë për të parandaluar prishjen e raporteve me Korenë Jugore ishte që të debatojnë, shtyjnë dhe vonojnë sa më shumë çfarëdo vendimi përfundimtar lidhur me këtë çështje me shpresë që Trumpi dikur do të heqë dorë nga ky fiksim i tij me Korenë Jugore. Madje ata shkuan aq larg saqë ngritën brenda Shtëpisë së Bardhë një sistem të kontrollit të korrespodencës së shkresave zyrtare presidenciale duke fshehur nga Trumpi çfarëdo që do të mund të kthente vëmendjen e tij drejt prishjes së raporteve me Korenë Jugore. Dhe kështu pas shumë kohë debatesh Trumpi dikur më në fund braktisi “problemin” me Korenë Jugore dhe kaloi tek obsesionet e tjera trumpiane.
Arsyeja përse rivizitova librin “Frika” dhe përse u ndala tek episodi i Koresë Jugore është sepse besoj ajo ofron një mësim edhe për neve. Injoranca e Trumpit ishte bekim i Koresë Jugore. Trumpi nuk kishte kundërshtime ideologjike me politiken ndaj Koresë Jugore, por thjesht transakcionale. Falë injorancës së Trumpi marrëdhëniet në mes SHBA-së dhe Koresë Jugore mbijetuan. Ato po ashtu mbijetuan sepse Trump ishte i rrethuar me burrështetas të cilët kuptuan rëndësinë e Koresë Jugore për Amerikën. Rajoni ynë është tejet i parëndësishëm për të zgjuar çfarëdo interesi të Trumpit. Në këtë sens, ne jemi të bekuar me injorancën e tij. Sidoqoftë, pikëpyetje ngelet se a do të jemi të bekuar që edhe kësaj here Trumpi të jetë i rrethuar me njerëzit burrështetas të cilët do të kuptojnë rëndësinë e rajonit tonë për Amerikën. Kjo ngelet të shihet.