OpEd

Mullinj me ujë e pa ujë

Listat e deputetëve Thaçi i ka para vetes. I ka rezultatet. I di numrat. Mbase edhe për këtë arsye nuk i bëhet vonë. Ani që Kosova që prej 2014-s është në krizë të thellë politike dhe çdo shtyrje në formimin e trupave të rinj vetëm sa do ta thellojë atë duke e kombinuar me probleme të shtuara ekonomike dhe sociale. Kujt po i konvenon zgjatja e krizës?

Të nxehtët tropikal duket se e ka futur në gjumë kryetarin e shtetit. Nuk i bëhet vonë që ta thërrasë seancën konstitutive të Kuvendit të Kosovës; nuk lodhet të japë prononcime për mediat dhe nuk e jep as të vetmen indice se kur do t’i ndërmarrë hapat që ia përcakton Kushtetuta.

KQZ-ja më në fund i certifikoi rezultatet të shtunën e shkuar dhe tash e dimë se kush do të jenë deputetët e kësaj legjislature – natyrisht deri kur të formohet Qeveria, cilado të jetë ajo, ngase, siç qëndron puna me strukturën qeveritare tash, së paku 22 prej tyre mund të ndërrojnë postin në legjislativ me një në ekzekutiv.

Listat Thaçi i ka para vetes. I ka rezultatet. I di numrat. Mbase edhe për këtë arsye nuk i bëhet vonë. Ani që Kosova që prej 2014-s është në krizë të thellë politike dhe çdo shtyrje në formimin e trupave të rinj vetëm sa do ta thellojë atë duke e kombinuar me probleme të shtuara ekonomike dhe sociale. Kujt po i konvenon zgjatja e krizës?

Mulliri i PDK-së

Kushtetuta e parasheh që partia ose koalicioni që ka më së shumti deputetë duhet ta japë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Nga PDK-ja nuk është thënë publikisht, porse supozohet se kandidati i saj do të jetë Kadri Veseli. Kjo, për shkak se LAA-ja dhe VV-ja që dje dolën me qëndrimin zyrtar se nuk do ta votojnë atë për kryetar. Qëndrimi i tyre kategorik mbështetet mbi përparësinë që u kishte munguar në zgjedhjet e 2014-s: kësaj radhe deputeti më i moshuar rrjedh nga VV-ja. Dhe ky, u zgjodh apo nuk u zgjodh kryeparlamentari, mund t’i udhëheqë seancat e Kuvendit deri në zgjedhjen e kandidatit për kryetar, që do t’i mbledhë 61 vota. Pra, konstituimi i Kuvendit do të bëhet gjithsesi, me a pa kryetar Kuvendi.

Pra, kjo vonesë çon ujë në mullirin e PDK-së. Sa më shumë që të shtyhet seanca, aq më shumë kohë do të ketë ky subjekt dhe partnerët e tij zgjedhorë që ta bindin dikë nga opozita që t’i votojë Veselin dhe Haradinajn, mundësisht në pako (edhe pse kjo teknikisht nuk është e mundur). PAN-i do t’i shfrytëzojë të gjitha mjetet në dispozicion për t’i gjetur edhe dy deputetë nga opozita për ta kaluar kryeparlamentarin dhe Qeverinë e synuar. Pavarësisht pasojave që ngërthen një koalicion i brishtë PAN-Srpska-minoritetet joserbe.

Kjo vonesë shkakton edhe pasojën e dytë për Kosovën, e që është interes i PDK-së. Sa më shumë të zgjasë procedura për themelimin e Qeverisë së re, ministrat e saj në detyrë do të vazhdojnë të marrin vendime jo pak të rëndësishme shtetërore. Pos kësaj, do të vazhdojnë të shëtisin ngado që të munden, sepse kanë buxhet për këto punë.

Pra, për shembull, shumë lehtë mund të ndodhë që në ditët në vijim të kemi një sërë emërimesh zyrtarësh diplomatikë-konsullorë të rangut më të ulët që do të shpërndahen nëpër botë. Do të jetë shans i përkryer për Ministrinë e Jashtme që t’i çojë edhe një grumbull militantësh partiakë a kushërinjsh nëpër misionet diplomatike e konsullore – Kuvend nuk ka; s’ka kush e merr në pyetje ministrin se çfarë po bën dhe pse po vepron kështu.

Pasoja e tretë e drejtpërdrejtë e vonesës së këtillë është konsolidimi i radhëve të PDK-së pas debaklit në zgjedhjet qendrore. Fushata për zgjedhjet komunale do të nisë në shtator – ndërkohë do të punohet në sigurimin e buxhetit për këto zgjedhje, të cilat me çdo kusht do të përpiqet të mos i humbë. Koha ideale për të mbledhur para nga “firmat militante e simpatizuese” është mu kjo: diaspora ka ardhur në Kosovë; fluksi i parave tradicionalisht rritet në muajt korrik e gusht; pra më të mëdha gjasat për t’i mbushur arkat e zbrazura në qershor. Dhe kush më mirë se ata të cilët i kanë kontrolluar të gjithë tenderët deri tash për ta bërë këtë punë, dhe në ditët e fundit të mandateve të kryetarëve të komunave që prej kohësh ballafaqohen me gjyqësinë për arsye të llojllojshme.

Pasoja e katërt e drejtpërdrejtë është njëfarë loje karshi Speciales. Pavarësisht faktit se gjykatësit e Speciales do të jenë në pushim deri nga java e dytë e gushtit, Prokuroria e Dhomave të Veçanta nuk do të pushojë. Kjo bën që ruajtja e pozicioneve të tanishme të bëhet e domosdoshme për ata që përfliten se do të mundë të ishin të përfshirë në listat e të akuzuarve të parë. Natyrisht se është më mirë, kushtimisht thënë, të shkohet në Hagë nga një post i lartë shtetëror sesa nga një post deputeti a zyrtari partie – gjë të cilën e ka dëshmuar edhe vetë rasti i Haradinajt kur u nis për në Hagë herën e parë.

Mulliri i Srpskas

Zgjatja e këtij procesi çon ujë edhe në mullirin e Srpskas në raport me domosdoshmërinë e numrave të deputetëve serbë për t’ia dhënë shumicën e nevojshme Haradinajt. PAN-i e ka shumë të qartë që nuk mund të lidhë marrëveshje me LAA-në dhe VV-në. E di se duhet t’i blejë së paku dy deputetë të opozitës dhe t’i sigurojë votat e të gjitha minoriteteve.

Sa u përket pakicave joserbe, gjasat janë se do të pranojnë të bëhen pjesë e cilitdo koalicion që e bën shumicën, për një arsyeje shumë të thjeshtë: votat i kanë aq të copëtuara, dhe kandidatët kanë kaluar me aq pak vota për t’u bërë deputetë, saqë mbajtja e zgjedhjeve të reja mund t’i lërë pa poste deputetësh. Pra, zgjedhjet e reja për ta nuk janë opsion; futja në Qeveri është, për shkak se gjithsesi mund të sigurojnë poste zëvendësministrash për anëtarët e subjekteve të tyre politike.

Te rasti i Srpskas, insistimi i PAN-it për ta formuar Qeverinë e sjell në situatën më të mundshme për të negociuar. Në rastin që Veseli të mos zgjidhet kryeparlamentar, do të mund të kërkonin që të bëheshin me postin e të parit të Kuvendit. Më pas, për t’i premtuar votat e tyre, do të mundë të kërkonin edhe më shumë se dy poste ministrore: Kushtetuta kërkon patjetër që të jenë dy serbë, porse nuk thotë se nuk mund të jenë më shumë. E treta, kushtin të cilin e kanë deklaruar haptazi, është themelimi i Zajednicës, përkatësisht krijimi i autonomisë, të cilën e ka kërkuar pa asnjë hezitim kryeministrja e Serbisë, Bërnabiq. E kjo, dihet, është kuadër i Vuçiqit, kurse deputetët e Srpskas e njohin këtë të fundit për lider të tyre.

Pra, janë në pozitë për të vënë sa më shumë kushte për ta detyruar PAN-in që të bëjë koncesione edhe më të mëdha seç i ka bërë deri tash PDK-ja. Për më tepër, do ta mbajnë shtrëngueshëm në dorë atunë kryesore: mund ta tërheqin përkrahjen për Qeverinë kur të duan – që në çastin kur Vuçiqi t’u thotë, dhe që kjo të bjerë me mocion mosbesimi. Dhe rezultati përfundimtar do të ishte edhe një palë zgjedhje të parakohshme, që Srpskas nuk do t’i kushtojnë asgjë: sepse sërish do t’i siguronin vendet e njëjta në Kuvend. Pse i kanë të garantuara, ashtu siç e kanë të garantuar udhëzimin për të vepruar nga Vuçiqi.

E PAN-i le të mendohet se nëse vërtet duhet bërë numrat me Srpskan – kush fiton e kush humb këtu? Kosova humb. Edhe shumë bile.

Mulliri i qytetarit

Shumë humb edhe mulliri i qytetarit. Ky ka mbetur krejt pa ujë, se ia kanë mbyllë krejt kanalet e furnizimit. Më së pari iu desh të presë katër javë për të kuptuar se si ka votuar pas numërimit maratonik të 700 mijë votave. Tash duhet të presë derisa t’i shfaqet qejfi kryetarit për ta thirrur seancën e parë të Kuvendit. E më pas duhet të presë derisa të përfundojnë fizkulturat e numrave – jo i kemi, jo s’i kemi. Dhe, më në fund, duhet të shohë se çfarë fati e pret në mandatin e ardhshëm që mund të zgjasë katër vjet, porse edhe mund të zgjasë 100 ditë, varësisht nga qejfet e përshkruara më lart.

Dhe e gjithë kjo pritje i ndodh në kohën kur, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, nuk është bërë rishikimi i buxhetit. Lëre rishikimin, por ndodh në kohën kur ministri në detyrë i Financave thotë se nuk ka para për t’i paguar veteranët se paratë janë shpenzuar për dedikime të tjera. Ndodh gjithashtu në kohën kur po i njëjti ministër thotë se nuk ka para për zgjedhjet komunale (e që janë obligim kushtetues), sepse edhe ato janë shpenzuar. E meqë janë obligim kushtetues, paratë duhet të vijnë prej diku. E me siguri nuk do të vijnë nga linja e udhëtimeve dhe e mëditjeve, por do të hiqen nga një linjë që mund të quhet asistencë sociale apo pensione; apo shëndetësi; apo arsim – krejt njësoj. Me rëndësi paratë duhen gjetur.

E meqë uji nuk po vjen te mulliri, ata që kanë mundësi me lehtësi mund të shkojnë ta gjejnë atë në det, se edhe kur të kthehen do ta gjejnë situatën e njëjtë, të pandryshuar: koalicionin PAN duke insistuar se Qeveria me në krye Haradinajn është interes i Kosovës; opozitën duke thënë se PDK-ja duhet të shkojë në opozitë, kurse institucionet që kanë mbetur pa asnjë mbikëqyrje (e jo që kanë pasur ndonjë mbikëqyrje kush e di se çfarë) të vazhdojnë t’i mëshojnë buxhetit sa të munden, pa pyet dhe pa dhënë përgjegjësi.

* * *

Për dallim nga zgjedhjet e 2014-s, nuk i kam dëgjuar diplomatët e huaj tek thonë se koalicioni qeverisës patjetër duhet ta përfshijë edhe Lista Srpskan. Nuk kam dëgjuar të jetë përsëritur ajo e vjetra: “Kosovës i nevojitet Qeveri e stabilitetit” – me gjasë e kanë parë se stabilitetin që na e imponuan (e partitë tona e pranuan në emër tonin) më 2014-n na doli të gjithëve kapuç me mëngë. Se na solli krizën më të thellë politike, ekonomike e sociale që kemi përjetuar që nga çlirimi.

Nëse e kanë përnjëmend punën e procesit demokratik që kërkojnë të respektohet gjatë formimit të institucioneve – atëherë bile deklarativisht, nëse jo ndryshe, le të dalin e të thonë se kryetari i Kuvendit do të jetë i propozuari i PAN-it që do t’i fitojë 61 vota, e që jo domosdo duhet të jetë kryetari i PDK-së. Le të thonë se Qeverinë mund ta formojë një koalicion paszgjedhor që i siguron minimum 61 nënshkrime edhe nëse kjo ndodh në rundin e dytë. Kjo, përherë duke pasur parasysh pikën 74 të Aktgjykimit të Kushtetueses që thotë se diskrecioni i kryetarit për ta caktuar mandatarin duhet patjetër t’i shmangë zgjedhjet e parakohshme.

Do të ishte mirë që më në fund Kosova ta kishte një fije shprese se mund të dalë nga kriza, me gjithë faktin se garanci nuk ka, përderisa ende ka njerëz që ambicien e vetme e kanë të riciklohen në pushtet.

[email protected]