Edhe pse nuk kanë qenë luftëtare, pse të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk mund të gëzojnë të njëjtin privilegj për qasje në shërbimet shëndetësore, njëjtë sikurse veteranët? Pse është aq e vështirë dhe merr aq shumë kohë të të njihet e drejta e të mbijetuarit dhe të marrësh një pension? Por, para së gjithash: pse akoma është kaq e vështirë të flasësh për këtë gjë dhe t’u japësh të mbijetuarve ndjenjën e të qenit i mirëkuptuar, ndjenjën e përkatësisë?
Të hënën, më 10 dhjetor, në Oslo, çmimi “Nobel” për paqe do t’iu ndahet dr. Denis Mukwege dhe znj. Nadia Murad. Dr. Denis Mukwege, engjëlli i grave të martirizuara nga dhuna seksuale në Kongo, dhe aktivistja jezide Nadia Murad , e skllavëruar nga kriminelët e IS-it dhe e abuzuar seksualisht, paraqesin për së gjalli luftën më përçmuese në konfliktet hibride: dhunën seksuale. Dhe pikërisht kjo meriton të gjithë vëmendjen këtu.
Para se të vija në Kosovë, në shtator të vitit 2017, isha përpjekur t’i thërrisja në kujtesë të gjitha ato që dija për luftën e tmerrshme të vitit 1999 dhe zhvillimet që ndikuan në të, në vitet ‘90. Lufta e Kosovës ishte një pikë kthese për politikën gjermane, meqë për herë të parë në historinë e saj ushtria e re demokratike, Bundeswehri, do të dërgohej në një mision lufte. Por, pse kjo luftë ka një ndikim të veçantë tek Gjermania, krahasuar me luftërat e tjera ish-jugosllave në vitet ‘90? Sepse - përsëri për fat të keq - një luftë e spastrimit etnik po zhvillohej në kontinentin e Evropës, ku ne kishim shpresuar kurrë më të mos shohim dhe përjetojmë tmerre, pas asaj që i kishte shkaktuar Gjermania naziste kontinentit tonë në Luftën e Dytë Botërore. Dhe ja tek ndodheshim, duke parë atë që u ishte shkaktuar civilëve të pafajshëm, një popullsie të tërë. Pasi kishte qëndruar anash tepër gjatë, derisa Sarajeva po gjakonte, këtë herë bashkësia ndërkombëtare ndërmori një aksion të vendosur.
Kështu unë erdha në Kosovë i frymëzuar nga ekzistenca e një shteti pothuajse 20 vjet pas pikës zero. Ndonëse shpejt, duke tejkaluar sipërfaqësoren e “takimeve për një kafe”, zbulova se përtej sipërfaqes kishte jashtëzakonisht shumë trauma, dhe ngeca në shprehjen “i mbijetuar i dhunës seksuale”. Duke qenë më shumë i mësuar me formulën “viktimë”, që atëherë nëpërmjet rrëfimeve të tmerrshme personale që kam lexuar dhe dëgjuar, e kam kuptuar më mirë qëllimin e plotë të kësaj.
Dhuna seksuale në konflikte është një nga mënyrat më të shëmtuara të udhëheqjes së luftës: në shënjestër nuk është t’i shkaktosh kundërshtarit dhimbje fizike, por është dhimbja shpirtërore. Relacioni i ndikimit të luftës ka ndryshuar tërësisht në të ashtuquajturën histori moderne: derisa në luftërat “klasike” të shekujve të kaluar janë ballafaquar ushtritë, 90% të të vrarëve kanë qenë ushtarë, nga shekulli XX. Është përgjithësisht popullsia civile ajo e cila e përbën këtë 90-përqindësh të të vrarëve. Dhe ky ndikim nuk është i rastësishëm, është zhvilluar në mënyrë taktike dhe strategjike për të terrorizuar popullsinë. Dhuna seksuale është bërë një pjesë përçmuese e këtyre strategjive, siç e njohim edhe nga pjesë të tjera të botës, si Kongo, apo Irak.
Këtu në Kosovë po bëhej fjalë për dëbimin e popullsisë etnike shqiptare nga Kosova. Këto ishin krime kundër njerëzimit në plot kuptimin e fjalës. Mirëpo ne flasim për këtë sikur të ishte vetëm histori, apo jo? Eh pra, krimet ende janë të ngulitura në kujtesë deri në ditët e sotme, pa drejtësi, pa trajtim, pa mirëkuptim me vetëm disa përjashtime. Dhe kjo më kthen tek shprehja i mbijetuar: nëse je i detyruar të jetosh me një fshehtësi të tmerrshme, madje edhe nga familja jote, nëse ajo që të ka ndodhur është tabu, nëse je i stigmatizuar për pothuajse dy dekada, nëse institucionet publike të kushtojnë më pak vëmendje sesa meshkujve që kanë luftuar, nëse askush nuk të dëgjon, nëse ndihesh i lënë vetëm me makthet e tua, vragat tua fizike dhe dhimbjet shpirtërore, çdo ditë, çdo natë për pothuajse 20 vjet, çfarë shprehje tjetër ekziston, përveç thjesht i mbijetuar?
Edhe
Mukwege: Mosndëshkimi, porosi negative për viktimat e dhunës seksuale
Takimi im i parë me të mbijetuarat e dhunës seksuale në njërin prej rajoneve të prekura më së keqi në këtë vend më ka tronditur. I ndodhur në një dhomë me gra që kanë kaluar nëpër këto tortura, teksa dëgjoja rrëfimet e tyre dhe zërat që iu shkëputeshin, sepse situata që kishin përjetuar po iu kthehej në kujtesë edhe pas dy dekadave, rrëfimet e fshehjes së këtyre sekreteve nga fëmijët, stigmatizimi në familje dhe shoqërinë e pasluftës, mossjellja e përgjegjësve para drejtësisë, mungesa e respektimit nga institucionet publike, mungesa e qasjes në kujdesin shëndetësor, m’u duk sikur po më thahej fyti dhe po më rridhnin lotët nga sytë. Isha thjesht i mposhtur. Një pyetje reflektive më ra ndër mend të atë moment, a u lejohet diplomatëve të tregojnë emocione? Sigurisht, edhe pse jam ndier i pafuqishëm për të ndihmuar teksa po ballafaqohesha me rrëfimet për këto tmerre. Një moment i tillë të bën të mendosh, dhe ky reflektim i vazhdueshëm nuk më është larguar që atëherë. Tani e pyes veten vazhdimisht: Si mund të marrin ndihmë këto gra? Edhe pse nuk kanë qenë luftëtare, pse të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk mund të gëzojnë të njëjtin privilegj për qasje në shërbimet shëndetësore, njëjtë sikurse veteranët? Pse është aq e vështirë dhe merr aq shumë kohë të të njihet e drejta e të mbijetuarit dhe të marrësh një pension? Por, para së gjithash: pse akoma është kaq e vështirë të flasësh për këtë gjë dhe t’u japësh të mbijetuarve ndjenjën e të qenit i mirëkuptuar, ndjenjën e përkatësisë? A gjykohen akoma nga aspekti moral të mbijetuarit e dhunës seksuale? Atëherë kjo duhet të bëhet edhe më publike, derisa edhe njeriu i fundit ta ketë kuptuar për çfarë kanë nevojë këto gra heroina: Mos i gjyko, ato janë nëna, bashkëshorte, motra, bija; nderoji dhe përqafoji!
(Christian Heldt është ambasador i Gjermanisë në Kosovë. Shkrimi është shkruar në kuadër të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës mbi baza gjinore”)
-
Nobelisti për Paqe lavdëron modelin e Kosovës për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës
-
Rushiti: Ardhja në Kosovë e laureatit për paqe Denis Mukwege, moment historik
-
Fituesit e çmimit Nobel për paqe kërkojnë drejtësi për të dhunuarit në luftë
-
Gjinekologu dhe mbijetuesja e dhunës seksuale laureatë të Nobelit për Paqe