Dr. Denis Mukwege - laureati i Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2018 është pritur sot në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, njoftuan nga ky komison.
Në këtë takim Dr. Mukwege shoqërohej nga drejtoresha e Fondacionit, znj. Esther Dingemans, si dhe ekipi i tij dhe përfaqësuese të rrjetit Sema, znj. Vasfije Krasniqi dhe përfaqësuese nga Sudani Jugor dhe komuniteti Jazidi nga Iraku. Përfaqësues të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Torturës të prirë nga znj. Feride Rushiti, ishin gjithashtu prezentë, si organizatë që ftoi dr. Mukwege në Kosovë.
Komisioni Qeveritar shprehu vlerësime të larta për vizitën e Dr. Mukwege në Kosovë, si një mbështetje që vjen drejtpërdrejt për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe për angazhimin e shtetit të Kosovës në adresimin e këtij mjeti të luftës. Komisioni Qeveritar gjithashtu vlerësoi angazhimin e pakursyer të Dr. Mukwege në ngritjen e vetëdijes dhe në ofrimin e mbështetjes dhe ndihmës së nevojshme për të mbijetuarit në mbarë botën.
Komisioni e njoftoi Dr. Mukwegen për punën e Komisionit që nga themelimi i tij në vitin 2018 e deri më sot, progresin e arritur deri më tani në trajtimin e rasteve të aplikimeve për njohjen e statusit si dhe sfidat që po e përcjellin këtë proces kaq të ndjeshëm.
Në takim u shkëmbyen përvojat e Kosovës në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës, si një nga modelet më të mira në botë që ekzistojnë për rastet e reparacioneve të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.
Edhe
Kurti dhe Mukwege pajtohen se rastet e përdhunimeve duhet të trajtohen me prioritet nga Prokuroria Speciale
Komisioni iu përgjigj pyetjeve që ishin me interes të Dr. Mukwege si dhe i prezantoi procedurat e punës deri në marrjen e vendimit, e gjithashtu ofroi edhe rekomandimet e tij se si kjo përvojë të përcillet edhe në vendet e tjera që kanë kaluar konflikte të armatosura.
Në fund, Dr. Mukwege e përgëzoi Komisionin për punën e jashtëzakonshme që po bën me të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe se është krenar që Kosova ka arritur të ndërtojë një model kaq të suksesshëm, i cili do të shërbejë si model edhe për vendet e tjera që kanë kaluar situata të ngjashme në konflikte të armatosur.