OpEd

Miq për kokë - Putini dhe Schröderi

Të quhesh këto kohë mik i Putinit është fyerje për njerëzit me empati. Por ish-kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schröder, është krenar. Kjo i thotë të gjitha mbi karakterin e tij

Në Evropë ka luftë. Luftë agresore e Rusisë kundër Ukrainës. Urdhrin e dha Vladimir Putini më 24 shkurt 2022. Pak më parë kancelari gjerman, Olaf Scholz, ishte përpjekur më kot të ndryshonte qëndrimin e sundimtarit në Kremlin. Me vete Putini i dha të ftuarit disa fjalë për mikun e tij më të mirë jashtë Rusisë: gjermanët duhet të jenë mirënjohës për Gerhard Schröderin. Ish-kancelari është një "ekspert i pavarur" dhe një "njeri i drejtë".

Me lëvdata nga goja e një njeriu me gjasë kriminel lufte është mësuar lobisti i gazit me teserë socialdemokrate. Të dy këta burra kuptohen shkëlqyeshëm prej disa vitesh. Pretendimi i Schröderit se Putini është "një demokrat pa të meta" është legjendar dhe flet më vete. Dy mburravecë i pasojnë njëri-tjetrit lëvdata dhe hedhin rërë në sytë e të tjerëve. Shembulli i fundit: Pohimet e Schröderit në intervistë dhënë "New York Times".

Schröder si zëdhënësi personal i Putinit

Ai burrë, të cilit prej dekadash i pëlqen vetja në pozën e atij që të tjerët duhet ta dëgjojnë, ul zërin, kur vjen fjala për mikun e tij Putin.

"Ajo që mund t'iu them është se Putini është i interesuar ta përfundojë luftën. Por kjo nuk është kaq e thjeshtë. Ka disa gjëra që duhen të sqarohen". Schröder tingëllon si zëdhënësi personal i ish-agjentit rus. Dikush flet pallavra dhe përpiqet edhe të krijojë përshtypjen, se di më shumë sesa thotë. Kjo është vetëmburrje e një plakushi, që frazat e veta boshe i mban për retorikë të një burri shteti.

Në një kohë që Schröderi e humbi shansin të bëhej një "Elder Statesman" si Helmut Schmidt, Richard von Weizsäcker, menjëherë pas humbjes në vitin 2005 kundër Angela Merkelit duke i shërbyer Putinit si portieri që hap derën për marrëveshjet energjetike me Gjermaninë.

Schröder mund të kthehej në shembull

Etiketat si "shoku i bosëve" ai i pati merituar. Politikanit të dikurshëm të majtë, (Schröder ka qenë kryetar i socialistëve të rinj) i ka pëlqyer gjithmonë e i pëlqen të jetë i barabartë me bosët që peshojnë miliona. E kjo nuk është akuzë. Në fund të fundit Schröder ia doli të ngjitet në karrierë nga shtresa e thjeshtë. E parë nga kjo perspektivë, ai mund të ishte edhe shembull. Por asnjëherë atij nuk i është shqitur imazhi i një arroganti që i ka hyrë vetja në qejf e që ta shtosh dhe ajo është vënë re, se ai gjithmonë ka pasur në qendër vetëm veten. E kush e vë veten në epiqendër ka tendencën e mbivlerësimit pamasë.

Marshi gjerman: "një mik, një mik i mirë"

Si me vizitën e tij private te Putini pas fillimit të luftës, me sa duket ai besonte vërtet se do të mund të bindte me sukses mikun e tij të ndalonte luftën menjëherë. Ndoshta Schröder ka ëndërruar të merrte edhe Çmimin Nobel të Paqes në rast se do të kishte sukses. Por në të vërtetë ai u kthye me bisht ndër shalë nga Moska në qytetin e tij, Hanover. Asnjë fjalë nuk u dëgjua për takimin e tij me nxitësin e luftës në Kremlin.

Sjellja e Kremlinit të kujton gati tragjikisht një këngë marshi popullore në vitet ’30, në Gjermani. "Një mik, një mik i mirë". Kjo këngë në vargun e dytë vazhdon: "Një mik mbetet gjithmonë një mik, edhe nëse bota përmbyset". Kaq larg nuk kanë shkuar punët. Por trupat e Vladimir Putinit që nga 24 shkurti 2022 kanë shkatërruar pjesë të mëdha të Ukrainës dhe kanë vrarë mijëra veta. E për Gerhard Schröderin kjo nuk është aspak arsye për të hequr dorë nga miqësia me Putinin.

(Marrë nga DW)