Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Migracioni, rëndësia dhe nevoja për politikë gjithëpërfshirëse

Këto ditë kam lexuar shkrime të ndryshme si dhe kam vërejtur që Ministria e Diasporës ka filluar konsultime publike për hartimin e projektligjit dhe përpilimit të strategjisë për diasporë. 

Këto konsultime që do të merren me strategjinë e re, pra për vitet 2019 – 2023, kanë nevojë që në radhë të parë të ushqehen me një analizë të thukët të periudhës së kaluar. Strategjia si dhe Ligji për mërgatën, i miratuar më 31 maj 2012, një vit pas formimit të Ministrisë së Diasporës, ka pasur mungesë të dukshme të disa elementeve me rëndësi vitale si dhe, më e rëndësishmja, mungesë të fondeve për implementimin e këtij ligji.

Në 100-vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, bota nuk ka përjetuar kurrë më shumë konflikte dhe luftëra në pothuajse të gjitha anët e saj. Si rezultat, kemi lëvizje masive të njerëzve në kërkim të sigurisë, stabilitetit dhe një jete më të mirë për ta dhe familjet e tyre. 

Sipas të dhënave nga Organizata Ndërkombëtare për Migracion, janë më shumë se 244 milionë njerëz të cilët sot janë në lëvizje, prej tyre më se 60 milionë kanë qenë të detyruar të migrojnë dhe më se 25 milionë janë refugjatë të regjistruar nga UNHCR-ja dhe UNRWA-ja. Këto lëvizje kanë shkaktuar ndryshime të mëdha politike në kontinentin tonë dhe sidomos në Bashkimin Evropian. Nga këndshikimi human, shifrat e atyre që lënë jetën në kërkim të një të ardhmeje më të mirë, mbesin ende në nivel alarmant. Gjatë këtij viti (deri më gjer më 14 tetor, ‘18) 1839 njerëz vlerësohet të kenë vdekur në Detin Mesdhe. Këto lëvizje kanë bërë që politikat evropiane të migracionit të ndryshojnë kahe, efektet e së cilës kanë filluar të vërehen. Në nivel global po punohet në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht jodetyruese, me të cilën synohet bashkëpunimi ndërkombëtar në menaxhimin e migracionit. Ky pakt pritet të aprovohet në Marakesh, Marok, më 10 dhjetor të këtij viti. 

Kompakti Global për Migrim të Sigurt, Mirë të Organizuar dhe të rregullt përmban në vete 23 kapituj të cilët kanë për qëllim krijimin e një fryme bashkëpunimi në mes të shteteve në fushën e migracionit. Ndër ta, pika 19 merret në mënyrë specifike me organizimin e diasporës, duke treguar fuqimisht rëndësinë që politikat për diasporën kanë dhe rolin pozitiv të tyre në zhvillimin e vendit. Ndërkaq, zgjedhjet në Bashkimin Evropian duhet të përfundojnë deri në qershor të vitit të ardhshëm. Edhe këtu shohim se temë kryesore e debateve nëpër Shtetet Anëtare dhe në Parlamentin Evropian mbetet migracioni. Në studime të ndryshme vërehet dukshëm se sentimenti kundër migracionit është i lartë dhe ka treguar efektet e veta edhe në zgjedhjet lokale dhe regjionale në shtete të ndryshme të BE-së. Në dritë të këtij sentimenti duhet të kemi parasysh edhe vendimmarrjen e BE-së sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. 

Duhet të theksohet se situata politike në nivel evropian, por edhe global, në këta dy vjet ka ndryshuar në mënyrë drastike. Në funksion të kësaj, shtyrja e procesit të demarkacionit me Malin e Zi rezulton të ketë qenë një vendim jo i duhur dhe me efekt negativ në tërësinë e këtij procesi. 

Kjo periudhë kohore ka bërë që sot të gjendemi në një frymë politike, e cila çdo lëvizje të mundshme të pakontrolluar migracioni e sheh si rrezik potencial për ngritjen e frymës populiste në BE. Një analizë e thjeshtë e procesit të liberalizimit për vendet fqinje tregon se në të gjitha këto vende liberalizimi ka rezultuar në ngritje të numrit të azilkërkuesve në BE. Kjo e ndërlidhur me raportet e fundit për vullnetin e dukshëm të rinisë sonë për migrim si dhe gjendjen jostabile politike në vend, do të ketë efektin e vet edhe në vendimmarrjen e Shteteve anëtare të BE-së. 

Pavarësisht kësaj, fuqimisht besoj se lajme për liberalizimin do të dëgjojmë tek në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm, dhe se qytetarët tanë do të dalin nga ky izolim në të cilin gjenden.

Ne këtë frymë është detyrë e Qeverisë së vendit që të përgatisë sa më mirë lëvizjen e lirë, por të ketë kujdes edhe për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës jashtë saj si dhe vazhdimin e interesimit për diasporën, të re dhe të vjetër. 

Vetë fakti i ekzistimit të Ministrisë së Diasporës, nuk është në vetvete një tregues i asaj se shteti ka vëmendje për diasporën e saj. Si pjesëtar i diasporës sonë tash e një çerek shekulli, mund të konkludoj se kjo Ministri nuk ka pasur ndonjë efekt në organizimin e jetës së qytetarëve tanë jashtë Kosovës. Kjo natyrisht ndërlidhet me faktin se vetë menaxhimi i çështjeve të diasporës sonë është një çështje që kërkon një kyçje gjithëpërfshirëse nga ana e Qeverisë, dhe më shumë se përgjegjësi e një ministrie të vetme. 

Në mendimin tim, më mirë se të kemi një ministri të posaçme për diasporën, do të ishte më interesante të kemi një sistem decentralizues për çështjet e diasporës. Si p.sh. të kemi departamente për diasporën në çdo komunë, Ministri, Kryeministri si dhe Presidencë. Në këtë mënyrë thellohet bashkëpunimi ndërinstitucional dhe koordinimi e shkëmbimi efektiv i informatave dhe përmirësimi, dhe monitorimi i kuadrit ligjor. 

Këto ditë kam lexuar shkrime të ndryshme si dhe kam vërejtur që Ministria e Diasporës ka filluar konsultime publike për hartimin e Projektligjit dhe përpilimit të strategjisë për diasporë. Këto konsultime që do të merren me strategjinë e re, pra për vitet 2019 – 2023, kanë nevojë që në radhë të parë të ushqehen me një analizë të thukët të periudhës së kaluar. Strategjia si dhe Ligji për mërgatën, i miratuar më 31 maj 2012, një vit pas formimit së Ministrisë së Diasporës, ka pas mungesë të dukshme të disa elementeve me rëndësi vitale si dhe, më e rëndësishmja, mungesë të fondeve për implementimin e këtij Ligji. 

Besoj se bilanci nuk do të jetë ai i pëlqyeri nga ne, si pjesëtarë të diasporës, por as nga vetë ministria përkatëse. Kjo për shkak se edhe Ministria ka hasur në pengesa, të ditura më herët, ligjore dhe kjo për faktin se, siç e ceka më lart, menaxhimi i diasporës kërkon një përfshirje të gjerë të të gjitha niveleve qeverisëse. Shohim suksese aty ku është arritur të gjendet një faktor përfitimi për të dyja palët, siç është rrjeti i bizneseve. Ky rrjet ka arritur të bëjë bashkë ndërmarrësit kosovarë në vendet ku ata jetojnë si dhe të forcojë lidhjet e tyre më Kosovën. Një angazhim i mirë ky që sjell përfitime për ndërmarrësit tanë në të dyja anët; në vendin ku veprojnë dhe në Kosovë. 

Njohja e diasporës dhe mirëbesimi është çelësi i suksesit dhe lidhjes më të fortë mes diasporës dhe vendlindjes. Mirëbesimi fillon jo me fjalë miradije për rolin e diasporës në të kaluarën dhe të hollat që mund të vilen nga ta, por me veprime pozitive me përfitim të dyanshëm që merr parasysh rolin e diasporës sot dhe në të ardhmen. Duhet theksuar se deklaratat e sojit ‘duajeni atdheun’, që i drejtohen diasporës deri nga Kryeministri i Kosovës, thjesht mund të irritojnë njerëzit tanë jashtë vendit që rezonojnë se problemi më i madh është dëmi që i ka bërë Kosovës keqqeverisja dhe problemet që ndërlidhën me të, sidomos për imazhin e Republikës jashtë vendit. 

Si përfundim, Kosova duhet të shtojë interesin e saj për migracionin në përgjithësi, duke krijuar kornizë të mirë ligjore dhe të punojë në përgatitjen dhe promovimin e skemave të migracionit sezonal; një punë të mirë në këtë fushë e ka bërë edhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në mandatin e kaluar. Duhet të promovohet migrimi legal dhe përgatitja për punësim si dhe të luftohet në masë të madhe migrimi i paligjshëm dhe trafiku i qenieve njerëzore. Politikat e tilla dhe gjithëpërfshirëse në fushën e migracionit do të ndikonin në parandalimin dhe zvogëlimin e efekteve negative të migracionit; si ai i paligjshëm dhe ikja e trurit. 

Këto politika janë thelbësore në rrugëtimin evropian të Kosovës dhe shfrytëzimin sa më të mirë të migracionit si mjet për zhvillim të vendit, por edhe të qytetarit global të këtij shekulli.

 (Autori punon tash e 20 vjet në IOM, në zyrën e saj në Bruksel, ku mban postin e shefit të Njësitit për Mbrojtje dhe Asistencë ndaj Emigrantëve (Migrant Protection and Assitance Unit). Ka qenë edhe këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa për një periudhë të shkurtër kohore, 6 muaj, në fillim të vitit 2015. Qëndrimet në këtë opinion janë të autorit dhe nuk reflektojnë qëndrimet e organizatës ku punon).

Artikuj të ngjashëm