OpEd

Mërgata e kalon pragun

Partitë politike i kanë mundësitë më të vogla që diasporën ta manipulojnë ashtu qysh e manipulojnë votuesin mesatar në Kosovë, prandaj në interesin e tyre është që të ketë sa më pak vota nga mërgata. Por edhe votuesi në Kosovë ka ndryshuar. Jo medoemos mentaliteti, mirëpo grupi i ri i votuesve të rinj në moshë. E shumica nga ta luftën dhe rrëfimet mbi të i dinë vetëm nga mediat, dhe botëkuptimi i tyre për jetën si dhe shtetin është tjetër dhe se ata kërkojnë ndryshimin në politikëbërje

Edhe muaji më i gjatë i vitit gradualisht është duke arritur drejt përfundimit të tij. Dita e djeshme e shënoi inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden, si dhe shkuarjen në theqafje të ish-presidentit Donald Trump. Fatmirësisht kësaj radhe asgjë nuk iu la rastësisë dhe masat e sigurisë ishin ekstreme. Edhe ushtarët e Gardës Nacionale, të cilët po kujdeseshin për sigurinë gjatë inaugurimit, iu nënshtruan një verifikimi të thukët, ku disa nga ta edhe u tërhoqën nga aty pasi që iu gjetën dhe dëshmuan lidhjet me grupet e djathta ekstreme. Çdo gjë kaloi pa asnjë incident gjatë procesit të inaugurimit. Dita e parë e punës së presidentit Biden e priti atë në Shtëpinë e Bardhë duke ndërruar vendimet e ish-presidentit Trump dhe duke nënshkruar 17 vendime ekzekutive qysh në ditën e parë.

Amerika ka filluar që të frymojë ndryshe dhe lirshëm, demokracia ka vazhduar të frymojë lirshëm.

Donald Trumpi ashtu siç edhe pritej si fëmija i hidhëruar për çokollatën, të cilën nëna nuk ia ka blerë në vetëshërbim, nuk mori pjesë në inaugurimin e presidentit Biden, në fakt as që besoj t’i ketë munguar dikujt mosprezenca e tij.

Arroganca dhe injoranca e Donald Trumpit përfundon me ditën e djeshme. Nuk do të na mungojnë as cicërimat e tij në Twitter pasi që edhe nga aty e përzunë.

Nga kabllogramet vendore natyrisht se do ta përmendim Këshillin e Gjyqësorit të Kosovës, i cili ka përfunduar verifikimin e 1.081 kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare dhe verifikim i cili ka rezultuar se 47 deputetë nuk do të mund që të kandidojnë për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021, pasi që kanë pasur probleme me ligjin gjatë tre vjetëve të fundit. Natyrisht shumë tupanë u rrahën nga analistët e mercenarët e tjerë mediatikë me deklaratat e tyre se Albin Kurti nuk do të mund të kandidonte për deputet në këto zgjedhje.

Por me gjithë rrëmujën e shkaktuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit të vitit 2017 nga Gjykata Supreme, tash del se edhe një i dënuar për ndonjë tiketë trafiku nuk do të mund të kandidojë për deputet. Mos të keqkuptohem, jam plotësisht për atë që listat e deputetëve të jenë pa njerëz të cilët kanë probleme me ligjin dhe kam qenë kritikues me rastin e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës nga deputetët e Vetëvendosjes, mirëpo unë besoj se drejtësia do të duhej që t’i kishte gjërat e definuara saktësisht duke mos u lënë hapësirë interpretimeve dëshirore të kujtdo qoftë. Përndryshe, shpata e drejtësisë mund t’i ketë të dyja anët e mprehta dhe ai i cili kërkon ta vendosë drejtësinë mund ta presë edhe dorën e vet, mirëpo drejtësia do të vendoset dhe nuk ka gjë që mund ta ndalë.

Përndryshe, nga ajo nga që po e shohim nga studiot e shumta televizive me debate të panumërta politike është se për këto zgjedhjet e parakohshme propagandat partiake dhe politike janë nga më të pistat të cilat kemi pasur rast t’i shihnim deri më tani. I lakmoj të gjithë ata, të cilët nuk i shikojnë asnjërën nga këto debate dhe e kursejnë veten nga dhunimi psikik dhe nënçmimi i inteligjencës. Për ne të cilët i përcjellim, universi na i ruajt mendtë. I dëgjoj një pjesë të madhe dhe pyes veten e çuditem se si arrijnë që as të mos skuqen për gjërat të cilat i flasin. Me të vërtetë kjo është një shkathtësi më vete, e cila kërkon studim.

Ditëve të fundit u publikuan edhe listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit. Edhe për to u bë mjaft zhurmë e u tha shumë. Listës së Vetëvendosjes iu bashkua u.d. e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e në kuadër të listës së saj, ndërmjet tjerash, një emër për të cilin unë ndaj një respekt të veçantë, zonja Donika Gërvalla. Që të dyja këto zonja të nënçmuara nga ish-bashkëpartiakët e tyre në LDK.

Më 14 shkurt do të më shuhet edhe kurioziteti se si do t’i vlerësojë votuesi këto dy zonja dhe sa do të ndëshkohet LDK-ja në vota nëse do të ndëshkohet.

Një dukuri tjetër, e cila po bie në sy, është edhe interesimi i shtuar i mërgatës sonë për të ushtruar të drejtën e tyre për votimin me postë. A mund të jetë situata me pandeminë e Covid- 19 apo thjesht një përgjigje e mërgatës ndaj një politike totalisht jopërgjegjëse në vendlindjen e tyre apo kombinim i që të dyjave. Unë kësaj radhe do të jem votues i grupit të dytë të këtyre votuesve, i cili dëshiron të japë përgjigjen e vet ndaj politikanëve jopërgjegjës. Edhe zërat të cilët thërrasin se mërgata nuk do të duhej të votonte pasi që nuk jeton në Kosovë, do të dëshiroja që t'ua kujtoja se ai shtet para 20+ vjetësh e kishte qeverinë e vet në ekzil, prandaj është paradoks më vete dhe budallallëk par excellence, të cilën vetëm ne dimë që ta gjenerojmë. Duke mos hyrë aspak në rolin të cilin mërgata e luan në mbështetjen ekonomike, të cilën ia bën shtetit të vet nëpërmjet remitencave, si dhe parave të cilat investohen dhe shpenzohen në Kosovë. T'iu mohohet e drejta për votim ose t'iu komplikohet procedura e votimit thjesht me arsyen edhe pretekstin sepse është e ditur se pjesa më e madhe e mërgatës e voton Vetëvendosjen dhe e kërkon ndryshimin e politikës dhe të politikanëve të konsumuar në Kosovë. Kjo votë edhe në këto zgjedhje do ta luajë një rol mjaft vendimtar. Disa partive të vogla që t'ua rrisë pragun zgjedhor dhe që ato mos ta kalojnë atë prag fare dhe partive të mëdha t’u sjellin vota shtesë për ngritjen e përqindjes së gjithmbarshme për votat e asaj partie politike.

Partitë politike i kanë mundësitë më të vogla që diasporën ta manipulojnë ashtu qysh e manipulojnë votuesin mesatar në Kosovë, prandaj në interesin e tyre është që të ketë sa më pak vota nga mërgata. Por edhe votuesi në Kosovë ka ndryshuar. Jo medoemos mentaliteti, mirëpo grupi i ri i votuesve të rinj në moshë. E shumica nga ta luftën dhe rrëfimet mbi të i dinë vetëm nga mediat dhe botëkuptimi i tyre për jetën si dhe shtetin është tjetër, dhe ata kërkojnë ndryshimin në politikëbërje.

Duke i marrë parasysh të gjithë këta parametra, atëherë pritshmëritë janë se këto zgjedhje të parakohshme do të sjellin një ndryshim në përzgjedhjen e partisë fituese. Se a do të arrijë Lëvizja Vetëvendosje t’i grumbullojë më shumë se 50% të votave ashtu siç ata pretendojnë, unë jam paksa skeptik, mirëpo mbetet që të shihet, na ndajnë pak më shumë se tri javë deri në ditën e zgjedhjeve të parakohshme.

Në temën e pandemisë, Britania e Madhe tashmë është shteti me më së shumti vdekje nga Covid-19 në 100.000 banorë. Vetëm dje 1.820 persona humbën jetën nga ky virus. Vaksinat vazhdojnë t’i jepen popullatës duke filluar nga grupet e veçanta, siç janë të moshuarit 75+ vjeç, si dhe të moshuarit me nevoja të veçanta dhe të cilët jetojnë në shtëpitë e përkujdesjes. Mirëpo përveç numrit të madh të viktimave, deri më tani 93.300, pasojat ekonomike të cilat sigurisht se do të përcillen me vite të tëra mbi Britaninë e Madhe, tani rëndon edhe BREXIT-i dhe raportet e reja ekonomike dhe të lëvizjes së lirë me shtetet e tjera të BE-së, gjë që nuk do të lehtësojë aspak situatën e gjithmbarshme në të cilën gjendet sot Britania e Madhe. Në përgjithësi, ajo të cilën e dëgjoj nga njerëzit është se kjo situatë me pandeminë i ka lodhur psikikisht dhe ndihet një mungesë e theksuar për mënyrën e jetesës ashtu siç e patëm para një viti.