Shenjat e përshkallëzimit të luftës botërore të plotë nuk janë ende të dukshme. Ama, ajo që tashmë është bërë e qartë është se kjo luftë është e botëve dhe se tani është momenti i së vërtetës për të gjithë botën. “Z” është fundi i alfabetit, simbol i zbrazët, i ndjekur nga asgjë - pa përjetësi, vetëm zbrazëti
Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, bota perëndimore ka shikuar me admirim sesi populli i guximshëm ukrainas i ka rezistuar së keqes despotike të Vladimir Putinit. Ky admirim është përkthyer me nivele të pashembullta të ndihmës humanitare dhe ushtarake, pa të cilat Ukraina nuk do të kishte mbijetuar, e aq më pak ta fillonte zmbrapsjen e pushtuesve.
Me gjithë vlerësimin e tyre, liderët perëndimorë e kanë përsëritur njashtu të njëjtën mantër për atë që nuk do të bëjnë: të dërgojnë trupa në terren, të dërgojnë avionë luftarakë, ta zbatojnë një zonë ndalimfluturimi dhe kështu me radhë. Arsyetimi, shpjegon teoricieni politik, Francis Fukuyama, është se “do të jetë shumë më mirë sikur ukrainasit t’i mundin vetë rusët, duke ia privuar Moskës justifikimin se i ka sulmuar NATO-ja”.
Duke u fshehur prapa frikës së një përshkallëzimi të mundshëm dhe të frikësuar nga shantazhimi bërthamor i Rusisë, Perëndimi ka marrë një qëndrim humanitar për ta maskuar mospërgatitjen e tij për një kundërofensivë ushtarake. Por këtu lind pyetja urgjente: A është NATO-ja në të vërtetë e gatshme që ta mbrojë “çdo pëllëmbë” të territorit të saj?
Në të kaluarën, Perëndimi është treguar i gatshëm që të përdorë forcën për ta çuar përpara një kauzë humanitare. Rasti më i njohur i këtij “militarizmi humanitar” ishte intervenimi i 1999-s i NATO-s në luftën e Kosovës, e cila ishte pasuar nga luftërat e prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Afganistan më 2001 dhe më pas në Irak më 2003. Që të gjitha ishin përkufizuar si ndërhyrje humanitare të legjitimuara nga universalizmi etik. Porse tërheqja e çrregullt e SHBA-së nga Afganistani verën e kaluar, e cila u përcoll menjëherë me kthimin e talebanëve në pushtet, dukej se tregonte që militarizmi humanitar kishte dështuar. Humanitarizmi u divorcua nga militarizmi, dhe kësisoj Perëndimi e gjeti veten të çarmatosur konceptualisht. Apo, siç kishte thënë presidenti francez Emmanuel Macron dy vjet më parë, NATO-ja po e përjetonte “vdekjen klinike”.
Kjo mungesë e ndonjë pozicioni parimor apo nga ndjenja e qëllimit pa dyshim se u faktorizua në kalkulimet e Putinit përpara pushtimit. Tekefundit, aneksimi rus i Krimesë dhe pushtimi i Donbasit lindor më 2014 veçse i ekspozuan boshllëqet në angazhimet strategjike të Perëndimit.
Edhe
Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë
Tipari kryesor i kësaj gjendjeje të Perëndimit është vonesa e vazhdueshme. Perëndimi gjithnjë ka qenë shumë vonë, i paaftë që të veprojë para kohe, por që në vend të kësaj vetëm të reagojë karshi asaj që veçse ka ndodhur. Siç e thotë një shaka ukrainase që është shfaqur në atë kohë: “Derisa Bashkimi Evropian e mori një vendim, Rusia e mori Krimenë”. Edhe atëherë, sikurse tani, ukrainasit pyeten: “Cila është vija e kuqe e Perëndimit? Çfarë do ta shtyjë Perëndimin që të veprojë në vend që të presë dhe të diskutojë se kur të intervenojë?”.
Siç e kemi parë, nuk është tërhequr një vijë për sa u përket jetëve të ukrainasve, dhe tani çmimi i një zvarritjeje të këtillë është përllogaritur me qindra të masakruar në Bucha, në Irpin dhe në Hostomel. Tetë vjet më parë, Perëndimi i justifikoi krimet ndërkombëtare të Rusisë dhe i mbylli sytë karshi një lufte. Por tani që ukrainasit po e ribashkojnë Perëndimin përreth vetes në vijat e frontit në Mariupol, Chernihiv dhe Kharkiv, implikimi është se rënia e Ukrainës do ta përfaqësonte gjithashtu vdekjen politike të Perëndimit.
Ideja e Perëndimit për një rend botëror të bazuar në të drejtat universale të njeriut tani po përballet me konceptin e Putinit për “Russiky mir” (Botën ruse), bazuar në të drejtat e “bashkatdhetarëve” (sootechestvenniki). Kjo ideologji e Kremlinit është e një origjine dytësore, duke funksionuar si një pasqyrim i imazhit të Perëndimit; Rusia prezantohet si një forcë antiglobaliste që është ende e gatshme dhe e aftë t’i ruajë vlerat tradicionale që janë avulluar në Perëndimin “dekadent”.
Kjo kornizë i lejoi Kremlinit që ta barazonte aneksimin e Krimesë me çlirimin e Kosovës nga Serbia prej anës së NATO-s. Po kështu, inkursionet ruse në Gjeorgji (më 2008) dhe në Donbas janë justifikuar me një lloj “çfarëdoqoftëzimi” lidhur me luftërat e vetë Amerikës. Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive e drejtuar nga Kremlini, e cila përqendroi forca për t’i shtypur trazirat sociale në Kazakistan në fillim të këtij viti, është modeluar qartë sipas NATO-s.
Në këto dhe mënyra të tjera, regjimi i Putinit për një kohë të gjatë ka përçmuar Perëndimin teksa ka fabrikuar një version të idealizuar të madhështisë së dikurshme të Rusisë për ta mbuluar pozicionin e periferik të së tanishmes. Me historicizmin dhe përpjekjet e tij thanatologjike për ta ripërvetësuar “madhështinë” ruse, Putini ka ndërtuar një regjim të bazuar në një karikaturë të së shkuarës.
Edhe Përvjetori i paaftësisë ruseLufta e Madhe Patriotike (emërtimi që iu dha Luftës së Dytë Botërore nga Stalini) është i vetmi mit që i mbijetoi papritur shembjes së Bashkimit Sovjetik. Prandaj ka luajtur një rol qendror në të tanishmen politike të Rusisë. Duke e eliminuar historinë e represionit sovjetik dhe të kampeve të përqendrimit, Kremlini ka krijuar një bazë të re ideologjike për legjitimimin e sundimit të tij.
Terminologjia që Kremlini ka përdorur për ta justifikuar luftën e tij kundër Ukrainës – “denazifikimi”, “çmilitarizimi”, parandalimi i “gjenocidit”, etj. – është nxjerrë drejtpërsëdrejti nga ky mit. Është i vetmi leksik që e posedon regjimi i Putinit; ai flet për thelbin e përnjëmendtë të regjimit. Paradoksalisht, terminologjia që dikur përdorej për t'iu referuar mposhtjes së nazizmit është ridestinuar për ta legjitimuar vetë diktaturën fashiste ushtarake të Rusisë. Nuk është rastësi që lufta e Putinit (e cila është shndërruar në vetë “Luftën e Madhe Patriotike” të Ukrainës) është stilizuar dhe kryer në frymën e Luftës së Dytë Botërore, me metoda dhe mjete të papara për dekada.
Obsesionimi i Putinit me Ukrainën është thelbësisht i një natyre fashiste, meqë Ukraina e përfaqëson Revolucionin e Maidanit, i cili rezultoi me rrëzimin e presidentit të mëparshëm të Ukrainës, të rreshtuar përkrah Rusisë. Ky skenar është makthi më i keq i regjimit të Putinit. Spektri i Maidanit e ka përndjekur Putinin gjatë pjesës më të madhe të sundimit të tij, dhe ndihmon për t’i shpjeguar masat e tij të ashpra të shtypjes përbrenda vendit të disidencës dhe të intervenimeve ushtarake për të parandaluar ndryshimin e regjimit në Bjellorusi, në Siri dhe në Kazakistan. Putini vazhdimisht e përshkruan Ukrainën si vend “anti-Rusi”, ndonëse ai vetë e ka bërë Rusinë “anti-Ukrainë” apo “anti-Maidan”. Synimi i tij parësor është që ta shkatërrojë alternativën politike ndaj regjimit të tij që mishërohet nga Ukraina, e cila në mendjen e tij nuk duhet që të ekzistojë.
Putini është bajraktar për kundërrevolucion. Regjimi i degraduar i Kremlinit që ai e komandon e përfaqëson represionin e revolucionit që do të ndodhtë tashmë në Rusi po të mos ishin luftërat e tij, asgjësimi politik i çdo opozite dhe makineria propagandistike. Por autoritetet e sotme ruse e kanë një problem thelbësor, ngase ende nuk e kanë krijuar një mekanizëm për transferimin e pushtetit.
Putini po punon kundër kohës teksa po ballafaqohet me një detyrë të pamundur: si të sundojë përgjithmonë. Ai është sikurse Kai, djali i vogël nga përralla e Hans Christian Andersenit “The Snow Queen”, i cili nuk mund ta kuptojë se si ta shqiptojë fjalën “përjetësi” nga copëzat e akullit që i janë dhënë. Gjithçka që Putini mund të krijojë nga pjesëzat e mbetura nga shpërbërja sovjetike janë shkronjat “W”, “A”, “R” dhe tani “Z”.
Edhe Katër mësime prej katër vjetëve agresioni rusShenjat e përshkallëzimit në një luftë të përmasave të plota ende nuk janë evidente. Por ajo që tanimë është bërë kristal e qartë është se kjo luftë është e botëve dhe se tani është momenti i së vërtetës për të gjithë botën. “Z”-ja është shkronja e fundit e alfabetit, një simbol bosh, i pasuar nga hiçgjëja - pa përjetësi, vetëm boshllëk.
(Vasyl Cherepanyn është shef i Qendrës Kërkimore të Kulturës Vizuale në Kiev. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)