OpEd

“Lay low”

Kosova sot e gjen veten në një botë të panjohur. Në një botë ku duhet të zgjedhë mes Amerikës dhe Evropës. Në mes interesit strategjik për anëtarësim në BE dhe dashurisë historike ndaj Amerikës

Kosova është fëmijë i rendit liberal perëndimor. Rend i cili mundësoi çlirimin e Kosovës dhe shpalljen e pavarësisë. Kjo është arsyeja përse kemi statujat e Klintonit dhe Tony Blairit, sheshet e Xhorxh Bushit dhe rrugët e Angela Merkelit. Si e tillë Kosova asnjëherë nuk ka pasur plan B për orientimin e saj strategjik perëndimor. 

Kjo është edhe arsyeja përse Kosova është duke i përjetuar më rëndë skizmat e fundit në mes aleatëve të saj perëndimorë. Sot e gjejmë veten në një botë të re. Çfarë është rendi perëndimor? Janë vlerat apo forca? Kush është rendi perëndimor? Janë SHBA-ja apo Evropa? Kohëve të fundit Kosova është sikur ai fëmija që shikon zënkat e prindërve që kanë vendosur të divorcohen. 

Ky nuk është territor krejt i panjohur për Kosovën. Edhe përpara kemi pasur situatat ku SHBA-ja dhe Evropa këshillonin kurse të kundërta të veprimit, sikur në ato episodet e korrigjimit të kufijve, ambasadës në Jerusalem apo Minishengenit. Sidoqoftë, ato raste kanë qenë përjashtim nga rregulli. Sot, nga ana tjetër, vihen në pikëpyetje themelet dhe vlerat e rendit perëndimor. 

Që nga kthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka treguar mosdurim personal për aleancën perëndimore. Kështu ai ka sulmuar Kanadanë, Meksikën, Japoninë, Korenë Jugore, Australinë, Tajvanin, etj. Por mosdurimin më të madh Trumpi e ka rezervuar për Evropën. Në episodin më të fundit Trumpi ka kërcënuar Evropën me luftë tregtare mbi Grenlanden. Kështu në një kohë, kur e gjithë vëmendja perëndimore duhet të jetë në Ukrainë, Trumpi ka vendosur të hapë një front të ri brenda vetë kampit perëndimor. Por ndryshe nga herët e kaluara kur liderët evropianë janë munduar që të menaxhojnë Trumpin privatisht dhe të relativizojnë mosmarrëveshjet transatlantike, kësaj radhe ata kanë vendosur të përgjigjën më ashpër Trumpit. 

Kryeministri anglez, z. Keir Starmer, i cilësoj tarifat tregtare ndaj Evropës “tërësisht të gabuara”, ndërsa këtë javë në Davos kryeministri kanadez, z. Mark Carney, foli për “thyerje” të rendit perëndimor dhe për fundin e “rendit të vjetër”. Historikisht aleat më i ngushtë amerikan, kryeministri kanadez nuk ka kursyer kritika për administratën amerikane. Si pasojë e veprimeve të Trumpit, kryeministri kanadez foli për “ndryshim themelor të orientimeve strategjike” kanadeze. 

Në tone të njëjta ka folur edhe presidenti Macron, i cili ka alarmuar për “rishfaqjen e ambicieve perandorake” dhe ka paralajmëruar rrëshqitjen e Perëndimit drejt një “bote pa rregulla”, ku i vetmi rregull është forca. Ndonëse tradicionalisht më e kujdesshme, këtë javë presidentja e Komisionit Evropian në Davos iu përgjigj kërcënimeve të Trumpit për Grenlanden duke nënvizuar se sovraniteti i Grenlandes “është i panegociueshëm”. 

Është shumë herët për të pasur një verdikt nëse skizmat e sotme në mes Amerikës dhe Evropës janë të karakterit terminal apo krizë kalimtare. Është shumë vështirë të gjykojmë nëse Grenlanda është farsë dhe showmanship i Trumpit apo synim strategjik i administratës amerikane. Por sidoqoftë, ajo çfarë mund themi është se Trumpi tanimë është duke ndryshuar natyrën e marrëdhënieve transatlantike. Edhe nëse nesër Trumpi bën kthesë 180 shkallë duke i dhënë fund krizës së Grenlandes dhe duke shpallur “fitore” në stilin e tij të showmanship-it, pasojat e sjelljes së tij do të vazhdojnë të dëmtojnë aleancën perëndimore. 

Kësisoj Kosova do ta gjejë veten – së paku gjatë kohës së administratës Trump - në një botë të panjohur. Në një botë ku do të këtë raste që duhet të zgjedhë mes Amerikës dhe Evropës. Në mes interesit strategjik për anëtarësim në BE dhe dashurisë historike ndaj Amerikës. Një “trailer” të një situate të tillë mund të shohim së shpejti me Bordin e Paqes së Trumpit. Kosova dhe rajoni janë të obliguar të harmonizojnë politikat e tyre të jashtme me ato të BE-së në kuadër të procesit të anëtarësimit. Imagjinoni një skenar ku BE-ja refuzon të marrë pjesë në Bordin kontrovers të Trumpit. Çfarë vendimi do të marrin Kosova apo Shqipëria në këtë rast? Do të linjëzohet me BE-në apo SHBA-në? Ose imagjinoni një situatë tjetër. Nëse SHBA-ja dhe Evropa vazhdojnë ciklin e përshkallëzimit për Grenlandën dhe BE-ja i kundërpërgjigjet SHBA-së me tarifat revanshuese, çfarë do të bëjë Kosova? Do t’i bashkëngjitet politikës së jashtme të BE-së apo do të mbështesë pretendimet amerikane në Grenlandë? 

Kosova nuk mund të kontribuojë në zgjidhjen e krizës së aleancës transatlantike, por ajo çfarë ne mund të bëjmë është që të lexojmë drejt dinamikat në botë dhe të përpiqemi që të evitojmë ajsbergët gjeopolitikë, të cilët mund të ekspozojnë fragjilitetin tonë në skenën ndërkombëtare. Thënë ndryshe, në fjalorin amerikan është koha me “lay low”.