Dyzet vjet nga raportimi i rasteve të para të AIDS-it, HIV-i vazhdon ta kërcënojë botën, jo për shkak të mungesës së njohurive apo mjeteve për ta mposhtur, por për shkak të mungesës së vullnetit politik për t’i zbatuar intervenimet e bazuara në evidencë dhe për shkak të pabarazive strukturore që pengojnë parandalimin dhe trajtimin e HIV-it. Nëse nuk veprohet me urgjencë, pandemia e AIDS-it mund të vrasë 7.7 milionë njerëz në botë në vitet e ardhshme.
Çdo vit më 1 dhjetor në Ditën Botërore të AIDS-it reflektojmë mbi reagimin tonë ndaj pandemisë më afatgjatë në botë. Në këtë ditë, derisa përkujtojmë më shumë se 36 milionë njerëz të vdekur si pasojë e AIDS-it dhe nderojmë afro 38 milionë njerëz që jetojnë me HIV në mbarë botën, liderët do të ripërsërisin zotimet e tyre për të përfunduar epokën e AIDS-it. Se si janë përkthyer zotimet e tyre në praktikë e dëshmon historia përmes numrave, të cilët, mes të tjerash, pasqyrojnë edhe regresin e shkaktuar si pasojë e COVID-19.
Viti 2021 shënon 40 vjet që kur zyrtarisht u raportuan pesë rastet e para të formave të pneumonisë dhe sëmundjeve të tjera të rralla, të asaj që më vonë u bë e njohur si AIDS – Sindromi i Imunodefiçiencës Humane. Do të kalojnë dy vjet dhe dr.Françoise Barré-Sinoussi me ekipin e virologëve në Institutin Pasteur në Francë do të zbulojnë shkaktarin - virusin e imunodefiçiencës humane, që sot njihet si HIV. Katër vjet më pas FDA do të aprovojë terapinë specifike antiretrovirale, me të cilën do të trajtohen personat që jetojnë me HIV.
në fund të shekullit të kaluar niveli i lartë i stigmës dhe diskriminimit që kryesisht ndërlidhet me mënyrën e bartjes së HIV-it dhe me grupet e popullatave më të rrezikuara, që jetojnë në margjina sociale apo janë të kriminalizuara, ka ndikuar që liderët botërorë të mos shprehin gatishmëri dhe vullnet politik për reagim të shpejtë, të koordinuar e gjithëpërfshirës, duke hezituar, mes të tjerash, edhe të financojnë programe specifike për të parandaluar përhapjen e HIV-it. Deri atëherë HIV-i kishte kaluar të gjithë kufijtë dhe kishte dëshmuar se është virusi më “jodiskriminues”, që nuk njeh kufij dhe “nuk bart pasaportë”. AIDS-i ishte përhapur në tërë botën, kishte gjunjëzuar Afrikën subsahariane, kishte shkatërruar sistemet edhe ashtu fragjile shëndetësore dhe ekonomike në botën e pazhvilluar, duke e rritur shkallën e varfërisë dhe duke u bërë edhe faktor i sigurisë nacionale. Për të qenë edhe më tragjike, HIV-i ishte shfrytëzuar edhe si mjet lufte, përmes dhunimit të mbi 250 mijë grave dhe vajzave tutsi, gjatë gjenocidit në Ruandë.
Vetëm në fund të shekullit XX, vullneti politik ndërkombëtar për të përmirësuar përpjekjet në reagim ndaj sëmundjeve më vdekjeprurëse në botë filloi të materializohej. Qeveritë u vunë në shërbim të humanitetit së bashku me filantropët, sektorin privat, shoqërinë civile dhe komunitetet e afektuara, duke e dëgjuar shkencën dhe duke e marrë për bazë evidencën. Përmes forumeve të ndryshme u arrit konsensusi rreth krijimit të një mekanizmi të ri financiar ndërkombëtar për të luftuar sëmundjet që rrisin varfërinë. Në këtë kontekst, Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri thirrje për një "sulm masiv ndaj sëmundjeve të varfërisë". Në prill 2001, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, bëri thirrjen e parë publike për themelimin e një mekanizmi të ri financiar, duke propozuar "krijimin Fondit Global kushtuar betejës kundër HIV/AIDS dhe sëmundjeve të tjera infektive”. Viti 2021 shënon 20 vjet të themelimit të Fondit Global që lufton AIDS-in, tuberkulozin dhe malarien, partneritetit unik mes qeverive, sektorit privat, shoqërisë civile dhe komuniteteve të afektuara, mekanizmi më i madh financiar i shëndetit global, përmes të cilit u shpëtuan mbi 44 milionë jetë njerëzish në vendet e pazhvilluara dhe në zhvillim.
Për katër dekada është bërë një përparim i jashtëzakonshëm në parandalimin dhe trajtimin e HIV-it. Zbulimet shkencore kanë sjellë inovacione e mjete që ishin të padisponueshme dhe madje të paimagjinueshme vetëm një dekadë më parë. Zbulimet dhe risitë e reja në hulumtimin, parandalimin, kujdesin dhe trajtimin e HIV-it kanë kontribuar në reduktimin e rasteve të reja të HIV-it dhe në sigurimin që individët me HIV mund të jetojnë jetë të gjatë dhe të shëndetshme. Janë bërë hapa të rëndësishëm për adresimin e stigmës së HIV-it në komunitete dhe sisteme të kujdesit shëndetësor. Kjo ka ndikuar që nga viti 2010 të ketë rënie të dukshme në rastet e reja dhe rastet e vdekjes, krahasuar me njëzet vjet më parë.
Por HIV/AIDS-i akoma mbetet një krizë e shëndetit global, sepse akoma nuk ka shërim dhe bota vazhdon të ballafaqohet me 1.5 milionë infeksione të reja me HIV dhe 680.000 vdekje nga AIDS-i (raporti i UNAIDS, 2021). Terapia antiretrovirale që dikur konsiderohej shumë e shtrenjtë për vendet me burime të kufizuara, sot merret nga rreth 27.5 milionë njerëz që jetojnë me HIV. Mirëpo në suaza globale pasqyra e përhapjes ka ndryshuar. Popullatat kyçe më në rrezik për HIV dhe partnerët e tyre përbëjnë 62% të infeksioneve të reja me HIV, ndërsa vetëm në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore ato përbëjnë 99%.
Ajo që po ndodh aktualisht, në shikim të parë duket si një vetëkënaqësi me të arriturat e deritanishme. Vdekshmëria është ende shumë e lartë. Numri i infeksioneve të reja me HIV është në rritje, dhe sidomos në regjionin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, ku regjistrohet rritje më e madhe pozitive e rasteve të reja (për 43%) dhe vdekjeve nga AIDS-i (32%). Kjo ndodh si pasojë e mungesës së përkushtimit politik, e strategjive të gabuara - tërësisht të fokusuar në trajtim dhe jo në parandalim dhe si mungesë e koordinimit horizontal të programeve të HIV/AIDS-it, me pjesëmarrje të shoqërisë civile dhe komuniteteve të afektuara.
Ky vit shënon edhe 35 vjet të raportimit të rastit të parë me AIDS në Kosovë. Sipas të dhënave të IKSHPK-së, prej vitit 1986 deri në fund të nëntorit 2021 janë regjistruar gjithsej 139 raste me HIV. Shumica e rasteve të regjistruara me HIV (73%) janë meshkuj. Nga të gjithë personat që jetojnë me HIV, 88 kanë zhvilluar AIDS-in dhe 50 vdiqën nga AIDS-i. Mënyra kryesore e transmetimit ishte heteroseksuale, me 68%, ndërsa 24% ishte te popullata MSM (meshkujt që bëjnë seks me meshkuj), 1% personat që injektojnë droga, ndërsa bartja nga nëna te fëmija paraqitet me 2%. Për 5% të rasteve me HIV mënyra e transmetimit është e panjohur. Në Kosovë, trajtimi ka filluar prej vitit 2005 dhe ai financohet nga buxheti shtetëror, derisa parandalimi te grupet e rrezikuara financohet ekskluzivisht nga granti i Fondit Global. Mirëpo hezitimi i Qeverisë për të kontribuar në parandalimin e HIV-it në popullatën e përgjithshme ka ndikuar në rënie të dukshme të njohurive dhe në ndryshim të qëndrimeve karshi HIV/AIDS-it. Kështu, dy runde të Anketës të Indikatorëve të Shumëfishtë (MICS) të kryera në Kosovë në vitet 2014 dhe 2019-2020 tregojnë se nuk është arritur asnjë progres gjatë 5-6 vjetëve të fundit sa i përket ndërgjegjësimit për HIV në mesin e popullatës në Kosovë. MICS 2019-2020 zbuloi se vetëm 1 në 10 gra dhe burra të moshës 15-24 vjeç kanë njohuri të sakta për parandalimin e HIV-it, dhe ky tregues është përkeqësuar në krahasim me rezultatet e MICS 2014 (10% në 2019 kundrejt 17% në 2014). Niveli i njohurive për HIV-in ishte i ngjashëm për popullatën e grave dhe burrave të moshës 15-49 vjeç. Për më tepër, ndërgjegjësimi për HIV ishte deri në 2% për gratë dhe burrat e moshës 15-49 vjeç që jetojnë në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian (RAE). Vetëm një e treta (32.1%) e grave të anketuara treguan njohuri të sakta për transmetimin e HIV-it nga nëna te fëmija, ndërsa ky tregues ishte edhe më i ulët tek gratë që jetojnë në komunitetet RAE (16.5%). Përveç kësaj, përafërsisht 80% e popullatës së përgjithshme të Kosovës dhe rreth 90% e atyre që jetojnë në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian shprehin qëndrime diskriminuese ndaj personave që jetojnë me HIV. Rezultati ishte po aq i lartë tek të rinjtë dhe të rejat e moshës 15-24 vjeç. Qëndrimet stigmatizuese dhe diskriminuese hasen edhe në institucione. Kështu, sipas vlerësimit të indeksit të stigmës dhe diskriminimit në Kosovë në vitin 2019, shkalla mesatare e stigmës te punëtorët shëndetësorë karshi personave që jetojnë me HIV dhe popullatave kyç për HIV është llogaritur në 2.89 dhe te punëtorët e sundimit të ligjit në 2.98 (4 është vlera më e ulët dhe 1 vlera më e lartë për stigmën).
Trajtimi i HIV-it është më i lehtë për t'u matur dhe organizuar dhe është më pak i diskutueshëm nga ana e vendimmarrësve institucionalë, të cilët nuk duhet apo nuk dëshirojnë të merren me të gjitha çështjet e ndërlikuara që ndërlidhen me bartjen e HIV-it: seksin, drogën, diskriminimin. Dëshmitë në suaza globale tregojnë se stigma dhe diskriminimi janë armiku më i madh në parandalimin e HIV-it dhe ndikojnë në përhapjen e virusit. Ato i thellojnë pabarazitë dhe krijojnë barriera shtesë në qasje në shërbime shëndetësore. Prandaj HIV-i dhe AIDS-i janë shndërruar në një betejë të pafund. Ka pasur përparim, por nevojitet një përpjekje e gjithanshme për parandalimin e infeksionit. Fokusi i përpjekjeve duhet të vendoset aty ku është problemi dhe ai ndryshon nga një vend në tjetrin, e madje edhe brenda një vendi të caktuar, në grupe të ndryshme të popullatës.
Për shkak të pandemisë COVID-19, e cila në dy vjetët e fundit ndryshoi rrjedhën e jetës dhe të funksionimit në botë, HIV/AIDS-i ka qenë shumë i heshtur në media, në mendjet e njerëzve, por jo edhe në ekzistencë. Në pjesën më të madhe të botës, COVID-19 i ka përkeqësuar pabarazitë, duke e kufizuar qasjen në shërbime shëndetësore dhe sociale. Si pasojë, niveli i testimit për HIV në suaza globale ka rënë në 27%. Sa më pak njerëz që detektohen me kohë, aq më pak do të trajtohen me kohë dhe ta zvogëlojnë probabilitetin e bartjes. Rritjet e incidencës së HIV-it bëhen evidente vetëm pas 5-10 vjet.
Pandemia COVID-19 ka kërcënuar të arriturat (me shumë vështirësi), por AIDS mbetet pandemia më afatgjatë që ka njohur njerëzimi deri më sot. E ajo është prezente edhe në Kosovë qe 35 vjet.
Vaksina kundër HIV-it është një shpresë e madhe, por akoma larg në horizont. Me COVID-19, me gjithë vëmendjen dhe resurset e orientuara andej, jo vetëm HIV/AIDS por edhe shumë çështje të tjera shëndetësore po vuajnë. Është e rëndësishme që institucionet të flasin edhe për sëmundjet e tjera dhe jo vetëm për COVID-19, vaksinimin dhe masat mbrojtëse kundër COVID-it. Edhe pse ekziston një perceptim se në rastet e krizave nuk është koha e duhur për t'iu dhënë vëmendje çështjeve të tjera e në këtë kontekst edhe një sëmundje me prevalencë të ulët, është e qartë se pa e bërë këtë krizat në shëndetësi nuk mund të kapërcehen.
Konkurrenca mes prioriteteve në shëndetësi publike, mes sëmundjeve dhe problemeve shëndetësore nuk ka kuptim, është e padrejtë dhe diskriminuese, sepse mbrojtja e shëndetit individual dhe publik nuk është kompeticion, por është obligim i të gjithëve, e mbi të gjitha i lidershipit të shtetit.
Dyzet vjet nga raportimi i rasteve të para të AIDS-it, HIV-i vazhdon ta kërcënojë botën, jo për shkak të mungesës së njohurive apo mjeteve për ta mposhtur, por për shkak të mungesës së vullnetit politik për t’i zbatuar intervenimet e bazuara në evidencë dhe për shkak të pabarazive strukturore që pengojnë parandalimin dhe trajtimin e HIV-it.
(Autorja është specialiste e shëndetit publik. Punon në CDF si menaxhere e Programit për HIV dhe është anëtare e Delegacionit të shoqërisë civile në Bordin e Fondit Global. Ky shkrim paraqet opinionin personal të saj)