I.
Kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës është përballur me vështirësi që nga fillimi. Përplasjet dhe fjalori joparlamentar në Kuvend, të imponuar nga koalicioni qeverisës, janë bërë normë e sjelljes së tyre. Është vlerësim i përgjithshëm se ky koalicion është më i brishti dhe më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova. I formuar me koncesione joparimore ndaj partnerëve të vegjël dhe grupeve të interesit që janë bërë pjesë e qeverisë, ky koalicion është jopërfaqësues. Ndërkaq, funksionimi dhe vendimmarrja brenda këtij koalicioni janë karakterizuar me qasje ad-hoc, jo programore, të motivuar nga interesa të ngushta politika dhe të grupeve të interesit.
Nga fillimi i kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Grupi Parlamentar i LDK-së ka qenë grupi më aktiv me deklarime, debate dhe interpelanca. Nga 18 debate të ngritura në Kuvend gjatë kësaj legjislature, 6 janë ngritur nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Nga 15 interpelanca, 7 janë ngritur nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Gjatë kësaj periudhe janë formuar 3 komisione hetimore parlamentare, prej të cilave 2 me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së. Për krahasim, në disa legjislatura të Kuvendit marrë së bashku nuk ka pasur kaq shumë angazhim parlamentar opozitar.
Një opozitarizëm i tillë, i ngjeshur dhe i fokusuar në çështje që preokupojnë qytetarët, ka bërë që LDK-ja të renditet partia e parë në disa hulumtime të njëpasnjëshme të opinionit publik, me një diferencë të konsiderueshme me partinë e dytë. Ne jemi shumë falënderues për këtë mbështetje, të cilën e marrim si përgjegjësi ndaj qytetarëve. Ne do të intensifikojmë opozitarizmin demokratik dhe kushtetues deri në largimin e këtij pushteti.
II.
Edhe
Hoti: Ky koalicion qeverisës është më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova
Përpjekja për të shfuqizuar ligjin për dhomat e specializuara të gjykatës speciale në dhjetor të vitit të kaluar e qoi Kosovën buzë izolimit ndërkombëtarë. Një goditje tjetër iu dha rendit, ligjit dhe të drejtave njerëzore në Kosovë me dëbimin joligjor të gjashtë shtetasve turq, përmes ndërhyrjes jokushtetuese të bartësve të institucione në këtë proces. Komisioni hetimor parlamentar, i formuar me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, që po e heton këtë çështje po përballet me vështirësi pasi zyrtarët shtetërorë nuk përgjigjen në kërkesat e komisionit.
Presidenti i vendit është akuzuar publikisht nga këshilltarë ndërkombëtarë për borxhet e papaguara ndaj tyre. Këto akuza kanë ngritur dyshime për përdorim të taksave të qytetarëve për qëllime private. Një komision hetimor parlamentar, edhe ky i krijuar me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, po e heton këtë çështje.
Vendimet e Qeverisë për ndarje të mjeteve buxhetore pa përfillur procedurat ligjore, rritja e pagave jashtë buxhetit dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi, falja joligjore e taksave që tatimpaguesit kanë ndaj shtetit, emërimet joligjore në ndërmarrje publike dhe institucione të ndryshme, janë bërë përditshmëri e punës së kësaj qeverie.
III.
Në anën tjetër, çështjet e rëndësisë së veçantë, ku kërkohet përkushtim, vendosmëri dhe konsensus nacional, kanë marrë drejtim të gabuar. Dialogu për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë është nisur pa rezolutë të Kuvendit të Kosovës dhe nga bartës të institucioneve përtej mandatit të tyre kushtetues. Procesi i përgatitjes së statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është lënë në dorë të një ekipi që nuk ka asnjë lidhje me zyrën e Kryeministrit.
Reformat në arsim e shëndetësi nuk janë në rend dite, siç nuk është as zhvillimi ekonomik. Siç është provuar në një debat parlamentar të zhvilluar në Kuvend me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, Programi Qeverisës është dokument i pavlerë. Në fushën e arsimit, Kosova ka rrezikuar të mbetet jashtë Regjistrit Evropian të Cilësisë për shkak të ndërhyrjeve politike dhe joligjore të Kryeministrit në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës. Në shëndetësi gjendja nuk ka qenë asnjëherë më keq. Në raportin e fundit për Ballkanin Perëndimor, Komisioni Evropian konstaton se gjendja sa i përket papunësisë në Kosovë gjatë këtij viti është përkeqësuar.
Edhe
LDK-ja kërcënon me masa ata që s’u binden vendimeve të shumicës e që kundërshtojnë publikisht
IV.
Me thyerjet që kanë ndodhur brenda koalicionit qeverisës në muajin prill të këtij viti, kjo qeveri ka humbur legjitimitetin e saj për të qeverisur. Ministrat e njërin partner të koalicionit nuk marrin pjesë në mbledhje të Qeverisë, aprovojnë udhëzime administrative diskriminuese dhe ndajnë miliona euro taksa të qytetarëve.
Përpjekjet e opozitës që përmes metodave kushtetuese të luajë rolin mbikëqyrës ndaj pushtetit po hasin në arrogancë dhe indiferencë të pushtetit. Në fillim të muajit korrik, Kryeministri ka takuar në zyrën e tij personin që përflitet si përgjegjësi kryesor për dhunën, krimin e korrupsionin në veri të vendit. Kryeministri dhe ministrat rrallë marrin pjesë në seanca të Kuvendit për tu përgjigjur në interesimet e deputetëve. Në shumë raste, ministrat nuk paraqiten në komisione dhe përdorin gjuhë joparlamentare e injoruese ndaj kërkesave të opozitës.
Karshi kësaj situate, Grupi Parlamentar është duke u konsultuar vazhdimisht me Kryesinë e LDK-së për hapat që po ndërmerr në Kuvend për të ndaluar këtë model të qeverisjes. Javët e fundit ne kemi përdorur fuqinë e votës tonë për të pamundësuar kuorumin në seancat e Kuvendit. Ne do të vazhdojmë më tutje me hapa të tjerë për të ndalur këtë qeverisje.
Ne jemi të vendosur në rrugën tonë për të ndaluar degradimin institucional, si dhe ruajtur liritë qytetare, demokracinë e re në Kosovës dhe miqësinë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne jemi të vendosur në rrugën tonë si gardianë të shtetit të Kosovës.
Edhe
IKD-ja kritikon Legjislaturën e X-të: Shkelje procedurash dhe mungesë llogaridhënieje
Neve na duhet mbështetje edhe më e madhe qytetare për këtë mision. Në muajt në vijim, ne do të jemi në çdo cep të Kosovës për të biseduar me qytetarë, për t’i informuar ata me sfidat që po përballemi dhe për të marrë vlerësimet dhe rekomandimet e tyre për këtë rrugëtim tonin.
(Shkrim autorial për gazetën “Koha Ditore”)