Lidhja Demokratike e Kosovës e ka publikuar edhe deklaratën politike nëpërmjet të cilës ka thënë se vlerëson që stabiliteti institucional e funksionimi i shtetit s’mund të ndërtohen pa dialog politik dhe pa kompromis të përgjegjshëm.
Në këtë deklaratë, LDK-ja ka thënë se do të angazhohet për kthimin e dialogut politik dhe respektimin e rendit kushtetues. Në këtë frymë, kryetari i sapokonfirmuar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në konferencën për media u shpreh se është i hapur për të diskutuar për çështjen e presidentit.
Deklarata e plotë:
DEKLARATË POLITIKE
E KUVENDIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
për Gjendjen Politike, Institucionale dhe Shoqërore në Republikën e Kosovës
Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbledhur në ushtrim të përgjegjësisë së vet politike, institucionale dhe shtetformuese, vlerëson se Republika e Kosovës po kalon një fazë të ndërlikuar politike, institucionale dhe shoqërore, e cila kërkon maturi, përgjegjësi dhe vizion shtetëror.
Kosova sot përballet me mungesë funksionale të institucioneve dhe me bllokim të proceseve vendimmarrëse që tejkalojnë çdo afat normal demokratik. Kjo gjendje nuk është më çështje teknike apo procedurale, por shenjë e një krize politike, ku kompromisi si mjet themelor i demokracisë është zëvendësuar me përjashtim, imponim dhe polarizim të vazhdueshëm.
Kuvendi vlerëson se stabiliteti institucional dhe funksionimi normal i shtetit nuk mund të ndërtohen pa dialog politik dhe pa kompromis të përgjegjshëm në shërbim të interesit publik. Proceset e mëdha kombëtare kërkojnë bashkërendim të thellë politik të brendshëm, përgjegjësi të ndarë dhe vullnet për marrëveshje. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë në ndërtimin e stabilitetit institucional dhe të funksionimit demokratik të shtetit.
Kuvendi vlerëson se Kosova po përballet me një krizë të heshtur funksionale: me institucione të polarizuara, me besim publik të lëkundur, me izolim ndërkombëtar në rritje dhe me mungesë të politikave zhvillimore që u përgjigjen nevojave reale të qytetarëve. Përçarja politike është kthyer në metodë qeverisjeje, ndërsa dialogu institucional është zëvendësuar nga konfrontimi i panevojshëm dhe retorika përjashtuese.
Kuvendi shpreh shqetësim të veçantë për dëmtimin e marrëdhënieve me partnerët tanë strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Rruga euro-atlantike nuk është alternativë politike, por orientim themelor shtetëror i Republikës së Kosovës dhe nuk guxon të relativizohet nga asnjë qeveri dhe në asnjë rrethanë politike.
Po ashtu, Kuvendi shpreh shqetësim për gjendjen ekonomike dhe sociale në vend. Rritja e kostos së jetesës, presioni institucional ndaj bizneseve dhe mungesa e politikave zhvillimore po nxisin emigrimin e të rinjve dhe zbrazjen demografike të Kosovës. Shteti nuk ndërtohet mbi propagandë, por mbi punë, investime, sundim të ligjit dhe besim qytetar.
Kuvendi shpreh shqetësim për dobësimin e institucioneve të pavarura, të cilat përbëjnë shtyllë themelore të rendit kushtetues dhe të demokracisë funksionale. Institucionet e drejtësisë, organet rregullatore dhe mekanizmat mbikëqyrës duhet të mbrohen nga ndikimi politik dhe të ushtrojnë mandatin e tyre në mënyrë profesionale, të paanshme dhe transparente.
Kuvendi thekson se centralizimi i pushtetit dhe relativizimi i rolit të institucioneve të pavarura cenojnë drejtpërdrejt balancat demokratike dhe minojnë stabilitetin afatgjatë të shtetit. Republika forcohet përmes respektimit dhe fuqizimit të institucioneve, jo përmes dobësimit të tyre.
Në të njëjtën kohë, Kuvendi i LDK-së nënvizon domosdoshmërinë e fuqizimit të qeverisjes lokale si nivel themelor i demokracisë dhe zhvillimit. Bllokimi financiar, administrativ apo politik i pushtetit lokal dëmton drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe thellon hendekun ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë. Decentralizimi funksional dhe respektimi i autonomisë komunale janë vlera kushtetuese dhe element thelbësor i stabilitetit demokratik.
Në këtë fazë vendimtare për vendin, Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës riafirmon rolin e saj historik si forcë shtetformuese, si garantuese e stabilitetit institucional dhe si alternativë serioze qeverisëse. LDK nuk është parti e konfliktit, por e shtetit; jo parti e momentit, por e përgjegjësisë afatgjatë.
LDK angazhohet për rikthimin e dialogut politik, respektimin e rendit kushtetues, forcimin e sundimit të ligjit dhe rindërtimin e besimit me aleatët tanë strategjikë. Ne besojmë se ndryshimi nuk vjen përmes përçarjes, por përmes bashkimit rreth interesit publik dhe vizionit të përbashkët për Kosovën.
Kuvendi i LDK-së u bën thirrje të gjitha forcave politike që të vendosin interesin e Republikës mbi interesat partiake dhe u garanton qytetarëve të Kosovës se Lidhja Demokratike do të mbetet zëri i arsyes, i maturisë dhe i përgjegjësisë politike.
Kosova ka nevojë për qetësi, drejtim dhe besim.