James N. Mattis është gjeneral i pensionuar i marinsave amerikanë me katër yje. Për të thënë se Mattisi shquhet si mendimtar modern i artit dhe shkencës ushtarake, është diçka bukur e kushtëzuar. Këtë kusht e vendosë vetë Mattis, i cili thotë se nuk ka sjellë ndonjë ide të re, por vetëm ka bërë përpjekje që në mënyrë të përkryer t’i zbatoj mësimet nga historia ushtarake. Porosia e tij është e qartë: duhet mësuar nga më të mirët.
Pasioni i tij për Librin dhe përulja para diturisë, pavarësisht nga kush vjen dhe si vjen, mund të të shtyejn të mendosh, se po të kishte mundësi, Mattisi pa asnjë hezitim do ta shndërronte uniformën ushtarake në një bibliotekë të mbështjellur në pëlhurë kamuflazhi. Leximi, thotë Mattisi është “mprehje e shtizave”.
Njihet si ushtarak me tri nofka: Murgu Luftëtar (Warrior Monk), Qeni i Tërbuar (Mad Dog) dhe Kaos (CHAOS).
Nofka e fundit, CHAOS, nuk e ka gjithaq kuptimin e fjalëpërfjalshëm, siç mund ta lë përshtypjen. Është një akronim i krijuar nga fjalia: Colonel Has Another Outstanding Suggestion; në shqip: koloneli e ka një tjetër propozim të shkëlqyeshëm!
Është një nofkë të cilën Mattisi e kishte marrë në vitin 2003, nga John Toolan, një vartës i tij. Kjo kishte ndodhur si pasojë e këshillave të njëpasnjëshme të Mattisit, i cili në atë kohë shërbente si kolonel në Irak. Mbase shpesh e kishte lënë pa gjumë vartësin e tij, sa që ky i fundit një ditë e shënon në tabelën operative, kodin CHAOS.
Edhe Si të japësh dorëheqje?Pas shërbimit në forcën e marinsave, përplasjeve të shpeshta me tre administrata të presidentëve amerikanë, Gjeneralit i lind një tjetër ide e shkëlqyeshme: së bashku me gazetarin dhe ish marinsin Bing West, e shkruan librin "Call Sign CHAOS: Learning to Lead".
Kishte qenë njëzetvjeçar, kur gjatë dimrit të vitit 1971, papritmas i rrëshqet këmba dhe bie nga një pendë prej nga rrokulliset në lumin e ngrirë, Columbia. E sheh vdekjen me sy!
Pasi që bindet se kishte shpëtuar për mrekulli, i kujtohen fjalët e një rreshteri veteran nga Vietnami, i cili disa muaj ma parë, gjatë një kursi për pranimin e kandidatëve për oficerë të marinsave, i kishte thënë: “Ne nuk zgjedhim se kur do t'vdesim, por gjithsesi e zgjedhim qysh takohemi me vdekjen".
“Zotësia për me vdekë” - kishte për të thënë filozofi gjerman Martin Heidegger, i cili këtë zotësi e sheh tek manifestimi i qenies.
James Norman Mattis, rrokullisja prej pende, si pasojë e kapadaillëkut të tij rinor dhe fjalët e rreshterit veteran, ishin manifestim i qenies së tij. Dhe ky ishte manifestim i jetës së një familjeje ku James N. Mattis kishte gëzuar lirinë e plotë të shijimit të fëmijërisë me plot ecajake maleve e përreth lumit Columbia, në shtetin federal Washington dhe të lirisë së pakufishme për ta pasur mendimin e tij, për gjithçka që e rrethon. E tëra kjo ishte meritë e prindërve të tij. Në shtëpinë e tyre, shikohej fare pak televizori: familja e tij kishte një bibliotekë të madhe ku gjatë mbrëmjeve bisedohej për romanet e Scott Fitzgerald, Ernest Hemingway, William Faulkner, ose për ekspeditën e Lewis dhe Clark në vitin 1804, nëpërmjet së cilës ishte hulumtuar pjesa perëndimore e SHBA-së të sotme.
I etshëm për ta jetuar jetën, në plotninë e saj, duke i pranuar goditjet si shtytje për tu ngritur, i magjepsur për të panjohurën dhe aspak i tërhequr nga fitimi dhe luksi, Mattisi merr vendim jetësor, kur vendosë që t’iu bashkohet trupave të këmbësorisë detare, apo marinsave.
Krejtësisht e natyrshme për një lexues të përkushtuar të “Meditimeve” të Perandorit Romak, stoikut Mark Aureli.
Kësisoj, fillon krijimi i profilit të gjeneralit të marinsave të ShBA-së, James N. Mattis, i përshkruar hollësisht në librin e botuar në vitin 2019.
I ndarë në tri pjesë, në librin “Call sign Chaos-Learning to Lead” diskutohen tri shkallë të udhëheqjes ushtarake: udhëheqja e drejtëpëdrejtë; udhëheqja ekzekutive dhe udhëheqja strategjike.
Këto ide, Mattiso ia përcjellë lexuesit duke e vendosur veten në rolin e një përquesi mes mësimeve të historisë (një ndër historianët e tij të preferuar është Will Durant dhe libri i tij “The Lessons of History”) dhe përvojës së tij ushtarake, në zbatimin e po këtyre mësimeve. Përgjatë tërë shqyrtimit të tij, të përmbledhur në formë të kujtimeve, Mattis shndërrohet në zëdhënës modern të ideve të mendimtarëve ushtarakë të të gjitha periudhave historike.
“Marinsat janë forcë detare e cila e rekruton qasjen ndërsa ofron aftësim dhe ngritje të shkathtësive”, - thotë Mattis. Idenë e Rekrutimit të qasjes, ai e shtjellon duke thënë, se individë të denjë për tu bërë pjesë e marinsave, janë ata të cilët tregojnë gatishmëri dhe vullnet për të marrë përgjegjësi; ata të cilët tregojnë vullnet për të bërë ndryshime në jetën e tyre duke mësuar me përkushtim dhe ata të cilët tregojnë se janë të aftë të gjejnë zgjidhje dhe nuk vajtojnë. E thënë në këtë mënyrë nga Mattisi, nuk ka si të mos shpaloset “Vom Kriege” e Carl von Clausewitz, në pjesën ku gjenerali prusian flet për Virtytet e Ushtrisë. Clausewitz është shoqërues i dukshëm dhe i padukshëm në librin e Mattis. Sa herë që autori e vë theksin mbi rëndësinë e faktorit njeri, në luftë, Clausewitzi është atypari. Clausewitzi është i pranishëm edhe atëherë kur Mattisi e ndërton konceptin e tij të udhëheqjes direkte, e ku virtyti i ushtrisë është i mishëruar me virtytin e udhëheqësit ushtarak. Pjesë e këtij virtyti sipas autorit gjeneral është edhe përulja para diturisë, e rrjedhimisht edhe para përvojës së ushtarakëve veteranë. Nga ky pikëvështrim, Mattisi e lë fare qartë të kuptohet, se thelbi i gradës ushtarake është shkalla e përgjegjësisë së shtuar,e cila duhet ta pasqyrojë qëllimin,iniciativën dhe vendimmarrjen ,në mënyrë të harmonizuar me detyrat individuale të çdo ushtaraku, pavarësisht gradës. Në këtë drejtim si tipar thelbësor të Udhëheqjes Direkte, Mattisi e thekson parimin e vendimmarrjes së centralizuar dhe ekzekutimin e decentralizuar, që thënë më thjeshtë, e nënkupton lirinë e udhëheqësit në terren që ta zgjedhë vetë mënyrën për arritjen e objektivit.
Kjo mënyrë e të menduarit është e shprehur edhe në librin “Infanterie Greift an” të Erwin Rommel, gjeneral gjerman, pjesëmarrës i dy luftërave botërore, të cilin Mattisi thotë se e ka rilexuar disa herë. Madje e pranon pa hezitim se Erwinn Rommelin, Frederikun e II, gjeneralin Sherman, i ka kopjuar disa herë, duke i zbatuar taktikat e tyre të anashkalimit të kundërshtarit dhe depërtimit në thellësinë e territorit të kundërshtarit. Këtë shembull të udhëheqjes direkte, thotë se e ka zbatuar gjatë luftës së parë të Gjirit Persik, në vitin 1990. Po ashtu, edhe në Afganistan.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, Erwin Rommeli edhe pse ishte oficer i rangut të ulët, gjegjësisht toger, kishte spikatur në disa fushëbeteja, e me theks të posaçëm në betejën e Longarones në Itali, ku në krye të një batalioni prej rreth 700 ushtarëve, kishte arritur të depërtoi në prapavi të forcave italiane duke i eliminuar dhe pushtuar pikat ku ndodhej artilieria e pambrojtur italiane.
Për gjeneralin Mattis, historia ka ofruar prova se asgjë e re nën këtë Diell, nuk ka ndryshuar sa i përket luftëbërjes. Sipas tij edhe Aleksandri i Madh është përballur me sfida dhe kundërshtarë po aq të ndërlikuar, siç janë sot kundërshtarët e ShBA-së. Andaj, Mattisi e kërkon zgjidhjen në përshtatjen dhe përsosjen e mësimeve të historisë ushtarake në kushte të luftës bashkëkohore.
Këtë qëndrim të tij, ai e argumenton duke numruar një varg shembujsh nga përvoja e tij, ku kishte zbatuar pothuajse të njëjtat strategji dhe taktika sikurse kolegët e tij ndër shekuj.
Në Irak e adopton përvojën e ushtarakut britanik Thomas Edward Lawrence, i njohur si “Lorenci i Arabisë", gjeneralit gjerman Erwin Rommel, Aleksandrin të Madh, Scipio Afrikanit dhe Mark Antonit.
Në Afganistan i vë në zbatim manovrat e gjeneralit Douglas MacArthur nga koha e Luftës së Koresë, të ndarjes në dysh të forcave kundërshtare, të vazhdimësisë së ndjekjes sipas Clausewitzit, dhe të farkëtimit të aleancave sipas frymës së mësimeve të Sun Tzusë.
Për suksesin dhe dështimin e ndërmarrjeve të tilla ushtarake, Mattisi e jep përgjigjen në pjesën e dytë të librit, ku flet për udhëheqjen ekzekutive.
Në këtë pike, duhet thënë se Gjenerali Mattis, “nuk e ushqen lexuesin me lugë”. Qëllimi dhe ideja e tij si autor duhen nxjerrë nga përmbajtja e shqyrtimeve të tij.
Edhe
James ka rastin për ta përfunduar debatin për më të mirin
Kështu, deri sa në pjesën e parë, udhëheqjen e drejtpëdrejtë e ndërlidhë me manifestimin e pastërt të shkathtësive dhe cilësive të ushtarakëve në terren, në pjesën e dytë, kushtuar udhëheqjes ekzekutive, autori përqendrohet tek faktorët tjerë të cilët e mundësojnë apo e pamundësojnë suksesin e një veprimi ushtarak. Njëkohësisht kjo është pjesa më kritike e librit të Mattisit.
Udhëheqjen ekzekutive Mattisi e përshkruan si një fazë të ngritjes personale të udheqësit ushtarak, por edhe si sfidë të ndryshimit të raporteve me ushtarët dhe oficerët e tij. Në mënyrë parodike, ai kujton thënien e një vartësi të tij, i cili pas gradimit të Mattisit si gjeneral, i thotë: “Në këtë cilësi gjithsesi do të keshë një shujtë të mirë, por asnjëherë nuk do ta kuptosh të vërtetën”.
Pra është fazë kur udhëheqësi ushtarak sfidohet nga çështjet burokratike e buxhetore e deri te vendosja e kontakteve me politikanë dhe burrështetas. Duke iu afruar heshtur kërkesave të politikës udhëheqësi ushtarak fillon të humbasë lidhjen e natyrshme me vartësit e tij në terren.
Mattisi përpiqet që kjo mos t’i ndodhë edhe atij. E hapë gojën dhe i paraqet shqetësimet e tij.
“Kundërshtari është i mposhtur vetëm atëherë kur ai e pranon këtë fakt”, - kishte deklaruar Mattisi në një intervistë për një medium amerikan. Në frymën e një deklarate të tillë ai thekson se pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, politikës amerikane i ka munguar komponenti kyç i përcaktimit të objektivit politik, e që është End State, apo Përmbyllja.
Për gjeneralin Mattis, që në fillim kishte qenë e qartë, se vendimet politike për shpërbërjen e ushtrisë irakiane, fuqizimi i shiitëve dhe mungesa e investimeve ekonomike, do të jenë burime të destabilitetit të cilat brenda një kohe të shkurtër do të kulmonin me përshkallëzim të dhunës. Politika amerikane kishte anashkaluar dhe nënvlerësuar në tërësi edhe rolin e shteteve fqinje të Irakut, Sirisë dhe Iranit. Si ushtarak në terren, Mattisi kishte mundur të vërejë me sytë e tij, se si një pjesë e ish ushtarakëve irakianë, të cilët kishte shpresuar që t’i kthejë në partnerë, po ktheheshin në kundërshtarë fanatikë të amerikanëve. Të njëjtin disponim e kishte vërejtur edhe tek pjesa tjetër e shoqërisë irakiane. Fillimisht këto shqetësime ia adreson administratës së presidentit Bush i Riu. Pas kësaj edhe zyrtarëve të lartë të administratës së presidentit Obama.
“If you have to take Vienna, then take fucking Vienna"!
Një citim brutal i Napoleonit nga Mattisi, i cili në gjendje të dëshpruar, lidhur me rebelimin në Falluxhah, i drejtohet në këtë mënyrë një zyrtari të lartë të Pentagonit, pas shumë vendimeve të paqarta, të vonuara dhe ndryshimit të vazhdueshëm të kursit politik karshi Irakut.
“Nëse sipas Liddle Heart (ushtarak britanik dhe teoricien i luftës) qëllimi i luftës është sigurimi i një paqeje më të mirë, nuk jam i sigurt se këtë e kemi arritur në Irak”, -përfundon autori.
Duke thënë se në Irak dhe Afganistan, Amerika kishte humbur lufën informative, Mattisi shton se përgjegjësit në nivelin politik, nuk e kanë kuptuar drejtë natyrën e luftës në këto dy vende, duke hezituar të pranojnë faktin se në të dy rastet kishte ndodhur rebelimi me përmasa të një lufte civile. E pranon se në të dy rastet e cekura dobësia më e madhe e amerikanëve ka qenë zhvillimi i luftës informative dhe psikologjike, që si pasojë ka pasur dëmtimin e imazhit të ShBA-së dhe dobësimin e aleancës me disa shtete.
Mattis kurrsesi nuk e ushqen lexuesin me lugë.
As në pjesën e tretë të librit të tij, ku flitet për udhëheqjen strategjike, e ku boshti i shqyrtimit ndërlidhet me raportet e Shteteve të Bashkuara me aleatët e NATO-s.
Nevoja, aftësia dhe maturia për gjetje dhe mirëmbajtje të aleancave e paraqet kufirin deri ku shtrihet fuqia reale e një shteti, sado i fuqishëm që të jetë ai shtet. As Amerika nuk është bën përjashtim nga ky rregull.
Ky mesazh mund të nxjerret nga theksi i Mattisit mbi traditën e bashkëpunimit të aleatëve perëndimor gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë. Në kushte bashkëkohore, Mattisi beson se forcimi i Aleancës së NATO-s duhet të mbështetet në bartjen e përgjegjësive tek partnerët evropianë. Në këtë qasje Mattisi vlerëson se SHBA-ja duhet ta transformojë rolin e saj në aleancë duke ju dhënë aleatëve tjerë më shumë hapësirë në marrjen e përgjegjësive për sigurinë e kontinentit.
Është kundërshtar i vendosur i politikës izolacioniste të SHBA-së. Argumenti për këtë është se politika e izolimit mund ta dëmtojë ekonominë amerikane në kushte të globalizmit dhe rrjedhimisht edhe interesat amerikane në botë. E kjo duke pasur parasysh ndryshueshmërinë e interesave strategjike, sfidat e sigurisë në rritje dhe krizat humanitare, politike dhe ekonomike, nga të cilat as SHBA-të nuk është e pacënueshme.
Ndonëse njihet si përkrahës i madh i Ushtrisë së Kosovës, Kosova nuk zë vend në librin e gjeneralit Mattis. Mbase kjo mund të shpjehohet me faktin se Mattisi pothuajse tërë karrierën e tij ushtarake e ka kaluar në Lindje të Mesme, ku ka qenë edhe komandant i CENTCOM, Komandës Qendrore për Afrikë dhe Azi.
Udhëheqja si bosht i librit të autorëve James N.Mattis dhe Bing West, është aftësi e marrjes dhe shpërndarjes së përgjegjësive, nëpërmjet iniciativës, qartësisë së vendimmarrjes dhe transformimit të vazhdueshëm të udhëheqësve dhe institucioneve të cilat ata i drejtojnë. Autorët japin porosi të qartë kur e ritheksojnë në mënyra të ndryshme, se udhëheqësit e ardhshëm duhet kërkuar në mesin e “cjepërve" (mavericks) të rebeluar, të cilët nuk ngurojnë të flasin apo të vënë në pikëpyetje arsyeshmërinë e ideve konvencionale. Njerëzit me cilësi të tilla duhen përkrahur dhe nxitur për të shpalosur idetë e tyre. Heshtja, konvencionet dhe konformizmi e pegojnë formësimin e udhëheqësve. Guximi, iniciativa dhe vendosmëria duhet shpërblyer edhe atëherë kur bëhen gabime.
Pas dorëheqjes nga posti i sekretarit të mbrojtjes në administratën e Donald Trumpit, në vitin 2018, James Mattisi i është rikthyer ligjëratave në disa universtete amerikane.
Në të ardhmen e afërme, mund të ndodhë që të del me një tjetër ide të shkëlqyeshme: Të kandidoj për President të SHBA-së.
Edhe
Pas betejës me kancerin, James Middleton i kushton fjalë prekëse motrës së tij
Vështrim mbi librin “Call sign CHAOS: Learning to Lead” të autorëve James Norman Mattis (ish-gjeneral i marinsave amerikane) dhe Bing West (gazetar dhe ish-marins amerikan)
{gallery}