Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Si të japësh dorëheqje?

Dorëheqjet e Mattisit dhe Kentit na ndihmojnë të kuptojmë që nëse një zyrtar publik eventualisht arrin në përfundimin se nuk mund të punojë më nga brenda pa sakrifikuar integritetin e tij personal, atëherë janë së paku katër parimet themelore që duhet respektuar për të siguruar një dorëheqje fisnike nga shërbimi publik

Kjo javë e shndërroi Joseph Kentin në kryelajmin e botës. Drejtori i Qendrës Kundër Terrorizmit dha dorëheqjen e parë nga administrata Trump si pasojë e luftës me Iranin. Fakti që Kent është ish-anëtar i forcave speciale amerikane dhe fakti që gruaja e tij – po ashtu ushtare amerikane - u vra nga një sulm terrorist i ISIS-it, e bëri dorëheqjen e tij edhe më dramatike. Thënë ndryshe, dorëheqjen nuk e dha kushdo, por një patriot amerikan. Madje një MAGA patriot amerikan. Letra e tij e dorëheqjes ishte model i shkëlqyer i ofrimit të dorëheqjes, e barabartë në cilësi dhe formë me dorëheqjen e ish-sekretarit të Mbrojtjes gjatë presidencës së parë të Trumpit, gjeneralit James Mattis. Ndonëse motivet e dy dorëheqjeve ishin të ndryshme, ato na përkujtuan për disa parime themelore që karakterizojnë vendimin për t’u larguar nga shërbimi publik në mënyrë demonstrative.

Që nga koha e Cincinatit romak, dorëheqja dhe largimi nga pushteti janë vendosur si standard më fisnik i një shërbyesi publik. Karakteri i çdo njeriu testohet jo kur e fiton pushtetin, por kur vendos të heqë dorë nga ai. Shërbimi i vërtetë publik kërkon guximin dhe integritetin për t’u larguar nga detyra publike kur hendeku midis bindjes personale dhe drejtimit politik të vendit bëhet i pakapërcyeshëm. Por të njohësh atë moment në kohë reale nuk është gjë e lehtë. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në harkun e soditjes torturuese për të dhënë dorëheqje çdo shërbyes publik vjen në udhëkryqin e paevitueshëm të dilemës nëse është më mirë të ofrojë dorëheqjen dhe të bëjë publike qëndrimet e tij apo të qëndrojë brenda institucioneve dhe të këtë mundësi që nga brenda të rregullojë sistemin dhe të parandalojë pasojat. Në kërkim të shtegut të duhur dhe vendimit që duhet të marrë çdo person eventualisht vendos vija të kuqe apo një pikë uji, e cila mbush kupën dhe përfundimisht shtyn personin për t’u larguar. Kjo pika e ujit në rastin e gjeneralit Mattis ishte mospajtimi me Trumpin për rëndësinë e aleancave, në rastin e Kentit ishte aventura e Trumpit në Iran. 

Dorëheqjet e Mattisit dhe Kentit na ndihmojnë të kuptojmë që nëse një zyrtar publik eventualisht arrin në përfundimin se nuk mund të punojë më nga brenda pa sakrifikuar integritetin e tij personal, atëherë janë së paku katër parimet themelore që duhet respektuar për të siguruar një dorëheqje fisnike nga shërbimi publik.

E para, dorëheqja nuk duhet të jetë letër inati. Ajo duhet të tregojë respekt për institucionin dhe liderin nga i cili jeni duke u larguar. Në letrën e tij, Mattis flet për arritjet gjatë shërbimit në administratën e Trumpit dhe njëkohësisht respekton të drejtën e Trumpit që të ketë një tjetër sekretar Mbrojtjeje, pikëpamjet e të cilit janë më të përafërta me Trumpin. Në anën tjetër, Kent flet në superlativ për arritjet e Trumpit në politikën e jashtme dhe njëkohësisht lutet për suksesin e Trumpit. 

E dyta, arsyeja e dorëheqjes duhet të jetë e mira publike. Dorëheqja nuk mund të jetë interes personal, lojë partiake apo revanshizëm. Casus belli duhet të jetë një kauzë shumë specifike, faktike dhe e rëndësishme publike. Në rastin e Mattisit ishte thyerja e aleancave amerikane në botë, në rastin e Kentit ishte arsyeja e gabuar mbi të cilën është nisur lufta me Iranin. 

Së treti, letra e dorëheqjes duhet të paralajmërojë qytetarët për pasojat. Besnikëria përfundimtare e një shërbyesi publik është ndaj qytetarëve, jo ndaj liderit. Prandaj, dorëheqja duhet t’iu shërbejë si një paralajmërim i qartë qytetarëve për pasojat dhe kostot e politikës aktuale. Mattis paralajmëroi se thyerja e aleancave amerikane do të dobësojë interesat amerikane në botë dhe do të fuqizojë pozitën e kundërshtarëve të saj, siç janë Kina dhe Rusia. Nga ana tjetër, Kent paralajmëroi se lufta në Iran mbi arsyet e gabuara do të shndërrohet në Irakun e ri për SHBA-në. 
Së fundi, dorëheqja duhet të jetë transparente. Nga momenti i publikimit të dorëheqjes është e rëndësishme që arsyet e dorëheqjes të dominojnë narracionin kryesor publik për largimin tuaj nga institucionet. Kjo arrihet me transparencë të plotë dhe duke qëndruar sa më larg lojërave mediatike. Mattis ka dorëzuar publikisht letrën e dorëheqjes, ndërsa Kent ka postuar atë në platformën X. Më pastaj asnjëri nuk ka shndërruar dorëheqjet e tyre në fushatat kalkuluese mediatike. Një transparencë e tillë fisnike ka parandaluar më pastaj “spinin” e administratës së Trumpit për kinse motive të ulëta të dorëheqjes së tyre. 

Institucionet publike nuk janë kompani private. Aty nuk ka profit personal dhe interes vetjak. Në fakt, sikur rendi klerik, jeta në institucione publike më shumë i ngjason thirrjes për të shërbyer së mirës publike. Mattis nuk u martua asnjëherë dhe tërë jetën e tij shpenzoi në ushtri. Kent u rrit në ushtri, u martua në ushtri dhe krijoi familje në ushtri. Fatkeqësia e humbjes së bashkëshortes vetëm ka sforcuar kauzën e tij publike. Por çdo thirrjeje dikur i vjen fundi. Kur ai fund vjen është shumë e rëndësishme që ai të jetë sa më fisnik dhe të nderojë trashëgiminë e secili zyrtar publik. Kaq është në kontroll të secilit prej nesh. Pjesa tjetër është histori.