Katër komuna morën vendim të guximshëm dhe pa obligim ligjor vendosën t’i publikojnë kontratat e prokurimit publik në uebfaqe, tani është koha që kjo praktikë të bëhet obligim i secilit institucion publik.
Për prokurimin publik jemi mësuar të dëgjojmë vetëm lajme të këqija. Se si në filan institucionin u keqpërdorën, vodhën apo humbën para publike. Mirëpo javën që lamë pas, ndodhi diçka e mirë. Katër komuna, fillimisht Gjakova dhe Peja, e këtë javë edhe Gjilani dhe Vushtrria, pa qenë të obliguara me ligj vendosën që kontratat e nënshkruara t’i publikojnë si të plota në uebfaqet e tyre. Në këtë mënyrë ato shënuan një shembull të cilin tani është koha jo vetëm ta përcjellin komunat e tjera, por ta normojmë me legjislacion detyrues për të gjitha institucionet publike.
Mirëpo, pse publikimi i kontratave është kaq i rëndësishëm dhe çfarë ndikimi do të ketë në prokurim?
Efektet e publikimit të kontratave do të jenë të drejtpërdrejta në zvogëlimin e hapësirës për korrupsion, rritjen e përgjegjshmërisë së zyrtarëve për të kryer prokurime cilësore, dhe mundësimin e monitorimit efektiv të prokurimit nga mediat, OJQ-të dhe qytetarët.
Korrupsioni gjen vend aty ku nuk ka transparencë, nuk ka kontroll, ku njerëzit që kanë nevojë dhe duan të përfitojnë nga korrupsioni e gjejnë mundësinë. Deri më tani prokurimi për shkak të kontrollit të dobët ka qenë hapësirë e gjelbër dhe shumë pjellore për korrupsionin dhe keqmenaxhim të fondeve. Kontrolli i publikut është bllokuar në çdo rast duke mos ofruar qasje në dokumente zyrtare. Dhe në momentin kur mbikëqyrësit nuk kanë dokumente, krejt çka u mbetet të bëjnë është të spekulojnë.
Tanimë në Gjakovë, Pejë dhe Gjilan askush nuk varet nga vullneti i zyrtarëve për ofrim të qasjes në dokumente dhe kufizime te formave të ndryshme. Deri tani, në shumë raste janë aplikuar pagesa apo taksa për fotokopjimin e dokumenteve, janë aplikuar afate të zgjatura për ofrim të qasjes, është ofruar qasje e kufizuar duke ofruar vetëm shikimin e dokumenteve dhe jo edhe marrjen e kopjes. Kjo situatë ndryshon me publikimin online të kontratave. Secili qytetar i interesuar tani më mund të shkarkojë një kontratë në uebfaqet e këtyre komunave dhe të shohë se për shembull, Komuna e Pejës dhe ajo e Gjilanit nuk kërkojnë garanci në blerjen e produkteve, apo se Gjakova paguan më shtrenjtë që veturat e Komunës të dërgohen në Prizren për t’u riparuar. Të gjitha këto ngrenë pyetje për zyrtarët publikë se pse kanë ndodhur dhe si duhet të shmangen në të ardhmen kontratat e tilla. Nëse kemi të bëjmë me raste të korrupsionit, vetë komuniteti do të mundë të denoncojë zyrtarët për keqpërdorime.
Qasja në kontrata publike na ofron mundësinë të shohim se kush ka fituar kontratë, me çfarë kushtesh, për çfarë afati, në çfarë vlere, çfarë cilësie, si dhe cilat janë obligimet e kontraktuesit. Këto pastaj na japin mundësinë të gjykojmë vetë nëse komuna ka prokuruar mirë apo jo, e për më tepër na japin mundësinë të shohim nëse kontratat e mira në letër po zbatohen në praktikë.
Zyrtarët e prokurimit, në anën tjetër, së bashku me kryetarët e komunave do të refuzojnë të nënshkruajnë kontrata të dëmshme, pasi që do të jenë cak i mbikëqyrjes së publikut. Askush nuk do të dëshirojë të bëjë titujt e mediave për keqpërdorime të buxhetit publik. Pra kostoja e korrupsionit do të rritet, secilit do t’iu kushtojnë më shumë veprime të paligjshme apo të dëmshme në prokurim publik.
Në fund, ky publikim do t’u shërbejë monitoruesve të prokurimit, që aktualisht janë kryesisht OJQ-të dhe mediat, por në të ardhmen mund të jetë edhe vetë komuniteti. Tani në vend se mundi të shpenzohet duke u ballafaquar me burokracinë e qasjes në dokumente zyrtare, të interesuarit do të mundë që drejtpërdrejt të shkarkojnë dhe monitorojnë këto kontrata.
Për shembull, shtrimi i rrugës në lagjen tuaj është diçka që mund t’ju zgjojë interesim. Nëse ju keni qasje në kontratë, mund të shihni trashësinë, gjerësinë, kualitetin, çmimin dhe garancinë e kërkuar. Nëse diçka nuk shkon mirë në zbatim të kontratës, ju mund të ankoheni dhe të kërkoni përmirësimin e punëve. Kjo do të jetë shumë më e lehtë nëse kontratën së bashku me planin ju i keni të qasshme online. Dhe nëse rruga pas tre muajsh fillon të shfaqë defekte, ju në përputhje me kontratën mund të kërkoni që ajo të sanohet apo që të bëhet edhe njëherë nga fillimi, pa pasur nevojë të pritet që komuna ta konstatojë këtë gjë së pari.
Hapja e kontratave nga këto komuna ka ngritur standardin e transparencës dhe ofrimit të llogarisë për qytetarët. Mirëpo, kjo tani e tutje nuk duhet të mbetet vetëm një praktikë e mirë. Kontratat e hapura duhet të garantohen me ligj dhe institucionet publike të jenë të detyruara t’i publikojnë ato në të gjitha rastet.
Autori është Menaxher i Programit për Sundim të Ligjit në “Demokraci Plus”