OpEd

Fundi i luftës në Kosovë, SHBA-ja dhe plani rus i vitit 1999 për ndarjen e veriut të Kosovës

Në kohën e konfrontimit me Rusinë për Kosovën, Evropa nuk ishte në gjendje të kontribuonte me pothuajse asgjë, pasi i mungonin aftësitë dhe mundësitë për ta bërë këtë, vërejti Joschka Fischer pak vite pas përfundimit të luftës. NATO-ja ishte tashmë e pranishme në Kosovë me forcat e saj, por bisedat telefonike mes presidentit amerikan Clinton dhe atij rus Jelcin mbetën të tensionuara, pasi çështja e pranisë së Rusisë në Kosovë nuk ishte zgjidhur

Bisedimet përfundimtare mes Strobe Talbott, Viktor Chernomyrdin dhe Martti Ahtisaarit nisën më 1 qershor 1999 në Petersberg, pranë Bonit, dhe vazhduan deri më 3 qershor, kur Chernomyrdin dhe Ahtisaari u nisën për në Beograd me ultimatum ndaj Millosheviqit. Petersbergu u zgjodh për shkak të takimit paralel të krerëve të BE-së në Bon, që duhej të ushtronte presion shtesë mbi Rusinë. Moska e dinte se në Bon priteshin rezultatet e bisedimeve dhe ndjente se koha e diplomacisë trepalëshe po mbaronte, duke pasur parasysh se Chernomyrdin kishte ndoshta vetëm edhe një vizitë për në Beograd.

Në draft-marrëveshjen, Rusia insistoi që të përfshihej fjala “të gjithë” për të kërkuar tërheqjen e plotë të trupave serbe nga Kosova, që përbënte një hap kyç përpara. Një çështje tjetër komplekse ishte roli i NATO-s në praninë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë. Talbott kërkonte që NATO-ja të ishte “në thelb” të operacionit, pasi vetëm ajo mund të siguronte forcat e nevojshme. Nga ana tjetër, për Rusinë ishte politikisht shumë e vështirë të pranonte një rol qendror të NATO-s në forcat paqeruajtëse (KFOR). Për këtë arsye, çështja e rolit të NATO-s u vendos në një fusnotë në dokumentin kryesor.

Ishte e qartë se rusët përpiqeshin të zbusnin kushtet që u parashtroheshin Millosheviqit sa më shumë të mundnin. Mendonin se situata politike brenda shumë vendeve të NATO-s, madje edhe në SHBA, po ndryshonte kundër bombardimeve dhe koha po punonte për Jugosllavinë. Por u gabuan; askush nuk donte të merrte përgjegjësinë për dështimin e politikës së NATO-s.

Gjatë këtyre bisedimeve u harmonizuan qëndrimet dhe u përkufizua teksti përfundimtar i kushteve që Millosheviqi duhej të pranonte. Iniciativa diplomatike Chernomyrdin-Ahtisaari-Talbott, deri në fund të negociatave në Petersberg, nuk përfaqësonte negociata të drejtpërdrejta me Millosheviqin, por marrëveshje midis SHBA-së dhe Rusisë për rregullimin pas luftës dhe raportet mes tyre nga pozicione politike dhe gjeopolitike.

Dokumenti përmbante dhjetë pika kryesore:

Ndërprerja e menjëhershme dhe e verifikuar e dhunës dhe represionit.

Tërheqja e verifikuar dhe e shpejtë nga Kosova e të gjitha forcave ushtarake, policore dhe gjysmëushtarake.

Vendosja në Kosovë e forcave efikase ndërkombëtare civile dhe të sigurisë, nën patronatin e OKB-së.

Pjesëmarrja domethënëse e NATO-s në forcat ndërkombëtare të sigurisë, të cilat do të jenë nën komandën dhe kontrollin unik, me autorizime për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë kosovarët dhe për të lehtësuar kthimin e refugjatëve dhe të zhvendosurve.

Inaugurimi i administratës së përkohshme në Kosovë, me autonomi domethënëse brenda RFJ-së.

Pas tërheqjes lejohet kthimi i disa personave nga Jugosllavia dhe Serbia për punë të mbajtjes së lidhjeve, shënimin dhe pastrimin e fushave me mina, ruajtjen e përmendoreve kombëtare dhe kontrollin e pikave kufitare kryesore.

Kthimi i refugjatëve dhe personave të zhvendosur do të bëhet nën mbikëqyrjen e komisarit të OKB-së për refugjatë dhe praninë e organizatave humanitare.

Procesi politik për krijimin e një sistemi të përkohshëm, i bazuar në Rambuje, duke marrë parasysh sovranitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë dhe vendeve fqinje.

Rimëkëmbja dhe stabilizimi i rajonit të krizës, duke përfshirë krijimin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.

Bisedimet me Jugosllavinë për marrëveshjen ushtarake-teknike, që përcakton orarin e tërheqjes së forcave serbe dhe çështje ushtarake të tjera. Megjithatë, Jugosllavia nuk do të ketë të drejtë vote për përbërjen, komandën dhe sistemimin e forcave ndërkombëtare, të cilat do të vendosen nga NATO-ja, Rusia dhe vende neutrale që dëshirojnë të marrin pjesë në operacion.

Miratimi i këtyre principeve dhe hartimi i një orari të saktë për tërheqjen dhe verifikimin e saj, do të lejonte ndërprerjen e menjëhershme të veprimeve ushtarake. Urgjentisht duhej të hartohej marrëveshja ushtarake-teknike që rregullonte këto çështje.

Pas arritjes së marrëveshjes, Ahtisaari dhe Çernomërdini u nisën menjëherë për në Beograd, ku më 3 qershor 1999 ia paraqitën Millosheviqit dokumentin me kushtet për ndërprerjen e operacioneve ushtarake. Millosheviqi dëgjoi me vëmendje teksa Ahtisaari lexonte kushtet dhe tha: “Ne ose duhet ta pranojmë këtë, ose të vazhdojmë të luftojmë”. Kur Millosheviqi pyeti se çfarë duhej bërë për ndërprerjen e bombardimeve, Ahtisaari u përgjigj se më parë duhej të pranohej dokumenti dhe të fillonte tërheqja e trupave, e cila mund të verifikohej. Më pas mund të shpallej ndërprerja e bombardimeve.

Siç kujton në ditarin e tij Viktor Çernomërdini, pas një minute heshtjeje, njëri prej politikanëve jugosllavë iu drejtua Ahtisaarit me kërkesën për të komentuar njërën nga pikat e dokumentit. Presidenti finlandez iu përgjigj shkurt:
“Unë nuk jam i ngarkuar ta komentoj tekstin e dokumentit”.

Për Millosheviqin, ishte e rëndësishme të ruante nderin. Në këtë e ndihmonte fakti që Talbott po kthehej në Beograd. Çernomërdini kujtonte se Millosheviqi, i cili kishte qenë pothuajse tri javë pa kontakt me botën, ishte një njeri i paparashikueshëm dhe i tërhequr në botën e tij.

Pasi mori dokumentin, Millosheviqi i tha Ahtisaarit dhe Çernomërdinit se duhej ta diskutonte me qeverinë dhe se do ta shqyrtonte nesër në parlamentin e republikës. Mëngjesin tjetër, dokumenti u miratua pa kërkesa shtesë dhe më pas Millosheviqi dha pëlqimin e tij. Megjithatë, ai ishte i trazuar nga ashpërsia e fjalëve të shprehura në kuvendin republikan.

“Millosheviqi kishte arsye të mira për të qenë i hidhëruar. Një brez i madh, si Sllovenia, Bosnja dhe Kroacia, po i ikte kontrollit të tij. Humbja e Kosovës ishte dëmi më i madh që mund t’i shkaktohej kryetarit të Jugosllavisë së mbetur, pasi ai kishte ardhur në pushtet me një fjalor ksenofobik që paraqiste krahinën si djep të religjionit dhe kulturës së popullit serb”, thotë John Norris.

Kësaj radhe, Millosheviqi po pranonte një marrëveshje edhe më të keqe se ajo në Rambouillet. Ndërsa Çernomërdini u nis për në Moskë, Ahtisaari shkoi në Bonn, ku do të pritej si triumfues.

Ndërsa delegacioni i Talbottit po nxitonte drejt aeroportit, ai dhe zyrtarët e Ministrisë së Jashtme gjermane u përfshinë në një zënkë të vogël rreth logjistikës së takimit midis nënsekretarit dhe Ahtisaarit. Gjermanët, si nikoqirë të takimit të BE-së, nuk dëshironin që Talbott të takohej me Ahtisaarin para se presidenti finlandez t’i informonte kolegët e tij, shefat e shteteve të BE-së. Kancelari gjerman Gerhard Shrëder dëshironte ta shiste marrëveshjen e mundshme të paqes si një triumf të diplomacisë gjermane dhe shpresonte të shtynte çdo takim me Talbottin në margjina. Në fakt, gjermanët kishin nisur ta quajnë marrëveshjen potenciale “Marrëveshja e Petersbergut” në një përpjekje për t’i vënë vulën Shrëderit në diplomaci.

Delegacioni i SHBA-së arriti në aeroport rreth tridhjetë minuta para se aeroplani finlandez të prekte tokën dhe priti në një tendë të madhe VIP-ësh të ngritur për pritjen e shtetarëve të BE-së. Pak para orës 18:30, aeroplani finlandez u ul. Pas disa minutash, Ahtisaari zbriti shkallët dhe hyri në makinë bashkë me Talbottin. Ahtisaari donte të bisedonte me Talbottin. Me gjithë ankthin e gjermanëve, dy burrat thjesht qëndruan ulur në makinë dhe biseduan.

Ahtisaari ishte i kënaqur që G-8 kishte nisur përgatitjen e një projekti për rezolutën e OKB-së për Kosovën, ndërsa kërkonte nga gjenerali Foglesong që të mos largoheshin nga bisedimet me gjeneralët serbë derisa të arrihej marrëveshja.

Milosheviqi nuk arriti të realizonte qëllimet e veta dhe në fund u ndalua. Shikimi i bashkësisë ndërkombëtare u kthye përpara, te angazhimi i ardhshëm i ushtarëve paqeruajtës dhe rreziqet e këtij angazhimi në Ballkan, si dhe nevoja për krijimin e një rendi stabil paqësor në rajon.

Marrëveshja ushtarake-teknike dhe Rezoluta 1244

Paralelisht me negociatat e G-8 dhe ato ruso-amerikane, në Kumanovë kishin filluar bisedimet midis gjeneralëve të NATO-s dhe atyre serbë, pak përtej kufirit të Kosovës, në Bllacë të Maqedonisë. Gjenerali Mike Jackson u ngarkua të zhvillonte bisedimet për një marrëveshje teknike-ushtarake, lidhur me mënyrën e tërheqjes së trupave serbe nga Kosova. Pak para orës 22:00, gjenerali Jackson doli përpara mediave dhe tha:
“Kam një lajm shumë të mirë”. Ai njoftoi se marrëveshja teknike-ushtarake ishte nënshkruar: “Vendosmëria e NATO-s për të kryer një fushatë të qëndrueshme ajrore më në fund arriti këtë marrëveshje dhe tani është koha të shohim përpara”.

Por, ndërsa serbët nënshkruanin atë që, në fakt, përbënte një marrëveshje më të keqe se ajo e Rambujesë me siguri që duhet të kenë ndjerë siç thotë Tim Judah, praninë e hijeve të gjyshërve të vet - të cilët kishin pushtuar Kosovën më 1912 në betejën vendimtare të Kumanovës në tetor të vitit 1912.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, NATO-ja mori përgjegjësinë për sigurinë në Kosovë. Gjenerali Jackson, si komandant i KFOR-it, mori autorizim të gjerë, me “autoritet për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të krijuar dhe mbajtur një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës”, duke përfshirë përdorimin e forcës ushtarake.

Marrëveshja krijoi një zonë tampon tokësore prej pesë kilometrash brenda Serbisë dhe Malit të Zi, e cila do të konsiderohej zonë e ndaluar për forcat serbe dhe malazeze. Për më tepër, të gjithë avionët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore serbe duhej të tërhiqeshin nga një zonë prej 25 kilometrash përtej kufirit të Kosovës në pjesën tjetër të Serbisë dhe Malit të Zi.

KFOR-i mori kontrollin e kufijve të Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke siguruar që Beogradi nuk do të kishte ndikim në përcaktimin e mënyrës së kthimit të refugjatëve në Kosovë.

Sapo të fillonte një “tërheqje e verifikueshme”, do të urdhërohej ndalimi i bombardimeve të NATO-s. Sipas gjeneralit Wesley Clark, Milosheviqi luajti njërën nga letrat e tij të fundit: ai dëshironte të prolongonte tërheqjen e forcave serbe, përderisa KFOR-i të mos ishte i pranishëm në terren. Por KFOR-i nuk mund të ishte i pranishëm në terren përderisa nuk ekzistonte një rezolutë e Këshillit të Sigurimit, dhe rezolutë nuk mund të kishte përderisa bombardimet nuk ndaleshin, por nuk duhej ndalur bombardimi përderisa serbët nuk tërhiqeshin. Clark i tërhoqi vërejtje Solanës se ky hap, eventualisht, mund të shkatërronte marrëveshjen. Ai kërkoi nga gjenerali Jackson që të bënte gjithçka të mundur për t’i vazhduar bisedimet.

Sulmet ajrore të NATO-s u ndalën vetëm me pranimin zyrtar të Marrëveshjes teknike-ushtarake të Kumanovës. Në orën shtatë e gjysmë të mëngjesit të 10 qershorit, delegacioni i Talbott zbarkoi në Moskë. Vizita ishte planifikuar të ishte e shkurtër. Delegacioni amerikan u nda në dy grupe: gjysma shkoi për diskutime ushtarake mbi detajet e pjesëmarrjes ruse në KFOR, ndërsa të tjerët, përfshirë Talbottin, shkuan për t’u takuar me Chernomyrdin. Në orën njëmbëdhjetë, në zyrën 503 të Ministrisë së Jashtme ruse filluan bisedimet ushtarake.

Para takimit, gjenerali rus Ivashov deklaroi për gazetarët se “kontingjenti rus është nën komandën ruse” dhe “nuk mund të jetë ndryshe”. Ai insistohej që Rusia të merrte përgjegjësinë për një sektor gjeografik për patrullim në Kosovë, po ashtu si Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia. Ivashov nuk pranonte që trupat ruse të shërbenin nën komandën e NATO-s. Ministria ruse e Mbrojtjes kishte dhënë sinjale kontradiktore për numrin e trupave që do të angazhoheshin në KFOR — nga 2,500 deri në 10,000 ushtarë. Gjatë ditës kishte raporte se ministri i Mbrojtjes Sergeyev kishte lëshuar urdhra paraprakë për vendosjen në Kosovë të trupave ajrore nga tre divizione.

Rreth mesditës, Talbott u takua me Chernomyrdinin në zyrën e tij në ndërtesën e Gazprom. Të dy ishin të qetë dhe optimistë. Roli i Chernomyrdinit kishte përfunduar në masë të madhe dhe ai nuk merrte pjesë në negociatat për rolin e Rusisë në KFOR.

Talbott bëri të qartë se Rusia nuk do të merrte një sektor të caktuar në Kosovë, por do të kishte një zonë ku roli i saj do të ishte “i dukshëm”. I pyetur për mundësinë e një dislokimi të njëanshëm të forcave ruse, Talbott theksoi se kjo do të ishte “mjaft e rrezikshme”.

Siç shkruan John Norris, rreth orës dy pasdite, bisedimet ushtarake-amerikano-ruse në Ministrinë e Jashtme ruse u ndërprenë për një pushim dy-orësh. Negociatorët amerikanë ishin të shqetësuar nga qasja e ashpër ruse dhe kishin frikë se nëse bisedimet dështonin, qeveria ruse mund të refuzonte të votojë për rezolutën e OKB-së. Ekipi ra dakord të vazhdonte bisedimet deri në miratimin e rezolutës (f. 230).

Presidenti Clinton foli shkurtimisht në telefon me presidentin Jelcin, duke e falënderuar për bashkëpunimin. Ai vuri në dukje se tërheqja e serbëve kishte filluar, bombardimi ishte pezulluar dhe miratimi i rezolutës së OKB-së ishte i pashmangshëm. Jelcin komentoi: “Do të ishte një tragjedi e vërtetë për ne nëse rrugët tona do të ndaheshin, sepse kemi punuar për shumë vite”. Të dy nuk diskutuan vështirësitë e vazhdueshme për rolin e Rusisë në KFOR dhe nuk pati aluzion për dislokimin e forcave ruse nga Bosnja.

Në Bosnjë, komandanti i kontingjentit paqeruajtës rus thirri një takim urgjent të stafit për të diskutuar lëvizjen e operacionit “Kali i Trojës”, që ruhej ngushtë nga forcat në Kosovë. Marshimi ishte planifikuar të fillonte më 11 qershor, në orën katër të mëngjesit.

Në anën tjetër, zyrtarët e NATO-s vonuan planin e dislokimit në Kosovë, pasi prisnin ende mbërritjen e marinës amerikane nga Greqia. Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin bartur pjesën më të madhe të peshës ushtarake të fushatës ajrore, nuk donin të lejonin hyrjen e forcave evropiane në Kosovë pa praninë e tyre. Gjenerali Jackson u tërbua nga vonesa, megjithatë një pengesë prej tridhjetegjashtë orësh nuk pritej të kishte pasoja të mëdha.

Milosheviqi luhatet

Në të njëjtën kohë, presidenti Martti Ahtisaari u ftua sërish për t’i shpjeguar Millosheviqit logjikën dhe detajet e marrëveshjes, duke thyer kështu bllokadën në bisedime. Kjo gjithashtu frenonte ndryshimet eventuale nga ana e NATO-s. Sipas Ahtisaarit, ai zhvilloi disa biseda telefonike me Millosheviqin më 6, 7 dhe 9 qershor.

“Kryesisht diskutuam për marrëveshjen ushtarak-teknike, të cilën përfaqësuesit e NATO-s dhe Jugosllavisë po përpiqeshin ta hartonin për kufirin mes Maqedonisë dhe Kosovës. U përpoqa t’i shpjegoja Millosheviqit, pa hamendje, se bombardimet mund të ndalen vetëm kur kjo marrëveshje të jetë gati dhe të fillojë tërheqja e verifikuar e forcave jugosllave nga Kosova. Pas kësaj, Këshilli i Sigurimit duhet të miratojë rezolutën e vet. Me atë rezolutë do të formohej KFOR-i dhe organizatat e tjera të nevojshme për operacionin në Kosovë,” kujton Ahtisaari.

Milosheviqi insistonte se fillimi i tërheqjes do të ishte i mjaftueshëm për ndërprerjen e bombardimeve dhe për vendimin e Këshillit të Sigurimit. Ishte e qartë se ai dëshironte të vononte nënshkrimin e marrëveshjes ushtarake-teknike. Refuzimi i Millosheviqit për pranimin e KFOR-it në Kosovë pa miratimin e Këshillit të Sigurimit tregonte se kishte një plan të fshehtë. Sipas Ahtisaarit, vonesa e tij mund të lidhej me inkursionin e njësive ruse nga Bosnja në Kosovë, si dhe me dëshirën që ndërprerja e bombardimeve të shpallej menjëherë dhe të ishte e përhershme, në kundërshtim me qëndrimin e NATO-s, e cila kërkonte që ndërprerja të ishte e kushtëzuar nga zbatimi i marrëveshjes dhe miratimi i rezolutës nga Këshilli i Sigurimit. NATO nuk dëshironte të lejonte që Rusia të pengonte në çastin e fundit formimin e KFOR-it, pasi ndërprerja e bombardimeve tashmë ishte në fuqi dhe aerodromi i Prishtinës po merrej nën kontroll.

Milosheviqi nuk mund ta kuptonte logjikën e kësaj renditjeje. Sipas tij, nuk mund të diskutohej për detyrat e KFOR-it apo për çështje ushtarake-teknike para se të formohej ai. Sipas Millosheviqit, nuk mund të anashkalohej Këshilli i Sigurimit duke u marrë vesh direkt me NATO-n.

Në ndërkohë, Jackson njoftoi Clark-un se serbët ishin larguar nga bisedimet, ndërsa Washingtoni po punonte ende për pjesëmarrjen e rusëve dhe për masat që duhej marrë në rast se serbët ndalonin tërheqjen pas ndërprerjes së fushatës ajrore të NATO-s. Pentagoni dukej i gatshëm të mbështeste rifillimin e bombardimeve në rast se serbët nuk respektonin marrëveshjen, si dhe mbështeste rekomandimin e gjeneralit Clark që rusët të mos kenë sektor të veçantë. Në këtë periudhë, vendi i takimit u transferua në Kumanovë, në Maqedoni.

Marrëveshja nuk arriti të finalizohej për shkak të qëndrimit të ngurtë të palëve. Kështu kaluan 7 dhe 8 qershori. Orvatjet e fundit u bënë më 9 qershor, kur negociatorët ishin gati të hiqnin dorë, por Talbott dhe Ahtisaari dhanë urdhër për vazhdim. Pas përfundimit të punës së G-8, marrëveshja ushtarake u nënshkrua në orën 22:00 të mbrëmjes. Nënshkrues ishin komandanti i KFOR-it, gjeneral Mike Jackson, përfaqësuesi i Shtatmadhorisë jugosllave, gjeneral kolonel Markanoviq, dhe për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, gjeneral kolonel Stefanoviq.

Marrëveshja e Kumanovës mbështetej në ofertën paqësore të pranuar nga Millosheviqi dhe qeveria jugosllave, duke u fokusuar kryesisht në marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe KFOR-it. KFOR-i kishte autorizim për të vepruar pa pengesa në Kosovë dhe për të ndërmarrë çdo masë të nevojshme, përfshirë përdorimin e forcës, për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë kosovarët.

Sipas marrëveshjes, forcat serbe nuk mund të hynin në territorin e Kosovës pa lejen e komandantit të KFOR-it. Gjithashtu, gjatë tërheqjes, forcat jugosllave-serbe nuk guxonin të ushtronin dhunë apo provokime dhe ishin të detyruara të shënonin dhe largonin fushat e minuara dhe kurthet. Tërheqja duhej të fillonte nga pjesët veriore të Kosovës dhe hyrja e KFOR-it do të koordinonte me tërheqjen e forcave jugosllave. Marrëveshja përcaktonte gjithashtu se KFOR-i do të kontrollonte kufijtë e Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Megjithatë, siç pranoi edhe gjenerali Clark, pika e dobët ishte mungesa e njohjes eksplicite të komandës dhe kontrollit të NATO-s, çka kërkonte ende negociata me rusët për të përcaktuar pjesëmarrjen e tyre në Kosovë. Ishte tashmë e njohur se rusët kërkonin sektorin e tyre në veri të Kosovës, nën komandën e një oficeri rus.

Ndërkohë, Talbott dhe ekipi i tij u nisën për në Moskë për të diskutuar mënyrën e stacionimit të forcave ruse në Kosovë. Ushtria ruse, nën komandën e gjeneralit Leonid Ivashov, propozonte një forcë të përbashkët Rusi-NATO, me udhëheqje nga Këshilli i Përhershëm i Bashkuar, një organ konsultativ NATO-Rusi, ku Rusia do të kishte sektorin e saj. Rusët gjithashtu kërkonin sqarime për statusin e Aeroportit të Prishtinës.

Më 8 qershor 1999, ministrat e G-8 nisën ditën e dytë të takimeve mbi projekt-rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pas diskutimeve intensive, ministri i Jashtëm rus, Sergej Ivanov, njoftoi se Rusia kishte pranuar sërish tërheqjen totale të forcave serbe nga Kosova. Në të njëjtën kohë, u bë e qartë se Rusia kishte zbutur tonin e tekstit të rezolutës për Kosovën. Megjithatë, në draftin fillestar mungonte një referencë kyçe për NATO-n. Për këtë arsye, sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, u shpreh për gazetarët: “Aneksi i kësaj rezolute përmban rolin kryesor të NATO-s, dhe NATO do të jetë udhëheqësja ushtarake”, shkruan Norris (f. 221).

Në negociata, pozicionet ishin gjithmonë 7 me 1: shtatë ministrat e Jashtëm perëndimorë kundër ministrit të Jashtëm rus, Igor Ivanov, i cili rezistonte me këmbëngulje, veçanërisht në pikat që lidhnin me integritetin territorial të Jugosllavisë së mbetur, referencat për Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës dhe praninë e disa njësive serbe në Kosovë. Pikërisht dy pikat e fundit ishin për Perëndimin të domosdoshme (Tribunali) dhe të papranueshme (prania e forcave serbe).

Dy pikat kyçe të grindjes — “prania e NATO-s në Kosovë” dhe “komanda e përbashkët” — u zgjodhën në mënyrë elegante: si “Deklaratë e kryesuesit në përfundim të takimit të ministrave të Jashtëm në Petersberg më 6 maj 1999”, ashtu edhe dokumenti i Ahtisaarit në Beograd, që u pranua nga Millosheviqi, u përfshinë si Ankesat I dhe II në rezolutën e Këshillit të Sigurimit, të cilave rezoluta do t’u referohej në mënyrë pozitive. Siç kujton Fischer, në Ankesën II ishte shkruar me të bardhë në të zi:
“4. Prania ndërkombëtare e sigurisë, me pjesëmarrjen substanciale të NATO-s, duhet të vendoset nën një komandë të përbashkët dhe duhet të jetë e autorizuar, që të krijojë një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë dhe të lehtësojë kthimin e sigurt të të gjithë të dëbuarve dhe refugjatëve në atdheun e tyre”.

Derisa më 10 qershor shumica e ushtarakëve në NATO ishin të fokusuar në verifikimin e tërheqjes së forcave serbe dhe në pezullimin e bombardimeve, askush prej nesh nuk e kishte kuptuar plotësisht sa shpejt po zhvilloheshin ngjarjet në Moskë. Në Washington ekzistonte shqetësimi se rusët mund të mbajnë peng rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke e përdorur atë si një mjet për të fituar një sektor të veçantë për vete. Për këtë arsye, Washingtoni këshilloi mençur Strobe Talbotin që të zhyste rusët në diskutime dhe t’i mbajë aty derisa rezoluta të miratohej në Nju-Jork. Për çudi, sipas Clarkut, rusët nuk e bllokuan rezolutën kur ajo u paraqit për miratim, pa asnjë arsye të dukshme.

Reagimi brenda NATO-s ndaj rezolutës së OKB-së ishte ngazëllues. Ministri i Jashtëm gjerman, Fischer, e quajti marrëveshjen "përparim të vërtetë" dhe "një hap shumë vendimtar drejt paqes". Ivanov u qetësua, por pa u kënaqur plotësisht: "Ky lloj dokumenti vështirë se i kënaq ata që marrin pjesë në negociata", tha ai.

Megjithatë, rezoluta nuk e qartësoi rolin e Rusisë në KFOR, kështu që kjo çështje u la sërish për negociata të mëvonshme. Sekretarja amerikane e shtetit ra dakord se ishte një temë shumë e rëndësishme, duke theksuar se po dërgonte zëvendëssekretarin Talbot dhe një ekip ekspertësh ushtarakë në Moskë për bisedime me Ivanov dhe zyrtarë të tjerë rusë. Albright kërkoi garanci që negociatorët rusë do të pajiseshin me udhëzime të qarta.

Në mbrëmjen e 10 qershorit në Moskë, Talbot u takua me kryeministrin rus Sergei Stepashin, i cili e krahasoi shmangien e përshkallëzimit në Kosovë me krizën e Kubës. Gjatë takimit, Talbot mori një njoftim se Këshilli i Sigurimit kishte miratuar rezolutën për Kosovën me 14 vota pro dhe vetëm Kina abstenoi. Talbot e konsideroi këtë një fitore të mundshme për të dyja palët, duke theksuar suksesin e diplomacisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ekipet ushtarake kishin punuar për javë të tëra për të përcaktuar se si Rusia mund të merrte pjesë në KFOR. Talbot vlerësoi dëshirën e Rusisë për të vendosur trupat e saj në pjesën veriore të Kosovës, por nënvizoi se bashkëpunimi me kontingjentet ndërkombëtare, përfshirë ato të NATO-s, ishte jetik.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme u zhvilluan bisedime të mëtejshme midis ushtarakëve amerikanë dhe rusë. Gjenerali Ivashov, i liruar nga ndikimi i Çernomirdinit, u shpreh ashpër se Rusia kishte bërë kompromis vazhdimisht, dhe tani NATO-ja duhej të bënte të njëjtën gjë. Ai paralajmëroi se KFOR-i nuk do të vendosej derisa të arrihej një marrëveshje për rolin e Rusisë dhe se, nëse NATO-ja hynte në Kosovë pa marrëveshje me Moskën, Rusia do të vepronte në mënyrë të njëanshme.

Në Moskë, Talbot mbajti dy konferenca për shtyp në rezidencën e ambasadorit amerikan, duke theksuar rëndësinë e unitetit të komandës në Kosovë dhe duke deklaruar se gjithë territori do të ishte nën një komandë të përbashkët. Ai shtoi se Rusia nuk kishte interes për ndarjen e Kosovës.

Në Washington, presidenti Bill Clinton iu drejtua kombit në orën 20:00, duke thënë: "Sonte, për herë të parë pas 79 ditësh, qiejt mbi Jugosllavi janë të heshtur. Ushtria serbe dhe policia po tërhiqen nga Kosova. Një milion burra, gra dhe fëmijë të dëbuar po përgatiten të kthehen në shtëpi".

Clinton vazhdoi duke përmendur tri qëllimet e qarta të ndërhyrjes: sigurimi i kthimit të sigurt dhe vetëqeverisjes për popullin kosovar, largimi i forcave serbe përgjegjëse për mizoritë, dhe vendosja e një force ndërkombëtare sigurie me NATO-n në krye.

Në orët e para të 11 qershorit, gjenerali Kejsi në Moskë mori një telefonatë urgjente nga major Ken Chance: një batalion rus me rreth 186 paqeruajtës nga Bosnja po përgatitej të lëvizte. Komandanti i NATO-s në Bosnjë kërkoi që rusët të mos kalonin në Serbi, por nuk kishte asnjë kufizim ligjor që ta ndalonte këtë.

Clark paralajmëroi se nëse rusët hynin të parët në Kosovë, do të kërkonin sektorin e tyre dhe NATO-ja do të humbiste kontrollin mbi misionin. Në mëngjes, Talbot u takua me ministrin rus Ivanov, i cili deklaroi se Rusia ose do të arrinte marrëveshje me NATO-n për pjesëmarrje në KFOR, ose nuk do të dërgonte trupa fare. Ai siguroi se nuk do të kishte dislokim të njëanshëm.

Atmosfera në bisedimet ushtarake ishte konfrontuese. Gjenerali Foglesong i NATO-s theksoi rolin udhëheqës të NATO-s në KFOR, ndërsa gjenerali Ivashov kundërshtoi duke thënë se rezoluta e OKB-së nuk ia jepte NATO-s këtë rol dhe se Rusia kishte të drejtë të dërgonte trupa në Kosovë pa lejen e NATO-s.

Foglesong paralajmëroi: “Nëse veproni vetëm, ky është kërcënim. Unë do ta raportoj këtë në Washington”. Ivashov këmbënguli se forcat ruse do të hynin në veri të Kosovës në mënyrë të njëanshme dhe se nuk kishin nevojë për leje nga NATO-ja.

Diplomatët rusë kërkuan leje nga Hungaria dhe Ukraina për të kaluar me avionët transportues, një kërkesë që zyrtarët hungarezë e trajtuan si rutinë, por ata ukrainas u treguan të dyshimtë. Më pas u raportua se 300 parashutistë rusë po dërgoheshin në Kosovë.

Në ora 11:00 delegacioni amerikan u takua në Kremlin me Vladimir Putinin, atëherë këshilltar për sigurinë kombëtare dhe president i ardhshëm i Rusisë. Talbot paralajmëroi se një veprim i njëanshëm rus mund të çonte në konfrontim ushtarak. Putin minimizoi shqetësimin dhe injoroi kërcënimin duke pyetur me përçmim: "Kush është ky Ivashov?"

Megjithëse Putini kishte premtuar një orë më parë se do të lëshonte një deklaratë qetësuese, ai nuk e bëri këtë.

Ndërsa delegacioni amerikan largohej nga Moska, Clark kërkoi nga Pentagoni leje për opsione ushtarake ndaj lëvizjes ruse. Ai ishte i vendosur që NATO-ja nuk duhej të lejonte që pas fitores kontrolli në veri të Kosovës t’i kalonte trupave ruse, të cilët dyshohej se vepronin në koordinim me Millosheviqin. Clark njoftoi Solanën dhe kërkoi autorizim për të lëvizur drejt aeroportit të Prishtinës. Solana konfirmoi: “Ju keni autoritetin. Ju jeni komandanti suprem”.

Clark i dha urdhër komandantit të KFOR-it, gjeneralit Michael Jackson, për të përgatitur një operacion ajror në Aeroportin e Prishtinës dhe kërkoi vendosjen urgjente të katër kompanive me helikopterë për të siguruar që rusët të mos marrin kontrollin e aeroportit.

Në atë kohë, sekretarja Albright ndodhej në kampin e refugjatëve Stenkovac në Maqedoni, duke festuar fitoren dhe duke u thënë refugjatëve kosovarë: "Milosheviqi dhe serbët kanë humbur kontrollin mbi Kosovën. Ju do të ktheheni në shtëpi dhe do të jetoni një jetë normale".

Synimi fillestar i KFOR-it ishte sigurimi i aeroportit të Sllatinës pranë Prishtinës, i cili do të shërbente si selia e misionit - një objektiv që synohej edhe nga rusët. Ndërkohë, forcat serbe në tërheqje vazhduan plaçkitjet dhe bllokuan rrugët me autokolona. Serbët civilë që po iknin ngjasonin me shqiptarët e dëbuar më parë, por ndryshe nga ata, ata mundën të marrin me vete pasuritë e tyre. Rusia vazhdoi mobilizimin.

Përfaqësuesit ushtarakë amerikanë e rusë, gjeneralët Fogelsong dhe Ivashov, u takuan në Moskë më 11-12 qershor. Me ta ishte edhe kontraadmirali Skeala, i cili kishte ardhur nga negociatat në Kumanovë. Në këtë takim duhej të arrihej një ujdi për strukturën komanduese të KFOR-it dhe për pozicionin e njësive ruse në mision.

Moska rriti presionin diplomatik mbi Kievin. Karvani prej 186 trupash ruse nga Bosnja kaloi lumin Drina dhe hyri në Serbi rreth orës 10:30 sipas orës lokale - pikërisht në momentin kur Talbott dhe ekipi i tij u larguan nga Moska. Zyrtarët policorë dhe ushtarakë jugosllavë bënë gjithçka për të lehtësuar lëvizjen e trupave ruse.

Gjatë fluturimit me avionin e Forcave Ajrore, delegacioni amerikan mori një mesazh urgjent nga gjenerali Clark, që sinjalizonte se diçka kishte shkuar keq. U zhvillua një telefonatë e sigurt me Talbott, Steinberg dhe Ralston, pasuar nga diskutime të tensionuara me zyrtarë të lartë në Uashington, Maqedoni dhe në avion. Kishte shqetësim të madh se lëvizja e trupave ruse mund të rrezikonte marrëveshjen e paqes dhe të çonte në ndarjen e Kosovës.

Pak pas mesditës në Maqedoni, Albright zhvilloi një bisedë të tensionuar me ministrin e Jashtëm Ivanov, duke kundërshtuar ashpër lëvizjen e trupave ruse. Ivanov mohoi praninë e tyre në Kosovë dhe theksoi dëshirën e Rusisë për një marrëveshje me NATO-n, duke e paraqitur situatën si politike, jo ushtarake. Për ta qetësuar, ai i tha: “Madeleine, nuk do të ketë surpriza”.

Me gjithë përpjekjet e shumta të Igor Ivanovit, forcat ruse, rreth orës 02:00 të 11 qershorit, hynë në Prishtinë, ku u pritën me ovacione nga serbët. Pavarësisht premtimeve të Ivanovit, po atë natë trupat ruse pushtuan Aeroportin e Prishtinës. Pushtimi i aeroportit nuk mund të nënkuptonte asgjë tjetër përveçse që rusët po prisnin përforcime ajrore nga Rusia, gjë që mund të çonte në një konfrontim të drejtpërdrejtë dhe të rrezikshëm me SHBA-në dhe NATO-n.

Në memoaret e tij, Strobe Talbott përshkruan negociatat që pasuan, të cilat zgjatën orë të tëra me Ministrinë e Jashtme ruse dhe gjatë një nate të gjatë në Ministrinë e Mbrojtjes. Talbott përshkruan bindshëm se gjatë atyre ditëve në Moskë krijohej një situatë e jashtëzakonshme, që ishte afër rebelimit të ushtarakëve rusë kundër udhëheqjes politike. Ai tregon se udhëheqja politike kishte njohuri të kufizuara, apo as fare, për planet që një rreth shumë i ngushtë gjeneralësh rusë kishte bërë në Bosnjë dhe Kosovë, përfshirë marrëveshjet e fshehta me gjeneralët serbë për tërheqjen e forcave serbe nga Kosova.

Dukej qartë se Kosova synohej të ndahej në sektorë të NATO-s dhe një sektor rus, gjë që do të sillte ndarjen e saj. Ministri i atëhershëm i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, gjatë bisedave në Moskë me Igor Ivanovin nuk mund ta largonte përshtypjen se udhëheqja politike ruse nuk e kishte situatën nën kontroll.

Situata u bë më e rrezikshme kur u konfirmua se qeveria ruse kishte kërkuar leje nga Hungaria, Rumania dhe Bullgaria që aeroplanët transportues “Antonov” të kalonin në hapësirën ajrore të këtyre vendeve. Synimi ishte të dërgoheshin rreth 20,000 ushtarë në Kosovë apo Bosnjë, për t’u futur më pas në Kosovë me rrugë tokësore.

Por dilema për vendet anëtare të NATO-s ishte çfarë të bënin nëse rusët vendosnin të fluturonin? A do t’i ndalonin SHBA-ja dhe NATO-ja të aterronin? A do ta pengonin zbritjen në tokë? Apo madje t’i rrëzonin avionët në ajër? Në atë kohë po formësohej një dramë me pasoja të paparashikueshme.

Në memoaret e tij, Talbott e përshkruan kështu situatën: “Kam kaluar shumë net pa gjumë për shkak të Rusisë gjatë gjashtë vjetëve të fundit, por kjo ishte hera e parë që ndjeva ankth të vërtetë. Dhe nuk isha i vetëm…”

Pas orës 14:00, delegacioni i Talbott-it mbërriti në Moskë dhe shkoi në Ministrinë e Jashtme, por nuk ishte e sigurt nëse Ivanov do t’i priste, pasi ishte në një takim me ministrin austriak. I irrituar nga vonesa, ekipi shkoi në ambasadën amerikane, ku në zyrën e ambasadorit Collins panë në CNN autokolonën ruse që lëvizte shpejt në autostradën jugosllave, me ushtarë që përshëndesnin turmat me shenjën me tre gishta dhe automjete të shënuara me “KFOR” mbi mbishkrimet “SFOR” nga Bosnja.

Kontingjenti rus kaloi kufirin e Kosovës tri orë e gjysmë përpara njësive të para të NATO-s. Marshi rus nëpër Serbi ishte një aksion befasues dhe i ndërmarrë pa paralajmërim.

Talbott dhe gjenerali Foglesong nisën menjëherë telefonata të sigurta me Uashingtonin; Talbott foli me Sandy Berger, ndërsa Foglesong me gjeneralin Ralston. Në ambientin e sigurt të ambasadës në Moskë, atmosfera ngjante me kohën e Luftës së Ftohtë. Jim Steinberg theksoi shqetësimin për mundësinë e bllokimit të lëvizjes ruse nga SFOR dhe ndalimin e përforcimeve nga ajri, pasi Rusia po përgatiste transportin e trupave, çka u konfirmua nga kërkesat për leje fluturimi.

Gjenerali Clark besonte se NATO-ja duhej t’i ndalonte rusët, edhe nëse kjo nënkuptonte përballje ushtarake. Por gjenerali Ralston urdhëroi të mos ndërmerrej një operacion i madh drejt Sllatinës, duke theksuar: “Ky nuk duhet të jetë një konfrontim ushtarak”. Clark shqetësohej se një forcë e vogël mund të surprizohej nga serbët apo rusët. Ai bisedoi me gjeneralin Jackson, i cili kishte 600 parashutistë gati dhe planifikonte të paralajmëronte serbët një orë para nisjes drejt aeroportit.

Zyrtarët amerikanë ushtruan presion diplomatik për t’i ndaluar rusët të merrnin leje fluturimi nga vendet kufitare me Kosovën. Mark Grossman dhe ambasadori Sandy Vershbow kontaktuan qeveritë rajonale për t’i bllokuar kërkesat ruse. Në Hungari, përfaqësuesi amerikan zbuloi me shqetësim se leja për fluturim ishte dhënë tashmë, ndërsa statusi i avionëve rusë mbetej i paqartë. Ministria e Jashtme hungareze dha udhëzime urgjente për të bllokuar çdo fluturim rus të pashkaktuar. Në Bullgari, SHBA-ja paralajmëroi për një kërkesë të mundshme dhe bullgarët konfirmuan se kërkesa ishte bërë, por miratimi do të zgjaste. Në Ukrainë, presioni rus ishte i lartë dhe ndonëse leja nuk ishte dhënë ende, ukrainasit ngurronin ta refuzonin për shkak të precedentit të Hungarisë. Zyrtarët amerikanë vazhduan përpjekjet për të bllokuar fluturimet.

Bullgaria, Rumania dhe Hungaria ndaluan fluturimet e forcave ajrore ruse, duke i penguar që të dërgonin forca shtesë në Kosovë dhe të organizonin furnizimin e kontingjentit të tyre në Prishtinë. Rreth orës 17:00 në Moskë, delegacioni amerikan u kthye në Ministrinë e Jashtme ruse. Talbott i kërkoi Ivanovit konfirmim se Rusia nuk do të hynte njëanshëm në Kosovë. Ivanov u përgjigj shkurt: “Po”

Siç shpjegon John Norris, tensionet mes Rusisë dhe NATO-s gjatë negociatave për rolin rus në Kosovë pasqyronin synimin e Rusisë për të krijuar një sektor ushtarak të vetin. Ministri i Jashtëm rus kërkonte një rol më të barabartë në strukturën komanduese, jo domosdoshmërisht përmes pranisë ushtarake, por përmes bashkëudhëheqjes. Megjithatë, Talbott theksoi se lëvizjet e njëanshme të trupave ruse shqetësonin perceptimin ndërkombëtar, pasi Rusia po vepronte jashtë kornizës shumëpalëshe dhe po shihej si mbrojtëse e serbëve, jo e gjithë popullsisë së Kosovës (Norris, f. 249).

Talbott shprehu irritim për simbolet serbe që shfaqeshin nga trupat ruse në CNN, duke theksuar se kjo nuk është sjellje e paanshme për paqeruajtësit. Ai theksoi përpjekjet maksimale të gjeneralëve Foglesong dhe Casey për të adresuar shqetësimet ruse dhe se marrëveshja ushtarake e Kumanovës i jepte gjeneralit Jackson autoritet të gjerë mbi të gjitha trupat në Kosovë.

Talbott propozoi një zgjidhje me dy hapa: së pari, një marrëveshje afatshkurtër që lejonte forcat ruse të bashkoheshin menjëherë në vendosjen fillestare të KFOR-it.

Sipas Martti Ahtisaarit, kishte arsye të forta për të presupozuar se udhëheqjet ushtarake ruse dhe jugosllave kishin arritur një marrëveshje të fshehtë sipas së cilës Rusia do të merrte kontrollin e Prishtinës dhe zonave veriore të Kosovës, për të krijuar aty një sektor të vetin. Qëllimi i përbashkët ishte që, gjatë periudhës kalimtare pas luftës - veçanërisht trevjeçari pas mbarimit të konfliktit - të pengohej shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Në këtë kuadër, Serbia shpresonte që, me ndihmën e forcave ruse, të ruante kontrollin mbi pjesët më të rëndësishme të territorit dhe t’i popullonte ato ekskluzivisht me serbë. Sipas shumë vlerësimeve, presidenti rus Boris Jelcin ka qenë i përfshirë në këtë plan ose të paktën ka qenë në dijeni të tij. Megjithatë, Ministria e Jashtme dhe vetë qeveria ruse - përjashtuar Ministrinë e Mbrojtjes dhe ndoshta edhe atë të Brendshme - nuk ishin të informuara. As Viktor Çernomërdini, i dërguari special rus, nuk kishte dijeni për këto plane.

Lidhur me këtë situatë, Çernomërdini, i njohur për qasjen e tij më të moderuar, i drejtonte kritikat ndaj palës amerikane dhe NATO-s, të cilat, sipas tij, refuzonin të negocionin brenda kuadrit të OKB-së. Ai shkruan:
“Pala amerikane në justifikimin e saj nxirrte një argument të çuditshëm: gjoja liderët e shqiptarëve të Kosovës, kryesisht përfaqësues të UÇK-së, thoshin se nuk do të çarmatoseshin nëse ushtarakët rusë nuk do të ishin nën komandën e NATO-s. Nuk di nëse kjo ishte dinakëri apo trillim, por NATO-ja gjatë gjithë kohës përpiqej të më bindte mua dhe të tjerët se e kontrollonte plotësisht UÇK-në. Ndërsa tani del që SHBA-ja jo vetëm që nuk e kontrollon UÇK-në, por ajo gati po u vendoste kushte mbrojtësve të saj”.

Sipas emisarit rus, luftëtarët e UÇK-së e kuptonin mirë se një kontingjent rus, me një zonë të veten përgjegjësie, do t’i pengonte realisht - jo vetëm në ndërmarrjen e akteve të hakmarrjes ndaj popullsisë serbe - por edhe në përpjekjet për ndarjen e Kosovës nga Republika Federale e Jugosllavisë.

Në një tjetër përplasje diplomatike, Madeleine Albright informoi ministrin e Jashtëm rus, Igor Ivanov, se Strobe Talbott do të kthehej në Moskë për të rifilluar bisedimet. Ivanov premtoi se trupat ruse nuk do të hynin në Kosovë pa një marrëveshje paraprake. Albright theksoi se ishte e papranueshme për SHBA-në dhe NATO-n që Rusisë t’i jepej një sektor më vete, dhe se kjo çështje duhej të diskutohej në mënyrë të detajuar me Talbottin dhe gjeneralin Foglesong pas kthimit të tyre në Moskë.

Pranimi i shpejtë dhe i çuditshëm i marrëveshjes nga Milosheviqi

Ky plan rus mund të shpjegojë faktin që Sllobodan Milosheviqi dhe udhëheqja jugosllave, në mënyrë befasuese, pranuan shumë shpejt ofertën e paqes të paraqitur nga Ahtisaari dhe Çernomërdini në Beograd. Ky veprim mund të lidhet edhe me zvarritjen taktike të Milosheviqit dhe gjeneralëve të tij në negociatat ushtarako-teknike, e cila u krijoi hapësirë rusëve për të përgatitur operacionet e tyre. Kjo, sipas Ahtisaarit, ndodhi edhe nëse zgjatja e bombardimeve nuk ishte më në interes të Jugosllavisë së mbetur.

Një fragment domethënës nga libri Collision Course: NATO, Russia, and Kosovo i autorit John Norris, ndriçon këto prapaskena diplomatike dhe strategjike në fund të luftës së Kosovës në vitin 1999. Norris nxjerr në pah përpjekjet ruse - në bashkëpunim me Milosheviqin - për të ndikuar në ndarjen de facto të veriut të Kosovës, përmes një pranie të pavarur ushtarake ruse në atë territor.

Sipas Norrisit, vetë presidenti finlandez Martti Ahtisaari - një figurë kyçe në përpjekjet për paqe - ka shprehur bindjen se arsyeja e vetme pse Milosheviqi pranoi marrëveshjen e paqes ishte pikërisht ky plan rus për ndarjen territoriale të Kosovës. Ai vë në dyshim çdo motivim tjetër racional, duke theksuar se Rusia kishte mbajtur një qëndrim të palëkundur për të mos u përfshirë në një komandë të përbashkët të KFOR-it, siç ishte diskutuar në Petersberg, për shkak të synimit të saj për një sektor të veçantë në veri të Kosovës.

Ky episod përfaqëson një moment kritik në diplomacinë ndërkombëtare, ku tensionet mes aleatëve perëndimorë dhe Rusisë për të ardhmen e Kosovës ishin shumë të larta. Planet për ndarje etnike dhe kontroll të territorit bartnin rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit. Nga kjo perspektivë, pranimi i marrëveshjes së paqes nga Serbia duket të ketë qenë më shumë rezultat i një kalkulimi gjeopolitik sesa i ndonjë presioni humanitar apo ushtarak.

Synimet për një tjetër “Republikë Serbe”

Më 7 qershor 1999, komandanti i forcave paqeruajtëse ruse në Bosnjë, gjeneralmajor Roman Yepifanov, njoftoi trupat e tij se duhej të përgatiteshin për një lëvizje të shpejtë, pasi operacioni ishte konceptuar për të ndikuar në negociatat me NATO-n. Moska e kishte udhëzuar gjeneralin që të ruante një shkallë të lartë fleksibiliteti – në çdo moment mund të kërkohej përshpejtimi i hyrjes së trupave ruse në Kosovë.

Këtë qëndrim e përforcon edhe studiuesi Stephen Schwartz, i cili thekson se fitorja ushtarake e NATO-s ndaj Jugosllavisë u komplikua nga manovrat politike, diplomatike dhe ushtarake të Rusisë në Ballkan. Sipas tij, këto përpjekje kishin për qëllim të dëshmonin se Rusia ende mbetej një superfuqi botërore. Ndërkohë, eksperti i njohur i sigurisë kombëtare Zbigniew Brzezinski pohon se dorëzimi i Beogradit në qershor 1999 u ndikua ndjeshëm nga nxitja ruse për të krijuar një zonë të veçantë nën administrimin e saj, në bashkëpunim me serbët, përgjatë kufirit verilindor të Kosovës me Serbinë. Kjo zonë synonte copëtimin e Kosovës dhe transformimin e saj në një “Republikë Serbe”, të ngjashme me atë që u krijua në Bosnjë pas Marrëveshjes së Dejtonit — siç shkruan Schwartz në librin Kosovo: Background to a War.

Plani për zaptimin e Aeroportit të Prishtinës

Për të realizuar këtë objektiv, Rusia nisi një njësi ushtarake nga Bosnja përmes territorit serb, me qëllim që të zinte Aeroportin e Prishtinës përpara se trupat e NATO-s të mbërrinin atje. Gjenerali Wesley Clark, komandant suprem i forcave aleate për Evropë, ishte i vendosur të parandalonte këtë lëvizje ruse dhe për këtë kërkoi ndalimin e çdo përforcimi për trupat ruse. Ai kërkoi nga Rumania, Bullgaria dhe Hungaria të mbyllnin hapësirën ajrore për avionët rusë. Për këtë arsye, Clark urdhëroi që ambasadat amerikane në këto vende të riangazhoheshin për të theksuar rëndësinë e qëndrimit të tyre të palëkundur.

Ndërkohë, atasheu ushtarak rus në Maqedoni i dorëzoi një letër gjeneralit britanik Mike Jackson, ku pretendohej se Aeroporti i Prishtinës ishte nën juridiksionin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Clark e udhëzoi Jacksonin ta refuzonte menjëherë këtë pretendim dhe ta kthente letrën mbrapsht.

Clark vazhdoi të kontaktonte shefat e mbrojtjes dhe ambasadorët në Hungari, Rumani dhe Bullgari, për të siguruar përkrahjen e tyre në mbajtjen të mbyllur të hapësirës ajrore. Ai kujton se njëri nga komandantët e pyeti: "Çfarë do të bëjmë nëse rusët shkelin hapësirën ajrore të Hungarisë apo Rumanisë? A do t’i rrëzojmë avionët e tyre transportues?". Ishte një pyetje e rëndë, për të cilën duhej të vendosej në nivelet më të larta të komandës.

Nga ana tjetër, Washingtoni kishte organizuar një takim në Maqedoni me përfaqësuesit rusë, por edhe ky përfundoi pa sukses. Clark kishte dërguar atje Steve Covingtonin dhe gjeneralmajorin John Dallagher, të cilët raportuan se rusët kishin kërkuar një sektor të tyre dhe kishin njoftuar se do të sillnin deri në 10.000 ushtarë. Ky plan për krijimin e një zone ruso-serbe dështoi falë vendosmërisë së Shteteve të Bashkuara dhe qëndrimit të guximshëm të Bullgarisë, e cila nuk i lejoi më ish-aleatët e saj të kalonin 7.000 trupa përmes hapësirës ajrore bullgare. Bullgaria e mori seriozisht orientimin e saj drejt demokracive perëndimore dhe refuzoi bashkëpunimin ushtarak me Rusinë.

Në fund, rusët nuk arritën të aktivizonin asnjë avion dhe u shmang një përplasje e drejtpërdrejtë ushtarake midis SHBA-së dhe Rusisë. Situata e brendshme e paqëndrueshme politike në Moskë, si dhe marrëdhëniet speciale ndërmjet dy superfuqive, ndihmuan në zbutjen e krizës.

Përplasja mes Clark dhe Jackson

Vendosja e trupave ruse në Aeroportin e Prishtinës çoi në një përplasje të drejtpërdrejtë ndërmjet gjeneralit Wesley Clark dhe gjeneralit britanik Michael Jackson, i cili komandonte forcat e NATO-s në terren. Clark e urdhëroi Jacksonin që të përdorte helikopterët për të bllokuar pistën pas mbërritjes së trupave ruse. Në librin e tij, Clark kujton se e vizitoi Jacksonin në selinë e tij, një fabrikë të braktisur këpucësh, ku sapo kishte përfunduar një takim me stafin. Jackson ishte i shqetësuar dhe dukshëm i tensionuar.

Dy gjeneralët shkëmbyen mendime për autoritetin e Washingtonit kundrejt atij të Brukselit, për raportet mes komandës strategjike dhe komandës në terren, si dhe për natyrën e krizës dhe pasojat e saj.
“Zotëri, unë nuk do të marr urdhra nga Washingtoni”, i tha Jackson. Clark i kundërpërgjigj: “Pas meje qëndron sekretari i Përgjithshëm i NATO-s”.
Por Jackson u përgjigj me fjalët që tashmë janë bërë të famshme: “Zotëri, unë nuk do ta filloj Luftën e Tretë Botërore për shkakun tuaj”.

Kjo përplasje nuk ishte vetëm një mosmarrëveshje komanduese, por edhe një përplasje stilistike, përvojash dhe qasjeje ndaj krizës. Jackson ishte një komandant operacional, i fokusuar te misioni paqeruajtës. Ai e kishte izoluar kontingjentin rus në aeroport dhe nuk e shihte si të nevojshme një përballje. Sipas tij, aeroporti nuk kishte rëndësi strategjike dhe nuk ia vlente konfrontimi.

Në fund, pas ndërhyrjeve nga nivelet më të larta të NATO-s dhe shteteve anëtare, Jackson mori leje për të përdorur forca tokësore britanike - automjete të blinduara - në vend të helikopterëve "Apache", për ta bllokuar pistën. Por edhe kjo u bë me rezervë. Londra refuzoi t’i lejonte forcat britanike të vepronin ekskluzivisht nën urdhrat e NATO-s, duke treguar se urdhrat e komandës aleate ishin gjithmonë subjekt i rishikimit dhe vetos nga shtetet anëtare.

Clark përmbyll këtë episod duke theksuar se, ndonëse teknikisht nuk ishte mosbindje, rasti i Aeroportit të Prishtinës shpalosi një të vërtetë të pakëndshme: komandantët e NATO-s shpesh vepronin si marioneta, të varur nga një sërë fijesh të padukshme të tërhequra nga qeveritë përkatëse. Urdhrat e tyre ishin subjekt i negociatave të vazhdueshme dhe rishikimeve politike.

Megjithatë, sipas diplomatit amerikan James Pardew, frika e gjeneralit Jackson se mund të ndodhte një katastrofë ishte e pabazë. NATO-ja tashmë ishte e pranishme në Kosovë, por, pavarësisht bisedës telefonike midis presidentit Clinton dhe presidentit Jelcin, situata mbeti e tensionuar, pasi ende nuk ishte zgjidhur çështja e pranisë së trupave ruse në Kosovë.

Takimi në Helsinki

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, William Cohen, dhe ministri rus i Mbrojtjes, Igor Sergeyev, mbërritën në Helsinki më 16 qershor 1999, për të finalizuar marrëveshjet mbi pjesëmarrjen e Rusisë në misionin paqeruajtës të KFOR-it. Bisedimet nisën në atë që presidenti finlandez Martti Ahtisaari e përshkroi si një “atmosferë të paqëndrueshme”.

Më 17 qershor, bisedimeve iu bashkuan ministri i Jashtëm rus, Igor Ivanov, dhe sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright. Deri në fazën e fundit të negociatave, pala ruse vazhdoi të këmbëngulte për vendosjen e një force prej 10.000 trupash në Kosovë, me qëllim që të sigurohej një pozicion i barabartë me fuqitë kryesore perëndimore. Kjo kërkesë u perceptua nga një prej negociatorëve amerikanë si një blof i qëllimshëm.

Më 18 qershor, vonë në mbrëmje, pas më shumë se tridhjetë orësh negociata të vështira gjatë tre ditëve, Sergeyev dhe Ivanov udhëtuan në ambasadën ruse për të kërkuar miratimin përfundimtar nga presidenti Jelcin në Moskë. Pasi morën dritën jeshile, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia arritën më në fund një marrëveshje për rolin e forcave ruse në Kosovë. As gjenerali rus Leonid Ivashov, as gjenerali amerikan John Foglesong - dy figura kyçe në negociata - nuk morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit.

Rezultati i marrëveshjes

Në përfundim, Rusia nuk do të kishte një sektor të veçantë në Kosovë. Prania e saj ushtarake do të kufizohej në 3.600 trupa, të shpërndarë në katër sektorë ekzistues nën komandën e trupave amerikane, franceze, gjermane dhe britanike. Trupat ruse do të patrullonin pjesë në zonën jugore dhe do të vazhdonin të shërbenin krah britanikëve në Aeroportin e Prishtinës. NATO do të kishte autoritet të plotë mbi të gjitha planet e fluturimit dhe menaxhimin e hapësirës ajrore.

Marshall Sergeyev këmbënguli se Rusia do ta ruante “kontrollin e plotë politik dhe ushtarak” mbi trupat e saj, edhe pse ato do të vepronin nën komandat kombëtare të forcave të NATO-s në çdo sektor ku do të shërbenin. Kështu, duke shpërndarë forcat në disa zona, Rusia mund të pretendonte një prani të gjerë në Kosovë, edhe pse nuk kontrollonte asnjë zonë të vetme.

Përfundimisht, 3.600 trupat ruse u integruan në një forcë shumëkombëshe prej rreth 45.000 paqeruajtësish të NATO-s. Pas netësh të gjata negociatash, Rusia u detyrua të heqë dorë nga kërkesa për një sektor të pavarur. Marrëveshjet për KFOR-in i garantuan NATO-s kontrollin e plotë politik dhe operacional, ndërsa trupat ruse do t’u nënshtroheshin komandave kombëtare të vendeve udhëheqëse të secilit sektor.

Konfigurimi përfundimtar i misionit paqeruajtës në Kosovë ishte shumë i ngjashëm me atë që u aplikua më parë në Bosnjë-Hercegovinë.

Me këtë marrëveshje, përfundimisht mori fund lufta e Kosovës.

Mbarimi i luftës dhe dislokimi i trupave të NATO-s në Kosovë u shoqëruan me një valë të jashtëzakonshme rikthimi të refugjatëve shqiptarë, të cilët u kthyen në vendin e tyre në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut. Në anën tjetër, një pjesë e popullsisë serbe të Kosovës - veçanërisht ata që kishin lidhje familjare me administratën dhe forcat serbe të sigurisë - u larguan drejt Serbisë, bashkë me trupat serbe që po tërhiqeshin, nga frika e hakmarrjes së shqiptarëve.

Megjithatë, zgjidhja politike për Kosovën dhe bashkëjetesa mes grupeve të ndryshme etnike u dëshmua të ishte një sfidë shumë më e vështirë dhe afatgjatë për Perëndimin dhe Evropën - një sfidë që mbetet ende e pazgjidhur plotësisht edhe sot.