OpEd

Ftesë për optimizëm të kujdesshëm

Shumëkush në hapësirën publike të rajonit tonë ka filluar të besojë se anëtarësimi i Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE deri në vitin 2030 është me të vërtetë i mundur. Prandaj më duket e dobishme që t’ia kujtojmë vetes mësimin e vyer të procesit integrues: mbaji pritjet sa më të vogla e angazhimet sa më të mëdha

Ne si qytetarë merremi çdo ditë me deklaratat publike të politikanëve. Ne merremi me ato jo vetëm sepse ky është sport i preferuar nacional, por sepse ato ndikojnë drejtpërdrejt në jetën tonë të përditshme. Dhe në këtë drejtim shpesh është shumë vështirë për qytetarët të gjykojnë drejt deklaratat publike të politikanëve. Është vështirë të dallosh nëse ato me të vërtetë duhet marrë seriozisht, sepse politikanët përnjëmend e kanë zbatimin e një premtimi të caktuar apo është më shumë propagandë që asnjëherë nuk do të shohë dritën e diellit dhe rrjedhimisht duhet injoruar dhe tallur. Në veçanti këtu tek ne në Ballkan është bërë shumë vështirë t’i marrësh politikanët seriozisht. Historiku i premtimeve të thyera është tejet i gjatë. 

Gjykimi i premtimeve të politikanëve bëhet edhe më i vështirë kur ato fillojnë të vijnë edhe nga jashtë, pra nga ana e politikanëve perëndimorë. Zakonisht ne i marrim deklaratat e politikanëve amerikanë dhe evropianë shumë më seriozisht sesa deklaratat e politikanëve tanë. Kjo nuk do të thotë se edhe ata nuk gabojnë, por do të thotë që ne u besojmë atyre më shumë. Kjo nuk është kështu vetëm në Kosovë, kështu është në gjithë rajonin tonë. Dhe kësisoj këto ditë rajoni ynë ka filluar të besojë, përfshirë mua këtu, në një premtim të fundit i cili është duke u përsëritur pa ndalur këtu tek ne në rajon, por edhe në Bruksel. Premtimi është se disa vende të rajonit, konkretisht Mali i Zi dhe Shqipëria, mund të anëtarësohen në BE deri në vitin 2030. Në këtë drejtim personi më i zhurmshëm deri më sot ka qenë Edi Rama, i cili ka organizuar gjithë fushatën e tij zgjedhore pikërisht mbi këtë zotim – se do ta bëjë Shqipërinë gati për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Po ashtu ky zotim ka qenë pjesë kyç edhe e fushatës presidenciale të presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviq. Në kushte normale ne do të injoronim këto premtimet e tyre si allishverishe ballkanase, por çështja është bërë më serioze kur këto zotimet e tyre u mbështetën edhe nga politikanët kyç evropianë. Kësisoj presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos – të gjithë pa përjashtim kanë mbështetur në një formë ose tjetër zotimin për anëtarësim në BE deri në vitin 2030. Kësisoj shumëkush në hapësirën publike të rajonit tonë ka filluar të pranojë se kjo me të vërtetë qenka e mundur. Dhe në gjithë këtë meskolumnen e sotme desha ta shfrytëzoj për të hedhur një kovë me ujë të ftohtë gjithë neve me një pyetje të thjeshtë – çfarë nëse të gjithë këta janë gabim? 

Çfarë nëse e shohim gjithë këtë narrativë që është krijuar si gotën gjysmë të zbrazët? Në këtë drejtim dy gjëra më vijnë në mendje përse duhet të jemi pesimistë. 

E para, BE-ja deri më sot ka ndërtuar një historik të konsiderueshëm të premtimeve të thyera dhe afateve të shtyra. Qysh në kohën e anëtarësimit të Kroacisë, BE-ja premtonte anëtarësimin e saj deri në vitin 2011. Kroacia u anëtarësua në vitin 2014. Më vonë ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, do të fliste për “turning point” në procesin e zgjerimit dhe mundësinë reale të anëtarësimit të disa vendeve të rajonit në BE deri në vitin 2025. Këto nuk ishin vetëm fjalët kot të një politikanie evropiane. Sikur sot edhe atëherë BE-ja synonte të tregonte vizion dhe guxim gjeopolitik si përgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës të vitit 2014. Për të bërë këtë realitet dhe politikë zyrtare Komisioni Evropian miratoi strategjinë me titull “Perspektiva kredibile e zgjerimit për angazhim më të fuqishëm të BE-së me Ballkanin Perëndimor”. Përdorimi i fjalës “kredibil” në titullin e dokumentit ishte njohje e ekzistencës së skepticizmit të thellë në procesin e zgjerimit. Në atë kohë dokumenti synonte anëtarësimin e Malit të Zi dhe Serbisë në BE deri në vitin 2025. Këtë fat të shtyrjeve dhe thyerjeve të premtimeve nga ana e BE-së e përjetoi së fundi edhe Maqedonia e Veriut me sagën e nisjes së negociatave të anëtarësimit. Këtë e përjetuam edhe ne me sagën e liberalizimit të vizave. Pra, në përmbledhje e gjithë historia moderne e procesit të integrimit na mëson se nuk duhet befasuar nëse nesër BE-ja shtyn afate dhe thyen premtimet. Në fakt për këtë duhet përgatitur. 

Së dyti, zhvillimet politike në Evropë paralajmërojnë probleme për agjendën e zgjerimit. Pothuaj në të gjitha vendet e BE-së kemi rritje të forcave populiste dhe izoluese politike. Kjo është në veçanti e vërtetë në tri vendet më të mëdha të BE-së: Gjermani, Francë dhe Itali. Skenari ku në këto vende do të vijnë në pushtet forcat politike që janë avokuese të ngadalësimit të procesit të zgjerimit është duke u bërë më real me kalimin e çdo dite. Këtë fundjavë Polonia (vendi i pestë më i madh i BE-së) zgjodhi president një politikan, i cili është më skeptik ndaj zgjerimit se “nemesis” i tij, kryeministri Donald Tusk.

Dhe si njohje e këtij realiteti politikanët tradicionalë evropianë, që janë momentalisht në pushtet në kancelaritë evropiane, janë duke u treguar të kujdesshëm sa i përket zgjerimit. Në këtë drejtim përderisa kemi deklaratat optimiste të politikanëve panevropianë, sikur Costa apo Von der Leyen, për perspektivën e anëtarësimit të rajonit deri në vitin 2030, ne nuk kemi parë deklaratat e tilla nga kryeministrat dhe presidentët e 27 vendeve anëtare të BE-së. Ky fakt na tregon se ata të cilët janë shumë më drejtpërdrejt “të lidhur” me qytetarët evropianë kuptojnë se zgjerimi vazhdon të jetë një çështje përçarëse brenda vendeve të tyre respektive. Po ashtu këtu duhet shtuar se entuziazmin momental të BE-së për agjendën e zgjerimit duhet parë si një “ballon i fryrë” që vjen si pasojë e pushtimit rus të Ukrainës. Pra, nuk është pasojë e një vizioni të mirëmenduar, por reagim spontan ndaj një ngjarjeje të paparashikuar. Prandaj, gjasat janë reale që me zgjidhjen e konfliktit ruso-ukrainas procesi i zgjerimit përsëri do të bjerë nga hierarkia e prioriteteve të BE-së për t’u degraduar përsëri në çështje të rëndësisë sekondare. Pra, në përmbledhje çfarëdo optimizmi për 2030-shin duhet balancuar me ngritjen e forcave izoluese politike brenda BE-së dhe rënien e entuziazmit politik për zgjerimin, gjë që në vetvete garanton shtyrjen e afateve dhe thyerjen e premtimeve të BE-së. 

Qëllimi i kësaj kolumne nuk ishte që të jem pesimist për anëtarësimin eventual të Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE deri në vitin 2030. Në fakt krejt e kundërta, ne duhet të jemi optimistë dhe të bëjmë çdo gjë që është në fuqinë tonë për të bërë këtë realitet. Pastaj për gjërat që nuk janë nën kontrollin tonë ne mund vetëm të shpresojmë për më të mirën. Në këtë drejtim ndoshta ajo që po këshilloj është që të jemi optimistë të kujdesshëm. Thënë ndryshe, që të kemi pritjet më reale nga BE-ja. Dhe në këtë drejtim është e dobishme të mbajmë mend mësimin e vyer të procesit integrues: mbaji premtimet dhe pritjet sa më të vogla e angazhimet dhe arritjet sa më të mëdha. Kjo është më e mira që mund ta bëjmë.