Fjalimi i ushtrueses së detyrës së presidentes, zonjës Vjosa Osmani, mjaftoi që të trazohej moçali gazetaresk i ushejzave dhe i llumit gazetaresk mercenar shqiptar, ata që rëndom reagojnë sa herë që të jetë nevoja të lëpihet ndonjë asht të cilin mund t'ua hedhë padroni në sahanin e tyre. E, po zoti Rama e kam një lajm të trishtë për ju! Sa më shpejt të mësoheni me peshën dhe rolin politik të zonjës Osmani, sepse atë dhe të ngjashmit sikur ajo do t’i kemi për një kohë më të gjatë në politikën kosovare tashmë. Kazanët me politikanët e juaj të preferuar e të nënshtruar tashmë kanë kulluar dhe kanë avulluar!
Fillimisht më lejoni që në ditarin tim motrave dhe vëllezërve të mi t'ua uroj Ditën e Krishtlindjes, duke ju dëshiruar shumë shëndet, begati dhe harmoni edhe për shumë vjet të tjerë.
Këtij viti gradualisht po i vjen epilogu politik dhe të gjithë ju të cilët e përcillni ditarin tim diplomatik, tashmë e dini se ky ditar është një lloj makine në kohë e cila shpalos shumë të vërteta.
Çfarë do të veçoja nga sirtari i kabllogrameve diplomatike nga java e cila e lamë pas? Sigurisht se ato janë tri nga ngjarjet e politikëbërjes në trevat tona dhe njëra ndërlidhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Të fillojmë radhazi.
Shumë pluhur u ngrit sidomos nga gazetarucët mercenarë nga Shqipëria për vizitën e ushtrueses së detyrës së presidentes, zonja Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj treditor në Shqipëri. Në veçanti bujë shkaktoi fjalimi i saj në Kuvendin e Shqipërisë, ku ajo nuk bëri asgjë, as më pak e as më shumë sesa të fliste të vërtetën, të ishte mirënjohëse për ndihmën të cilën shteti shqiptar dhe populli i saj e bënë për vëllezërit dhe motrat e saj nga Kosova para dhe gjatë luftës, si dhe për kontributin e shtetit shqiptar në shtetndërtimin e Kosovës. Në këtë rolin e fundit medoemos se shteti shqiptar ka mundur të bëjë shumë më shumë dhe të luajë një rol proaktiv. Sidomos qasja e Edi Ramës, kryeministrit të saj, ka mundur të jetë më pak përbuzëse ndaj politikanëve kosovarë, ku përjashtim bënte vetëm ish-presidenti Hashim Thaçi pasi që në mes e kishin playmakerin e njëjtë, Baton Haxhiun, e dallaveret e larta të përbashkëta me partnerin e tyre "we are not problematic guys", Aleksandar Vuçiq.
Ushtruesja e presidentes së Kosovës, zonja Vjosa Osmani, vetëm i tha këto të vërteta, edhe pse edhe ajo ishte po ashtu njëra nga politikanet e nënçmuara kosovare nga ana e Edi Ramës. Fjalimi i ushtrueses së detyrës së presidentes, zonjës Vjosa Osmani, mjaftoi që të trazohej moçali gazetaresk i ushejzave dhe i llumit gazetaresk mercenar shqiptar, ata që rëndom reagojnë sa herë që të jetë nevoja të lëpihet ndonjë asht të cilin mund t'ua hedhë padroni në sahanin e tyre.
E po zoti Rama e kam një lajm të trishtë për ju! Sa më shpejt të mësoheni me peshën dhe rolin politik të zonjës Osmani, sepse atë dhe të ngjashmit sikur ajo do t’i kemi për një kohë më të gjatë në politikën kosovare tashmë. Kazanët me politikanët e juaj të preferuar e të nënshtruar tashmë kanë kulluar dhe kanë avulluar!
Kabllogrami i dytë ndërlidhet me një aderim të bërë në Lëvizjen Vetëvendosje ditëve të fundit, që u proklamua edhe nga kryetari i kësaj partie, z. Albin Kurti. Bëhet fjalë për aderimin e Mustafë Bajramit në Lëvizjen Vetëvendosje. Me të drejtë jo pak aktivistë reaguan dhe nuk e mirëpritën këtë gjë nga ana e kryetarit të tyre. Kritik isha edhe unë, edhe pse nuk jam as simpatizant e as aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Dhe arsyetimet se VV-ja është e hapur për të gjithë ata të cilët dëshirojnë që të anëtarësohen në te nuk qëndrojnë, pasi që sikur të ishte ashtu, z. Bajrami do të shkonte të anëtarësohej dhe po të dëshironte vetë ai mund të postonte një fotografi me librezën e tij të re partiake, të tretën tashmë nëse nuk jam gabim. Mirëpo kur anëtarësimi yt në parti përcillet me një foto të përbashkët të kryetarit me aderuarin, si dhe një përkushtim në Facebook për këtë aderim, atëherë kjo gjë bëhet problematike. Jo nuk bëhet problematike për arsyen të cilën shumë militantë hard-core mundoheshin ta arsyetonin duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e hapur edhe për njerëz të besimit dhe të cilët e praktikojnë besimin e tyre. Problemi është se z. Bajrami është përkrahës fanatik i Erdoganit dhe dallimi midis të qenit besimtar dhe të qenit përkrahës i erdoganizmit është dallim shumë i madh të cilin ata të cilët mëtojnë që të merren me politikë sot në Kosovë duhet ta kuptojnë ose thjesht të mos hyjnë fare në ato ujëra të cilat nuk i njohin. Mirëpo ajo që mua më pëlqeu kësaj radhe ishte qasja kritike e shumë aktivistëve të VV-së ndaj kësaj ngjarjeje. Njëjtë sikur nëna kur e qorton fëmijën e saj për ndonjë gabim të bërë apo sjellje të pahijshme. Me sjelljet e këtyre partive të tjera e kemi atë sjelljen e nënës e cila fëmijës së saj abuzues me substanca narkotike ia fsheh atë gjë qoftë nga familja, qoftë nga miqtë e tyre dhe mendon se duke ia fshehur atë gjë i ndihmon fëmijës së saj. E parë dhe e përjetuar shpeshherë dhe shkenca e njeh si dukuri.
Kabllogrami i tretë diplomatik vendor natyrisht se ndërlidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi votën jolegjitime të ish- deputetit Etem Arifi. Ashtu siç e kam thënë edhe më parë këtu në ditarin tim, kjo do të jetë një mundësi e fundit për shtetin dhe institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të tregojnë një grimcë shtetësie dhe integriteti shtetëror dhe institucional. Vota determinuese e ish-deputetit Etem Arifi u shpall jolegjitime nga Gjykata Kushtetuese për arsye të vendimit të prerë të Gjykatës për dënim me burg për ish- deputetin Etemi. Si rrjedhojë e kësaj vote jolegjitime edhe zgjedhja e Qeverisë Hoti shpallet si kundërkushtetuese dhe jolegjitime. Dilemat e mia se si një intelektual dhe akademik mund ta bënte gjumin rehat kur ishte në dijeni se vota e kujt e ka caktuar atë për kryeministër u tregua e arsyeshme dhe e qëndrueshme. Paramendoni se sa dhe si do ta forconte pozitën e tij qoftë brenda partisë, qoftë tek vetë populli kryeministri në detyrë i Qeverisë kundërkushtetuese Avdulla Hoti sikur ai të thoshte: "pavarësisht se çfarë vendimi do të sjellë Gjykata, vetë integriteti im intelektual dhe profesional nuk më lejon që detyrën time si kryeministër ta përcaktojë vota e një deputeti të dënuar me burg nga ana e gjykatës me vendim të prerë, prandaj këtu jap dorëheqjen time". Natyrisht kjo nuk ndodhi, por ndodhi pikërisht ajo më e pista. Fillimisht u përdhos vota e sovranit dhe premtimet e dhëna ndaj tij dhe tashmë u kuptua se u përdhos edhe Kushtetuta dhe përzgjedhja e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri mbesin kundërkushtetuese. Çfarë mëkati për CV-në politike të një intelektuali akademik profesor universiteti.
Vendi së shpejti do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme dhe do të jetë shumë interesante sesi këta pakurrizorë dhe mikrobë politikë do t’i qasen popullit duke ia kërkuar atij votën.
Përndryshe, gjithashtu jam i gëzuar dhe i kënaqur që ky kuvend do të shpërbëhet, ngase asnjëherë deri më tani nuk kemi pasur përfaqësues më të dobët dhe përfaqësues koti të popullit të cilët ngrinin gjymtyrët e tyre me komanda partiake.
Edhe pse Gjykatës Kushtetuese iu deshën gjashtë muaj për të sjellë këtë vendim, ata e dëshmuan maksimën e vjetër pellazge se jo vetëm vakti e ha kashtën, por edhe fakti e ha kashtën!
Kabllogrami im i fundit ndërlidhet me presidentin e SHBA-së në shkuarje, Donald Trump. Ai vazhdon me lojën e tij për mospranimin e rezultateve të zgjedhjeve në SHBA, përkundër vendimeve të gjykatave, kolegjeve elektorale etj. Tashmë është duke ndodhur edhe një gjë e trishtë në ditët e fundit të kryerjes së detyrës së tij si president i SHBA-së. Ligji amerikan presidentit ia mundëson që të falë të burgosur të ndryshëm për çështje të ndryshme dhe ky me këtë "privilegj" është duke abuzuar me të madhe duke falur dhe liruar çdo ditë njerëz dhe ish-kongresistë dhe politikanë republikanë të burgosur për korrupsion, abuzim të detyrave dhe përgjegjësive të vendit të punës, shkelje të ndryshme të ligjeve etj. Njeriu i cili pretendonte se është për një shtet ligjor tashmë ligjin e ka shoshitur dhe e ka bërë përshesh dhe me tubimet të cilat Donald Trump i thërret për datën 6 janar 2021, unë ende druaj se shoqëria amerikane mund të zhytet në një spirale të dhunës të paparë deri më tash. Një prelude të saj e pamë në Washington DC, ku gjatë protestave të të djathtëve u therën katër persona dhe u lënduan shumë të tjerë.
Unë i dëgjoj dhe i përcjell lajmet nga të dyja kampet. Ato të lajmeve nga qendrat më të mëdha të lajmeve, siç janë CNN, MSNBC, Fox News, atyre therave këtu në Mbretërinë e Bashkuar ku unë jetoj, si dhe konspiracionistët e shumtë dhe mund ta them me bindjen time të plotë se asnjëherë deri më tani qysh nga lufta civile atje e para formimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat ne i njohim sot, nuk ka ekzistuar një ndasi kaq e madhe në popull.
Lutemi që populli ynë mik amerikan do ta tejkalojë këtë sfidë të tyre pa trazira dhe pa gjakderdhje për teke të politikanëve.