Vjosa hyri në një territor të ri politik dhe bëri një lëvizje që i karakterizon politikanët e guximshëm që nuk frikësohen të marrin vendim të rrezikshme dhe të luajnë “all in”. Por tani, ajo është në një territor të panjohur, ku shpërblimet politike mund të jenë të shkëlqyeshme, por, nga ana tjetër, edhe pasojat mund të jenë shkatërruese për karrierën e saj politike. Të luash “all in” është biletë pa kthim në çdo drejtim
15 shkurti i vitit 2021 ishte ditë tipike dimërore në Prishtinë. Ftohtë, me shumë pak borë, parqet e qytetit pa gjethe dhe mjedis ngjyrë gri kudo që ktheheshe. Por, përkundër kësaj, në vend mbretëronte një atmosferë optimizmi që paralajmëronte pranverë të hershme dhe ardhjen e kohërave të mira për vendin. Në një konferencë për media, krah për krah, u shfaqën fituesit e “referendumit” qytetar - Albini dhe Vjosa.
Çfarë ka ndodhur më pas është histori, por po të kishe rënë në komë atë ditë të ftohtë të shkurtit të vitit 2021 dhe të zgjoheshe sot, do të ishte jashtëzakonisht vështirë të shpjegoje se çfarë kishte ndodhur. Por ndoshta shpjegimin më elegant e ka dhënë ish-kryeministri anglez, Lordi Palmerston, kur kishte thënë: “Aleancat e përhershme nuk ekzistojnë, vetëm interesat e përhershëm”.
Këtë javë, aleanca Kurti-Osmani u thye. Thyerja e aleancës së tyre e tërhoqi vendin në një krizë të re politike. Vendi u polarizua përsëri dhe u nda në dysh. Ata që besojnë që Kurti ka të drejtë dhe ata që besojnë që e ka gabim. Ky polarizim është bërë kësaj radhe pak më i komplikuar, për shkak të futjes së Vjosës në këtë ekuacion. Rrjedhimisht, këto ditë kemi parë numër rekord të konferencave për media që kanë pasur për synim të na bindin përse secila palë mendon se është në anën e drejtë të historisë. Në fund fare, i gjithë debati përfundoi në Gjykatë Kushtetuese. Dhe përderisa tani jemi në pritje të vendimit juridik të gjykatës, diskursi publik është bombarduar nga interpretime të ndryshme politike. Të bësh sens nga e gjitha që është duke ndodhur është shumë vështirë, sepse në narracionin e secilës palë ekzistojnë grimca të së vërtetës, të përziera me copëza të manipulimit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoE para, ne jemi në këtë situatë sepse Vjosa e mori një vendim. Vendimi i saj e vuri në lëvizje gjithë zinxhirin e ngjarjeve. Ajo vendosi që ta interpretojë një nen kushtetues përtej asaj çfarë shkruan në mënyrë eksplicite në Kushtetutë. Me këtë, ajo hyri në një territor të ri politik dhe bëri një lëvizje që i karakterizon politikanët e guximshëm që nuk frikësohen të marrin vendim të rrezikshme dhe të luajnë “all in”. Por tani, ajo është në një territor të panjohur, ku shpërblimet politike mund të janë të shkëlqyeshme, por, nga ana tjetër, edhe pasojat mund të janë shkatërruese për karrierën e saj politike. Të luash “all in” është biletë pa kthim në çdo drejtim. Nuk do të presim shumë për ta kuptuar fatin e Vjosës, por në këtë stad duhet thënë dy gjëra për Vjosën. E para, mendoj se vendi ka humbur me moszgjidhjen e saj për mandat të dytë. Në mandatin e saj, Vjosa ishte president ideal. Brenda vendit ajo e ruajti dinjitetin e institucionit të presidentit dhe shërbeu si inspirim dhe model për të rinjtë dhe të rejat e vendit. Jashtë vendit, ajo solli një freski dhe përfaqësim të vendit që do të shërbejë si standard për presidentët e ardhshëm. Së dyti, mendoj se në fund të mandatit të saj, Vjosa gaboi. Kur Vjosa e kuptoi se nuk do të rizgjidhet presidente e vendit, ajo vendosi ta militarizojë presidencën. Çfarëdo që do të vendosë Gjykata Kushtetuese, Vjosa do të mbahet mend si president që qoftë nga inati personal, qoftë nga kalkulimet politike, e futi presidencën në moçal politik. Në vend që të qëndrojë mbi palë dhe ta ruajë trashëgiminë e saj politike, ajo zgjodhi ta shkruajë një të ardhme të re personale nga zyra e Presidentit. Kjo ishte gabim.
Së dyti, konferenca për shtyp e Albinit ishte shumë kurioze. Ishte konferencë paqeje. Në konferencë, Albini shpenzoi kohë të konsiderueshme duke i lavdëruar partitë opozitare dhe sjelljen e tyre. Gjatë gjithë konferencës, Albini nuk mori një pozicionim të prerë ndaj opozitës, pasi që, momentalisht, as ai vetë nuk e di se çfarë drejtimi do të marrin gjërat: A do të vazhdohet procedura e zgjedhjes së presidentit apo do të shkojmë në zgjedhje. Kjo është edhe arsyeja përse ai eci në një vijë të hollë të lavdërimit dhe kritikës ndaj opozitës, duke u përpjekur kështu që të lërë shtigje të hapura për çdo eventualitet.
Janë dy gjëra që i kemi kuptuar deri më sot për Albinin. E para, Albini nuk do zgjedhje. Që në krye të herës, Albini është duke komunikuar qartë që përgjegjësia për zgjedhje eventuale do t’u takojë opozitës dhe Vjosës. Ky narracion do të jetë lehtë i mbrojtshëm në publik, pasi që, objektivisht, pala e cila ka më së paku interesim për zgjedhje është Albini. Ky narracion do ta sforcojë edhe më fort karikaturën e viktimës së Albinit, ku opozita po mundohet ta fitojë përmes makinacioneve politike atë që nuk mundi ta fitojë në kuti të votimit. Së dyti, Albini gaboi me procesin e përzgjedhjes së presidentit. Kosova ka 1.5 milion banorë – një listë e pafund dhe e begatshme e akademikëve, aktivistëve dhe e njerëzve të diasporës, nga e cila ka mundur të përzgjedhë emrat që do t’i kishin bërë nder zyrës së Presidentit. Në vend të kësaj, ai zgjodhi që të na bindë se president mund të bëhet vetëm dikush me librezë të VV-së. Me këtë, ai dëshmoi se nuk e ka asnjë interes që zyrën e Presidentit të mbajë një figurë e fortë që rrezikon të krijojë një karakter të pavarur institucional dhe politik.
Së treti, opozita vazhdon të jetë bekimi i Kurtit. Opozita vazhdon të besojë se mund ta arrijë rezultatin e ndryshëm me përdorimin e mjeteve të njëjta. Nëse një gjë e kemi kuptuar në zgjedhje të fundit, ajo është se pozicionimi bllokues penalizohet. Në këtë sens, konsideroj se opozita është dashur që të propozojë emra konkret për president, si mënyrë e vendosjes së një standardi politik ndaj të cilit VV-ja do të obligohej ta krahasonte kandidaturën e saj para qytetarëve. Ose, minimalisht, në mungesë të emrave, blloku opozitar është dashur që t’i diktojë parimet apo kriteret minimale që do të kërkonte të përmbushen nga shumica në propozimin e tyre për president. Duke mos e bërë asnjërën, opozita vazhdon të bjerë në grackën e portretizimit të bllokuesit.
Gjatë javëve në vijim do të jemi të ekspozuar ndaj narracioneve të ndryshme për fajin dhe përgjegjësinë e akterëve politikë. Për të bërë sens nga e gjitha do të jetë e rëndësishme t’i pranojmë disa të vërteta të kundërta, në të njëjtën kohë. Vjosa ka qenë president i shkëlqyer, por tani bën lojë politike. Albini nuk dëshiron zgjedhje, por nuk dëshiron as president konsensual. Opozita nuk ka faj, përveç për mediokritetin e saj.