Edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, edhe Kosova mund të jenë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve evropiane, sepse në Parlamentin Evropian edhe në pesë vjetët e ardhshëm do të ketë një shumicë të nevojshme edhe për të mbështetur zgjerimin e BE-së, edhe Kosovën si shtet
Nëse do të llogaritet në bazë të vendeve në Parlamentin Evropian, në mandatin e ri deri në vitin 2029, atëherë Evropa mund të bëjë gjumë të qetë. Partitë proevropiane, të cilat nuk e vënë në dyshim ekzistencën e BE-së, as politikat kryesore të saj, as zgjerimin, as bashkëpunimin me Amerikën e NATO-n e as ndihmën Ukrainës dhe rezistencën ndaj Rusisë, do të kenë shumicën e madhe. Edhe pse është shënuar rritje e së djathtës, ajo rritje është ende larg që të paraqesë ndonjë rrezik për të ardhmen e Evropës. Por kjo vlen vetëm kur është fjala për numrin e vendeve në Parlamentin Evropian. Aty ku e djathta ekstreme mund të paraqesë problem për të ardhmen e BE-së është roli i saj në vendet anëtare, ku partitë e ekstremit të djathtë kanë dalë si fituese. E kjo ka ndodhur në vende që kanë një rol jashtëzakonisht të madh në BE, si Franca, Austria dhe Holanda, ndërsa në vendet si Gjermania dhe Belgjika kanë shënuar rritje të madhe. Kështu, duke vepruar përmes vendeve anëtare, ato mund t’i bëjnë dëm BE-së më shumë sesa duke bërë zhurmë në Parlamentin Evropian.
Sipas projeksioneve të para të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që përfunduan të dielën mbrëma, tri grupet e para politike kanë arritur të mbajnë pozitat që kanë për nga numri i vendeve në Parlamentin Evropian.
Partia Popullore Evropiane (PPE) pritet të ketë 181 vende, që do të ishte 5 vende më shumë se në përbërjen e fundit. Grupimi socialist S&D do të ketë 135 vende, 4 më pak se në periudhën 2019-2024, liberalët nga Renew pritet të kenë 82, që është për 20 vende më pak se herën e fundit, prandaj mund të konsiderohen si humbës të mëdhenj. Por së bashku këto tri grupe do të kenë afro 400 vende në parlamentin që ka 720 vende, dhe nëse merren vesh mund të sigurojnë numrin e votave për vendimet kryesore të BE-së, siç ka qenë edhe më herët.
Si parti proevropiane pa dyshim mund të konsiderohen edhe të gjelbërit që kanë pësuar ulje. Nga 71 sa kanë pasur deri më tash kanë rënë në 53. Por edhe me këtë numër japin kontribut në rritjen e shumicës proevropiane. Madje as grupimi i konservatorëve ECR nuk mund të konsiderohet si parti ekstreme, por më shumë si parti skeptike ndaj thellimit të integrimeve brenda BE-së. Ky grupim sikur brenda tij të mbeten të njëjtat parti nacionale do të ketë rritje për vetëm 2 vende. Ndërsa rritje prej 13 vendeve, nga 49 në 62, ka shënuar grupimi Identiteti dhe Demokracia (ID) që është grupim i vërtetë i ekstremit të djathtë. Paritë me orientim komunist dhe të ekstremit të majtë pritet të kenë 34 vende. Pra, partitë që mund të konsiderohen si të ekstremit të djathtë nuk do të kalojnë 150 vende nga 720 sa ka Parlamenti Evropian dhe për nga numri nuk mund të jenë ndonjë forcë serioze. Por problem më i madh do të jetë fitorja e ekstremit të djathtë në disa vende anëtare të BE-së dhe ndikimi që kjo do të ketë në qëndrimet e atyre vendeve edhe në Bashkimin Evropian. Pra, sa i përket vetë përbërjes së Parlamentit Evropian këto zgjedhje nuk kanë shkaktuar ndonjë ndryshim dramatik.
Aty ku rezultati i zgjedhjeve solli dramë është Franca. Presidenti Emmanuel Macron doli si humbës i madh, pasi partia e tij mori vetëm rreth 15 për qind të votave. Në Francë, partia e Marine le Pen fitoi mbi 30 për qind. Kështu kur në Këshillin Evropian të mblidhen liderët e vendeve anëtare për të vendosur për postet kryesore në institucionet e BE-së, dy liderët kryesorë të dy vendeve kryesore, Olaf Scholtz nga Gjermania dhe Emmanuel Macron nga Franca, do të jenë aty si humbës të mëdhenj. E kur liderët e këtyre dy vendeve në mënyrë aq të ashpër humbin autoritetin në vendin e tyre, atëherë nuk e kanë të lehtë të ruajnë autoritetin në nivelin e Bashkimit Evropian. Kjo do të sjellë një krizë të lidershipit në BE, sepse pushteti i vërtetë është në fuqinë e vendeve anëtare e jo në qëndrimet e parlamentarëve evropianë.
Edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, edhe Kosova mund të jenë të kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve evropiane, sepse në Parlamentin Evropian edhe në pesë vjetët e ardhshëm do të ketë një shumicë të nevojshme edhe për të mbështetur zgjerimin e BE-së, dhe Kosovën si shtet, pasi në Parlamentin Evropian vendimet merren me shumicë demokratike. Në këtë aspekt nuk priten ndryshime.