Të hënën përfundoi procesi i numërimit të fletëvotimeve nga diaspora, të realizuara nga 17 shtatori deri më 11 tetor. Këto fletëvotime, që erdhën nga 22 shtete përmes postës, kanë sjellë ndryshime në rezultatet përfundimtare në shumë komuna të Kosovës.
Ndërkohë, pati edhe reagime të shumta që ngritën pikëpyetje nëse mërgata duhet të jetë vendimtare në rezultatet e zgjedhjeve lokale.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, duke vlerësuar kontributin e diasporës për vendin, tha se nuk është etike që qytetarët që nuk jetojnë fare në Kosovë të jenë pjesë e vendimmarrjes zgjedhore.
“Kontributi i diasporës është i madh dhe gjithmonë do t’u jemi borxhli për atë që kanë bërë për shtetin tonë. Sa i përket aspektit politik, votimi duhet të jetë i ndërlidhur me përgjegjësi dhe pasoja. Një qytetar që voton duhet të marrë përgjegjësinë për partinë që ka votuar. Nuk më duket etike që dikush të shkojë të jetojë në një vend tjetër, pastaj të votojë për një sistem tjetër ku nuk jeton, e pasojat pozitive apo negative të mos i përjetojë vetë. Votimi në një sistem dhe jetesa në një tjetër janë në kundërshtim me parimin e përgjegjësisë”, thekson Muhaxhiri.
Sipas tij, ka shumë shtete që kanë vendosur kufizime për të drejtën e votës të qytetarëve që kanë më shumë se 15 apo 25 vjet që nuk jetojnë më në vendin e tyre dhe një model i tillë mund të shqyrtohet edhe në Kosovë.
“Ka vende si Gjermania, Britania e Madhe, Kanadaja që kanë vendosur kufizime shembull pas 15 apo 25 vjetësh jashtë vendit, një person nuk ka më të drejtë vote, pasi e ka humbur idenë e rikthimit për të jetuar. Nëse breza të tërë jetojnë dhe integrohen në diasporë, krijojnë karrierë atje, nuk është e drejtë që të votojnë për zgjedhje lokale apo të përgjithshme dhe të ndikojnë në rezultatet zgjedhore”, deklaron Muhaxhiri.
Nga ana tjetër, profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, thotë se përderisa qytetarët jashtë vendit kanë shtetësinë kosovare, ata kanë të drejta të barabarta me qytetarët që jetojnë brenda vendit.
“Qytetarët tanë në diasporë, nëse kanë të drejtë vote dhe janë ende shtetas të Kosovës, kanë të drejtë të barabartë me qytetarët që jetojnë këtu. I vetmi dallim është se ata jetojnë përkohësisht jashtë vendit. Nëse kanë humbur shtetësinë, për shembull sepse kanë marrë shtetësi të një shteti që nuk lejon dy shtetësi, atëherë nuk mund të votojnë. Por përndryshe, janë të njëjtë në të drejta”, deklaron Baraliu.
Ai shton se diaspora ka të drejtë të kërkojë llogari nga pushteti lokal, për shkak të pronave që kanë në vend dhe interesave të tyre të drejtpërdrejta.
“Shpesh diaspora ka interes më të madh se ne që jetojmë këtu për të marrë pjesë në zgjedhje. Kanë nostalgji, vullnet dhe dëshirë për të kontribuar. Pashë një koment që thoshte ‘pse duhet të votojnë për kryetar komune’, por sigurisht që duhet – sepse përmes komunës vendoset për sigurinë e pronës së tyre, për shtëpitë e tyre. Ata janë taksapagues edhe pse përkohësisht jashtë vendit, dhe asnjëherë nuk kanë kursyer për Kosovën”, shton Baraliu.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahet më 9 nëntor, do të përdoret e njëjta listë e votuesve jashtë vendit si në raundin e parë, për shkak të mungesës së kohës për regjistrim të ri.
“Në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, të drejtë vote jashtë Kosovës do ta kenë vetëm votuesit që janë regjistruar me sukses për raundin e parë, dhe vetëm në komunat ku do të zhvillohet raundi i dytë. Nuk do të hapet periudhë e re për regjistrim, pasi koha është e kufizuar. Numri i përgjithshëm i shtetasve të regjistruar për votim jashtë Kosovës në raundin e parë ishte 43,933. Prej këtij numri do të zbriten votuesit e komunave ku nuk do të ketë raund të dytë. Lista e votuesve brenda vendit do të përditësohet për qytetarët që mbushin moshën 18 vjeç deri më datën e zgjedhjeve”, deklaron zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
Elezi thekson se çdo shtet ka mënyrat e veta të organizimit të votimit jashtë vendit. Në Kosovë, për zgjedhjet lokale votimi i diasporës bëhet përmes postës, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme edhe përmes përfaqësive diplomatike.
“Çdo shtet i ka specifikat e veta për procesin zgjedhor. Në zgjedhjet lokale, votimi për diasporën organizohet përmes postës, ndërsa në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votimi mund të bëhet edhe në përfaqësitë diplomatike. Kushtetuta garanton që çdo shtetas i Kosovës që ka mbushur moshën 18 vjeç deri në ditën e zgjedhjeve ka të drejtë të votojë. KQZ mundëson forma të ndryshme votimi për realizimin e kësaj të drejte”, thekson Elezi.
Pavarësisht debateve dhe pikëpamjeve të ndryshme, vota e diasporës mbetet një e drejtë kushtetuese dhe një pjesë e rëndësishme e procesit demokratik në Kosovë. Diskutimet për rregullimin e saj janë legjitime, por pjesëmarrja e mërgatës tregon interesin e vazhdueshëm për të kontribuar në zhvillimet e vendit, pavarësisht distancës.