OpEd

Edhe një skandal

Statusi i Osmanit qe skandaloz. Duke nisur nga toni. E më pas nga përdorimi i shprehjes “të ashtuquajturit gazetarë” (qëkur kryetarja e shtetit ka kompetencën për t’i klasifikuar profesionet e kujtdo qoftë?); për të kaluar në linjën e viktimizimit dhe kinse sakrificës së madhe që i ka dërguar fëmijët në shkollë publike, me policë, të cilët me prezencën e tyre e kanë zbuluar vendqëndrimin e vajzave (të cilin supozohet se nuk duhet ta dijë askush, se mund t’i kidnapojë dikush) dhe për të përfunduar me akuzën “pse nuk merreni me të tjerët, e po merreni me kryetaren dhe familjen e saj”, mbase duke “harruar” se Kosova e ka veç një shef të shtetit, që ka ardhur në pushtet duke i kritikuar krejt ato që qe pesë vjet i zbaton vetë

“Mirë që i kish largu presidentja çikat prej shkollës ‘Ismail Qemali’, se kur t'ia kish sulmu Serbia a Rusia, kishin mujt me lëndu edhe çiken time aty”.

Ky ishte mbase njëri nga reagimet më ironike e spirituoze njëkohësisht që munda ta lexoja pas skandalit të radhës, në të cilin u përfshinë kryetarja Osmani dhe familja e saj e ngushtë.

E tëra nisi me arrestimin e kameramanit të një portali, i cili kishte zgjedhur për temë shkollimin e vajzave të kryetares Osmani në një shkollë private.

Nga aspekti ligjor, nuk ka ama bash asnjë pengesë që Osmani t’i shkollojë fëmijët sipas përzgjedhjes së saj – fundja shkollimin jopublik e ka legjitimuar Kuvendi i Kosovës me ligjet që janë në fuqi. Nga aspekti moral – dërgimi i vajzave në një shkollë private mund të jetë objekt kontestimi – sepse si kryetare e shtetit do të duhej të jepte një shembull. E shembullin e saj, në këtë rast, nuk mund ta ndjekë shumica e popullatës në Kosovë.

Po të kishte mbetur raportimi vetëm te ky fakt, e besoj se e gjitha do të amortizohej shpejt dhe do të harrohej edhe kjo punë. Mirëpo, aty dolën disa elemente, shumë shqetësuese, e në fund edhe irrituese, që lehtë shndërrohen në abuzimin me pushtetin dhe me pasurinë publike.

* * *

Kameramani, që iu konfiskua kamera pas disa orësh, i publikoi pamjet që i kishte marrë: dy xhipa të zinj e të shtrenjtë (njëri nga ta i blinduar), të blerë me paratë e buxhetit, ishin parkuar para rrethojës së objektit shkollor. Në ato pamje nuk dukej asnjë fytyrë e askujt. Pra as e vajzave të Osmanit.

Në raportin e publikuar më pas thuhej se prindërit ankoheshin për shkak të pengesave që ua bënin së paku katër pjesëtarë të mbrojtjes së afërt që nga parkingu deri te mësonjëtorja – ngase dy nga këta pjesëtarë po qëndruakan brenda në klasë deri në përfundimin e mësimit.

E se prezenca e policëve në klasë qenka me gjasë e vërtetë, mund të nënkuptohet nga një status i gjatë, të cilin e publikoi vetë Osmani pas skandalit me konfiskimin e kamerës dhe arrestimin e kameramanit. Dhe arsyetimi, sipas saj, është se policia e vlerëson se vajzat e saj hyjnë në kategorinë e “rrezikshmërisë së lartë”. Nuk do të jemi ne ata që do t’i përzihemi policisë në përcaktimin e vlerësimeve, por pyetja shumë legjitime që shtrohet është: rreziku nga kush apo nga çka?

* * *

Statusi i Osmanit qe skandaloz. Duke nisur nga toni. E më pas nga përdorimi i shprehjes “të ashtuquajturit gazetarë” (qëkur kryetarja e shtetit ka kompetencën për t’i klasifikuar profesionet e kujtdo qoftë?), për të kaluar në linjën e viktimizimit dhe kinse sakrificës së madhe që i ka dërguar fëmijët në shkollë publike, me policë, të cilët me prezencën e tyre e kanë zbuluar vendqëndrimin e vajzave (të cilin supozohet se nuk duhet ta dijë askush, se mund t’i kidnapojë dikush) dhe për të përfunduar me akuzën “pse nuk merreni me të tjerët, e po merreni me kryetaren dhe familjen e saj”, mbase duke “harruar” se Kosova e ka veç një shef të shtetit, që ka ardhur në pushtet duke i kritikuar krejt ato që qe pesë vjet i zbaton vetë.

E tash, nëse gjendja e shkollës, siç e përshkruan Osmani është aq e tmerrshme, pse i paska mbajtur pesë vjet në atë objekt shkollor, pra? A nuk ka mundur, teorikisht, tërheqja e vajzave të saj prej aty të ishte veprim proteste që do të kishte peshë dhe do të ishte shenjë alarmi për Komunën e Prishtinës që të ndërmerrte masa urgjente sanimi të gjendjes. Fakti se e kanë ndërruar vendbanimin, nuk do mund të qëndrojë si arsyetim i fuqishëm për ndërrimin e shkollës, ngase vajzat edhe ashtu transportohen me vetura zyrtare në shkollë. E për t’i shmangur vonesat, policët përherë mund t’i përdorin sirenat, siç edhe bëjnë sa herë që Osmani del me veturë nëpër qytet.

Por, ishte edhe një fjali tjetër, shumë shqetësuese që kishte të bënte me gazetarët (e ashtuquajtur, sipas saj), për të cilët thotë: “për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë”.

Nëse institucionet e sigurisë së Kosovës i paskan informatat e këtij lloji, si bëhet atëherë që këta njerëz, pavarësisht se çfarë profesioni kanë, janë ende të lirë? A bëhet se bëjnë veprimtari të kundërligjshme vetëm karshi Osmanit, apo paraqesin edhe rrezik të përgjithshëm për pjesën tjetër të Kosovës që nuk ka post politik?

Nuk është hera e parë që Osmani t’u referohet raporteve të institucioneve të sigurisë – të fundit ishin ato në lidhje me deklaratën e Trumpit për parandalimin e luftës Kosovë-Serbi dhe për gjykatësin e Kushtetueses Laban, që “është kërcënim për sigurinë kombëtare”, ani që ky njeri është gjykatës qe shtatë vjet, e Osmani kryetare më shumë se katër vjet...

* * *

Nga fundi i statusit, Osmani e ritheksoi se “do të ndërmarr çdo masë ligjore për të mbrojtur fëmijët e mi nga këta të ashtuquajtur gazetarë, të cilët nuk e kanë qëllimin të informojnë publikun, por të rrezikojnë jetën e fëmijëve që nuk u kanë asnjë faj”.

Por fakti se fëmijët e saj përcillen në klasë nga policë, a nuk është tërthorazi rrezikim i jetës së fëmijëve të tjerë? A nuk do të mund të vuanin këta fëmijë nga pasojat e rënda psikologjike, për shkak se nxënien duhet marrë nën trysninë e pranisë së personave të rritur që rrinë në klasë edhe pse nuk janë arsimtarë? Dhe, a nuk është e dënueshme të hysh në objekt shkollor kur je i armatosur, qoftë ajo edhe për t’iu bërë hije çikave të kryetares?

Reagimet, sidomos ndaj statusit të saj, e shkaktuan një ortek, të cilin u përpoq ta “spastronte” me një konferencë shtypi kot të mbajtur të nesërmen.

Para se të ndodhte skandali i shkollës, ajo i dërgoi komentet në Kushtetuese, në lidhje me situatën e nxitur pas kinse konstituimit të Kuvendit. Kësaj radhe, Labani nuk u bë pengesë. Për më tepër tha se Labani këtu nuk ishte gjykatës referues dhe se e kishte vetëm një votë. Por nuk e sqaroi, duke krijuar lajthitje të qëllimshme, se edhe si referues, Labani e ka vetëm një votë.

* * *

Mbase do të ketë kërkuar ta gjejë një shteg për të dalë e pastër nga të dyja veprimet, duke i ftuar gazetarët (nuk e di a i ka ftuar edhe të ashtuquajturit gazetarë) për të dhënë sqarime shtesë.

Sërish kërkoi që të respektohet privatësia e fëmijëve të saj (kërkesë legjitime, sepse janë të mitura), që e kanë vijuar mësimin në një shkollë, “ku edhe Serbia ka mundur t’i shohë”, ndërkohë që e arsyetoi shfaqjen publike të tyre jo në pak raste, “me lejen e saj”. Por esenca është që edhe aty ka mundur t’i shohë Serbia. Nejse.

Në fund, e tha edhe një gjë, duke iu referuar njerëzve të mediave: “...nuk janë hetuar gazetarët, janë hetuar Radoiçiqat. Janë hetuar planet për grusht shtet. Nuk mund t’i themi emrat për shkak të pengimit të hetimeve. Përgjatë rrugës së hetimeve, ka gjithçka aty që kanë bashkëpunuar me ta. Është vlerësim i institucioneve që të mos i tregojnë emrat për shkak të mos pengohen hetimet”.

Të thuash se paska pasur përpjekje për grusht shtet, që kryesisht ndodh nëpërmjet përdorimit të forcës ushtarake (e ndonjëherë edhe me përkrahje të masës civile) nënkupton se dikush paska pasur për qëllim ta rrëzojë qeverinë (e kjo e jona qe nëntë muaj është qeveri në detyrë). Nëse kur e ka thënë këtë ka menduar në postin që mban ajo, atëherë na e bën edhe një lajthitje, për shkak se Kosova ka sistem parlamentar e jo presidencial.

* * *

Osmani i është futur gjashtëmujorit të fundit të mandatit dhe nuk ka hyrë me këmbën e duhur. E qëndrimeve e deklaratave të saj nuk u ndihmon as hiperaktiviteti i bashkëshortit të saj në FB, sidomos për shkak se ai, pavarësisht se është i martuar me kryetaren e shtetit, është edhe shërbyes civil i këtij shteti. Edhe për të do të duheshin të vlenin rregullat e komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale. Sikur nuk del boll i gjithë aparati i sigurisë i vënë në shërbim të kryetares dhe familjes së saj të ngushtë, që tash edhe bashkëshorti duhet t’i vihet në mbrojtje.

E duket se pikërisht fakti se mandati po i skadon, është duke e shqetësuar Osmanin. Është vështirë e besueshme se do të mund të rizgjidhet në mars – zor se mund t’i mbledhë votat e mjaftueshme, sepse shumë gjëra kanë ndryshuar ndërkohë. Përfshirë edhe motivi që e shtyn të mendojë për rikandidim: “A do të rikandidoj? Do të vendos në kohën e duhur. Sapo po marr një pushim, po shfaqen gazetarë që më sulmojnë dhe përpiqen të më bindin që të mos ndalem dhe të vazhdoj”.

S’ka me inatin. Motiv më të madh nuk mund të gjesh mes shqiptarësh.

[email protected]