Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Drejtësia dhe qytetari

Kosova ende nuk po e gjen rrugën e duhur për të pasur sistem të drejtësisë të drejtuar me epiqendër qytetarin, nevojat e qytetarit, respektimin e të drejtave të qytetarëve, për të cilët edhe ekzistojnë ky sistem

Më 9 dhe 10 dhjetor 2021, është mbajtur Samiti për Demokraci i organizuar dhe udhëhequr nën patronatin e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden. Në këtë Samit ndërkombëtar kanë marrë pjesë 111 shtete, në mesin e të cilave dhe Republika e Kosovës. Objektivat qendrore të këtij Samiti ndërkombëtar janë bashkimi i përpjekjeve të përbashkëta të shteteve demokratike në botë për të luftuar autoritarizmin, promovimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe luftimin e korrupsionit. Në përgatitjen për ta organizuar Samitin e dytë për Demokraci 2023, janë formuar fokus grupe të ndryshme, ku hyn edhe fokus grupi për reformat gjyqësore dhe sundimin e ligjit i cili do të bashkudhëhiqet nga Republika e Kosovës dhe Republika Dominikane, dhe ku marrin pjesë numër i madh i shteteve të ndryshme të botës, por edhe demokracive të zhvilluara në kontinentin tonë. Ky fokus grup në emër të Republikës së Kosovës do të përfaqësohet dhe udhëhiqet nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe me pjesëmarrje të Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Reforma në drejtësi është kryefjala e secilës parti politike dhe qeverisje në Kosovë. Reformat në drejtësi në Kosovë kanë filluar në vitin 2004 kur janë miratuar Kodet Penale dhe të Procedurës Penale, për të vazhduar me reformën në vitin 2011, kur u miratuan ligjet për Gjykatat, Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial. Në vitin 2015, të njëjtat ligje të miratuara në vitin 2011, u rishikuan, u plotësuan dhe u ndryshuan, për të vazhduar me ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore për gjykatës dhe prokurorë. Ndër reformat kryesore që janë ndërmarrë në fushën e sundimit të ligjit në vitet e fundit padyshim është Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të ligjit e që u kurorëzua me Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2025.

Edhe përkundër faktit se Kosova në vazhdimësi ka ndërmarrë reforma substanciale në sektorin e sundimit të ligjit në Kosovë, të njëjtat nuk janë përkthyer në rezultate konkrete, ku qytetarët do të ndienin ndryshimin, do të merrnin shërbime, drejtësi. Kosova ende nuk po gjen rrugën e duhur për të pasur sistem të drejtësisë të drejtuar me epiqendër qytetarin, nevojat e qytetarit, respektimin e të drejtave të qytetarëve, për të cilët edhe ekzistojnë ky sistem. Për t’u shërbyer në mënyrë të drejtë, paanshme, pavarur dhe brenda një afati të arsyeshëm kohor.

Gjatë dy vjetëve të fundit, Kosova është në proces të reformave më të mëdha që kanë ndodhur që nga pas lufta, ku përfshihet procesi i vettingut në Drejtësi, reforma substanciale në sistemin prokurorial, kodifikimi i drejtësisë civile dhe Byroja Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ku në shumicën prej tyre qeverisja aktuale ka marrë edhe rekomandimet dhe opinionet e Komisionit të Venecias.

Reforma vs. Integrimi Evropian

Edhe Kolumne 1 muaj më parë Disa sugjerime për analizë të zgjedhjeve të 7 qershorit

Sundimi i Ligjit dhe Qasja në Drejtësi janë ndër kriteret bazë që Kosova të përmbushë për t’i plotësuar kushtet dhe kriteret që dalin nga procesi i Stabilizim-Asociimit, instrumenti për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Përderisa, Kosova, në vazhdimësi ka bërë hapa konkretë në fushën e qasjes në drejtësi, në veçanti në zhvillimin legjislacionit primar dhe sekondar gjendja në praktikë ende mbetet larg kërkesave dhe nevojave të qytetarëve për të marrë drejtësi sipas asaj që e përcakton Kushtetuta dhe ligji, dhe kjo kryesisht lidhet me zbatimin e dobët të legjislacionit, mungesës së profesionalizmit, integritetit dhe transparencës së institucioneve ligjzbatuese, edhe pse korniza ligjore është adekuate në letër. Kosova mbetet vendi i fundit në rajon sa i përket procesit të integrimit evropian.

Drejtësia e orientuar kah qytetari

Kosova tërë potencialin e ka orientuar drejt reformave në drejtësi kryesisht përmes miratimit të ligjeve, politikave dhe strategjive në kërkim të një sistemi të drejtësisë të pavarur, paanshëm, të drejtë, efikas dhe profesional. Sidoqoftë, në shumicën e rasteve këto reforma realizohen pa analizë të duhur dhe me mungesë të qasjes për të ndërtuar sistem të drejtësisë së orientuar te qytetari, ku epiqendra e të gjitha përpjekjeve, reformave të jenë nevojat dhe kërkesat e qytetarit. Mungesa e rezultateve dhe gjendja e njëjtë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ta jep përshtypjen se reformat në drejtësi bëhen nga politika për të fituar përshtypjen në popull se po punohet për të ndryshuar gjendjen në këtë sektor, por që ndryshimi nuk po shihet në horizont.

Raportet e Institutit të Kosovës për Drejtësi konstatojnë se problemet kryesore me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës, mbeten tejzgjatja e proceseve gjyqësore, mungesa e sigurisë juridike, trajtimi dhe zbatimi selektiv i ligjit nga ana e institucioneve publike. Qytetari i rëndomtë i Kosovës në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Skenderaj apo Suharekë i ka të njëjtat probleme, të njëjtat sfida. Të njëjtit i duhet të presë mesatarisht deri 8 vjet për të marrë drejtësi në një lëndë civile, së paku 4 vjet për të marrë drejtësi në një lëndë administrative apo komerciale.

Duke u ballafaquar me sfida të tilla, shteti i Kosovës duhet të fillojë të ndërrojë qasje dhe drejtësinë të orientojë dhe ta kthejë te qytetari. Sepse pa drejtësi, qytetari dhe shoqëria dështon të tregojë dhe realizojë potencialin e tij të plotë. Sipas një analize të Transparency International, çdo dollar i investuar në drejtësi kthehet në vlerë të 16 dollarëve përfitim nga reduktimi i rrezikut të konflikteve dhe investimi në drejtësi të orientuar te qytetari konsiderohet si investimi më fitimprurës.

Edhe Kurti: S’po kërkojmë rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor për integrim në BE Arbëri 2 muaj më parë Kurti: S’po kërkojmë rrugë të shkurtra, as derë të pasme, vetëm proces meritor për integrim në BE

Shteti i Kosovës përmes mekanizmave që ka në fuqi, duhet të bëjë ndarjen nga një sistem ku drejtësia shërbehet vetëm për pjesën e privilegjuar të popullatës te një sistem që respekton të drejtat dhe liritë e njeriut dhe që u shërben të gjithëve pa dallim. Drejtësia duhet parë dhe shërbyer si një dimension i kontratës shoqërore ku drejtësia e fiton besimin te qytetarët përmes sundimit të ligjit dhe assesi të sunduarit përmes ligjit.

Edhe viti 2023, padyshim se do të karakterizohet me procese të rëndësishme që lidhen me sundimin e ligjit, si Vettingu, reforma në sistemin prokurorial, Kodi Civil, por edhe organizimi i fokus grupit nga ana e Republikës së Kosovës dhe Republikës Dominikane për Samitin për Demokraci të udhëhequr nga presidenti Biden. Por se të gjitha këto iniciativa dhe gjithë ky investim do të ketë kuptim, nëse të njëjtat përkthehen me rezultate konkrete dhe ku në fund shpërblimin e merr qytetari i thjeshtë i Kosovës, shpërblim që i takon, të jetojë në një vend ku ndahet dhe shërbehet drejtësia sipas forcës së ligjit, provave dhe argumenteve dhe assesi në bazë të prejardhjes politike, gjendjes financiare apo pozitës shoqërore.