OpEd

Donald Trump, revolucionari

Nëse zgjidhet president, D.Trump pos fotografisë me grushtin e ngritur lart do ta ketë edhe një program konkret qeverisës tashmë të hartuar. Në 922 faqe shpjegohet se si do të bëhet diferencimi ideopolitik në administratën federative dhe si do të hyjë bota në luftë të re të ftohtë, mes SHBA-së (e aleatëve të saj) dhe Kinës. Si do të duket nga kjo skutë e Evropës?

1.

Grushti i ngritur lart ishte me vite njëri prej simboleve të së majtës, të të gjitha nuancave të së majtës dhe gjithandej botës - prej demonstruesve antikapitalistë në Çikago e Milano, partizanëve të Shqipërisë, sandinistëve të Nikaraguas, “Black Panthers” në SHBA e deri te sindikalistët spanjollë e francezë. Duhej të simbolizonte vendosmërinë e atyre që po e lënë jetën siç e kanë pasur deri dje dhe janë nisur për një lloj lufte, politike apo të armatosur.

Prej të dieles, grushti i ngritur i Donald Trumpit pas një atentati të dështuar u shndërrua në simbolin e të djathtës amerikane. Brenda disa sekondash një person, që për javë të tëra kishte imazhin mediatik të një burri të moshuar e mbipeshë - që u dënua sepse fshehu pagesat e dhëna një aktoreje filmash pornografikë të destinuara për të blerë heshtjen e saj lidhur me marrëdhënien seksuale (të paguar nga ai) të para disa vjetësh - u shndërrua në një burrë të gjakosur në fytyrë, me grusht të ngritur lart, me vendosmëri në sy e shprehje fytyre dhe me britmën “luftoni, luftoni!”.

E majta në botë ka ditur të kapte momente të këtilla - fotoja ikonike e Çe Guevarës apo e Fidel Kastros qenë pjesë të pop-kulturës globale të së majtës në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Besoj që e djathta amerikane do ta identifikojë këtë si momentin e vet “cheguevarian”; në vend të burrit të mbipeshë me aftësi tejet modeste intelektuale në artikulim foljor, bota do ta shohë gjithnjë e më shumë një burrë të vendosur t’u prijë qytetarëve të vet në një luftë revolucionare.

2.

Revolucioni nuk është vetëm në imazhin e grushtit të ngritur, Partia Republikane me të vërtetë ka ndërmend të bëjë një ndryshim revolucionar në SHBA. Fondacioni konservator “Heritage” ka mbi dy vjet që është duke punuar projektin e qeverisjes me titull “Projekti 2025”, me qëllim që, siç shpjegoi drejtori i këtij fondacioni, presidenti i ri republikan (pra, Trump) të ketë në dorë programin qeverisës që në minutën e parë të pushtetit, kur të përfundojë fjalia e betimit të tij.

Dokumenti impresiv 922 faqesh ka përfshirë autorë nga mbi 100 organizata konservatore dhe nuk është platformë zgjedhore - është një përmbledhje e detajuar sugjerimesh për pushtetin e ri.

Dhe dokumenti është revolucionar, që nga shpjegimet e pikave të para që në formë të përmbledhur (dhe thjeshtësuar janë): Presidenti konservator nuk pritet mirë në administratën federale, e cila është mbushur me njerëz që janë të bindjeve liberale dhe rrjedhimisht duhet krijuar sistemin e subordinimit ndaj presidentit i cili, sipas Kushtetutës amerikane, është në krye të një ekzekutivi të plotfuqishëm. Atë kapacitet ekzekutivi duhet kthyer presidentit duke i dhënë mundësi vendosjeje të emëruarve të tij politikë gjithandej, prej Departamentit të Drejtësisë, atij të Mbrojtjes e në State Department.

Arsyetimi i hartuesve nuk është fare i fshehur: kur shkruhet për oficerët e ushtrisë, hartuesit thonë se forcat patriotike gjenden nën gradën e gjeneralit dhe andaj do bërë ndryshime në mënyrë që të largohen gjeneralët që nuk e pranojnë agjendën e presidentit të ri. Në mënyrë më drastike duhet të largohen ambasadorët e SHBA-së, që të gjithë duhet të japin dorëheqje - qofshin ambasadorë karriere apo të deleguar politikë - në mënyrë që presidenti të dërgojë sa më shpejt ambasadorë që përfaqësojnë bindjet e tij. 

Brenda muajve të parë Projekti 2025 kërkon që të spastrohet administrata federale qoftë prej njerëzve që kundërshtojnë agjendën e presidentit Trump, qoftë prej fondeve e agjendave që nuk janë konservatore, qoftë prej buxhetit i cili duhet të reflektojë rëndësi gjithnjë e më të vogël të programeve “liberale” të Federatës.

Pra, do të duhej të ndodhte diçka që në vende e kohë të tjera quhej “diferencimi ideopolitik”; që të gjithë ata që janë kundër agjendës së presidentit Trump të largohen apo të skajohen nëpërmjet emërimeve politike në pozicione që konsideroheshin deri dje pjesë të shërbimit civil.

3.

Dhe, ndonëse përqendrimi i pushtetit gjithnjë e më i madh në duart e presidentit arsyetohet me pika konservatore të politikës së brendshme (kundër abortit, për rol më të madh religjioz, pengim imigrimi e të ngjashme), lëvizja më e madhe revolucionare e pushtetit të ri në rast të zgjedhjes së Trumpit e të zbatimit të këtij programi është perceptimi i SHBA-së për Kinën. E konsideruar gjatë këtij shekulli si fuqi në ngritje e si konkurrent, Kina tash perceptohet si "rreziku më i rëndësishëm për sigurinë, liritë dhe prosperitetin e amerikanëve." 

Dhe, plani qeverisës, në masat e veta, reflekton këtë. E tërë politika e jashtme dhe e sigurisë është në fakt një thirrje për një luftë të re të ftohtë së cilës duhet t’i prijë Amerika, siç priu në atë të kaluarën me Bashkimin Sovjetik. Dhe, mësimet e asaj të kaluarës janë të integruara qoftë si koncept, qoftë si ide operative në Projektin 2025. SHBA-ja duhet që me rritjen e prodhimit të armëve, të ngritjes së kapaciteteve në të gjitha frontet (prej raketave balistike, dominimit në hapësirë kozmike, veprimeve në hapësirën kibernetike, prania më e madhe në Arktik) duhet ta bëjë konfrontimin kinez me Amerikën të kushtueshëm për aq sa t’i pamundësohet. Dhe SHBA-ja, ashtu siç i ka konsideruar shtetet evropiane si platformë për luftën e ftohtë kundër Bashkimit sovjetik, tash duhet t’i shohë Tajvanin, Korenë e Jugut dhe Filipinet si platforma të cilat nuk guxojnë t’i nënshtrohen Kinës.

E, në një aludim të drejtpërdrejtë nga Lufta e Ftohtë e kaluar, Projekti 2025 kërkon nga State Departmenti ta shkruajë një “Artikull X” për Kinën, ashtu siç kishte bërë George Kennan (i nënshkruar si X në Foreign policy më 1947), ku analizoi “Burimet e sjelljes sovjetike” dhe me të cilin propozoi politikën e “frenimit” të Bashkimit Sovjetik, gjegjësisht fillimin e luftës së ftohtë.

4.

Në 922 faqet e programit të propozuar nga fondacioni “Heritage” (ku dy të tretat e autorëve kanë qenë pjesë e administratës së presidentit Trump), Kina përmendet rrafsh 475 herë. Dhe, mbase kjo është krejt çka duhet të dinë evropianët për politikën e jashtme të një presidence eventuale Trump më 2025. Nga perspektiva e Washingtonit, Bashkimi Evropian është një partner i rëndësishëm, por me të cilin do rinegociuar marrëdhëniet tregtare. Mbretëria e Bashkuar është një partner më i afërt dhe nuk do lejuar që t’i afrohet më shumë Bashkimit evropian; do afruar edhe më marrëdhëniet komerciale me të. Në mungesë të Mbretërisë së Bashkuar në BE, do “zhvilluar ... aleatë të rinj brenda BE-së ,veçanërisht vendet e Evropës Qendrore në krahun lindor të BE-së, të cilat janë më të ndjeshme ndaj agresionit rus”. NATO-ja merret sërish si ofrues i sigurisë evropiane - për të cilën mbase do paguar më shumë se 2 për qind të bruto prodhimit , siç u përcaktua në Wales. Dhe, ushtarët amerikanë në NATO sërish janë objekt i shqyrtimit se a do të jenë më të nevojshëm në Evropë apo gjetiu. Dhe, përderisa do të zhvillohet lufta e ftohtë me Kinën, për Projektin 2025 nuk është e qartë se cila do të jetë politika më e mirë karshi luftës në Ukrainë - konsensusi mes disa opsioneve është që SHBA-ja të ndihmojë ushtarakisht Ukrainën dhe ta dobësojë kështu edhe më tutje Rusinë, ndërkohë që evropianët ta ndihmojnë Ukrainën financiarisht dhe në rindërtim.

5.

Ballkani Perëndimor duhet ta lexojë me vëmendje Projektin2025, ndonëse vendet e saj nuk përmenden fare. Por, lufta e ftohtë e re nuk i pyet aktorët e vegjël se a duan apo jo të jenë pjesë e saj. Dhe, qoftë edhe si ushtrim mendor, do shtruar pyetja se si do të figurojë ky regjion i vogël në rastin e fitores së Donald Trumpit, revolucionarit. Për dallim prej atij që ishte në pushtet, ky që mund të vijë ka mundësi të ketë në duar një manual ekstensiv qeverisjeje që nuk ka si të bëhet më transparent.