Opinion

Trumpi do ta bëjë Evropën të bardhë përsëri

SHBA-ja, sipas vizionit të NSS-së, nuk është partner i Evropës kundër Rusisë, por një ndërmjetës mes të dyja palëve. E të gjitha qëndrimet e shpërfaqura në Strategjinë e re amerikane të Sigurisë Kombëtare, kur shikohen bashkërisht, duhet t’i alarmojnë liderët evropianë. Të ballafaquar me një administratë armiqësore, ata duhet të pranojnë se epoka e mbrojtjes automatike amerikane ka mbaruar dhe të përballen drejtpërsëdrejti me cenueshmërinë strategjike të kontinentit. Siç paralajmëroi Charles de Gaulle dekada më parë, Evropa nuk mund të varet përgjithmonë nga SHBA-ja. Për të mbijetuar, ajo duhet të zgjohet nga letargjia e saj gjeopolitike dhe ta rimarrë në duar vetë fatin e saj

Që nga kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, vizioni i presidentit amerikan, Donald Trump, për botën – veçanërisht për Evropën – ka qenë shpesh i vështirë për t’u dalluar midis mungesës së koherencës dhe gjuhës së tij karakteristike bombastike. Megjithëkëtë, Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare (NSS) hedh dritë mbi parimet që po e udhëheqin agjendën e tij të politikës së jashtme.

Duke e skicuar një kornizë haptas nacionaliste e nativiste, NSS-ja e shënon një shkëputje të mprehtë prej qasjes multilaterale që e ka prirë politikëbërjen amerikane që nga viti 1945. Përbuzja që ajo u bën vlerave liberale duhet ta eliminojë çdo iluzion të mbetur për gjendjen aktuale të aleancës transatlantike, duke bërë të qartë se Trumpi do të qëndrojë përkrah Evropës vetëm nëse ajo e përqafon plotësisht ideologjinë e tij MAGA - “Bëje Amerikën të madhe përsëri” – apo, në këtë rast, variantin e saj evropiane: Bëje Evropën të bardhë përsëri.

Derisa udhëheqja amerikane dikur definohej nga universalizmi ideologjik, NSS-ja e përqafon një qasje vendosmërish provinciale. Siç e tha sekretari për Luftë i Trumpit, Pete Hegseth, Pentagoni më nuk do që të “shpërqendrohet nga ndërtimi i demokracisë, intervencionizmi, luftërat e paqarta, ndryshimet e regjimeve, ndryshimet klimatike, zgjimi apo ndërtimi i pafuqishëm i kombeve”.

Shumë qeveri të Jugut Global do ta duartrokasin pa dyshim këtë ndryshim. Disa prej kundërshtarëve të Amerikës veçse e kanë bërë. Për Rusinë, që e përshkroi NSS-në e Trumpit si “në përputhje me vizionin tonë”, lufta në Ukrainë papritur duket larg më premtuese.

Trumpit i pëlqen ta prezantojë veten si kampion të lirive individuale, veçmas të lirisë së fjalës. Por NSS-ja e tregon një histori tjetër, duke e shpallur synimin e tij për t’i kundërshtuar “kufizimeve elitariste e antidemokratike ndaj lirive thelbësore në Evropë, në Anglosferë dhe në pjesën tjetër të botës demokratike, veçmas mes aleatëve tanë”.

Siç demonstron NSS-ja, pritjet e Trumpit prej Evropës ndryshojnë thelbësisht nga vetë botëkuptimi i evropianëve për evropianët për marrëdhënien transatlantike. Përderisa liderët evropianë duan ta ruajnë ombrellën amerikane të sigurisë pa iu nënshtruar projektit ideologjik të Trumpit, ai kërkon që ata të aderojnë në rendin global alla-MAGA teksa në këmbim nuk ofron gjë.
Në esencë, Trumpi e propozon zëvendësimin e solidaritetit strategjik mes SHBA-së dhe BE-së – një aranzhim ky në të cilin ai më beson – me një aleancë civilizuese që mbështetet në tri kushte kyç.
I pari është të kërkohet që Bashkimi Evropian t’i shpërbëjë kornizat rregullatore që, sipas këndvështrimit të Trumpit, e nëpërkëmbin lirinë e shprehjes dhe i dëmtojnë interesat amerikane. Zëvendëspresidenti JD Vance e bëri të njëjtin argument në Konferencën e Sigurisë në Munih, në shkurt, duke pretenduar se kërcënimi i përnjëmendtë me të cilin përballet Evropa buron nga “interesat e vjetra e të rrënjosura që fshihen prapa fjalëve të shëmtuara të epokës sovjetike, si dezinformimi dhe keqinformimi” për të imponuar “censurë digjitale” kundër zërave populistë.

Por penalltitë e BE-së ndaj gjigantëve teknologjikë amerikanë, si Google, Apple, Facebook dhe Amazon, nuk kanë pasur fare të bënin me censurë politike. Edhe gjoba e fundit prej 140 milionë dollarësh ndaj X (dikur Twitter), që i zemëroi zyrtarët e Trumpit, ka të bëjë me shkeljet e transparencës dhe të të drejtave të konsumatorit: politikat çorientuese të platformave për verifikimin e përdoruesve, dështimi i tyre për t’iu ofruar të dhënave e domosdoshme reklamuese dhe përpjekjet e tyre për t’i bllokuar qasjet e hulumtuesve. Duke e përkufizuar këtë si censurë, Trumpi thjesht i përsërit pretendimet e bëra nga pronari i X-it, Elon Musk, i cili nuk e ka fshehur dëshirën e tij për ta mbështetur “shfuqizimin” e BE-në.

Kushti i dytë është që BE-ja t’i rishikojë politikat e saja të emigracionit dhe azilit, të cilat NSS-ja i portretizon si kërcënim për civilizimin perëndimor. Partitë e së djathtës ekstreme të Evropës, gjerësisht të përkufizuara sipas kundërshtimit të tyre ndaj emigracionit, menjëherë e shfrytëzuan këtë mbështetje ideologjike, me ç’rast lideri i së djathtës ekstreme franceze, Éric Zemmour, deklaroi se “Trumpi është i vetmi që e mbron civilizimin evropian”.

Kushti i tretë i Trumpit është që Evropa të ndalojë që ta marrë si të mirëqenë mbrojtjen ushtarake amerikane. Sipas rrëfimit të tij, qeveritë evropiane prej kohësh janë mbështetur te NATO-ja për garancitë amerikane të sigurisë teksa e përdorën BE-në për t’i minuar interesat ekonomike të Amerikës.

Nënsekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, e tërhoqi këtë paralele në një postim të fundit në X. “Kur këto shtete i bartin kapelat e tyre të NATO-s”, shkroi ai, ato e lavdërojnë unitetin transatlantik. Por kur i “bartin kapelat e BE-së”, ndjekin agjenda që janë “skajshmërisht të kundërta me interesat dhe me sigurinë amerikane”, përfshirë “censurën, vetëvrasjen ekonomike\fanatizmin klimatik, kufijtë e hapur, përçmimin për sovranitetin kombëtar\promovimin e qeverisjes shumëpalëshe dhe taksat, si dhe mbështetjen për Kubën komuniste”.

Një pasus veçanërisht goditës në NSS paralajmëron se “më së voni brenda disa dekadash”, disa anëtarë të NATO-s “do të bëhen me shumicë joevropianë”. Është “çështje e hapur”, cek dokumenti, nëse popullsitë e ardhshme “do ta shohin vendin e tyre në botë apo aleancën e tyre me SHBA-në, në të njëjtën mënyrë siç e panë ata që e nënshkruan Kartën e NATO-s”.

Ky përdorim fjalësh e pasqyron bindjen e kahershme të Trumpit se emigracioni do t’i bëjë vendet evropiane “më pak evropiane”, sikur identiteti evropian të varej nga pastërtia etnike. Ky keqkuptim i thellë e nënvizon hendekun e madh kulturor dhe politik që po zgjerohet mes Evropës dhe SHBA-së.
NSS-ja e Trumpit njashtu e bën plotësisht të qartë faktin se Evropa duhet të presë pak mbështetje të SHBA-së për Ukrainën. Duke e parë veten si “në përplasje me zyrtarë evropianë, të cilët ushqejnë pritshmëri jorealiste për luftën”, administrata synon që të “rivendosë kushte për stabilitet strategjik përgjatë hapësirës euroaziatike” dhe që të “zbusë rrezikun e konfliktit midis Rusisë dhe vendeve evropiane”. SHBA-ja, sipas vizionit të saj, nuk është partner i Evropës kundër Rusisë, por një ndërmjetës mes të dyja palëve.

Të gjitha këto qëndrime, kur shikohen bashkërisht, duhet t’i alarmojnë liderët evropianë. Të ballafaquar me një administratë armiqësore, ata duhet të pranojnë se epoka e mbrojtjes automatike amerikane ka mbaruar dhe të përballen drejtpërsëdrejti me cenueshmërinë strategjike të kontinentit. Siç paralajmëroi Charles de Gaulle dekada më parë, Evropa nuk mund të varet përgjithmonë nga SHBA-ja. Për të mbijetuar, ajo duhet të zgjohet nga letargjia e saj gjeopolitike dhe ta rimarrë në duar vetë fatin e saj.

(Zaki Laïdi është ish-këshilltar i lartë i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri (2020-2024), si dhe profesor në Sciences Po. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).