Opinion

Trumpi, mbreti rebel

Ndryshe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, apo Putini, Trumpi nuk mban distancë nga banda e tij kriminale. Ai është komandanti i tyre i drejtpërdrejtë dhe po i urdhëron t’i anashkalojnë institucionet demokratike dhe dëshirat e autoriteteve lokale. Kësisoj, si shef ekzekutiv, Trumpi është edhe zbatuesi kryesor i ligjit amerikan e edhe kryeudhëheqësi i bandës. Kjo na rikujton vëzhgimin e G. K. Chestertonit se “krishterimi është e vetmja fe në tokë që ka ndier se plotfuqishmëria e bëri Zotin të paplotë. Vetëm krishterimi ka ndier se Zoti, për të qenë plotësisht Zot, duhej të ishte rebel, si edhe mbret”. Me një dozë ironie mund të themi se Trumpi faktikisht përpiqet të funksionojë si Zot i krishterë; si de facto mbret i SHBA-së, që e udhëheq shtetin kryesisht me dekrete; e njëkohësisht edhe si rebeli kryesor kundër shtetit

Verën e 1989-s, Francis Fukuyama e paraqiti vizionin e tij për fundin e historisë. Meqë kapitalizmi liberal-demokratik është rendi më i mirë i mundshëm shoqëror, argumentoi ai, progresi i mëtejmë nuk është i mundur, përveç nëpërmjet realizimit gradual të rendit të preferuar në të gjithë botën.

Por “fundi” zgjati vetëm tri dekada, më së shumti, dhe tani gjendemi në ekstremin e kundërt: ideja mbizotëruese sot është se rendi botëror liberal-demokratik kapitalist, me rregullat e tij komplekse që garantojnë të drejta themelore të njeriut (lirinë e shprehjes, përkujdesjen universale shëndetësore, arsimin publik e kështu me radhë), është shpërbërë. Ai po zëvendësohet nga një botë e re brutale në të cilën peshqit e mëdhenj i hanë më të vegjlit, ndërsa ideologjitë më nuk merren seriozisht, ngase krejt që ka rëndësi është fuqia e pastër ekonomike, ushtarake dhe/ose politike.

Andaj, presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ndërhyri në Venezuelë për ta rikthyer aty demokracinë; e bëri, qartazi, për të siguruar qasje të lirë në rezervat e majme të naftës dhe të mineraleve në këtë shtet. Po kështu, presidenti rus, Vladimir Putin, e sulmoi Ukrainën për t’ia pushtuar territorin dhe për ta rikthyer Rusinë e Madhe që ekzistonte para Revolucionit Bolshevik dhe, në njëfarë forme tjetër, edhe pas tij.

Botëkuptimi mbizotërues është një realizëm i zhveshur prej çdo iluzioni e ideali. Nëse je vend i vogël, prano se duhet të jetosh në frikë. Nëse mund të gëzosh pushtet të pahijshëm, duhet ta bësh – vetëm se ki kujdes se parimet nuk kanë rëndësi. Në këtë botë të re post-ideologjike, thuhet shpesh, maska e të drejtave të njeriut, e respektit për sovranitetin e shteteve të tjera dhe e gjithë pjesa tjetër ka rënë.

Por asgjë prej gjithë kësaj nuk është e vërtetë. Bota jonë post-liberale është e penetruar nga ideologjia, edhe më shumë sesa që ishte rendi liberal-demokratik. Vizioni MAGA i Trumpit është ideologji e pastër, edhe nëse bie në kontradiktë përditë nga vetë veprimet e tij. Steve Bannoni, ideologu kryesor i populizmit trumpian, e përshkruan veten si leninist që punon për ta shkatërruar shtetin. Por nën Trumpin, makineria shtetërore amerikane është bërë më e fortë dhe më imponuese se kurrë më parë, duke i shkelur rregullisht ligjet ekzistuese dhe duke ndërhyrë në procese demokratike dhe tregje. Për MAGA-n, “liria e shprehjes” është prerogativë e të fuqishmëve për t’i fyer dhe poshtëruar të dobëtit (emigrantët, jo të bardhët dhe pakicat seksuale), e jo për t’i fuqizuar të shtypurit dhe të shfrytëzuarit që zëri i tyre të dëgjohet.

E njëjta gjë vlen edhe për Izraelin dhe Rusinë. T’i përmendim vetëm dy shembuj. Izraeli është tani i rrethuar nga fundamentalizmi sionist, i cili thirret në Dhjatën e Vjetër për ta legjitimuar kolonizimin brutal të Gazës dhe të Bregut Perëndimor. Njashtu, Putin e legjitimon pushtetin e tij me një ideologji euroaziatike që e kundërshton liberalizmin individualist perëndimor dhe gjoja i çmon vlerat tradicionale të krishtera. Duke i dhënë prioritet komunitetit, individët duhet të jenë të përgatitur të sakrifikojnë veten për shtetin.

Në të këtilla linja, Alexander Kharichev, që është ideologu kryesor i Putinit, i formuloi tiparet themelore të Homo putinusit, me “natyrën e tij vetëflijuese”: “Për ne, jeta vetë  duket se ka shumë më pak rëndësi sesa për një perëndimor. Ne besojmë se ka gjëra më të rëndësishme sesa thjesht ekzistenca. Ky, në esencë, është themeli i çdo besimi”.

Në të gjitha këto raste, jemi bukur larg të parit botën ashtu siç është: ajo që “realizmi” mbizotërues e injoron është ideologjia ekstreme se status quoja duhet ta riprodhojë veten. Ky tension e nënvizon njërin prej tipareve kyç të botës të së sotmes: përherë e më shumë shtete mbështeten në banda të armatosura kriminale për të ruajtur pushtetin e tyre. Haiti, i ndëshkuar për më se 200 vjet shkaku i revolucionit të tij të suksesshëm që u pri nga skllevërit, është thjeshtë rasti më ekstrem i të ashtuquajturit shtet i dështuar, meqë bandat e kontrollojnë 80 përqindëshin e territorit. Tani, gjëra të ngjashme po ndodhin në Ekuador (ku bandat haptas po pushtojnë pjesë të qyteteve) dhe në ato pjesë të Meksikës që plotësisht kontrollohen nga kartele të drogës.

Në këtë kontekst, duhen përmendur edhe Gardën Revolucionare Islamike dhe politikën e moralit të Iranit.

Ato funksionojnë si forcë ideologjike policore dhe shpesh kalojnë në ekstreme që duket se e turpërojnë qeverinë. Kujtojeni vrasjen e Mahsa Aminit pasi ajo u arrestua për supozimin se e barti në mënyrë joadekuate shaminë e kokës. Qe edhe Grupi Wagner, të cilin qeveria ruse e përdori si forcë të ndërmjetme për ta ruajtur besueshmërinë e mohimit të operacioneve ushtarake jashtë vendit. Ai në fund u kthye kundër regjimit të Putinit. Por rasti më i qartë është ai i kolonëve izraelitë që haptazi po i terrorizojnë palestinezët që jetojnë në Bregun Perëndimor. Ata veprojnë si lëvizje e pavarur, duke kryer krime që variojnë nga djegia e shtëpive dhe ullishtave të palestinezëve e deri te rrahja dhe vrasja e vetë palestinezëve. Në ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes të Izraelit vetëm vëzhgojnë, duke intervenuar vetëm nëse palestinezët u rezistojnë aktivisht kolonëve. Sërish, një bandë kriminale tolerohet dhe madje kërkohet nga një shtet që synon ta ruajë besueshmërinë e mohimit.

Pastaj është Trumpi. Duke qenë dikur nxitës i një kryengritjeje kundër selisë kushtetuese të pushtetit në SHBA, ai tani po e miraton vetë kolonizimin e tij të brendshëm nëpërmjet vendosjes së agjentëve të militarizuar të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (dhe jo më Gardën Kombëtare) në qytetet demokratike për t’i terrorizuar banorët e tyre. ICE-ja ka rritur numrin e pjesëtarëve për 120 për qind që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, duke rekrutuar 12,000 agjentë dhe oficerë të rinj nëpërmjet një fushate të targetimit të nacionalistëve të bardhë, dhe duke u dorëzuar atyre armë pas vetëm 47 ditësh trajnim. Me fytyrat nën maska, ata funksionojnë sikur kolonë të Trumpit në Bregun Perëndimor, duke hyrë me forcë nëpër shtëpi njerëzish, pa urdhra gjyqësorë kontrolli. Një prift meksikan që punon në Minneapolis e përshkroi ICE-në si akoma më të keqe sesa kartelet e drogës në vendin e tij.

Megjithëkëtë, ekziston një dallim kyç: Ndryshe nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, apo Putini, Trumpi nuk mban distancë nga banda e tij kriminale. Ai është komandanti i tyre i drejtpërdrejtë dhe ai po i urdhëron t’i anashkalojnë institucionet demokratike dhe dëshirat e autoriteteve lokale. Kësisoj, si shef ekzekutiv, Trumpi është edhe zbatuesi kryesor i ligjit amerikan e edhe kryeudhëheqësi i bandës. Kjo na rikujton vëzhgimin e G. K. Chestertonit se “krishterimi është e vetmja fe në tokë që ka ndier se plotfuqishmëria e bëri Zotin të paplotë. Vetëm krishterimi ka ndier se Zoti, për të qenë plotësisht Zot, duhej të ishte rebel si edhe mbret”.

Me një dozë ironie mund të themi se Trumpi faktikisht përpiqet të funksionojë si Zot i krishterë; si de facto mbret i SHBA-së, që e udhëheq shtetin kryesisht me dekrete; e njëkohësisht edhe si rebeli kryesor kundër shtetit.

Sjellja e fundit e Trumpit e bën këtë paradoks edhe më të dukshëm. Ai së fundmi ngriti padi kundër Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), duke ia kërkuar 10 miliardë dollarë dëmshpërblim një agjencie federale që vetë e mbikëqyr. Duke pretenduar se i është bërë padrejtësi në cilësinë e tij personale, duket se ai do ta ketë fjalën e fundit nëse do të largohet me marrëveshje dhe me çfarë madhësie.

Madje edhe disa ligjvënës republikanë kanë shprehur rezerva për padinë që e bën Trumpin sa paditës aq edhe të paditur, dhe ai e ka pranuar “pozicionin e tij të çuditshëm”, ku duhet “të bëjë marrëveshje – të negociojë me vetveten”. Siç vërejti Adam Schiff, senator demokrat nga Kalifornia: “Duhet t’i jepni një lloj krediti pervers për guximin e pastër të mashtrimit. E ke të shkruar në ballë”.

Kemi parë diçka të ngjashme edhe më parë, jo në realitet, por në film: te kryevepra e hershme e Woody Allenit, “Bananas” (1971). Në skenën e gjyqit, heroi dhe i pandehuri, Fielding Mellish, vepron si avokati i vetvetes dhe e merr veten në pyetje, duke bërtitur pyetje agresive në drejtim të karriges bosh të dëshmitarit, e më pas nxiton të ulet dhe të japë përgjigje të ngatërruara e konfuze. Një gjysmëshekulli më vonë, realiteti e kapi shakanë.

(Slavoj Žižek, profesor i filozofisë në European Graduate School, është autor i librit më të fundit “Christian Atheism: How to Be a Real Materialist”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).