Në 18 muajt e ardhshëm ekziston një mundësi, e cila nuk është e vogël, që Milorad Dodiku, Aleksandar Vuçiqi dhe Viktor Orbani të shndërrohen nga gjigantë në xhuxhë, nga kondorë në kolibra.
Shkruan: Petar Arsovski*
Në historinë e një rajoni ndryshimet, të shpeshtën, (pasi kemi shpenzuar me sukses disa shekuj duke i mashtruar shtetet tona) janë me dhimbje, të ngadalshme, me shumë mund dhe jo rrallë nevojiten gjenerata për të sjellë ndikime të vërteta transformuese në shoqëritë ku jetojmë kaq pa sukses. Por herë pas here ndodh një lloj përputhjeje – ndoshta edhe kozmike – e rrethanave, e cila mund të shkaktojë ndryshime tektonike në një periudhë të shkurtër, një lloj hapi kuantik në fatin e më shumë kombeve.
Pa shumë zhurmë, nën hijen e tymit që po e thithim për momentin, jashtë syve, por çmoj se gjatë 18 muajve të ardhshëm ka tendenca që sinjalizojnë se ndoshta në rajon ka ardhur koha për një gjë të tillë. Brenda 18 muajve të ardhshëm ekziston një mundësi –që nuk është e vogël – që Milorad Dodiku, Aleksandar Vuçiqu dhe Viktor Orbáni të shndërrohen nga gjigantë në xhuxhë, nga kondorë në kolibri. Këta tre liderë, që dekadën e fundit po e formësojnë skenën politike të Ballkanit dhe Evropës Qendrore, mund ta humbasin pozitën dhe ndikimin e tyre që në këtë rajon të bëjë të ndodhë një ndryshim tektonik me kusht që boshllëkun të mos e plotësojë ndonjë politikan më radikal.
Që të tre po shkojnë drejt sfidave të veta më serioze politike deri tani dhe rënia e të paktën dy prej tyre duket pothuajse e pashmangshme. Tashmë po shohim se si sistemi juridik, kushtet ekonomike dhe rruga po fillojnë ta konsumojnë fuqinë e tyre. Çështja nuk është më nëse do të ketë ndryshime, por sa të mëdha do të jenë ato – dhe, në nivel voajeri, kush do të bjerë i pari.
I pari, dhe më i sigurti, është Milorad Dodiku – njeriu që mendoi se ishte më i madh se vetë shteti. Ai tashmë ka humbur betejën juridike – që është një precedent historik për Bosnjë-Hercegovinën e post-Daytonit. Është dënuar me një vit burg dhe me ndalim gjashtëvjeçar për të ushtruar poste publike, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve , të paktën në letër, ia mori edhe mandatin. Reagimi i tij, tash për tash, është tërësisht në stilin e tij – injorim i institucioneve, kërcënime për shpallje të re të pavarësisë – një lojë kjo klasike në secesionizëm dhe dramë, sipas skenarit të tij të njohur, diçka që deri tashmë e kemi llogaritur si një frazeologji të rregullt politike në BeH.
Mirëpo, këtë herë rrëfimi është pak më ndryshe. Bashkësia ndërkombëtare duket më e vendosur, kurse opozita vendase dukshëm më e trimëruar. Nëse shteti i së drejtës në BeH tregon dhëmbët dhe e zbaton vendimin pa lejuar bllokimin e institucioneve, Dodiku do të përballet me humbjen e funksionit dhe me ekzil real politik dhe me dështimin e plotë të tij.
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ndikimi i tij do të zhduket brenda natës – Dodiku me siguri do të përçapet të mbetet eminenca gri, përmes instalimit të njerëzve të besueshëm të tij nëpër funksione, në përpjekje që të vazhdojë ta drejtojë politikën nga prapaskena, por miti i paprekshmërisë së tij tashmë është rrënuar. Ai nuk është më lideri i paprekshëm që pa pasoja e shantazhon Sarajevën dhe bashkësinë ndërkombëtare. Prandaj, nëse institucionet qëndrojnë, ka gjasa reale që Dodiku të eliminohet politikisht në periudhën që vjen.
I dyti, dhe më interesanti për ne, është Aleksandar Vuçiqi – politikani që e ka perfeksionuar artin e mbijetesës politike. Por kriza aktuale është më shumë sesa një tjetër në serine e protestave beninje, të cilat i zgjidhte me kombinimin individual të korrupsionit politik dhe të represionit autoritar.
Tani ai duket shprehimisht si një mbret i rrethuar në kështjellën e tij, që habitet pse njerëzit nuk hanë ëmbëlsira. Fatkeqësia në Novi-Sad e mbushi kupën dhe tani kthim prapa s’ka. Mijëra njerëz (ose dhjetëra mijëra – varësisht kush raporton) janë çdo ditë në rrugë, ndërsa dorëheqja e kryeministrit tashmë tregoi se pushteti është nën presion të madh. Prapëseprapë Vuçiqi nuk është lehtë të rrëzohet dhe të revokohet – me kontrollin e rreptë të medias, institucioneve dhe strukturave të sigurisë, ai duket se vazhdon të qëndrojë i sigurt në istikame, kurse partia e tij, SNS, vazhdon të jetë një makinë elektorale e mirorganizuar.
Mirëpo, kapitali i tij politik po shteron me shpejtësi: Të rinjtë janë gjithnjë e më të paduruar, problemet ekonomike po shtohen, ndërsa presioni ndërkombëtar nga BE-ja dhe SHBA-ja është më i fortë se kurrë. Përgjigjja e tij e fundit autoritare vetëm se do ta përshpejtojë situatën – represioni është efikas në nivel individual, por kur policia fillon të rrahë në masë demonstruesit, kjo bëhet mekanizëm për rekrutimin e protestave të reja.
Skenari më real është se Vuçiqi do të shpallë zgjedhje të parakohshme për të “rifreskuar” legjitimitetin e tij. Mirëpo, kjo është e rrezikshme: Opozita e bashkuar mund të arrijë një rezultat që do të luhatë ose shpartallojë dominimin absolut të SNS-së, me kusht nëse mbeten të unifikuar siç po paralajmërojnë tash për tash. Së këndejmi, ky është lideri i dytë që po përballet me sfidën më të madhe deri tani.
I treti, Viktor Orbán (i quajtur me ledhatim “perandori)” – është më përvojë dhe më dinaku nga të tre. Kontrolli i tij mbi institucionet është pothuajse absolut, kurse sistemi zgjedhor është dizajnuar për të favorizuar partinë e tij, Fidesz. Por, madje edhe sistemet më së miri të konstruktuara lëkunden kur ekonomia merr teposhtën, ndërsa Hungaria vitet e fundit po përballet me inflacion të lartë, rritje çmimesh dhe rënie të pagave reale. Klasa e mesme urbane, që ishte baza e tij kyç, po fillon të distancohet nga Fidesz. Kurse po rritet gjithnjë e më tepër përshtypja për pakënaqësi masive. Opozita, e cila vite me radhë ishte e përçarë dhe e impotente – përfundimisht ka gjetur pikë të përbashkët rreth partisë Tisa dhe liderit të saj karizmatik, Péter Magyar dhe ata vitin e fundit janë në epërsi të dukshme para Fideszit ( 6–8%), sipas “Politico-s”.
Zgjedhjet parlamentare të prillit 2026 do të jenë momenti i së vërtetës. Nëse opozita arrin të mobilizojë energjinë dhe të kapërcejë bllokadën mediatike, Orbán mund të humbasë pushtetin ose të detyrohet të shkojë në koalicion – diçka që do të ishte shok për politikën hungareze dhe një ndryshim tektonik politik.
Çka nëse bien të tre “musketarët”?
E, tani pyetja kryesore: Çfarë ndodh nëse të tre këta „musketarë“ humbin, një skenar ky i besueshëm gjatë 18 muajve të ardhshëm? Kuptohet, kjo do të ishte një spostim tektonik në skenën politike: (1) Nëse bie Dodiku – Bosnja do të ketë mundësi të forcojë institucionet dhe të zhbllokojë rrugën evropiane; (2) Nëse Vuçiqi humb, Serbia përfundimisht mund të hyjë në procesin e vërtetë të demokratizimit, me më shumë liri mediatike dhe kurs më të qartë proevropian, dhe (3) Nëse Orbán mposhtet, BE-ja do të ketë shansin të rikthejë kredibilitetin e vet dhe të zvogëlojë bllokadën e politikave evropiane ndaj Ukrainës, Rusisë dhe Ballkanit.
Megjithatë, nuk duhet shpërfillur rrezikun se ndërrimi i liderëve kaq të fuqishëm mund të krijojë një vakum të fuqisë, që tradicionalisht tek ne kanë për pasojë tranzicione të paqëndrueshme dhe radikalizim të gjeneratës së ardhshme të politikanëve. BeH mund të përballet me protesta dhe bllokada rrugësh, Serbia me krizë institucionale dhe qeveri të dobët, ndërsa Hungaria me përpjekje të Fideszit që të ruajë kontrollin përmes gjyqësorit dhe administratës.
Me rëndësi vendimtare do të jenë qëndrueshmëria juridike e BeH-së, lëvizjet ekonomike në Hungari, nëse opozita në Serbi do të bashkohet dhe nëse Brukseli dhe Uashingtoni do t’ia dalin të pengojnë plotësimin e këtij boshllëku me lojtarë më radikalë në rajon, sidomos nën ndikimin e Rusisë.
Nëse që të tre bien, Ballkani dhe Evropa Qendrore do të duken shumë ndryshe: ndoshta më të hapura drejt BE-së, më pak nacionaliste, por gjithashtu më të ekspozuara ndaj një periudhe të pasigurisë politike.
Historia rrallëherë ofron një mundësi të tillë – çështja është nëse shoqëritë do ta shfrytëzojnë për reforma ose do të lejojnë që radikalët e rinj të plotësojnë boshllëkun.
*Shkrimi është marrë nga dw.cm/mk/ Përktheu në shqip: kdp.mk