OpEd

Do të tregoja...

Do të duhej t’u tregoja se si i patëm të gjitha në duar, por ambicien individuale e patëm më të fuqishme. Do t’u tregoja se si shumica e kryeministrave që patëm, këtë post e kishin pasur punë të parë përnjëmend dhe gjithashtu do të “krenohesha” me aftësinë e menaxhimit të rrogave publike, një shkathtësi që do të duhej patentuar: prej pesëqind në pesë milionë janë vetëm edhe pesë zero. E zerot nuk kanë vlerë, apo jo? Gabim! Kanë, dhe të bëjnë milioner

Para nja dy muajsh, më kontaktoi një shok i brezit të maturës dhe më thoshte se e kishin krijuar një grup në Whatsapp, se po të doja të bashkohesha, ta ndaja me të numrin tim të telefonit.

Ia dhashë, së bashku me prefiksin e Kosovës. Mbas gjysmë ore përpjekjesh, më shkroi sërish dhe më tha se numri nuk po regjistrohej dhe se me gjasë ia kisha dhënë gabimisht. E shikova edhe një herë porosinë dhe e pashë “gabimin”: prefiksi i nevojshëm ishte 377 e jo 383 – se ende figuroja në sistem me “numrin origjinal” e para 20 e kusur vjetësh.

Nuk u lodha fort të shpjegoja se përse, pas gjithë këtyre vjetëve, një aplikacion ende nuk e njeh prefiksin e shtetit tim (apo mbase e njeh, por unë nuk po ditkam të punoj me të) – me rëndësi që kishim rënë në kontakt pas 40 e sa vjetësh. Por, kureshtja nuk iu shua me kaq: donin të dinin se cila ishte kjo Monakoja në të cilën jetoja.

U thashë se rrëfimi ishte i gjatë dhe se ndonjëherë tjetër do të kisha më shumë nerva t’ua shpjegoja.

* * *

Pikërisht pyetja: “E ku jeton ti”, më bëri të ndalesha e të përpiqesha që t’ia shpjegoja vetes se ku, në të vërtetë jetoja. E ktheva shiritin shumë prapa, dhe për të satën herë, më doli se pjesa më e lumtur e jetës sime kishte qenë koha para se të nisesha në shkollë.

Me obligimin e vetëm që të luaja dhe t’i dëgjoja prindërit, i kalova së paku nja tre vjet e gjysmë në mëhallën që shtrihej mbas “Bozhurit”, duke luajtur “cimcimone”, “kulla”, futboll..., nëpër tokën e pashtruar dhe me ndonjë copëz bari aty-këtu. Ne që ishim më të shkathët, e kishim edhe opsionin e ngjitjes nëpër tri trungjet e mollëve dhe një të “gjanarikave” të fqinjëve, të cilët nuk e kishin telashe: fundja, degët e kalonin ‘mexhën’ dhe meqë shtriheshin mbi “hapësirën tonë të punës”, mund t’i vilnim pa frikë.

Koha për të cilën po flas e përfshin edhe 1966-n e Rankoviqit, edhe 1968-n e demonstratave dhe fillit të autonomisë së plotë politike të Kosovës. Por për mua, atëherë, ishin gjëra që as që i dija, e as që i kuptoja. Me t’i bërë pesë vjet, të vetmen gjë që e kuptova qe se njerëzit e mbledhur me mijëra në rrugë, “strehoheshin” pas një flamuri të kuq me një shkabë të zezë.

* * *

Po të doja t’ua shpjegoja miqve se ku jetoj, do të duhej t’i qasem stilit tonë autentik të rrëfimit që nis kushedi sa shekuj prapa. Të tregoj për autoktoninë tonë; për lashtësinë tonë dhe për ripërjetimin e fatit të njëjtë prej një epoke në tjetrën: e të qenit popull i pushtuar jo një, por shumë herë, nga popuj të tjerë, që nuk na e donin të mirën.

Do të duhej t’ua shpjegoja se me shekuj na mbajtën të nënshtruar, aq sa na e mbytën paganizmin e na i sollën fetë e tyre, dhe e bënë arsimin e kulturën një privilegj për një numër shumë të kufizuar njerëzish. Sepse masa, sa më e paarsimuar, aq më e mashtruar e edhe e nënshtruar.

E nënshtrimi sjell asimilim, e nëse s’ka asimilim atëherë ka vrasje. E neve na vranë jo një, por shumë herë. Mizorisht. E kur nuk mundën të na vrisnin të gjithëve, na dëbuan... jo një, por shumë herë.

E megjithatë, duket se ia bëmë si feniksi, ama një sui generis, si vetë ne – u bëmë sërish nga hiri, gjaku, lotët e skamja.

* * *

Do t’ju shpjegoja se në tokën time, kishte breza që u rritën dhe kishte breza që u poqën me represionin. Se brezi i prindërve tanë i kishte jetuar, dhe nëse ishin me fat, mbijetuar, dy luftëra - një që e quanin të madhe dhe një që e quanin konflikt. Rezultati i që të dyjave kishte qenë vrasja e një numri të madh njerëzish dhe shkatërrim e djegie. Te konflikti, u shfaq dhe dokumentua edhe një armë e re e luftës: dhunimi, pavarësisht gjinisë.

Patjetër se do ta tregoja ndonjërin kujtim nga puna në terren gjatë luftës dhe do të isha e sinqertë kur do të thosha se sado që kemi qejf të themi se ne e çliruam veten, liria megjithatë na erdhi nga aeroplanët dhe trupat e huaja ushtarake. Dhe sado që do të doja t’u thosha se dashuria jonë aq e madhe ndaj atdheut na e bëri të mundur ta bëjmë shtetin tonë të vockël, nuk do të mundja. Sepse nuk do të ishte e vërtetë. Për shkak se pos që na shkruan Deklaratën e Pavarësisë, na e qepën edhe flamurin.

Do të duhej t’u tregoja se si i patëm të gjitha në duar, por ambicien individuale e patëm më të fuqishme. Do t’u tregoja se si shumica e kryeministrave që patëm, këtë post e kishin pasur punë të parë përnjëmend dhe gjithashtu do të “krenohesha” me aftësinë e menaxhimit të rrogave publike, një shkathtësi do të duhej patentuar: prej pesëqind në pesë milionë janë vetëm edhe pesë zero. E zerot nuk kanë vlerë, apo jo? Gabim! Kanë, dhe të bëjnë milioner.

* * *

Në vendin ku jetoj, do t’u thosha nuk ka sigurim shëndetësor; nuk ka sigurim pensional; ka sistem shkollor që, për keqardhje, është më i dobët për nga cilësia sesa shkollimi i brezit tim; ngjarja më e madhe kulturore mbahet nëpër kinema të improvizuara, kurse koncertet më përmbajtjesore në rrugën kryesore të qytetit që është mbyllur dhe quhet shesh.

Do të tregoja se na ka marrë nja dhjetë vjet për ta bërë një stadium futbolli me standarde të UEFA-s dhe FIFA-s, dhe se ligën e futbollit e luajmë nëpër “stadiume” të improvizuara, herë me tribuna e herë pa to, e herë me bar gjysmësintetik, e herë me tepisona dhe se krenarinë më të madhe në sport na e ka sjellë xhudoja – dhe jo krejt me përkrahje institucionale. Do ta tregoja detajin se vetëm pas tri të artave olimpike, u bëmë me qendrën kombëtare të xhudos.

Do të më pyesnin për punën, dhe do t’u thosha se të mbash medium të pavarur është shumë rëndë, se tregu është stërmbushur me gjithçka, se gjithkush, meqë është tregu i liberalizuar, mund të hapë medium dhe të merret me çfarë t’i teket. E megjithatë, në mesin e këtij pazari, janë edhe ata që thonë se liria e shtypit në Kosovë është më keq se në Serbi e Shqipëri, sepse ky është diskursi i cili në këtë çast u konvenon, ose për të cilin edhe paguhen.

* * *

Megjithatë, do të bëhesha krejtësisht e sinqertë dhe do t’u tregoja se, megjithatë, vendi im i ka dy sporte nacionale: inatin dhe pingpongun.

Përafërsisht çdo katër vjet del në pah aftësia e patejkalueshme antike për të “lidhur çykë” e për të mos lëshuar pe – jemi treguar fantastikë në përkufizimin e “shumicës” dhe domethënien që ka, ose që duhet të ketë, kur duhet themeluar institucionet.

E mandej, kemi institucione që japin interpretime juridike ashtu siç i konvenon atij që rri nën dardha, për t’ia zgjatur mundësinë e pushtimit dhe nënshtrimit të një populli të tërë, për shkak se mundet dhe për shkak se “qejfi është më i madh se Stambolli”. (pak zor për t’u përkthyer, por mbase gjendet ndonjë idiomë me ekzotike)

Do të detyrohesha të shpjegoja se në vendin tim të vogël, faji është gjithnjë jetim dhe se logjika e komunikimit politik është si arsyetimi i fëmijës së qortuar, që do të ta bëjë me dije se ka edhe një tjetër fëmijë që e ka bërë sherrin e njëjtë. E prej të cilit sherr nuk ka(në) mësuar asnjë send.

* * *

Shumë do të doja t’u tregoja se jemi nisur për në Evropë, dhe se prej saj kërkojmë para për të na përkrahur, por që edhe për t’i marrë ato para nuk mundemi, sepse nuk kemi Kuvend.

Në vijim, do të doja t’u tregoja se problemin më të madh me të cilin ballafaqohemi tash është rryma, sepse rregullatori ka vendosur t’i mbulojë shpenzimet astronomike të bartjes me rritje çmimi dhe se për këtë do të duhej të merrej në përgjegjësi. Por nuk mundet të merret në përgjegjësi, sepse nuk ka Kuvend.

Do të doja të thosha se së shpejti do t’i kemi ligjet më të mira në botë, me zgjidhje praktike e inteligjente, hartuar nga koka të ndritura për të mirën e qytetarit. Por nuk do të mundem, për shkak se duket se as nuk kemi koka të ndritura, e as nuk kemi zgjidhje praktike e inteligjente. Për më keq nuk kemi as Kuvend, e as njerëz që e duan këtë vend mjaftueshëm, sa për të mos e sjellë në pikën më të ulët të varfërisë intelektuale e materiale.

[email protected]