OpEd

Diplomacia – “Me neve apo me arushën?”

Në vazhdën e lansimit të balonave të Kapadokias dhe matjes së pulsit politik në Kosovë, përveç disa non-paperëve të cilët na u lajmëruan më herët me

E dini atë ndjenjën e cila iu përshkon kur për shembull blini një palë këpucë të bukura e të shtrenjta dhe me emër nga ndonjë prodhues i njohur i tyre, dhe ato ta shtrëngojnë këmbën dhe nuk ndien aspak komoditet. Vazhdon që të ecësh dhe bën sikurse asgjë nuk po ndodh.

Pritshmëritë e tua ishin të mëdha, pasi që ato janë këpucë me emër e edhe çmimin e kanë të lartë. Në këmbë për shkak të fërkimeve të forta dhe të shpeshta shfaqen edhe flluskat e para nën pjesën e epërme të lëkurës, të cilat ashtu mbushen me një lloj lëngu trupor. Ato shkaktojnë edhe dhimbje, edhe humbje të komoditetit të këmbës dhe të të ecurit, posaçërisht me ato këpucë.

Vazhdon që të besosh se me kohë këpucët do të lirohen dhe se nuk do t’i vrasin më këmbët.

Një lloj ndjenje të ngjashme e kam me këtë qeveri të Republikës së Kosovës, për të cilën votova edhe vetë.

Pritshmëritë i kisha të mëdha, si edhe secili nga ne të cilët e votuam, por jo me votën blanko të militantit. Sjelljet e saj shpeshherë amatore po vazhdojnë të më shkaktojnë shtrëngime në shpirt. Për flluska nuk e di nëse më janë formuar, pasi që nuk po i ndiej, mirëpo shtrëngimet dhe jokomoditetin medoemos se po.

E dëgjuam edhe arsyetimin e ministres së Punëve të Jashtme, zonjës Donika Gërvalla, gjatë seancës së dëgjimit në Komisionin Parlamentar të bërë nga ana e një deputeti në lidhje me cicërimat skandaloze me rastin e rrëmbimit të aeroplanit nga ana e shtetit të Bjellorusisë dhe kidnapimit të gazetarit me prejardhje bjelloruse.

Arsyeshmëria e ministres konsistonte në faktin se Tweeter lejon vetëm 270 karaktere për cicërimë, (në fakt 280) dhe se në kuadër të aq karaktereve është e vështirë të jesh e thuktë në shprehjen e qëndrimeve politike/diplomatike dhe ajo e mori përgjegjësinë dhe kërkoi falje për atë lëshim.

Kjo definitivisht si pasojë e një kulture të punës gjermane të instaluar tek ajo ndër vite, sepse në atë mentalitetin tonë pranimi i gabimit dhe kërkimfalja janë inekzistente.

Mirëpo pavarësisht kësaj kërkimfaljeje, Kosova nuk e ka luksin që në diplomacinë e saj digjitale të bëjë aso gafash, e sidomos kur e kemi parasysh pozitën dhe situatën e brishtë të shtetit tonë në arenën ndërkombëtare. Që do të thoshin pellazgët e moçëm, "njeriu duhet me ia ditë hallin vetit". I njëjti parim vlen edhe në diplomaci e edhe në diplomacinë digjitale. Se ato lajthitjet brenda shtëpisë sonë me diplomacinë e stilit "me mua apo me arushën" edhe nuk e kanë ndonjë konsekuencë të madhe, tejkalohen.

Në të njëjtën kohë nëpër muret e shumta të militantëve të shumtë të partisë në pushtet shoh ekzaltime me mënyrën e menaxhimit të pandemisë dhe rënien e gjithmbarshme të numrit të të infektuarve, si dhe vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19.

Gjithsesi se është lajm i mirë rënia e numrit të të infektuarve të testuar e sidomos rënia e rasteve të vdekjeve nga kjo pandemi. Por dorën në zemër, kjo më së paku është meritë e ndonjë politikani qoftë kudo nëpër botë e veçanërisht në Kosovë. Njëri nga komentet e shumta e të ngjashme të përkthyera në gjuhën shqipe e të bëra nga shumë qytetarë britanikë është me sa vijon: "Qeveria ka dështuar të veprojë si duhet në çdo moment kyç të pandemisë. Çështja është e mbyllur". Vlen të theksohet se që nga fundi i dhjetorit 2020 në Britaninë e Madhe 70% janë vaksinuar tashmë edhe me dozat e dyta të vaksinave.

Po edhe këtu kemi rënie në numrin e të infektuarve dhe rasteve të vdekjeve të shkaktuara nga Covid-19. Mirëpo ajo çka e kaluara na ka mësuar deri më tash, është se variacionet e reja të virusit po janë shumë më shpërndarëse sesa të mëparshmet. Njëjtë është tani edhe me variacionin indian, të cilin po mundohen ta mbajnë të izoluar në komunitetet ku ai është paraqitur, ndërsa në anën tjetër masat janë lehtësuar dukshëm sa u përket lëvizjes së lirë dhe hapjes së lokaleve të hotelerisë dhe bizneseve të tjera.

Në vazhdën e lansimit të balonave të Kapadokias dhe matjes së pulsit politik në Kosovë, përveç disa non-paperëve të cilët na u lajmëruan më herët me "mungesë autorësh", tani vijnë disa të ashtuquajtura iniciativa nga ana e presidentit francez, Macron, ku thuhet se qytetarëve të Kosovës do t’u garantoheshin lëvizja e lirë me heqjen e vizave, si dhe pranimi i shtetit të Kosovës nga ana e Greqisë në këmbim për autonominë e veriut të Kosovës, si dhe eksterritorialitetit të kishave serbe!!! Këso lloj kushtëzimesh pikësëpari nuk e bëjnë serioz qasjen e asnjë burrështetasi e aq më pak të Bashkësisë Evropiane nëse edhe ajo mendon që të vazhdojë këtë lloj qasjeje ndaj zgjidhjeve të problemeve të fjetura midis Kosovës dhe Serbisë.

E këto balona testuese janë sinjalizues të qartë qoftë për Qeverinë e Republikës së Kosovës e qoftë edhe për opozitën e përfaqësuar në Kuvend, edhe atë joformalen të mospërfaqësuar në Parlament, për seriozitetin e kësaj çështjeje dhe se duhen një bashkëpunim dhe unitet i ngushtë për çështjet me interes vital për të ardhmen politike të shtetit të Kosovës.

Përndryshe, absurditeti i kërkesave në drejtim të Kosovës nuk do të ketë përfundim në horizont, mundet vetëm të ndryshojnë format dhe protagonistët.

Nuk kam edhe unë se si të mos e përmend rastin e rrëmbimit të aeroplanit të kompanisë “Ryanair” nga ana e Qeverisë së Bjellorusisë dhe kidnapimit të blogerit Roman Protaseviq, i cili luajti një rol kyç në protestat masive të vitit të kaluar kundër presidentit Alexander Lukashenko. Kësaj radhe Unioni Evropian si rrallë ndonjëherë ishte i shpejtë në marrjen e vendimit për sanksione ndaj Lukashenkos dhe shtetit të tij me ndalimin e të gjitha fluturimeve nga Bjellorusia për destinacionet evropiane. Aeroplani e kishte ndërruar drejtimin për destinacionin final pas një alarmi të rrejshëm për bombë përbrenda aeroplanit. E gjithë kjo situatë bashkësinë ndërkombëtare e bëri ta kuptojë se pirateria dhe terrorizmi ndërkombëtar tashmë janë në një nivel tjetër. Ky akt e dëshmon brishtësinë e lirive tona të garantuara, si dhe avancimin e shteteve autoritare me metodat e tyre të piraterisë dhe terrorizmit ndërkombëtar për t’i arritur qëllimet e tyre për mbylljen e gojës dhe fjalës të secilit oponent politik i cili mendon ndryshe nga ata.

Si për ironi, në Londër këtyre ditëve është një fushatë për ngritjen e vetëdijes mbi bashkëjetesën midis qenieve njerëzore dhe kafshëve të shumta ekzotike, hapësirat e të cilave zhvillimi i civilizimit tonë i ka uzurpuar me zhvillimin e vet. Rreth 100 elefantë të drunjtë të përmasave janë vendosur nëpër Chelsea dhe gjetiu nëpër Londër dhe do të mbesin të ekspozuar deri më 6 qershor, kur përfundon fushatëla COEXIST. Më pas, këta elefantët e drunjtë do të shiten për £6,000 - £30,000.

Pyetja legjitime mbetet si të koekzistojmë me kafshët, kur historia na mëson se ne nuk po mundemi të koekzistojmë as ndërmjet vete si njerëz?!

Tash të kthehem pak tek opozita politike kosovare. E di që kushdo nga opozitarët që ta ketë lexuar këtë edicion të Ditarit tim, sigurisht se do të pajtohej me përmbajtjen.

Mirëpo unë e kam bërë një gabim kur i përshkrova shtrëngimin e këpucëve të reja nga ndonjë prodhues i njohur këpucësh dhe jokomoditetin të cilin ato e shkaktojnë.

Në fakt, bëhet fjalë për ato këpucët e shkelura 20-vjeçare, të cilat i mbajmë ashtu para derës sa për të arritur në destinacione të shkurtra, si p.sh. për ta hedhur plehun, për të blerë diçka në dyqanin e lagjes apo ndonjë vizitë fqinjëve të lagjes. Këto këpucë u shkelën nga ju opozitë e nderuar. Deformimin e tyre në formën e një bretkose të shkelur nga ana e një rrote të traktorit jua dhatë dhe bëtë këtë pikërisht ju për dy dekada. Kjo qeveri po mundohet të ecë në këto këpucë të trashëguara e me këmbë të buta dhe të papërvoja. E ecja me to, jo vetëm se shkakton dhimbje dhe flluska në distanca, qoftë edhe të shkurtra, por me to njeriu kollaj edhe merr në thua dhe kollaj të rrëzohesh e edhe të qallamitesh me to.

Prandaj kritikat e juaja të zhurmshme drejtuar kësaj qeverie janë me të vërtetë neveritëse dhe aspak etike. Kritika do të ketë mjaft dhe pikërisht edhe nga vetë njerëzit të cilët e kanë votuar këtë qeveri, mirëpo ato kritika do të jenë të sinqerta dhe pa asnjë prapavijë apo kalkulim të përfitimit politik.