Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Dhuna seksuale, krim lufte dhe krim kundër njerëzimit

Për një kohë të gjatë dhuna seksuale në konflikt është përdorur si një armë e heshtur dhe e efektshme në konfliktet anembanë botës. Historikisht përdhunimi është përdorur si një strategji për spastrim etnik dhe gjenocid, si një mjet për të shkatërruar familjet dhe komunitetet, si një metodë e nxitjes së terrorit dhe nxjerrjes së informacionit. Për një kohë të gjatë dhuna seksuale ishte pothuajse e padukshme. Të mbijetuarit vuanin në heshtje, të turpëruar për diçka që nuk ishte faji i tyre, të turpëruar nga familjet e tyre, të stigmatizuar, të lënë për t'u përballur me veten dhe gjithmonë pa mirëkuptim dhe ndihmë.

Vetëm në vitin 1992, kur bota u përball me përdhunime të gjera të grave në ish-Jugosllavi dhe Ruandë, çështja u vu në vëmendjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Si rezultat i presionit të rëndësishëm publik, dhuna seksuale u pranua përfundimisht si një armë lufte.

19 qershori 2008 shënon miratimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1820, e cili e njohu dhunën seksuale si një taktikë lufte dhe një kërcënim për paqen dhe sigurinë globale, duke kërkuar kështu një përgjigje operacionale të sigurisë dhe drejtësisë. Ajo gjithashtu njohu përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale si krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Që nga fillimi i konfliktit në Kosovë, organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët për të drejtat e njeriut kanë ngritur zërin për të nxjerrë në pah çështjen e përdhunimit që u përdor kundër popullatës civile, përkatësisht grave dhe vajzave. U deshën gati njëzet vjet beteja, përpjekje dhe punë e palodhur e institucioneve të Kosovës, shoqërisë civile dhe agjencive të OKB-së (sidomos “UN Women”) për t'u dhënë zë viktimave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit. Ligji i cili u jep njohje ligjore këtyre viktimave u miratua në mars të vitit 2017 nga Kuvendi i Kosovës.

U pasua me themelimin e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë. Në shtator të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës ndau një buxhet për procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarve të sulmeve seksuale. Pas identifikimit të mbijetuarit marrin statusin zyrtar të viktimave civile, të cilët kanë të drejtë për dëmshpërblime dhe pensione mujore.

Është një hap i madh përpara, megjithatë duhet të bëhet më shumë nga aspekti ligjor dhe njerëzor. Edhe sot vuajtjet vazhdojnë, viktimat apo të mbijetuarit keqkuptohen, viktimizohen dhe largohen. Është detyra jonë të lobojmë me institucionet e tjera që të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të njohur këto gra në të njëjtën mënyrë si çdo viktimë tjetër që pësoi gjatë konfliktit, për të hequr vellon e padukshmërisë dhe të turpit. Ato janë nënat, motrat dhe vajzat tona, dhe ato duhet të trajtohen me dhembshuri, respekt dhe vendosmëri për atë që kanë duruar. Për shumicën e kosovarëve paqja erdhi 19 vjet më parë. Është koha që të punojmë së bashku për të sjellë paqe për këto gra dhe fëmijë të mbijetuar të sulmeve seksuale dhe për pasojat e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin që jehon ndër gjenerata, përmes traumës, stigmës, varfërisë, shëndetit të dobët dhe shtatzënisë së padëshiruar.

Në të vërtetë këtë vit 19 Qershori u dedikohet "Plagës dhe të drejtave të fëmijëve të lindur nga lufta". Këtë vit ne do të përqendrohemi tek fëmijët ekzistenca e të cilëve rrjedh nga dhuna seksuale, të cilët shpesh emërohen si "gjak i keq" ose "fëmijë të armikut" . Për më tepër, nënat e tyre janë më tepër sesa të margjinalizuara dhe të anashkaluara nga familjet dhe komunitetet e tyre. Fëmijët si rezultat i përdhunimit në kohë lufte shpesh luftojnë me çështje të identitetit dhe përkatësisë, për dekada pas përfundimit të luftës. Ata pranohen rrallë nga shoqëria. Përveç kësaj, aborti i pasigurt mbetet një shkak kryesor i vdekshmërisë së nënave në mjediset e prekura nga konflikti, gjë që thekson më tej nevojën për të mbrojtur gratë në luftë. Sot në kujtim të të mbijetuarve të kësaj arme të papranueshme të kohës së luftës, këtë krim kundër njerëzimit, le të bashkohemi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së për të "... përforcuar zërat e këtyre viktimave të harruara të luftës, të cilët vuajnë stigmatizim, turp dhe përjashtim, në shoqëri të polarizuara nga konflikti i armatosur."

Ulrika Richardson është Koordinatore e zhvillimit e OKB-së dhe Përfaqësuese e përhershme e UNDP-së

Artikuj të ngjashëm