Çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe e qasjes së tyre në të drejta dhe reparacione deri vonë ishte një çështje e anashkaluar nga institucionet, ndërsa organizatat e grave ishin ato që nga viti 1999 ofruan përkrahje për të mbijetuarat. “Nuk duam lule, duam drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës”, ishte thirrja e protestës së organizuar më 8 mars 2012 nga Rrjeti i Grave të Kosovës, për të thyer heshtjen e mëparshme, duke kërkuar mbështetje për të mbijetuarat.
Ndonëse hap i vonuar, më 20 mars të vitit 2014, miratimi në Kuvend i Projektligjit që njeh të mbijetuarat si kategori e dalë nga lufta, shënoi hapin e rëndësishëm të njohjes së statusit ligjor të tyre dhe zbutjen e pasojave të konfliktit të armatosur në Kosovë.
Thelbi i përpjekjeve gjithëpërfshirëse është themelimi i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës, më 7 mars 2014 , nga presidentja Jahjaga.
Në shkurt të vitit 2018, në një hap kyç përpara, u krijua Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, duke u lejuar të mbijetuarve të aplikojnë për dëmshpërblime financiare, me trajtim të sigurt të informacionit dhe duke respektuar të drejtat e tyre.
“UN Women” ka mbështetur themelimin e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë. Së bashku me Institutin e Kosovës për Administratë Publike kemi zhvilluar modulet e trajnimit për anëtarët e Komisionit, OJQ-të e autorizuara dhe zyrtarët e DFDIL-së, për t'i ndihmuar në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarve. Kjo përkrahje do të vazhdojë edhe më tej, me qëllim të lehtësimit të këtij procesi kaq të rëndësishëm.
Edhe
Viktimat e dhunës seksuale, të shqetësuara me vonesat për njohjen e statusit nga Komisioni Qeveritar
Sigurimi i pensioneve si reparacion është vetëm një hap në procesin e arritjes së drejtësisë për të mbijetuarat, që është vonuar dhe mohuar për kaq shumë kohë.
Është e rëndësishme të theksohet që nevojat të mbijetuarave të dhunës seksuale në konflikt janë të ndryshme dhe se të mbijetuarat vazhdojnë të përballen me shumë sfida, duke përfshirë qasjen e kufizuar në punësim, shëndetësi, (ri)arsimim dhe përfshirje sociale, që shton vështirësitë dhe kufizon mundësitë e tyre për t'u angazhuar në shoqëri.
Me qëllim të krijimit të kushteve të jetesës së qëndrueshme për të mbijetuarat, fuqizimi ekonomik dhe e drejta në trashëgimi dhe pronë duhet të trajtohen njëkohësisht.
Për të lehtësuar qasjen në drejtësi për të mbijetuarat, “UN Women” vazhdon të përkrahë ngritjen e kapaciteteve profesionale të prokurorëve të përkushtuar të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe hetuesve të Njësisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, që kanë marrë përsipër detyrën e rëndësishme për të punuar me rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në bashkëpunim me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe katër organizata të specializuara në trajtimin e të mbijetuarave nga dhuna seksuale, “UN Women” ndau mikrogrante për të mbijetuarat, në drejtim të fuqizimit të tyre ekonomik. Këto veprime janë shoqëruar me mbështetje psiko-sociale, si dhe avokim të përbashkët me organizatat, për të përfaqësuar më gjerësisht interesat e të mbijetuarave.
Përkrahur nga BE-ja dhe në partneritet me agjenci të tjera të OKB-ës dhe OJQ vendore, nga viti 2013, “UN Women” është duke e implementuar projektin Perspektiva Gjinore në Drejtësi Transicionale, me synimin e përgjithshëm për ta ngritur efikasitetin e proceseve të drejtësisë transicionale.
Shpresojmë që Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë me përkushtim në forcimin e mekanizmave mbështetës, në përmirësimin e qasjes në drejtësi, ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe mobilizimin e përkrahjes publike për të mbijetuarat e dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin.
Presim angazhim më të madh nga institucionet për ta njohur këtë krim lufte që ka ndodhur në Kosovë dhe për të nxjerrë përgjegjësit e këtyre krimeve para drejtësisë.
Është e rëndësishme për të gjithë që të pranohet se të mbijetuarat e dhunës seksuale në konflikt nuk janë persona që kanë nevojë për bamirësi, por faktor aktiv në shoqëri, që u janë shkelur të drejtat dhe të cilat kanë filluar të kompensohen paksa për krimet e kryera kundër tyre.
Edhe
Viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës u bëhet thirrje që të aplikojnë për të drejtën e pensionit
I bëjmë thirrje shoqërisë që të lehtësojë vuajtjet e të mbijetuarave duke i përkrahur, për të lehtësuar realizimin e të drejtave të tyre, të shkelura për një kohë të gjatë.
Ndihmoni ato që ta rikthejnë jetën e tyre.