Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
OpEd

Deglobalizimi që po e përkeqëson inflacionin në SHBA

Trajtimi i inflacionit në SHBA dhe në botë kërkon përgjigje të koordinuar shumëpalëshe. Në minimum, një përgjigje e tillë do t’i bënte mirë SHBA-së duke reduktuar ekspozimin e saj afatgjatë ndaj kostove në rritje të importit

Tani pranohet gjerësisht se deglobalizimi – pakësimi i tregtisë globale, zbutja e flukseve të kapitalit, barrierat e reja ndaj migrimit dhe rënia e ndikimit të institucioneve shumëpalëshe – është duke u zhvilluar mirë. Por politikëbërësit ende nuk e kanë pranuar kontributin e saj në inflacionin global. Për të frenuar rritjen në rritje të çmimeve, Rezerva Federale dhe bankat e tjera qendrore duhet të përshtaten me sfidat e një bote që po deglobalizohet me shpejtësi.

Globalizimi ka vepruar si forcë deflacioniste duke ulur kostot e punës dhe prodhimit. Po kështu, tiparet kryesore të deglobalizimit – tarifat më të larta dhe pengesat e tjera tregtare, së bashku me një zhvendosje nga flukset tregtare globale në ato rajonale – janë nxitësit e njohur të inflacionit. Prandaj, nuk është çudi që inflacioni i mallrave bazë në Shtetet e Bashkuara është rritur ndjeshëm, nga më pak se 2% në fillim të 2021-s në 6% në mesin e 2022-s.

Kohët e fundit kam argumentuar se inflacioni në SHBA po shkon drejt një rënieje, sepse ekonomia amerikane është e pajisur në mënyrë unike për ta zbutur ndikimin e çmimeve në rritje. Mirëpo, deglobalizimi ka të ngjarë të kontribuojë në presionet inflacioniste duke rritur kostot operative të kompanive, duke mbajtur kështu inflacionin amerikan më të lartë se diapazoni 1-2% i regjistruar gjatë pjesës më të madhe të dekadës së kaluar dhe duke qëndruar pranë normës së synuar prej 2% të Fedit.

Për dekada, korporatat amerikane kanë përfituar jashtëzakonisht nga efektet deflacioniste të globalizimit. Tani, megjithatë, kufizimet e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit që lidhen me politikën strikte të Kinës me zero-COVID dhe luftën e Rusisë në Ukrainë pritet të vazhdojnë të rrisin çmimet e ushqimit, karburantit dhe mallrave të prodhuara në afat të shkurtër dhe të mesëm.

Më gjerësisht, tensionet e rritura gjeopolitike kërcënojnë të bëjnë kosto më të larta të inputeve në një pjesë të një bote deglobalizuese. Gjersa lëvizja ndërkufitare e mallrave, kapitalit dhe njerëzve karakterizoi ekonominë e globalizuar të tri dekadave të fundit, rivaliteti në rritje kino-amerikan mund të jetë pararojë e një epoke të shënuar nga një ndarje ideologjike në rritje dhe një ekonomi globale e ballkanizuar. Barrierat ndaj migrimit do ta bënin më të vështirë për kompanitë amerikane tërheqjen e talenteve kryesore globale dhe rritjen e kostove të punës.

Teksa normat e interesit rriten dhe zinxhirët e furnizimit mbeten të pambrojtur, kompanitë amerikane po e favorizojnë qëndrueshmërinë ndaj kostove të ulëta të prodhimit, duke çuar në riatdhesim masiv të kapitalit. Sipas gjurmuesit të Shkollës së Menaxhimit të Yale-s, më shumë se 1 mijë kompani – shumë prej tyre amerikane – kanë kufizuar vullnetarisht operacionet e tyre ruse përtej asaj që kërkojnë sanksionet ndërkombëtare. Në një ekonomi të deglobalizuar, më shumë kapital investimi do të kthehej përsëri në SHBA, duke çuar në një vëllim më të lartë dollarësh që ndjekin asetet e SHBA-së dhe do të ushtronin presion më të lartë mbi çmimet.

Së fundi, mungesa e dukshme e koordinimit të politikës monetare – posaçërisht midis ekonomive të zhvilluara – mund ta përkeqësojë rritjen globale të çmimeve. Ndryshe nga përgjigja e koordinuar monetare ndaj krizës globale financiare të vitit 2008, politikëbërësit në ekonomitë kryesore të botës duket se besojnë se çdo vend duhet të kujdeset për veten e tij në luftën kundër rritjes së inflacionit të sotëm. Teksa udhëheqësit e G7-s janë zotuar ta monitorojnë inflacionin global, ata nuk kanë njoftuar masa për të luftuar rritjen e çmimeve në mënyrë të koordinuar. Përkundrazi, një veprim i koordinuar i politikës së kohëve të fundit që vendet e G7-s ndërmorën – sanksionet kundër Rusisë – ka përkeqësuar padyshim presionet inflacioniste, duke rritur ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit dhe duke nxitur rritje të çmimeve të karburantit.

Mungesa e bashkëpunimit global dëmton më shumë nga vendet më të cenueshme të botës. Kur bankat kryesore qendrore rrisin normat e interesit, ato e eksportojnë inflacionin në vendet më të vogla. Shtrëngimi agresiv monetar në SHBA tashmë ka bërë që dollari të rritet kundrejt funtit, të shkelë barazinë me euron dhe të arrijë një nivel më të lartë 20-vjeçar kundrejt jenit, duke nxitur inflacion më të lartë të udhëhequr nga importet në vendet, monedhat e të cilave janë dobësuar.

Trajtimi i inflacionit në SHBA dhe në botë kërkon përgjigje të koordinuar shumëpalëshe. Në minimum, një përgjigje e tillë do t’i bënte mirë SHBA-së duke reduktuar ekspozimin e saj afatgjatë ndaj kostove në rritje të importit. Anasjelltas, fragmentimi diplomatik – karakteristikë përcaktuese e epokës sonë, të cilat kanë çuar në ngritjen e barrierave të shumta tregtare në vitet e fundit, veçanërisht midis SHBA-së dhe Kinës dhe midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Evropës.

Të marra së bashku, këto tendenca paralajmërojnë një mjedis global që do të vazhdojë të ushqejë inflacion më të lartë në SHBA, edhe nëse Amerika është më pak e cenueshme se ekonomitë e tjera të përparuara. Përpjekjet aktuale të Fed-it për të frenuar inflacionin duke rritur normat e interesit dhe duke zvogëluar bilancin e saj do të ulin kërkesën dhe kështu do të ndihmojnë në frenimin e rritjes së çmimeve. Por politikëbërësit duhet gjithashtu të hartojnë masa që zbusin ndikimin e botës së sotme deglobalizuese.

(Dambisa Moyo, ekonomiste ndërkombëtare, është autore e katër librave më të shitur të “New York Times”, duke përfshirë Edge of Chaos: Why Democracy Is Failing to Deliver Economic Groëth – and How to Fix it (Basic Books, 2018). Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

Artikuj të ngjashëm