OpEd

Copëza ditari

NATO-ja na çliroi nga Serbia. Ne lejuam që profiterët e luftës të na i marrin të gjitha. Që të na okupojnë. Që të na bëjnë të ndihemi edhe më keq sesa kur na kishin okupuar të huajt. Për shkak se zullumi i tëndit dhemb shumë. Shumë

13 qershor 1999

Kaloi edhe një natë pa gjumë, prej shumë sish që kisha përjetuar që nga nisja e bombardimit. Isha në Shkup, dhe kësaj radhe nuk flija nga emocioni. Po ktheheshim në shtëpi.

Ishim mbledhur para zyrës së UNICEF-it në Shkup. I kishim ngarkuar kamionetat me plot ushqim që kishim blerë një ditë më parë. Po ktheheshim pa ditur se si dhe ku do t'i gjenim njerëzit tanë dhe banesat dhe shtëpitë tona.

Na thanë të niseshim te depot e UNHCR-së, te Panairi i Shkupit, prej nga do t'i bashkoheshim varganit të 71 veturave ushtarake dhe civile, që po niseshin për në Prishtinë një ditë pasi trupat e KFOR-it kishin hyrë në formë simultane në të gjithë Kosovën si çlirimtarë.

U nisëm nga ora 10:00 me ndjenjën e çuditshme se kësaj radhe do t'i afroheshim kufirit, por për dallim nga thuajse tre muajt e shkuar, kësaj radhe edhe do të mund të dalim në anën tjetër. Në Kosovë.

Kaluam nga Stenkoveci - kampi më i madh refugjatësh në Maqedoni. Njerëzit ishin mbledhur te gardhi dhe na përshëndesnin tek kalonim. Ne ishim me fat - ne po ktheheshim, përderisa ata ende po mbesnin të ngujuar në pluhurin dhe tendat përvëluese.

Mbërritëm në Bllacë dhe nuk na ndali kush. Kaluam nga toka e askujt - dhe njëmend ishte e askujt: s'kishte asnjeri, e as veturë aty pari. Iu afruam kufirit te Hani i Elezit dhe e përjetuam gëzimin e parë: s'kishte mbetur shenjë e shtetit serb; as flamur, as ushtar as polic për të na ndalur. Hymë në qytezë dhe thuajse nuk pamë askënd, pos ca burrave në një kodër, të veshur me uniforma të UÇK-së, porse të paarmatosur.

Te kthesa e parë, vargani u ndal. Po niseshim drejt rrugës së tuneleve dhe urave që duheshin inspektuar për mjete shpërthyese. Punë të cilën do ta bënin nepalezët e Ushtrisë britanike të quajtur gurka. Nuk mbaj mend të kisha parë njerëz kaq të zhdërvjelltë që kacavirreshin urave në kërkim të dinamitit. Shtatshkurtër dhe që të gjithë, pa përjashtim, me nga një thikë shumë interesante, vdekjeprurëse, në brez. Pas inspektimit, ushtarët e NATO-s nuk lejonin që më shumë se një veturë ta kalonte tunelin apo urën.

Duke lëvizur 30 kilometra në orë, mezi ia dolëm t'i kalojmë ato 12 kilometrat nga kufiri deri në Kaçanik. Aty u ndalëm sërish, aty pranë fushës së futbollit - dy helikopterë të mëdhenj amerikanë, me dy palë elisa, po zbarkonin në fushë. Ishte sikur e shikoje një film nga Vietnami - krejt të gatshëm për aksion. Për çdo rast. Ani që as aty s'kishte njeri.

Ishte ndjenjë e çuditshme tek kalonim nga fushat e bleruara të tokës të cilën e doja përherë e më shumë. Sa më gjatë kaloja kohë në terren, aq më shtohej edhe ndjenja që gufonte.

Për fëmijët e rritur në qytet, nocioni i shtazëve e shpezëve, fshatrave të largëta, burimeve të ujit e maleve ishin pothuajse të panjohura. Me kohën, në dhjetë vjet që i kisha kaluar në terren, nëpër shumë fshatra, u dashurova madje edhe në zonat gurore e shterpe ku kishin lindur vendbanimet në mes të askundit - sepse ky ishte vendi ynë, toka jonë, e vetmja që kishim.

Takimet me njerëzit në terren përherë kishin qenë përvojë e jashtëzakonshme - ishin rrëfime sakrifice e vendosmërie për të ndenjur në Kosovë, pavarësisht të gjithave. Ishin motiv edhe për ne që gjendeshim në terren përditë, për të punuar edhe më shumë; për të ndihmuar aq sa mundnim, që të gjithë ne të mbeteshim në shtëpi. Në Kosovë.

Njerëzit që i shihnim rrugës kishin mbetur në Kosovë gjatë gjithë luftës. Ne e kishim vuajtur poshtërimin e dëbimit, porse tash po e përjetonim fitoren e kthimit me një elan e vullnet edhe më të madh se kurrë: kishte ardhur koha të dëshmonim se ishim të pjekur dhe se e meritonim të jetonim më në fund të lirë, si zotë të vetes.

Derisa nuk u afruam në Ferizaj, nuk kishte shumë shenja shkatërrimi. (Pak e dinim se masakrat dhe rrënimet kishin ndodhur në brendi, aty ku syri nuk mund ta kapte nga rruga). E megjithatë, nga dy anët e rrugës kishim dalë me qindra njerëz për t'i uruar ushtarët e NATO-s. "Në atë harxh" na uronin edhe ne, që sado që u drejtoheshim në shqip, na përgjigjeshin në anglisht. Na i mbushën veturat me lulëkuqet e fushës. Dhe ama bash nuk ishte me rëndësi se sa ishin vyshkur tashmë: ishin lulet më të bukura që kisha parë ndonjëherë.

* * *

Iu afruam Veternikut - mezi prisja ta shihja qytetin prej kodrës. M'u kujtua gara që e bënim me Vetonin sa herë që ktheheshim nga Prizreni me prindërit: kush mbërrinte ta shihte i pari qytetin nga kodra. Thuajse po zbulonim diçka të paparë. E në fakt, e shprehnim, në formën tonë fëmijërore, dashurinë për qytetin e lindjes. I tillë çfarë ishte, ishte qyteti më i bukur në botë për ne.

Edhe kësaj radhe e përjetova emocionin e njëjtë, me dallimin që zemra sa nuk më dilte prej kraharorit. Pas gjashtë orësh udhëtimi, i kaluam 84 kilometrat mes Shkupit dhe Prishtinës, porse nuk na lejuan të hynim në qytet. Duhej strehuar në zonën industriale, ngase qyteti ishte përplot me policë, paramilitarë e ushtarë serbë, kurse trupat ruse që kishin hyrë një natë më herët, ishin zhvendosur në Aeroportin e Prishtinës (është ironike që Prishtina e feston 11 qershorin si ditë çlirimi - ditën kur rusët hynë në qytet dhe kur jo pak njerëz u vranë në shenjë hakmarrjeje të serbëve për shkak të bombardimit).

* * *

Takova nënën dhe vëllanë pas 70 e kusur ditësh, të strehuar në një shtëpi miqsh zemërgjerë, që e kishin rrezikuar veten për t'i shpëtuar ata. Përjetë falënderuese dy familjeve trime dhe bujare që u ndihmuan atëherë kur s'kishin nga ia mbanin.

Flokët tashmë të thinjura u ishin zbardhur krejt dhe u ishin rritur; ishin lëkurëzbehur dhe të hutuar. Përnjëherë më shihnin me dy telefona në xhepa të këmishës, me flokë të gjata asisoj që nuk i kisha pasur kurrë në jetë, sikur të kisha dalë nga një dimension tjetër. Dhe në fakt ashtu ishte - mua më kishin dëbuar që në javën e parë të bombardimit të Maqedoni, dhe e kisha kaluar gjithë atë fazë në qetësinë e Shkupit, por me stuhinë në shpirt që ma shkaktonte brejtja e ndërgjegjes, se unë isha në të sigurt, kurse ata mund ta pësonin në çdo çast. Ani pse dëbimi nuk kishte qenë zgjedhje imja.

* * *

Nisa të kthehesha në zonën industriale, "konakun" tonë - aty ku i kishim parkuar veturat bash në mes të një kontingjenti ushtarësh të NATO-s dhe të ushtrisë jugosllave. Edhe një në vargun e gjërave surreale që do të ndodhnin këtë ditë. Pas episodit të përjetuar mbas "Uzorit", kjo tashmë më dukej normale.

Duke u kthyer, u desh të ndaleshim për t'i kontaktuar ca komandantë britanikë. E ndalëm veturën ama bash në mes të rrugës. Mund ta lije veturën madje të ndezur, s'kishte kush ta merrte... njeri të gjallë s'kishte përgjatë rrugës “Ramiz Sadiku” (tash “Agim Ramadani”).

Nejse, me të dalë nga vetura u dëgjuan edhe piskamat edhe krismat. Nuk di gjë, veç kur dola nga tuneli mbas "Uzorit", i pashë dy ushtarë britanikë të shtrirë përtokë në pozicion gjuajtjeje; i pashë edhe dy trupa të pajetë. Do të kenë qenë policë serbë të veshur në tesha civile, sepse kishin dalë nga shtëpia e Veli Devës që gjatë bombardimit ishte shndërruar në stacion policie.

Më thanë të mbështetesha për një mur e të mos lëvizja. Po kush me lëvizë, që mbaroi lufta e shpëtova, e tash midis Prishtine këmbim zjarri dhe vrasje në vetëmbrojtje, thuajse para syve të mi. Lehtë ndonjë plumb qorr ka mundur të më qëllonte... si në filma.

Tek qëndroja e mbështetur për muri, dolën edhe civilë nga shtëpia/stacion, me shkumëz, metër dhe numra që i identifikojnë gëzhojat në vend të ngjarjes. Të papenguar nga britanikët, serbët i vizatuan konturat e trupave, i vendosën numrat dhe i bënë ca matje. Pas pak, erdhën, i mblodhën trupat e pajetë dhe nuk e di kah i çuan.

M'u deshën nja tri herë ta pickoja veten, se nuk mund të besoja se kjo po ndodhte para syve të mi dhe në ditën e parë të kthimit në Prishtinë, se në shtëpi nuk do të na lejonin të shkonim derisa serbët të mos tërhiqen në Dragodan (Arbëri), nën vëzhgimin direkt të NATO-s.

U ktheva në "bazë". Për herë të parë pas 80 ditësh, i lidha tri orë gjumë.

* * *

Gëzimin e asaj dite ende e përjetoj, edhe pse jo me intensitetin e njëjtë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë. Madje dy anëtarë të ekipit me të cilin u kthyem, nuk janë më. Pa ta, kremtja jonë tradicionale e 13 qershorit më nuk ka kuptim.

Për aq sa do të kem jetë e mend, unë nuk do ta harroj atë ditë dhe këtë datë. Për mua ishte shënimi i një fillimi të ri. Një rast i cili të jepet një herë në jetë. Një rast që nuk e shfrytëzuam, për shkak se u treguam se nuk ishim të pjekur për të jetuar të lirë.

NATO-ja na çliroi nga Serbia. Ne lejuam që profiterët e luftës të na i merrnin të gjitha. Që të na okupojnë. Që të na bëjnë të ndihemi edhe më keq sesa kur na kishin okupuar të huajt. Për shkak se zullumi i tëndit dhemb shumë. Shumë.

[email protected]